Vitin tjetër do çojmë satelitët ‘Albania 1’ dhe ‘Albania 2’ në orbitë
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, “kontrolli mbi territorin, mbi trafiqet dhe mbi kufijtë, do të kalojë në nivelin e teknologjisë dhe do të hiqet nga duart e atyre që kontrollojnë me sy”.Kryeministri bëri të ditur se Shqipëria vitin tjetër do të dërgojë satelitë në orbitë.
“Shqipëria do të dërgojë satelitët në orbitë, jo në mandatin tjetër por vitin tjetër. Dy satelitë, të emërtuar “Albania one dhe Albania two”, në orbitë të cilat do të monitorojnë territorin dhe do të evidentojnë veprimtaritë e kundraligjshme”, tha Rama.
Në fjalën e tij në Kuvend Rama vuri në dukje duke iu drejtuar opozitës se, “na keni lënë një situatë që patjetër do kohë, durim, për të pastruar këtu e atje, s’mbaron, por ne shohim shumë larg”.
“Po të them, që dronët po e po, por edhe satelitët, në mënyrë që kontrolli mbi territorin, mbi trafiqet, mbi kufijtë, kontrolli mbi shumë çka të kalojë në nivelin e teknologjisë dhe të hiqet nga duart e atyre që kontrollojnë me sy, që me thënë të drejtën, kur vjen puna te inspektorët, janë me virus edhe ata që kishit ju, edhe këta që kemi pasur ne.
Sa më shumë t’jua heqim atyre kontrollin e jetës dhe bizneseve aq më mirë të jetë. Prandaj, sytë për të kontrolluar do t’i çojmë në qiell e do të kontrollojmë nga qielli. Ju qeshni, sepse të qeshurën e keni program partie. Edhe pse sot jeni në kushtet, kur qeshni, sepse nuk qani dot”, u shpreh Rama. ATA.gov.al