Përgjegjshmëria financiare e Programit qeverisës 2021-2025

6 Tetor, 20210

Qendra ALTAX, publikoi sot Raportin studimor Përgjegjshmëria financiare e Programit qeverisës 2021-2025.Në këtë raport studimor ( me 4 pjesë në gjuhën shqip) janë përmbledhur etapat e situatës pas zgjedhore dhe deri në shpalljen e programit të ri qeverisës 2021-2025, duke ju referuar më shumë se 200 referencave të ndryshme analitike, statistikore, media investigative, raporte të brendshme dhe të huaja, si dhe vetë referencat e informacioneve nga faqet zyrtare të institucioneve publike. Llogaritjet janë bërë dhe konfirmuar nga ekspertët e ALTAX dhe partnerët tanë.

Ndikuesit e përmbushjes së premtimeve të fushatës në Shqipëri përgjatë 2021 janë analizuar në një perspektivë krahasuese duke marrë në konsideratë edhe nivelin e realizimit të programit qeverisës Rama 2 (2017 -2021).Në një krahasim të Programeve qeverisëse dhe Kabineteve në 2017-2021 dhe 2021-2025 janë evidentuar edhe përsëritjet dhe pikat programore të reja, të cilat përcjellin në një nivel të caktuar edhe premtimet zgjedhore të 2021.

Raporti fillon me paraqitjen e situatës politike dhe situatës ekonomike pas zgjedhore deri në krijimin e qeverisë së re. Zgjedhjet e Prillit 2021 u fituan nga Partia Socialiste, e cila fitoi 74 mandate dhe me të drejtën për të qeverisur si forcë politike e vetme për herë të dytë, si dhe formimin e qeverisë per te treten here radhazi, një risi që ndodh për herë të parë në historinë politike të Shqipërisë së pas viteve ’90.  Rekomandimet e ODIHR theksojnë se kuadri ligjor ka nevojë për rishikim të mëtejshëm për të adresuar rekomandimet e jashtëzakonshme të ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias, si edhe një numër paqartësish dhe mospërputhjesh.

Ekonomia është në rritje të dukshme në 6-mujorin e parë 2021 të krahasuar me 2020, me një rritje 11.7%. Ky përmirësim ndihet, së pari për arsye të krahasimit me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku vendi vuajti një krizë të thellë si rrjedhojë e karantinës së detyruar nga Covid-19, çka bëri që PBB-ja të binte. Së dyti, të gjithë sektorët janë rikuperuar, por më e fortë rritja ka ndodhur për ndërtimin, industrinë, tregtinë, shërbimet dhe pasuritë e paluajtshme. Pas rritjes së kreditimit për financimin e buxhetit me marrjen borxh në tregjet financiare ndërkombëtare (nëpërmjet Eurobondit), niveli i borxhit në fund të 6-mujorit të parë 2021 është 75.67%.

Ndikuesit e përmbushjes së premtimeve të fushatës në Shqipëri përgjatë 2021 janë analizuar në një perspektivë krahasuese. Premtimet e bëra në muajin e fushatës zyrtare, ku disa prej të cilave ishin deklaruar edhe pak më herët se të fillonte kjo fushatë përfshijnë të gjithë sektorët qeverisës të kaluar dhe ato që tashmë janë rikonfirmuar si fusha drejtimi ministeriale. Ndër premtimet më të spikatura veçojmë (a) premtimet e përsëritura, (b) premtime të reja.

Programi Politik i Qeverisë në disa sektorë është më i qartë dhe i matshëm (arsimi, infrastruktura, energjia, politikat sociale, rindërtimi, lufta ndaj pandemisë Covid-19). Në sektorë të tjerë (shëndetësia, turizmi, bujqësia, fiskale dhe buxhetore, infrastruktura e ujësjellës-kanalizime, mjedisi, industria minerare dhe ushqimore, ekonomia publike, punësimi) pikat e programit janë jo të qarta, konkrete dhe të matshme.

Programi qeverisës, nuk i ka përfshirë më shumë se 46% të premtimeve specifike të deklaruara nga lidershipi kryesor i PS-së gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Premtimet e pa përfshira në program janë pjesë e punës rutinë dhe projekte buxhetore në proces planifikimi/zbatimi. Këto premtime janë zëvendësuar me pika programi të reja, të cilat janë projekte buxhetore/ligjore në etapa ecurie të ndryshme sipas linjave ministrore të kabinetit qeveritar Rama 2. Nga ky këndvështrim i pozicionimit të programit qeverisës, duket se hartuesit e tij kanë hequr pjesët e detajuara në premtimet për infrastrukturën dhe transportin, për arsimin, për shëndetësinë, për ekonominë, për kulturën, për bujqësinë, si dhe për energjinë për ti zëvendësuar me të reja, por që në shumicën e tyre e përfshijnë logjikën e premtimit, si dhe kanë një orientim më elektoral.

Në një krahasim të Programeve qeverisëse dhe Kabineteve në 2017-2021 dhe 2021-2025, duket se Ministrat në shumicën e rasteve janë rrallë anëtarë të fuqishëm të kabinetit. Ndërkohë, në procesin e vendimmarrjes dhe hartimin e programeve nuk përfshihen shumë aktorë nga grupe të ndryshme sociale dhe grupe interesi. Publikut të gjerë i jepet për të dialoguar me përfaqësuesit e qeverisë politika/masa të diktuara nga qeveria, pa konsultime të thelluara. Nisur nga kjo qasje është ndikuar pjesërisht edhe performanca e realizimit të programeve qeverisëse. Analiza na tregon, se detyrat e qeverisë nuk kanë shkuar më mirë, pasi kjo përvoje në realitet arrin të krijojë dublim dhe kosto të dëmshme financiare dhe etike.

Në përgjithësi, programet e mirëqenies dhe infrastrukturës kanë tërheqje shumë më të madhe buxhetore sesa programet e tjera dhe këtë e kemi vërejtur në të gjitha qeveritë e kaluara dhe programin e qeverisë Rama 3. Arsyeja kryesore është se ato përfshijnë përfitime politike të prekshme pasi shpenzimet në projekte të përqëndruara kanë shanse të kenë edhe suksesin e garantuar për të krijuar kapital politik. Kjo mënyrë, që vihet re veçanërisht, kur mandatet përsëriten. Programet në qeverisjet në vijimësi prodhojnë grupe të fuqishme interesi për të mbrojtur dhe zgjeruar përfitimet politike, por edhe orientimin e votuesit klientelist. Për më tepër, qeveritë kanë gjetur se zgjidhja e disa problemeve që adresohen për shtresat në nevojë dhe ato të margjinalizuara mund të shmangë nevojën për një numër të madh ankesash nga votuesit.

Nga angazhimet më të mëdha financiare që Socialistët kanë marrë gjatë fushatës zgjedhore janë fatura e rindërtimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i Nëntorit 2019, faturat e infrastrukturës, si dhe rritja e pagave për mësuesit, mjekët dhe infermierët të cilat minimalisht e rritin presionin fiskal ndaj buxhetit të shtetit me të paktën 2% të PBB-së. Të tre këto grup shpenzimesh përbëjnë 80.9% të totalit të shpenzimeve shtesë, si pasojë e aktivizimit të programit qeverisës Rama 3, në mbajtje të premtimeve të fushatës zgjedhore gjatë fillimvitit 2021.

Ndikimi i buxhetit nga programi qeverisës Rama 3, bazuar te premtimet zgjedhore në tërësinë e tij, i shton shpenzimeve të buxhetit një faturë vjetore prej 65.7 miliardë lekë dhe me një efekt në të hyrat e buxhetit me 4.8 miliardë lekë. Nisur nga llogaritja midis tyre, ndikimi në buxhet është me efekt negativ prej 60.9 miliardë lekësh.

Në tërësinë e programit të qeverisë Rama 2, në lidhje me shpenzimet shtesë sipas premtimeve elektorale, llogaritet një kosto buxhetore që ka ndikuar në një barrë në buxhetin e shtetit vit për vit sa 0.8% të PBB-së. Ndikimin më të madh në këtë rritje të kostos buxhetore e kanë patur shpenzimet për infrastrukturën rrugore, shpenzimet për projektet për edukimin, për pagat e administratës dhe pensionet, shpenzimet për ujësjellës-kanalizimet dhe infrastrukturën e mbetjeve me një ndikim te borxhi sa 0.6% e PBB-së.

Në kushtet, kur treguesi mesatar i rritjes ekonomike në 4 vitet e fundit (pa përfshirë 2020) është 3.3%, atëherë objektivi prej 4.5% për periudhën 2021 -2025 është i arritshëm nëse do të plotësohen gjithë premtimet për investimet në infrastrukturën aeroportuale, infrastrukturën rrugore, turistike dhe investimet në sektorët e dedikuar të ekonomisë. Ky target është i besueshëm, nëse reformat e stopuara, si dhe reforma të nisura në qeverinë Rama 2 do të fillojnë të jetësohen që në vitin e parë të qeverisë, duke patur një plan veprimi të plotë dhe të qartë bashkë me buxhetin e bazuar te vlera e drejtë.

Nga efekti pozitiv i investimeve varet edhe një pjesë e performancës fiskale të të ardhurave tatimore, të cilat janë premtuar që si efekt i fiskalizimit do të synohen të arrijnë deri në fund të vitit 2025 sa 30% e PBB. Aktualisht, të ardhurat tatimore janë sa 25% e PBB-së. Pra një rritje me 5 pikë përqind do të thotë një rritje e tyre mesatare prej 20 miliard lekë në vit. Një e ardhur tatimore në këto vlera absolute kërkon të paktën, një rritje ekonomike me të paktën edhe 3% deri 4% më të lartë nga niveli aktual prej 2.2%.

Nisur nga nevoja për të reflektuar vit pas viti në Programin Qeverisës 2021 – 2025, ne mendojmë se:

  • Qeveria Rama 3 duhet të angazhohet zyrtarisht në një risistemim të nevojshëm të skemës funksionale të pensioneve, pavarësisht indeksimit dhe zbatimit të bonueseve me efekt sa 5% rritje pensionesh.
  • Qeveria duhet të shpallë zyrtarisht minimumin jetik, si dhe pasi është mjaft i nevojshëm të krijojë simbiozën me programin për riformatimin e ndihmës ekonomike. Ndërkohë, qeveria e ka përdorur llogaritjen e minimumit jetik për të ndryshuar pagën minimale, e cila në fakt nuk reflekton thjesht zhvillimin ekonomik dhe hapësirën fiskale, por është edhe një rritje e detyruar e tij, në varësi të ndryshimit të minimumit jetik.
  • Agjencitë e qeverisë duhet zhvillojnë vlerësime për qëllime të ndryshme në një proces të ngjashëm/paralel me buxhetin: Zbatimi i buxhetit; Vlerësimet e kostove (vlerësimet e efekteve të premtimeve mbi shpenzimet, të ardhurat dhe deficitin); Parashikimet e shpenzimeve dhe deficitit sipas ligjit aktual; dhe Parashikimet e borxhit sipas ligjit aktual.

Në një analizë të programeve qeverisëse të periudhës 2009-2021 ne kemi analizuar edhe strukturat e kabineteve, për të dhënë një paraqitje më të plotë të qëllimit të analizës për përgjegjshmërinë financiare dhe besueshmërinë e programeve qeverisëse. Ne konstatojmë, se aleancat qeverisëse diktojnë edhe kompozimin e kabineteve qeverisës (integrimi, mjedisi, shanset e barabarta). Disa funksione, si: rinia, sporti etj. na tregon se ndryshimi i fushës së mbulimit në vendimet e KM nuk ka argumentime specifike, por gjithsesi lëvizja nga një ministri te tjetra krijon probleme në lidhje me fokusin, si dhe ndjekjen konsistente të politikave, përtej synimit për përmirësim të politikës dhe vëmendjes së shtuar, që në fakt në Program përfaqësohen me një vëmendje rutinore.

Nëse shqyrtojmë kompozimin e qeverisë Rama 2 dhe Rama 3 dhe e krahasojmë me qeverinë Berisha 2, vërejmë të përbashkët konsolidimin e portofoleve të rëndësishme dhe me peshë për arritjen e centralizuar të suksesit për programet në krijimin e ministrive me funksione sa më të zgjeruara në raport me kabinetin paraardhës, të drejtuar nga i njëjti Kryeministër. Edhe në këtë rast, qeveria Rama 2 duket se ka synuar të njëjtën gjë.

Në mbyllje, duket se sfidat e pazgjidhura nga qeveria Rama 2 kanë nevojë të akomodohen në detyrat e reja të ministrive, që filluan nga puna në Shtator 2021. Në këtë kontekst, si një obligim parësor nevojitet që secila qeveri t të bëjë edhe analiza fiskale transparente dhe analiza mbi kosto-përfitimin e politikave dhe ligjeve mjaft të rëndësishëm për ekonominë dhe jetën e vendit, si p.sh. ligji  mbi investimet strategjike në 2015, i cili zbatohet ngushtësisht i lidhur me akte të tjera ligjore  për thithjen e investimeve të huaja, zonat ekonomike dhe zhvillimin e strategjive kombëtare për sektorët më kryesorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *