Opozitarizëm me strategji dhe jo vetëm bazuar te ngjarjet

11 Shtator, 20210

Të gjitha vendet veprojnë në interesin e tyre afatgjatë dhe forcimin e ekonomisë dhe demokracisë në vend, që është një parakusht i forcës ndikuese edhe jashtë vendit.  Në fakt, udhëheqësit shqiptarë vërehet se e kanë pak të përbashkët këtë lloj qasje. Në vend të interesave afatgjatë, ata e diktojnë politikën në qasje afatshkurtra, të bazuara mbi vendime personale, që më së shumti synon të tërheqë vëmendjen e politikanëve të huaj dhe në vend të dytë vjen auditori shqiptar.
Sidoqoftë, impulsi për të marrë vendime në favor të bashkëpunimit me aleatët e huaj për të kënaqur pritshmëritë personale dhe jo në favor të auditorit vendas tashmë pritet të shkaktojë probleme në votuesit aktualë që mbështetin pozitën/opozitëm aktuale.
Ky opinion rezulton nga çfarë vërehet në veprimet dhe mënyrën e realizimit të tyre nga lidershipi në pozitë dhe opozitë.
Së pari, pozita që drejtohet nga z. Rama ka ca kohë që orientimin e politikës së partisë dhe qeverisë e ka drejt përmbushjes së kërkesave që vijnë dhe drejtohen jo thjesht për nevojat e përditshme të qytetarëve, por në përmbushje të kërkesave të ndërkombëtarëve.
Kjo politikë e jashtme është pozitive, por vetëm për aq kohë sa problemet e brendshme të pakësohen dhe të mos qëndrojnë në pritje për zgjidhje. Atëherë këtu fillon rreziku politik, që ka nevojë për adresim.
Politika e brendshme duhet të jetë përparësi në raport me politikën e jashtme dhe në favor të auditorit shqiptar. Edhe pse politika e jashtme është e mirë orientuar prej kohësh drejt qasjes euro – atlantike, gjithnjë mbetet prezent rreziku i përdorimit të saj për interesa vetjake të lidershipit.
Së dyti, opozita që drejtohet si një front i madh nga z. Basha sillet në të njëjtin stil lidershipi si kundërshtari politik.

Po atëherë opozita si pjesa e politikës që ofron politikë në tregun shqiptar, çfarë sjell si risi dhe si po i bën qasjet e saj në favor të auditorit?

Deri më sot opozita duket se i pëlqen më shumë të merret me vetveten se sa të udhëheqë kauza në favor direkt të auditorit vendas.
Politika e përballjes opozitare është dukshëm e bazuar te konflikti me pozitën, më shumë për ngjarje ditore dhe pak në interes të publikut. Në fakt auditori ka nevojë për garë dhe konkurencë vizioni.
P.sh. çfarë opsioni ka ndryshe në qasjen e saj opozita për “Shqipërinë 2030”, apo vit tjetër, pak rëndësi ka kjo?
Deri më sot ka shprehur vetëm opsionin që është vjedhur nga pozita, në funksion të një konflikti qe i ka skaduar afati përdorimit.
Natyrshëm që të gjitha konfliktet kanë shkaqe komplekse, por ajo që perceptojmë ne të tjerët si auditor i vëmendshëm nuk na duket se ka arsye kaq komplekse.
Një rezistencë dhe oponencë e pazëshme, që më shumë duket si tërheqje dhe lënie terreni për të avancuar pozita duket se nuk i kënaqi votuesit masivisht, sa për ti tërhequr drejt ditores së zgjedhjeve.
Qendrimi dhe veprimi politik për të luftuar në nivele mikro ndaj pozitës ( beteja ditore që nuk përgjithësojnë kauzat e votuesve dhe vizionit) ka  injoruar realitetin, kur realisht mjaftonte që vetëm koordinimi i departamenteve modeste opozitare bashkë me shoqërinë civile të pakapur mund të kishte ndaluar me kohë vendimet e një pas njëshme të pozitës të merrnin pozita dominuese në çdo aspekt të jetës.  Kështu p.sh., në rastin e pandemisë prej Covid-19, opozita ka humbur shansin për të udhëhequr një fushatë gjithpërfshirëse të vaksinimit që do ti kishte dhënë asaj atë mirënjohje qytetare dhe vullnet të mirë, si dhe do të demonstronte aftësinë e saj për të menaxhuar situata krizash të këtyre dimensioneve.

Thënë gjithë këto vlen të përmendim se opozita duhet të përqafojë kauza që përfaqësojnë gjithë grupimet në frontin kundër abuzimit me pushtetin,por dhe sfidat e të nesërmes duke mbajtur qëndrime stoike ndaj atyre të sotme dhe të kaluara, për të qenë frymëzuesë. Anti korrupsioni është një nga kauzat më të forta për të ndërtuar modelin e duhur opozitar jashtë kontureve partiake.
Rreziku është se paragjykimet e brendshme të opozitarizmit mund ta bëjnë politikën e kampit opozitar më pak efektive. Mirëpo lidershipi i duhur pikërisht duhet të gjejë një mënyrë të re për të bashkëjetuar me palët, që nënkupton se duhet të bashkë egzistojë me rivalitet, por dhe me bashkëpunim në fusha të ndryshme.
Megjithatë, politika aktuale e z. Basha për rivalin e tij është jashtëzakonisht e ngjashme me atë të z. Berisha, me një grup ad-hoc bashkëpunëtorësh dhe me një retorikë për një garë që gjenerojnë shumë zhurmë për pak gjë.  Edhe pse përmendja e armiqësisë ndaj PS është një nga gjërat e pakta që bashkon opozitarët, kjo nuk vlen njësoj dhe nuk ndodh automatikisht për publikun që nuk ka anësi ndaj PD, pasi deklarata të tilla në terma afatgjatë nuk e mbajnë dot frontin të aftë për betejat në funksion të interesit publik.
PD dhe gjithë opozitarët ende duhet të jetë të përgatitur për të përdorur fuqinë e argumentit dhe dialogut të orientuar sipas kategorive të votuesve për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe zbatimin e ligjit dhe strategjive për zhvillimin e vendit. Zoti Basha me të drejtë synon të ringjallë aleancat e hershme, të cilat shumëfishojnë ndikimin e tij.  Megjithatë, proteksionizmi i tij dhe mangësitë në komunikimin transparent mes frontit opozitar dëmton aleatët, por edhe votuesit besnikë. 

Politika e bashkëpunimit udhëhiqet nga ngjarjet, por jo aq nga strategjia që pothuajse nuk njihet nga publiku.

PD ka të nevojshme të drejtojë një platformë të qartë që duhet të orientohet ose nga konservatorizmi i dhembshur, ose nga progresi bazuar te konservatorizmi. Por gjithsesi Basha duhet të improvizojë në përgjigje të një kundërshtari të padisiplinuar duke patur si busull pikërisht vlerat bazë të demokracisë liberale.
Por ai nuk duhet të imagjinojë që një politikë e re në varësi të politikës së vjetër të trazuar do të ringjallë domosdoshmërisht inspirimin e votuesve për t’a mbështetur në rrugëtimin e tij, që tashmë mund ta personalizojë me karizmën e munguar deri më sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *