Me shumë gjasa PS do të vijojë të jetë një forcë dominuese politike për periudhën afatshkurtër, pavarësisht çfarë do të bëjë PD dhe aleatët. PS duket se ka ende mundësinë më të madhe në vend dhe tashmë është partneri më i madh i votuesve shqiptarë, mesatarisht me 42 përqind më shumë se PD në këto 12 vite të fundit. LSI, “centrali elektrik” i gjenerimit të votave, duket se nuk e luan dot rolin e mëparshëm me dy superfuqitë e politikës shqiptare. Megjithatë, ajo synon të mbajë marëdhënie me PS, edhe si lidhje politike, por edhe për arsye të riformatimit të vet, si një orientim i detyrueshëm ideologjik për të vijuar të jetë pjesë e tregut politik.
Megjithëse, në Shqipërinë e këtyre kohëve, shumë njerëz dhe biznese të fuqishme i janë drejtuar PD për pakënaqësitë e tyre, po ashtu ata i janë drejtuar dhe PS për prosperitetin e tyre. Nëse detyrohen të zgjedhin midis dy superfuqive politike shqiptare, disa nga ata kanë preferuar dhe mund të preferojnë ende të zgjedhin PS.
Por, çdo proces zgjedhjesh të reja në politikë bie edhe nevojën për ndryshime.
Kjo klimë pas zgjedhore duket se do të jetë fillimi i një ndryshimi të paevitueshëm. Dhe ndryshimin që të djathtët e kërkusn aq të dëshiruar, në fakt nuk mund tu vinte me përgatitjen e pamjaftueshme për fitore nga PD dhe aleatët. Koha për ndryshim është atëherë kur pregatitja e duhur e bën të mundur epërsinë mbi kundërshtarin.
Në këtë kontekst, në vend që të imponojë një vendim mbi aleatët dhe kritikët e tjerë, Z. Basha duhet tërë fitojë mbështetjen e tyre, si vlera që shton shanset e tij për të arritur të thyejë dominimin e PS. Shansi i tij më i mirë për këtë është që PD të demonstrojë se mund të lulëzojë në vend dhe lidershipi i saj të udhëheqë një ekonomi të suksesshme dhe të hapur.
Por pikërisht këtu në këtë pikë, detajet e skemës së Z. Basha janë shqetësuese.
Në vend që të ndërtojë strategjinë e epërsisë për fitore mbi pikat e forta të të djathtës, si një qasje që nuk kopjon ideologjinë e kundërshtarit, ai po përdor kërcënimin ndaj kritikëve për të çuar më tej axhendën e tij të brendshme. Doktrina e tij vijon të jetë e mbushur me politikë eufemiste, me ndërhyrje politike të pakuptimta, planifikim dhe kontrolle për të mbajtur nivelin e besnikërisë, por që nuk përkojnë me ideologjinë dhe perceptimin e elektoratit për të djathtën. Është një mënyrë e pakëndshme, për tu shkëputur nga e kaluara mëkatare, ndërkohë që nevojitet qasja konservatore duke u referuar në rikthimin e vlerave të humbura dhe krimin e pandëshkuar, por duke pastruar PD nga të inkriminuarit pa asnjë kompromis.
Kjo qasje realisht vlen për të dy superfuqitë politike, por kush e ngjall këtë frymë e ka edhe më të mundshme të përfitojë elektoratin e pavendosur dhe atë klientelist.
Për një paraqitje të shkurtër të asaj që mund të sjellë kjo qasje aktuale, shikoni në raportin e fundit të PD për zgjedhjet e 25 Prillit për të kuptuar frymën që e mban ende PD larg elektoratit, duke treguar se ka nevojë për analizë të vërtetë dhe të sinqertë. Shqiptarët e dashurojnë sinqeritetin edhe pse duket se kanë konflikt interesi me të. Raporti paraqet vetëm çështjet e sigurisë zgjedhore për ndërhyrjen e qeverisë në këtë proces, por nuk tregon dobësitë e brendshme të PD dhe të së djathtës që nuk e mundësuan epërsinë e një lidershipi që përpiqet të marrë çfarë të mundë ideologjikisht për të qenë fitues.
PD duhet të pastrohet nga e kaluara duke u krahasuar me dobësitë e PS aktuale,vqë këtë pastrim tashmë e ka kryer.
Ky krahasim do të thotë shumë për votuesit, pasi nuk vlen vetëm pastrimi i partisë, por filozofia e re që mban traditën me të ardhmen.
Mjafton përmendja e një realiteti social e politik, që të shikohet se kundërshtari politik nuk është i pamundur të arrihet dhe kalohet në epërsi ndaj tij. Një parti e majtë me fuqinë aktuale të PS, pothuajse nuk e konsideron faktor përfaqësimin e sindikatave në politikën e vet për drejtësinë shoqërore dhe pothuajse gjithçka tjetër që lidhet me të drejtat e punonjësve nuk miratohet si kërkesë e tyre. Mund të përmenden edhe më shumë qasje të tilla, por ne nuk kemi qëllim të shkruajmë një udhëzues, por të nxitim shpirtin e një qasje politike ndryshe nga deri më sot.
Në mënyrë të pashmangshme, planet e Z. Basha duhet të orientohen drejt një politike distancimesh nga e kaluara e vet dhe e tashmja e kundërshtarit dhe fokusimi drejt mbrojtjes së intetesave të votuesve. Thelbësore për sulmin e tij politik ndaj PS është tejkalimi i kopetencave të saj me të drejtat e qeverisjes, veçanërisht ato të drejta që përcaktojnë orientimin ekonomik dhe politik të vendit. Në këtë drejtim, vlen të fokusohet te çmitizimi i promovimeve të grave dhe të rinjve, që duket se nuk vlejnë më tej si shembuj të mirëqevetisjes. Thelbësore për politikën e tij mbi ndryshimin e vendit për të ardhmen është kalimi te burimet e nevojshme njerëzore që nevojiten për të mundësuar fitoren dhe ndryshimin.
Megjithatë, edhe pse të dy superfuqitë politike janë të ngatërruara me të kaluarën, të paktën në një periudhë afatshkurtër, nevojitet që nga analiza të dilet në një qasje që promovon atë që njerëzit e thjeshtë kërkojnë me zemër dhe shpirt: të merret në dorëzim shteti dhe ti dilet për zot vlerave më pozitive të shqiptarëve, që duket se pikën e dobët kanë organizimin.
Një problem më themelor për tu përballur është proteksionizmi politik i PS. Kjo favorizon zyrtarët aktualë në detyrë mbi konkurrentët e tyre politikë dhe ka të ngjarë të vijojë ta dëmtojë ekonominë në vend që ta mobilizojë atë ashtu si kemi shpresuar prej gati 1 dekadë. Kështu p.sh., programi i promovimit të teknologjisë dhe i informatizimit të vendit është shumë i popullarizuar si një mënyrë ku përtej politikës për zhvillim duket se kërkon të tregojë, që PS ka një epërsi ndaj PD. Megjithëse në tërësi kjo është një qasje pozitive dhe e mirëpritur nga votuesit është ende e gjallë për kujtesën e elektoratit shqiptar djegia e etapave të zhvillimit ekonomik dhe ecja e stërmundimshme ekonomike bazuar mbi sakrificën dhe naivitetin, se mirëqenia mund të vijë shpejt, se kështu thoshte lideri Pjesërisht edhe mund të arrihet një mirëqenie më e lartë, por e para ajo nuk është afatgjatë, dhe e dyta, në vijim të arsyes së parë ajo nuk arrin të jetë konkuruese me rajonin dhe vendet e zhvilluara europiane.
Në fakt edhe pse nën modelin përgjithësisht të organizimit efektiv të sistemit të kaluar, koha tregoi se ne nuk trashëguam ekonomi konkuruese me rajonin dhe mundësi për të funksionuar efektivisht përtej periudhës që zgjati regjimi politik i kaluar. Pikërisht në shkallën që lejon një lloj konkurrence të re, në të cilën të gjejë vetveten politika ekonomike e PD duhet të jetë doktrina konkuruese në një kontekst të ri, si taktika kundër proteksionizmit politik.
Një tjeter problem i pazgjidhur strategjikisht është se qasja e Z. Basha duhet t’i bëjë aleancat e PD edhe më të kujdesshme.
Nëse qëllimi i ndërprerjes së lidhjeve me një organizatë politike është krijimi i shanseve më të mira për të arritur optimizim të votuesve dhe përkrahësve, aleatët historikë do të pyesin veten se çfarë mund të ketë për ta që nuk e meritojnë edhe për më tej shansin e egzistencës së tyre politike. Por, nëse vijimësia është si më parë, kjo është një qasje që nuk ndihmon në arritjen e qëllimit strategjik, fitores së të djathtës duke lënë pas barrën e kusureve të të kaluarës.
Nëse PD dëshiron ta ndalojë PS nga përdorimi efektiv i imazhit që ka krijuar në këto 12 vite, ajo duhet të mbrojë llojin e votuesit që i shërbeu gjithmonë mirë për qëllimet e fitores. Në qendër të një qasjeje të tillë do të ishte shkëmbimi i ideve dhe bashkëveprimi shumëpalësh, duke mishëruar besimin se hapja e partisë dhe rrjedha e lirë e ideve do të krijojnë një avantazh në politikën e re.
Nëse PD do të dojë vërtet t’i kundërvihet PS, ajo do të bashkohej me qasjen për marrëveshje popullore në luftën ndaj korrupsionit, si i vetmi “institucion kryesor”, që ajo duhet të menaxhojë për sa kohë është në opozitë. Kjo është shumë e vështirë tani, por ajo mund të kërkojë marrëveshje të reja për të tërhequr ne kauzën e saj organizata të shoqërisë civile që kanë pbjekt të përbashkët, ekspertë, të rinj dhe çdo njeri që beson te kauza për të fituar. Ajo gjithashtu duhet të vendosë të rinjtë dhe idetë e reja që përforcojnë vlerat liberale perëndimore, të tilla si një program për krizat e ardhme dhe sigurinë për një mirëqenie më të mirë. Në vend që të kopjojë tekno-socializmin e PS, një PD më konkuruese duhet të afirmojë atë çfarë e bëri partinë e Merkelit më të fortë në Gjermani.