
Reforma territoriale 2026, nga ndryshimi i hartës te kapaciteti ekonomik i territorit
Komentet për reformën administrativo-territoriale duhet të vendosen në një këndvështrim më të gjerë se vetë ndryshimi i hartës së Shqipërisë. Reforma territoriale nuk është në thelb një reformë për numrin e bashkive, por për kapacitetin e territorit për të qeverisur, financuar dhe prodhuar zhvillim.
Për këtë arsye, diskutimi nuk duhet të kufizohet te zgjedhja midis 61 apo 46 bashkive, por te fakti nëse modeli i ri do krijojë njësi vendore më të afta për të ofruar shërbime, menaxhuar financat, tërhequr investime dhe krijuar zhvillim të qëndrueshëm.
Nga 373 në 61 bashki, çfarë mësuam?
Reforma e vitit 2014 ishte një ndërhyrje e rëndësishme strukturore. Nga më shumë se 370 njësi të qeverisjes vendore u kalua në 61 bashki, me synimin për të krijuar njësi më të mëdha, me kapacitete administrative më të mira, ekonomi shkalle dhe mundësi më të mëdha për të menaxhuar funksionet e decentralizuara.
Pas më shumë se një dekade, reforma mund të vlerësohet edhe përmes rezultateve. Nga njëra anë, bashkitë janë bërë njësi më të mëdha, kanë marrë më shumë përgjegjësi dhe kanë administruar burime financiare në rritje. Nga ana tjetër, madhësia administrative nuk ka prodhuar kapacitet të barabartë ekonomik dhe financiar.
Kjo është një nga çështjet që duhet të adresojë reforma e re. Një bashki mund të jetë e madhe në territor, por e dobët në bazën e saj ekonomike, mund të ketë shumë kilometra rrugë për të mirëmbajtur, por pak të ardhura për t’i financuar; sipërfaqe të mëdha pyjore, bujqësore ose turistike, por bazë të kufizuar tatimore, apo potencial investimi, por jo kapacitetin administrativ për ta kthyer atë në projekte të financueshme.
Pra, territori nuk duhet të matet vetëm me sipërfaqe, popullsi apo numër njësish administrative, por edhe me kapacitetin për të krijuar dhe menaxhuar vlerë.
Pikërisht këtu qëndron një nga boshllëqet e diskutimit aktual. Debati duhet të zhvendoset nga harta administrative drejt kapacitetit financiar territorial. Kjo duhet të bëhet pjesë e vetë logjikës së reformës.
Nëse bashkojmë territore, përveç numrit të banorëve të bashkisë së re duhet të analizojmë ekonominë e saj, bazën tatimore, pasuritë publike e private, të ardhurat që mund të gjenerojë, borxhet dhe detyrimet që trashëgon, koston e shërbimeve, kapacitetin për investime dhe, mbi të gjitha, mundësinë për të financuar zhvillimin. Kjo e ndryshon thelbin e reformës.
61 apo 46 nuk është vetë reforma
Ligji për kalimin nga 61 në 46 bashki, përmes konsolidimit të 15 bashkive me bashki fqinje, synon të krijojë njësi më funksionale dhe më të afta për administrim, investime dhe përthithje të fondeve europiane. Objektivi është legjitim, por numri 46 nuk është në vetvete tregues suksesi. Reforma mund të quhet e suksesshme vetëm nëse njësia e re është më funksionale se ato që zëvendëson.
Prandaj, çdo bashkim duhet të vlerësohet nëse rrit kapacitetin financiar dhe aftësinë për investim, përmirëson shërbimet, ul kostot administrative, krijon ekonomi shkalle dhe një bazë ekonomike më të fortë, si dhe rrit aftësinë për të përfituar nga fondet europiane. Nëse këto rezultate nuk provohen, reforma rrezikon të mbetet kryesisht një ndryshim i kufijve administrativë.
Strukturimi i ri territorial ka një kufizim kryesor: mungesën e një analize të plotë të ndikimit për çdo konsolidim. Përtej identifikimit të bashkive që bashkohen, duhet të përcaktohen qartë:
- kushtet e tranzicionit dhe kostoja e ristrukturimit të administratës;
- menaxhimi i aseteve dhe detyrimeve, si dhe integrimi i sistemeve të informacionit;
- ndryshimet në aksesin e qytetarëve te shërbimet dhe në bilancin e të ardhurave e shpenzimeve;
- ndikimi financiar specifik te bashkia e re gjatë viteve 2027–2030.
Pra, një bashki e re duhet të nisë funksionimin mbi një bilanc të qartë ekonomik të territorit të trashëguar, jo vetëm mbi madhësinë e tij.
Nga buxheti i transfertave te financimi i territorit
Këtu duhet të bëjmë një hap tjetër në mënyrën se si e mendojmë decentralizimin.
Shqipëria ka bërë progres në rritjen e burimeve që shkojnë drejt qeverisjes vendore. Për vitin 2026, shpenzimet e buxhetit vendor janë planifikuar në 97.7 miliardë lekë, ndërsa granti total nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor arrin 47.3 miliardë lekë. Transferta e pakushtëzuar është rritur ndjeshëm krahasuar me periudhën para reformës së vitit 2014.
Por duhet të dallojmë financimin e bashkive nga financimi i territorit.
Financimi i bashkisë siguron funksionimin e administratës dhe ofrimin e shërbimeve. Financimi i territorit duhet të krijojë kushtet që territori të prodhojë më shumë ekonomi, të ardhura dhe investime.
Kjo e bën të rëndësishëm diskutimin e ALTAX për kalimin nga buxheti i transfertave te financimi i territorit në 2027.
Nëse reforma krijon bashki më të mëdha, por ato do të vazhdojnë të varen kryesisht nga transfertat qendrore për funksionet bazë, atëherë kemi forcuar strukturën administrative, por jo autonominë ekonomike. Faza e ardhshme duhet të synojë që territori të financohet edhe nga kapaciteti i tij për të krijuar të ardhura dhe investime.
Reforma duhet të krijojë territore ekonomikisht funksionale
Një bashki nuk duhet të konceptohet vetëm si njësi administrative, por edhe si një ekonomi territoriale.
Në hartimin e reformës duhet të merren parasysh, krahas popullsisë dhe kufijve administrativë, edhe struktura ekonomike, burimet natyrore, pasuritë publike, potenciali turistik, bujqësia, industria dhe shërbimet, infrastruktura, lidhjet me tregjet, kapaciteti njerëzor, niveli i investimeve, baza tatimore dhe potenciali për financim të ardhshëm.
Ky është kuptimi i një bashkie funksionale. Funksionaliteti nuk është vetëm aftësia për të administruar atë që kemi, por edhe aftësia për të krijuar atë që na mungon.
Argumenti për bashki më të mëdha lidhet shpesh me aftësinë për të përthithur fondet europiane. Kjo është e drejtë, por fondet nuk përthithen vetëm sepse është më e madhe një bashki. Ashtu si kemi parë deri mësot, fondet kërkojnë projekte të përgatitura mirë, administratë profesionale, bashkëfinancim, sisteme financiare, menaxhim projektesh dhe kapacitet monitorimi.
Në kuadër të integrimit europian, organizimi territorial lidhet edhe me Politikën e Kohezionit dhe Kapitullin 22, ku kapacitetet administrative dhe financiare janë pjesë e aftësisë për të planifikuar dhe zbatuar politikat e zhvillimit rajonal. Prandaj, reforma territoriale duhet të jetë edhe një reformë për përgatitjen e Shqipërisë për financimin europian të territorit. Kjo kërkon më shumë se bashkimin e administratave: kërkon profesionalizim, planifikim shumëvjeçar, sisteme të integruara financiare dhe projekte të lidhura me ekonominë reale të territoreve.
Një tjetër rrezik mbetet përqendrimi brenda bashkisë së re. Kur bashkitë do të bëhen më të mëdha, ato sipas parashikimeve edhe mund të krijohet ekonomi shkalle, por edhe përqendrim të investimeve në qendrën kryesore të bashkisë. Kjo do të ishte veçanërisht problematike për zonat periferike dhe rurale. Një bashki e re mund të jetë financiarisht më e fortë, por nëse investimet përqendrohen vetëm në qytetin kryesor, periferia mund të humbasë më tej funksionalitetin.
Prandaj, konsolidimi administrativ nuk duhet të sjellë centralizim territorial të investimeve. Bashkia më e madhe duhet të ketë mekanizma që garantojnë shpërndarje të drejtë të investimeve dhe shërbimeve në të gjithë territorin, veçanërisht në zonat malore, rurale dhe territoret me popullsi të shpërndarë.
Çfarë do të duhej të përmbante reforma?
Në këndvështrimin tim, reforma e re duhet të ndërtohet mbi të paktën pesë shtylla.
E para, një analizë e plotë financiare për çdo bashkim. Duhet të kemi një profil të plotë të bashkive që bashkohen: të ardhura, shpenzime, borxhe, aktive, detyrime, investime dhe potencial ekonomik.
E dyta, një analizë të kostos së shërbimeve. Duhet të dimë sa kushton sot një shërbim dhe sa pritet të kushtojë pas bashkimit.
E treta, një indeks të kapacitetit financiar territorial. Nuk mjafton të dimë sa para ka bashkia; duhet të dimë sa aftësi ka territori për të gjeneruar të ardhura dhe për të mobilizuar kapital.
E katërta, një mekanizëm për mbrojtjen e periferive. Duhet të matet nëse investimet dhe shërbimet po përqendrohen në qendrën e re administrative apo po shpërndahen në mënyrë të drejtë.
E pesta, një sistem matjeje të rezultateve. Reforma duhet të bazohet në tregues konkretë, si kostoja për banor e shërbimit, të ardhurat vendore për banor, investimet për banor, kapaciteti për bashkëfinancim, përthithja e fondeve europiane, koha dhe distanca për aksesin në shërbime dhe ndryshimi i bazës ekonomike të territorit.
Nga kjo qasje mund të dimë nëse reforma ka funksionuar realisht.
Pra, nuk kemi nevojë thjesht për një hartë të re, por për një logjikë të re të territorit, Një arsye, ku bashkia nuk shihet vetëm si administratë, territori jo vetëm si sipërfaqe, buxheti jo vetëm si transfertë dhe decentralizimi jo vetëm si numër funksionesh që i kalojnë bashkisë.
Kjo do të thotë të kalojmë:
nga madhësia administrative te kapaciteti territorial,
nga financimi i funksioneve te financimi i zhvillimit,
nga buxheti i transfertave te financimi i territorit,
dhe nga administrimi i territorit te krijimi i vlerës në territor.
Kjo është sfida reale e reformës së re administrativo-territoriale. Nëse ajo arrin ta bëjë këtë, ndryshimi nga 61 në 46 bashki do të jetë vetëm një element i saj; thelbi do të jetë krijimi i territoreve më të afta ekonomikisht, financiarisht dhe institucionalisht për të prodhuar zhvillim.
