Kur mungon rezultati, ndryshon agjenda

18/09/20260
Nga bordet e çmimeve tek “agjendat e mëdha” të qeverisjes

Në debatin për çmimet e ushqimeve, çështja nuk është nëse familjet shqiptare përballen me kosto të larta jetese. Ato përballen prej vitesh. Çmimet janë të vështira për t’u përballuar jo vetëm në muajt e fundit, por edhe gjatë vitit të kaluar, dy vite më parë dhe në periudhën pas goditjes së 2022-shit.

Pyetja që duhet ngritur sot nuk është nëse problemi ekziston, por çfarë kanë prodhuar ndërhyrjet e ndërmarra deri tani. Qeveria dhe institucionet e saj kanë pasur disa vite për të ndërhyrë në shkaqet strukturore: konkurrenca, informaliteti, zinxhirët e furnizimit, prodhimi vendas, transparenca e kostove dhe funksionimi i tregjeve. Nëse pas gjithë kësaj kohe rikthehet e njëjta retorikë e situatës së jashtëzakonshme dhe e ndërhyrjes administrative, pa u bërë bilanci i rezultateve të masave të mëparshme, atëherë problemi nuk është çmimi. Problemi është mungesa e llogaridhënies për rezultat.

Retorika e re rrezikon të shërbejë si mbështjellës i ri për një model të vjetër. Në vend që të analizohet pse reformat e premtuara nuk kanë prodhuar efektin e pritshëm, rikthehet ndërhyrja e drejtpërdrejtë e shtetit si përgjigje politike ndaj të njëjtit problem.

Por, a ndodhet sot ekonomia shqiptare realisht në kushtet e një krize të jashtëzakonshme që justifikon rikthimin e kontrollit të drejtpërdrejtë mbi çmimet e shportës, siç ndodhi në 2022, apo po përpiqemi të trajtojmë me instrumente emergjente një problem që kërkonte reforma strukturore dhe llogaridhënie?

Përgjigjja që del nga të dhënat e shtatorit 2026 është e qartë. Situata nuk është e krahasueshme me marsin 2022. Problemi i çmimeve ekziston, por natyra e tij është tjetër. Ky dallim është thelbësor për politikën që duhet ndjekur.

Në mars 2022 Shqipëria u përball me një tronditje të jashtme të fuqishme, të lidhur me luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj mbi energjinë, ushqimet dhe transportin. Qeveria e trajtoi situatën si periudhë jashtë normales. Më 11 mars Kryeministri Rama e cilësoi situatën të jashtëzakonshme dhe deklaroi se lufta justifikonte ndërhyrjen direkte në tregun e karburanteve, ngrirjen e marzheve dhe krijimin e Bordit të Transparencës. Më 17 mars e njëjta logjikë u shtri te ushqimet bazë dhe u krijua bord i përbashkët qeveri-biznes dhe ngrirje e marzheve, të lidhura drejtpërdrejt me pasojat e luftës.

Katër vite më pas fotografia e ekonomisë është tjetër. Sipas INSTAT, inflacioni vjetor në gusht 2026 ishte 3,2 %, ndërsa objektiivi afatmesëm i Bankës së Shqipërisë është 3 %. Kjo nuk do të thotë se çmimet janë të ulëta apo se problemi i fuqisë blerëse është zhdukur. Do të thotë në fakt, se Shqipëria nuk ndodhet përpara të njëjtit fenomen inflacionist të jashtëzakonshëm.

Pra çfarë ndodh me qeverisjen kur një problem real ekziston, por nuk është më krizë e jashtëzakonshme?

Nëse shihet kronologjia e disa prej agjendave të mëdha të qeverisjes, shfaqet një fenomen që meriton analizë. Agjendat me intensitet të lartë kanë tendencë të rikthehen në cikle, veçanërisht kur kërkohet një rezultat i dukshëm, një objektiv i ri për administratën ose një narrativë që mobilizon vëmendjen publike. Kjo nuk provon se çdo fushatë e re është krijuar për të mbuluar një dështim. Por kronologjia lejon të shtrohet pyetja legjitime: a përdoren herë pas here “temat e mëdha” edhe si mekanizëm për të zgjatur ciklin politik kur rezultatet e programit nuk janë aq të dukshme sa premtimet?

Historia e luftës ndaj informalitetit e bën përgjigjen më interesante. Në 2015 qeveria e shpalli atë një nga aksionet e rëndësishme. Rama deklaronte se do të sillte rritje investimesh dhe ulje taksash. U raportuan dhjetëra mijëra kontrolle dhe regjistrime të reja. Formalizimi i bujqësisë u lidh me aksesin në grante dhe kredi. Dhjetë vjet më vonë, informaliteti mbetet temë e nxehtë e programit qeveritar me nevojën për rritje të ardhurash tatimore përmes zgjerimit të bazës, digjitalizimit dhe një skeme të re TVSH-je për fermerët.

Kjo nuk do të thotë se lufta nuk është zhvilluar apo se nuk ka prodhuar rezultate. Formalizimi mbetet objektiv i nevojshëm. Por informaliteti nuk është më dukuri kalimtare që duhet të trajtohet me aksione periodike dhe mekanizma të përkohshëm. Ai është shndërruar në problem strukturor që kërkon politika të qëndrueshme, matje të vazhdueshme dhe rezultate të verifikueshme. Kur një objektiv si informaliteti përsëritet për vite me radhë, ai nuk ka si të matet më me forcën e deklaratave apo numrin e aksioneve, por me ndryshimin real të treguesit. Në të kundërt, ekziston rreziku që lufta ndaj informalitetit të kthehet nga reformë me rezultat të matshëm në agjendë të përhershme qeverisëse, që rikthehet sa herë që kërkohet një objektiv i ri për vëmendjen publike.

E njëjta logjikë vlen për territorin dhe hapësirat publike. Në 2025 qeveria e riktheu fuqishëm kontrollin territorial dhe “lirimin” e hapësirave. Në korrik u kërkua “tolerancë zero”; në shtator u prezantua paketë e re ligjore; në tetor u shpallën masa të reja për lejet e ndërtimit dhe mbrojtjen e hapësirave publike.

Problemi nuk reduktohet vetëm te ndërtimi pa leje apo zaptimi i hapësirës. Nëse një shkelje u verifikua se kishte zgjatur në kohë, shkelësi nuk është vetëm përfituesi, por edhe institucioni që duhej ta kontrollonte. Në konferencën e 3 tetorit 2025 vetë qeveria pranoi se kishte raste ku lejet ishin shkelur rëndë në terren, ndërsa në bashki aktet e inspektorëve rezultonin “çdo gjë në rregull”. U paralajmëruan masa për “mbylljen e syve”.

Këtu nis problemi më i thellë i qeverisjes. Kur shteti nuk e parandalon shkeljen, nuk e ndalon në kohë ose lejon që ajo të normalizohet, përgjegjësia nuk përfundon te qytetari apo biznesi. Duhet shqyrtuar zinxhiri institucional që e ka bërë të mundur. Nëse për vite një ndërtim i paligjshëm apo aktivitet i parregullt ka qenë i dukshëm dhe administrata nuk ka reaguar, duhet kërkuar edhe përgjegjësia e atyre që kishin detyrimin ta ndalonin.

Kjo prek fenomenin më të gjerë të kapjes së shtetit, jo në kuptimin se çdo shkelje është domosdoshmërisht korrupsion, por në kuptimin konkret të rrezikut institucional. Kur rregullat ekzistojnë, institucionet kanë kompetencat, por zbatimi bëhet selektiv, i vonuar ose i kushtëzuar nga interesa, atëherë shteti nuk është më vetëm spektator; ai rrezikon të bëhet pjesë e mekanizmit që e ka lejuar shkeljen. Kështu institucioni që nuk e parandaloi problemin shfaqet më pas si ai që po e zgjidh. Një dështim i mëparshëm i administrimit mund të transformohet politikisht në aksion të ri qeverisës.

Ndërsa shumë objektiva të tjera janë shumë më pak të dukshme. Produktiviteti nuk fotografohet. Cilësia e arsimit nuk matet me aksion njëditor. Formalizimi real kërkon seri të gjata të dhënash. Rritja e të ardhurave reale kërkon kohë. Përmirësimi i konkurrencës kërkon analiza tregjesh. Efikasiteti i administratës kërkon tregues performance. Reforma e shërbimeve publike nuk përfundon me një konferencë.

Kjo krijon avantazh politik për “agjendat e mëdha” që prodhojnë veprim të dukshëm brenda pak javësh. Pikërisht këtu duhet lexuar debati aktual për çmimet.

Një bord çmimesh është instrument shumë më i dukshëm politikisht sesa një reformë e gjatë e konkurrencës. Një çmim i shpallur në tabelë është i kuptueshëm për çdo konsumator. Një hetim mbi strukturën e marzhit, përqendrimin e tregut, kostot e importit dhe fuqinë negociuese është shumë më kompleks dhe prodhon rezultate më pak spektakolare në afat të shkurtër.

Qeveria mund të ndërhyjë në treg, por a ka arsye ekonomike për ta bërë këtë sot dhe jo dje? Në 2022 ndërhyrja u lidh drejtpërdrejt me luftën dhe me kushte të jashtëzakonshme; akti normativ për karburantet kishte kohëzgjatje të lidhur me dinamikën e saj.

Në vitin 2026, një argument i tillë kërkon një provë të re.
Nëse nuk ekziston më tronditja e vitit 2022, atëherë duhet të provohet se cili është dështimi konkret i tregut që kërkon ndërhyrjen administrative.
Nëse pretendohet spekulim, duhet matur spekulimi.
Nëse pretendohet monopol ose fuqi tregu, duhet matur fuqia e tregut.
Nëse pretendohet marzh i tepruar, duhet matur marzhi.
Nëse pretendohet abuzim, duhet identifikuar mekanizmi i abuzimit. Nëse pretendohet se çmimet janë të papërballueshme për familjet, duhet analizuar raporti ndërmjet çmimeve dhe të ardhurave dhe jo vetëm ndryshimi vjetor i inflacionit.

Kjo është pika ku një politikë e përgjegjshme e çmimeve ndahet nga një politikë e menaxhimit të vëmendjes.

Qeveria mund të jetë vazhdimisht aktive dhe megjithatë duket se nuk është ende duke i zgjidhur problemet që ka deklaruar si prioritare. Aksioni nuk është rezultat. Konferenca nuk është reformë. Ndryshimi i agjendës nuk është ndryshimi i treguesit. Një premtim i përsëritur nuk bëhet rezultat vetëm sepse është përsëritur.

Pikërisht për këtë POLIFAKT propozon një kriter tjetër për të lexuar nismat e reja qeveritare, ku çdo “agjendë e madhe” duhet të lidhet me objektivin e programit, treguesin e matshëm, afatin dhe rezultatin e arritur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *