REFORMA TERRITORIALE NUK ËSHTË THJESHTË NJË NDRYSHIM HARTE

18/09/20260

Analizë e ALTAX mbi projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”

Shqipëria po rikthehet te një debat që duhej të ishte bërë shumë më herët, se si duhet të organizohet pushteti vendor që të jetë funksional, fiskalisht i qëndrueshëm dhe realisht pranë qytetarit.

Reforma e vitit 2014 e ndryshoi rrënjësisht hartën administrative, duke kaluar nga mbi 370 njësi në 61 bashki. Tani propozohet kalimi në 46 bashki, përmes konsolidimit të 15 njësive më të vogla me bashkitë fqinje. Në parim, konsolidimi i njësive shumë të vogla mund të sjellë ekonomi shkalle, kapacitete më të mëdha administrative dhe potencial më të mirë për investime e për menaxhimin e fondeve europiane.

Por këtu fillon debati i vërtetë. A mjafton një bashki më e madhe për të krijuar një qeverisje më të mirë?

Përgjigja është e qartë me Jo. Një hartë e re administrative nuk prodhon vetvetiu administratë më efikase. Nuk krijon automatikisht kapacitet për fondet e BE-së. Dhe mbi të gjitha, nuk garanton që qytetari në periferi do të marrë shërbim më të mirë.

Nëse një qytetar në një zonë rurale apo malore, si në rastet e Prrenjas–Librazhd, Fushë-Arrëz–Pukë, Klos–Mat apo Këlcyrë–Përmet – duhet të udhëtojë më gjatë për një dokument, një shërbim apo një vendimmarrje lokale, atëherë efikasiteti i administratës qendrore të bashkisë mund të jetë fitim, por kostoja sociale e distancës është humbje. Madhësia e bashkisë nuk është në vetvete garanci për funksionalitet. Ajo që mungon është analiza e matshme e ndikimit.

Para se të ndryshohet harta, duhet të bëhen publike të dhëna konkrete për secilin konsolidim, se sa kushton tranzicioni dhe ristrukturimi, sa punonjës do të preken dhe si do të shpërndahen, sa do të ndryshojë kostoja administrative për banor, sa do të jetë koha dhe distanca për marrjen e shërbimeve, si do të shpërndahen investimet mes qendrës dhe periferive dhe çfarë rreziku ekziston që periferitë të mbeten prapa qendrave të reja administrative?Kur nuk i kemi këto shifra, reforma duket se do të mbështetet më shumë në logjikën e madhësisë sesa në logjikën e funksionalitetit.

Mësimi kryesor i vitit 2014 po ashtu është i qartë, se më pak njësi vendore nuk do të thotë automatikisht më shumë shërbim publik. Nëse bashkia e madhe vazhdon të përqendrojë administratën dhe investimet në qendrën e saj, ndërsa fshatrat dhe periferitë mbeten me shërbime të dobëta, ndryshimi i hartës nuk ka zgjidhur asgjë. Prandaj debati duhet të jetë rreth modelit të qeverisjes vendore duam për 10 vitet e ardhshme.

Nëse duam bashki më të mëdha, atëherë duhet të kemi edhe pushtet real më të decentralizuar brenda tyre. Njësitë përbërëse duhet të kenë kompetenca reale, burime, standarde minimale të detyrueshme të shërbimit dhe mekanizma të buxhetimit me pjesëmarrje. Përndryshe rrezikojmë të krijojmë një riciklim politikash me më pak qendra administrative, por me më shumë periferi.

Ka edhe një çështje tjetër që nuk duhet anashkaluar, që lidhet me konsultimin publik. Një ndryshim i hartës territoriale nuk është thjesht çështje administrative. Ai prek identitetin lokal, aksesin në shërbime, investimet, përfaqësimin dhe mënyrën se si qytetari lidhet me shtetin. Prandaj konsultimi nuk duhet të jetë thjesht një procedurë pasi harta është vendosur. Duhet të jetë pjesë e procesit që përcakton vetë hartën. Qëndrimet e këshillave bashkiakë, procesverbalet, pyetësorët dhe rezultatet e konsultimeve duhet të bëhen publike dhe të jenë pjesë e dokumentacionit që shqyrton Kuvendi.

ALTAX  e vendos theksin pikërisht këtu: reforma territoriale mund të jetë e nevojshme, por ajo duhet të shoqërohet me analizë të matshme të ndikimit, garanci për periferitë, mekanizma të decentralizimit të brendshëm dhe monitorim të pavarur të rezultateve. Kuvendi duhet të kërkojë analizë të plotë për secilin konsolidim (kosto, akses, financa dhe rreziqe); kompetenca dhe burime reale për qytetet dhe njësitë përbërëse; publikimin e plotë të konsultimeve lokale para votimit; tregues të matshëm performance dhe rivlerësim të reformës pas tre vjetësh; si dhe një kalendar zbatimi që garanton stabilitetin institucional dhe respektimin e standardeve europiane.

Në fund, suksesi i reformës nuk do të matet nga numri i bashkive që kemi vizatuar në hartë, por nisur nga përgjija se a është qytetari më afër shtetit, apo shteti është bërë më larg qytetarit?

Ky është standardi me të cilin duhet të gjykohet reforma territoriale. Jo sa bashki kemi. Por sa mirë qeverisen ato dhe sa mirë shërbehet qytetari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *