
Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, rezultati ishte i qartë.
Mazhoranca konfirmoi epërsinë e saj, ndërsa opozita në të gjitha format dhe ndarjet e saj doli edhe më e fragmentuar, më e dobët dhe më larg publikut se më parë.
E megjithatë, narracioni nuk ndryshoi. Në vend të një analize të sinqertë dhe të thelluar mbi shkaqet e dështimit, ajo që njihet si opozita shqiptare, përfshirë Partinë Demokratike dhe të gjitha partitë e tjera që për vite kanë pretenduar të përfaqësojnë një alternativë vazhdoi të artikulojë një version të njohur: “Zgjedhjet u vodhën”, “Sistemi është i kapur”, “Krimi ndikon votën”.
Edhe pse këto shqetësime mund të kenë një bazë në realitetin problematik të demokracisë shqiptare, përdorimi i tyre si justifikim universal për të shmangur analizën e brendshme dhe përgjegjësitë politike, është një strategji që nuk prodhon më as besim, as mbështetje.
E aq më pak fitore.
Një kamp opozitar që nuk ekziston më si alternativë
Zgjedhjet e 2025 nuk sollën vetëm një humbje numerike për opozitën; ato ekspozuan mungesën e thellë të ekzistencës së një alternative politike funksionale. Ajo që dikur ishte një opozitë e organizuar, sot është një bashkësi zërash të shpërndarë, të konsumuar, me retorikë të përsëritur dhe me kapacitet minimal për të artikuluar një vizion të besueshëm për vendin.
Në vend që të përballet me nevojën për të kuptuar se pse gjithnjë e më pak qytetarë e ndiejnë PD-në si një alternativë qeverisëse, drejtuesit e saj, apo ata që pretendojnë lidershipin e saj, zgjedhin rrugën më të shpejtë: të fajësojnë sistemin.
Por realiteti është më kompleks.
Votuesi shqiptar, gjithnjë e më skeptik dhe gjithnjë e më larg kutive të votimit, nuk kërkon më “opozitë morale” apo “kurajë përballjeje”, por qartësi vizioni, kapacitet programor dhe besueshmëri qeverisëse.
Retorika e zgjedhjeve të manipuluara është kthyer në një refren vetëjustifikues, që më shumë e mbron status quo-në e brendshme të PD-së sesa e lufton atë të pushtetit.
Pretendimi për opozitarizëm është sot, në shumë raste, një mjet për të ruajtur pozicione personale dhe rrjete influence, jo për të ndërtuar besim qytetar. Dhe pikërisht për këtë arsye, shumica dërrmuese e partive të vogla opozitare, që dikur mbushnin ekranet me denoncime të forta, sot nuk kanë më as strukturë reale, as ndikim, as përfaqësim.
Korrupsioni nuk është vetëm problem i qeverisë
Një nga temat që opozita ka përdorur më shumë për të legjitimuar veten është korrupsioni. Por rrjedha e viteve të fundit ka dëshmuar se korrupsioni nuk është më thjesht një fenomen i lidhur me qeverisjen: ai është i pranishëm edhe në vetë strukturat e opozitës në mënyrën si përzgjidhen kandidatët, si shpërndahen fondet, si ndërtohen aleancat dhe si manipulohet fryma e qytetarëve. Kjo ka prodhuar një dyshim të thellë në opinionin publik, se çfarë përfaqëson realisht opozita sot dhe nëse ajo është në gjendje të jetë ndonjëherë më e mirë sesa pushteti që kritikon.
Në vend që të ofrojë moral politik dhe integritet institucional, shumë prej liderëve opozitarë i janë nënshtruar të njëjtit model klientelist që kritikonin dikur, duke shkatërruar edhe atë pak kapital moral që kishte mbetur.
Mungesa e riformatimit: E njëjta fytyrë, e njëjta gjuhë, e njëjta humbje
Ndryshe nga çfarë kërkon koha, opozita shqiptare nuk ka zhvilluar asnjë proces të mirëfilltë të riformatimit të brendshëm, as në strukturë, as në ide, as në komunikim. Me të njëjtat figura të konsumuara, me të njëjtën frymë përjashtuese dhe me të njëjtën gjuhë përçarëse, ajo nuk ka më asnjë magnetizëm për brezat e rinj, për profesionistët e pavarur, për votuesin kritik.
Mungesa e një projekti të qartë ekonomik, institucional dhe social, që sfidon seriozisht politikën e ditës, ka krijuar një boshllëk që nuk mbushet me konferenca shtypi, statuse në rrjete sociale apo konventa përçarëse.
Duhet jo thjesht një opozitë e re, por një mënyrë tjetër të bërit politikë
Zgjidhja nuk është thjesht një “bast mbi liderin e radhës”, por një ndërrim paradigme.
Shqipëria ka nevojë për një opozitë të re në substancë, jo në emër. Një opozitë që nuk ngrihet mbi zhgënjimin ndaj pushtetit, por mbi ide, përfaqësim dhe kapacitet për të ndërtuar qeverisje alternative. Kjo mendojmë se kërkon:
– Shkëputje të plotë nga fryma e vjetër e konflikteve të brendshme dhe lojërave të kulisave;
– Pastrimin moral të lidershipit, që nuk mund të ndërtohet mbi akuzues të djeshëm që vetë janë pjesë e modelit të konsumuar;
– Kthimin e besimit tek individi votues, përmes ndërtimit të një strukture që flet me gjuhën e shpresës, jo të frikës;
– Institucionalizimin e meritës dhe hapjes, si e vetmja rrugë për të thithur njerëz me vlera reale, jo me peshë politike të sajuar.
Opozita nuk e meriton pushtetin thjesht sepse është opozitë
Zgjedhjet e vitit 2025 kanë dhënë një mesazh të fortë: votuesi shqiptar nuk është më peng i ndarjes klasike “pozitë-opozitë”, por kërkon përfaqësim real, ide konkrete dhe udhëheqje me vizion. Kush nuk arrin ta kuptojë këtë, humb, jo nga vjedhja e votës, por nga mungesa e vlerës së vet.
Nëse opozita shqiptare nuk arrin të ndërrojë qasje, frymë dhe përmbajtje, ajo nuk do të rikthehet kurrë si shpresë për qytetarët. Thjesht do të mbetet një strukturë fantazmë, që flet për të ardhmen me gjuhën e djeshme dhe që rreket të përfaqësojë ndryshimin ndërkohë që vetë nuk ndryshon.
Dhe kjo është në vetvete humbja më e madhe.
