Votuesit dhe besueshmëria në sistemin tonë politik

4 Gusht, 20210

Performanca e sistemit politik varet më shumë nga mënyra në të cilën lidhja midis votuesve dhe politikanëve është strukturuar ose institucionalizuar sipas kuadrit kushtetues në fuqi. Sidoqoftë, ne nuk do të analizojmë shkallën që politikanët dhe votuesit janë të lidhur nga marrëdhëniet klienteliste ose ndonjë lloj tjetër i marrëdhënieve të ngjashme. Por do të trajtojmë pikërisht se si lidhet ambjenti ekonomik dhe politik me premtimet politike dhe programet qeverisëse bazuar mbi to.

Le të supozojmë, se në sistemin politik me dominim elektoral dy-partiak, ku merr mandatin e qeverisjes partia apo koalicioni që fiton me shumicë të thjeshtë, votuesit përballen me një zgjedhje midis partisë në pushtet, (me prirje të majtë) dhe partisë së opozitës, (me prirje të djathtë). Më tej supozojmë se p.sh. partia me prirje të majtë i fitoi zgjedhjet e mëparshme duke premtuar të zbatonte politikat ekonomike dhe politike në mandatin tjetër politik, nëse do të fitonte votën popullore.

Por, në momentin që merr mandatin politik për të qeverisur, ajo zbaton ndryshime të politikave në modelin ekonomik të pa përfshira në premtimet politike, si dhe një qasje pak e ndeshur në pozicionin politik të majtë. Nëse partia fituese do të kishte qëndruar në pozicionin e mëparshëm të premtimeve për qasjen ekonomike, ajo do të kishte si rregull një distancë të barabartë nga votuesi i pavendosur me partinë me prirje të djathtë, e cila është pozicionuar në një model ekonomik të pandryshuar në tre raundet e zgjedhjeve politike të dekadës së fundit. Sidoqoftë, partia me prirje të majtë e bën veten më elektorale dhe më pak konkurruese, duke supozuar se ajo nuk do të mbetet në pozitën e një programi ekonomik të pa përmbushur deri në zgjedhjet vijuese. Në rast të kundërt, votuesi i pavendosur mund të kërkojë llogari nga partia me prirje të majtë, por duke orientuar votën për partinë me prirje të djathtë.

Nga perspektiva e arsyetimit për votuesin e pavendosur, mekanizmi i llogaridhënies nuk ka funksionuar dhe është më keq sesa ishte më parë. Kjo gjetje shihet në uljen e numrit të votuesve në përgjithësi nga njëra zgjedhje në tjetrën[1]. Nëpërmjet të dhënave në tabelë shihet se besueshmëria në dy partitë e mëdha së bashku ka rënie, duke marrë shkas në mungesën e një llogaridhënie sipas kërkesave të votuesve dhe mungesën e një dialogu të sinqertë mbi nevojat reale dhe zbatimi i programeve politike sipas një qasje bazuar te kërkesat që dalin nga konteksti elektoral dhe produktiviteti fiskal i buxhetit të vendit.

Megjithatë, humbja e besimit të publikut duket se nuk është e lidhur domosdoshmërisht me ecurinë e buxhetit dhe financat publike.

Nëse do të llogaritim që fatin e fitores në zgjedhje nuk e vendos fokusimi te kjo kategori votuesi, por në një betejë zgjedhore faktorët ndikuesë janë të lidhur me një gamë  më të gjerë elementësh, atëherë analizimi me përmbajtje gjithëpërfshirëse do të jetë edhe metodologjia e analizës për të arritur në përfundimin e kërkuar.

Edhe pse premtimet për shtim buxheti për sektorët ekonomikë janë më të shumtë në zgjedhjet politike të vitit 2009 dhe 2013, duket se ato nuk përkojnë me një rritje të rezultatit zgjedhor për Partinë Demokratike në këto zgjedhje. Po kështu edhe për PS vlen të përmendet i njëjti fakt lidhur me premtimet në vitin 2013 dhe 2021, ku rezultatet zgjedhore janë më të larta se zgjedhjet e kaluara, por me premtime të ulura të shtimit të financimeve buxhetore.

Nën supozimet e bazuara te faktet e votimeve të dekadës së fundit[2], me gjithë ndryshimet e politikave ekonomike dhe mosmbajtjen e premtimeve të transformuara pjesërisht në programe qeverisëse[3], vota popullore është orientuar e ndikuar në mënyrë të moderuar nga niveli i mbajtjes së premtimeve dhe përmbushjes së programeve të qeverisjes.

Kjo bazë krahasimi orienton analizën, se janë edhe faktorë të tjerë që merren në konsideratë nga votuesit e pavendosur dhe ata klientelistë, të cilët nuk e kushtëzojnë votën e tyre me informacionin ekonomik. Një qasje në këtë këndvështrim është se mungon analiza financiare e premtimeve buxhetore, për të treguar vërtetësinë e realizimit të tyre në rastin e programimit sipas buxhetit. Nga ana tjetër, në perceptimin e tyre këto premtime janë një përsëritje nga zgjedhjet e kaluara duke e humbur shpresën për përmbushje të tyre kohë më parë, por duke fokusuar kërkesat sipas grupeve të interesit dhe jo në nivel të komunitetit të gjerë.

Nëse votuesi i pavendosur do të mbështeste logjikën për orientimin e votës së tij, sipas programeve politike dhe ekonomike, si dhe nga qasja e fakteve retrospektive të qeverisjeve të kaluara, atëherë vota që do të përcaktonte fitoren duhet të dilte pikërisht nga kjo kategori votuesi. Argumenti bindës për të mos votuar partinë që ka ndryshuar modelin e politikave ekonomike, si dhe që nuk ka realizuar mbi mesataren programet në periudhën e qeverisjes do të ishte i mjaftueshëm. Por, ky konstatim duket se kundërshtohet nga treguesit e votimit për secilën parti në raport me nivelin e numrit gjithsej të qytetarëve me të drejtë vote.

Kështu, edhe pse programet politike të qeverisë Rama 1 dhe Rama 2 kanë një dinamikë që prek sektorë jetikë për interesat e një komuniteti sa më të gjerë të mundshëm duket se nuk ka një ndikim rritës me më shumë se 1-2 pikë përqindje (shih tabelën më lart). Në rastin e zgjedhjeve të vitit 2017 diferenca në rritjen e numrit të votuesve është më së shumti një vendimmarrje e ndikuar nga votuesi i pavendosur, i cili përfshin kategorinë e votuesve që nisen nga qasja politike programore, se sa nga programe të mirëfillta ekonomike. Në fushatën zgjedhore të vitit 2017, PS pati një vijimësi të programeve të filluara në vitin 2013, por jo programe ekonomike që ndryshonin nga zgjedhjet e kaluara dhe të përbënin dallimin në filozofinë e modelimit të ri ekonomik.

Në këtë drejtim, tendenca e premtimeve dhe propagandës elektorale drejt arritjes të votuesit të pavendosur vijnë me një vëmendje të shtuar nga zgjedhja në zgjedhje.

Analiza jonë deri më tani ka supozuar se vetëm votuesi i pavendosur ka rëndësi të konsiderueshme për sa i përket përgjegjësisë. Votuesi i pavendosur normalisht është në qendër të vëmendjes në sistemin dy partiak, sepse mbështetja e tij është e nevojshme që një parti të arrijë fitoren.

Sidoqoftë, kjo mbështetje nuk është e mjaftueshme. Një parti, në mënyrë që të marrë shumicën duhet të synojë gjithashtu mbështetjen e votuesve klientelistë, që nuk e lidhin orientimin e votës së tyre tek qasja ideologjike, por më së shumti te përmbushjet e ambicieve personale/familjare (qasje bazuar te materializmi[4]).

Për partitë e sotme, votuesit e synuar janë pikërisht këto dy kategori, që mbështesin një parti duke u nisur nga qasje personale dhe jo ajo ideologjike. Por, gjithashtu këto kategori përbëjnë edhe rriskun më të madh nëse mandati qeverisës nuk është konsumuar ashtu si është premtuar, pasi ata mund t’i kërkojnë llogari qeverisë me zë më të fortë se kategoria e votuesve ideologjikë.

Ndërkohë kategoria e votuesit ideologjik, i cili ka argument logjik për orientimin e votës së tij kryesisht nostalgjinë politiko-ekonomike e sociale të ideologjisë, që përkon me orientimin ideologjik të partisë, që i mbart teorikisht këto prirje në periudhën aktuale është një faktor me ndikim në rezultatet zgjedhore të dekadës së fundit[5].

Gjatë periudhës së fundit 30 vjeçare të sistemit politik, dy partitë që kanë prirje ideologjike të kundërta me njëra-tjetrën kanë devijuar deri në braktisje pozicionet e tyre të mëparshëm të politikës dhe janë zhvendosur më djathtas (partia me prirje të majtë), si dhe më majtas (partia me prirje të djathtë) duke patur pika konvergimi me njëra-tjetrën lidhur me premtimet për ekonominë, politika sociale, politika për shtresat e caktuara, si dhe premtimet e politikave sektoriale.

Ndërsa partia e djathtë ka një pakësim të numrit të votuesve për të deri në zgjedhjet e 2021, partitë e majta kanë një shtim të numrit të votuesve duke arritur në konstatimin se numri i votuesve të pavendosur dhe votuesve klientelistë janë dy kategoritë që kanë qenë fokusi për secilën nga partitë, por pa arritur të realizojnë njësoj objektivin e tyre.

Në analizën e realizimit të objektivave zgjedhore për maksimalizim të votave në të dyja kategoritë, vërehet pikërisht se ndërsa partitë janë në opozitë kanë tendencën të rritin sasinë e premtimeve për politika tatimore zbutëse dhe angazhime politikash për grupe interesi specifike (pronarët e tokave, ushtarakët, minatorët, etj.). Ndërsa partitë fitojnë mandatin për të qeverisur, premtimet elektorale janë të natyrës buxhetore, por pa harruar të përmendin si vijimësi të politikave tatimore, shtim buxhetesh për sektorët, por në fakt janë vetëm për efekt konkurence elektorale.

Kjo shikohet nëse vërejmë se premtimet nuk arrijnë të realizohen në rastin më të mirë më shumë se sa gjysma e tyre. Në qeverisjen Berisha 1 (në koalicion me LSI dhe parti të tjera), niveli i realizimit të premtimeve është 20% deri në mbylljen e mandatit qeverisës në vitin 2013. Në qeverisjen Rama 1, niveli i realizimit të premtimeve është 36% (në koalicion me LSI dhe parti të tjera), ndërsa në qeverisjen Rama 2 (PS e vetme në qeverisje), niveli i realizimit të premtimeve është 52%.

Në dukje shihet se niveli i realizimit të programeve qeverisëse të bazuara në premtimet elektorale është në rritje, por në fakt edhe në rastin kur kemi të bëjmë me një parti të vetme në qeverisje ky nivel është i ulët. Arsyet e një niveli të ulët realizimi vijnë sa nga orientimi i premtimeve drejt dëshirave të kategorive të votuesve të pavendosur dhe klientelistë, por edhe një maturim ende i paplotë i modelit politik që zbatohet sipas sistemit që partitë e mëdha kanë preferuar të zbatohet në gjithë këto vite. Në tërësinë e tyre, të dy kategoritë e votuesve edhe pse kanë bërë zgjedhjet e tyre të ndikuara edhe nga politika, ata nuk kanë rritur dobinë e zgjedhjes në funksion të leverdisë ekonomike edhe pse politika është zhvendosur në pozicione ideologjike më larg pikës së tyre ideale. Në të njëjtën distancë, që ato janë zhvendosur nga ideologjia e tyre në momentin kur u (ri)krijuan, po aq duhej të ishte zhvendosur edhe votuesi ideologjik në raport me bindjet e tij fillestare.

Nisur nga intensiteti i pjesëmarrjes së grup moshave mbi 60-65 vjeç në votime (një grup moshë me përvojë politike nga ideologjia me prirje të majtë dhe të djathtë), si dhe duke u bazuar te fakti i një mungese në tregun e botimeve politike të studimeve që mund të orientonin zhvendosjen ideologjike drejt të menduarit bazuar te modeli ekonomik dhe ekonomia mbi politikën ka ndodhur një ndryshim i vogël i zhvendosjes së prirjes politike të votuesve drejt qendrës apo partisë me prirje të djathtë.

Qasja më efektive, por jo e vetme e saj për ta bërë këtë do të ishte argumentimi i bazuar mbi informacion dhe analizën ekonomike dhe teknike të efektshmërisë së partive politike gjatë periudhës që kanë qeverisur (të vetme apo në koalicione).

[1] http://ndiqparate.al/2021/04/30/rezultate-zgjedhore-ndarja-e-mandateve-per-deputet-procese-2021-2017-2013-dhe-2009/
[2] http://ndiqparate.al/2021/03/16/rezultate-zgjedhore-ndarja-e-mandateve-per-deputet-procese-2009-2013-dhe-2017/
[3] https://polifakt.al/wp-content/uploads/2021/03/PERGJEGJSHMERIA-FINANCIARE-E-PREMTIMEVE-TE-POLITIKES-SHQIPTARE-2009-2017.pdf
[4] një prirje për të konsideruar zotërimin material dhe komoditetin fizik si më të rëndësishëm se vlerat shpirtërore
[5] http://ndiqparate.al/2021/04/29/lista-e-zgjedhesve-ne-vite-pjesemarrja-dhe-vlefshmeria-e-votes-2015-2021/
https://www.osce.org/files/f/documents/e/f/38598.pdf
https://www.osce.org/files/f/documents/9/0/108194.pdf
http://www.cec.org.al/Portals/0/Documents/CEC%202013/syri_vezhguesit/Raporti%20i%20OSBE-ODIHR%20shqip.pdf?ver=2018-05-04-133953-700
http://kqz.gov.al/results/results2021/results2021.htm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *