
Në një vend ku besimi te institucionet është i brishtë, qeveria ka zgjedhur sërish udhën më të shkurtër, por më të dëmshme: vendimmarrje pa transparencë dhe pa llogaridhënie.
Debati mbi “faljen e gjobave” dhe mosbërjen publike të listës së përfituesve nuk është thjesht një çështje teknike fiskale. Është një demonstrim i qartë i mënyrës sesi qeverisja i shmanget detyrimit themelor demokratik për t’i treguar publikut se kush përfiton nga politika e saj dhe pse.
Në sfond, nisma paraqitet si një model “paqësor” për të mbyllur borxhet e vjetra.
Por pa një listë të hapur përfituesish, çdo pretendim për drejtësi bie në tokë.
Qytetarët nuk dinë kush po përfiton nga falja, sa i ka kushtuar shtetit mospagimi i tyre ndër vite dhe nëse përfitimet shkojnë te të vegjlit apo te ata që tradicionalisht janë të mbrojtur nga politika.
Pa transparencë, kjo nismë nuk është as pajtim fiskal dhe as reformë, por një vendim që fshihet pas perdeve, ku publiku merr vetëm rezultatin, por jo procesin.
Në mënyrë të përsëritur, qeveria i shmanget çdo kërkese publike për llogaridhënie.
Në vend të hapjes së të dhënave, që është standard elementar i qeverisjes së mirë, ajo zgjedh të mos publikojë listën e përfituesve, duke lënë të hapur dyshimet për trajtim selektiv dhe favorizim. Kjo qasje e mbyllur krijon perceptimin e një pushteti që jo vetëm nuk dëgjon interesin publik, por duket se e shikon transparencën si rrezik, jo si detyrim.
Në një demokraci funksionale, politika e faljes së detyrimeve duhej të shoqërohej me sqarime të plota, me të dhëna të hapura dhe me garanci që askush nuk trajtohet ndryshe veçse sipas ligjit.
Por kur listat nuk publikohen, kur diskutimi publiko- institucional shmanget dhe kur vendimmarrja ndodh në heshtje, qeveria transmeton mesazhin se është e gatshme të bëjë njëanshmëri çdo herë që i shkon për shtat.
Publiku, ndërkohë, lihet vetëm me fjalën e pushtetit dhe me dyshimin se interesi i përgjithshëm nuk ka qenë asnjëherë prioritet.
Në fund, çështja nuk është nëse falja e gjobave është e mirë apo e keqe.
Çështja është se një shtet që shpërfill transparencën, edhe kur preken miliona euro dhe parimet e barazisë fiskale nuk është duke ndërtuar besim, por duke e konsumuar atë. Dhe kur qeveria vendos të mos japë llogari, publiku ka të drejtë të pyesë: në shërbim të kujt bëhen këto politika?
Pa transparencë, çdo reformë është veçse një akt i njëanshëm pushteti. Dhe një qeveri që heq dorë nga transparenca, heq dorë edhe nga legjitimiteti moral për të kërkuar besim.
