Të djathtët dhe të majtët kanë nevojë për njëri-tjetrin që sistemi të funksionojë
Përfundimi i politikës dypartiake nuk është vetëm një ëndërr e studiuesve dhe analistëve. Për ta bërë të mundur thyerjen e tabusë me demokratë dhe socialistë nevojitet që nisma ligjore të ndërmarra nga shoqëria civile dhe organizatat që përfaqësojnë interesat e ndryshme të votuesve të kërkojnë ndryshimin me ligj duke kërkuar që ndryshimi të bëhet pikërisht në këtë drejtim.
Ndryshimi në Kodin Zgjedhor do të krijonte më shumë përfaqësues të detyrueshëm me ligj nga shoqëria civile dhe organizatat që përfaqësojnë interesat e votuesve me bazë më të gjerë se anëtarët apo të preferuarit e partive të vjetra.
Kjo do ta bëjë Kuvendin shumë më përfaqësues të popullit shqiptar se deri më sot, por dhe do ta bëjë atë një organ më të qëndrueshëm dhe realisht Kuvendin e shqiptarëve.
Dinamika e zgjedhjeve deri më sot, ku fituesi merr de facto të gjitha e bën pothuajse të pamundur që palët e treta të fitojnë tërheqje elektorale, pavarësisht të dhënave të sondazheve që tregojnë se gjysma e votuesve nuk identifikohen me asnjë parti dhe e etiketojnë veten të pavarur.
Ky ndryshim vlen për një nevojë imediate për politikën e sotme dhe të nesërme.
Të djathtët dhe të majtët kanë nevojë për njëri-tjetrin që sistemi të funksionojë. Prandaj, rinovimi i kësaj marëdhënie simbiotike duhet të rrjedhë përmes edhe vetë ndryshimit të Partisë Demokratike. Do të jetë e vështirë në kontekstin e kohës, por jo aq e vështirë sa thonë pesimistët.
Sipas treguesve të disa sondazheve të përmbledhura në vitet 2020-2021, mbi 60% e votuesve besojnë se partitë politike janë një kërcënim për vendin. Më shumë se 80% mendojnë se sistemi ka nevojë për “ndryshime të mëdha” ose “reformë të plotë”. Por, për të arritur deri në ndryshimin e jetës politike nuk duket se qasjet e partive kryesore politike përputhen me peshën e kërcënimit nga mungesa e përkrahjes së votuesve të tyre
E gjithë kjo tashmë është bërë rrezikshmërisht reale në momentin kur politika opozitare ndodhet nën kërcënimin e luftës duale për drejtimin e Partisë Demokratike nga njera anë, por edhe për përforcimin e LSI në frontin opozitar pas njoftimit publik për ndryshim të lidershipit. Pas një momenti kalimtar qartësie, shumica e ligjvënësve opozitarë iu rikthyen justifikimeve për mungesën e luftës opozitare pa kauzat sfiduese.
Kërcënimet ndaj sistemit politik janë reale edhe pse ato duket se po ndodhin vetëm në kapin opozitar. Më e madhja është se administrimi politik i demokracisë partiake është tërhequr zvarrë në arenën partizane. Në fillim të vitit 2021, disa nga kandidatët që konkurrojnë për të zëvendësuar lidershipin e vjetër duket se nuk ishin vendosur në listat më shumë të mbyllura për të krijuar një fitore për politikën, por për të përforcuar pozitat e dobëta personale dhe ato të kryetarit bamirës që i përzgjodhi pa vlera meritokratike. Në periudhën post zgjedhore, demokratët kanë dobësuar pozitat e tyre në arenën politike shqiptare, pasi kryetari i Partisë Demokratike refuzoi të mbajë brenda grupit parlamentar ish-kryetarin historik të kësaj partie për t’iu përshtatur qasjes së shpalljes non-grata të tij nga Departamenti i Shtetit të SHBA. Në vijimësi të luftës për dominim të Partisë Demokratike të dy palët pretendojnë se zgjedhjet e fundit u vodhën, por do të konkurrojnë për pozitat që administrojnë dhe certifikojnë zgjedhjet e ardhshme.
Demokratët mund të shfrytëzojnë mirë makinerinë zgjedhore, tashmë të “infektuar” nga betejat e brendshme për t’i lehtësuar fituesit të marri me më forcë detyrën e dobësimit dhe luftës ndaj pozitës. Rinovimi demokrat, nëse vjen nuk do të jetë në formën e ndonjë rilindjeje politike. Votuesit që do të zgjedhin kandidatët për pushtetin vendor në zgjedhjet e vitit 2023 do të jenë aq shumë larg nga revolucioni aktual për dominimin e Paertisë Demokratike, sa nuk ka ndodhur kurrë më parë. Rinovimi ka pak gjasa nga një konservator, si ish-kryetari i Partisë Demokratike, që iu kundërvu kryetarit aktual. Ndërsa, Kryetari i Partisë Socialiste vijon duke orientuar kampin e tij politik duke e strukur atë në rrjedhën e tij të rreme dhe jashtë realitetit që shumica e ekspertëve dhe shqoërisë civile ja ka treguar vazhdimisht gjatë vitit 2021 dhe më parë.
Por gjithsesi, edhe pse ka një rritje të zërit qytetar ndaj korruptimit të vullnetit politik të pozitës dhe opozitës, duket se kjo nuk i ndal fuqitë shtrembëruese të realitetit dhe as besimin e partive kryesore politike, se i vetmi rezultat legjitim është ai ku ndodhet fituesi i zgjedhjeve. Më e rëndësishmja, të dy drejtuesit e partive politike do të jenë në krye të dy partive që ende përmbajnë një numër të madh votuesish të denjë, patriotë, të cilët janë manipuluar nga një grup cinik liderësh dhe propagandistësh për të besuar se, duke thënë se zgjedhjet u vodhën, ata po mbrojnë demokracinë.
Të supozosh se grupi politik fitues mund të trajtohet përgjithmonë si mashtrues zgjedhor do të ishte një gabim. Realiteti i fitores politike dhe betejave zgjedhore, realisht nuk fitohet në tërësi nga mashtrimi zgjedhor edhe pse mund të preetendohet se kjo garanton fitoren. Rinovimi është i pamundur për sa kohë që secili nga drejtuesit e partive kryesore politike mbeten liderë që për një periudhë të gjatë kohe nuk reflektojnë sipas realitetit të vendit. Megjithatë, kjo është një mënyrë tjetër për të thënë se drejtimi i partisë është i lidhur me fatin e një njeriu. Dhe kjo do të thotë se mund të ndryshojë vetëm nëse ndryshon njeriu që drejton aktualisht secilën parti politike.