Skema e re e pensioneve mes nxitjes për kursim dhe rrezikut për deformim të tregut të punës

09/04/20260

Qeveria shqiptare ka hedhur në media një skemë të re pensionesh, e prezantuar nga Kryeministri, e cila synon të ndryshojë mënyrën se si qytetarët ndërtojnë të ardhurat e tyre në pleqëri. Në thelb, propozimi mbështetet mbi një mekanizëm të njohur ndërkombëtarisht si “matching contribution”, ku çdo kontribut vullnetar i individit për pensionin shoqërohet nga një kontribut i barabartë nga një palë tjetër.
Parimi është i drejtpërdrejtë dhe i matshëm, ku për çdo 1 lek të kursyer nga individi, shtohet edhe 1 lek tjetër, duke e çuar menjëherë kursimin në 2 lekë (rritje 100%). Kjo do të thotë se një individ që kontribuon, për shembull, 10,000 lekë në vit, përfiton një total prej 20,000 lekësh të akumuluar, pa përfshirë kthimet nga investimi.Megjithatë, mënyra e aplikimit të këtij mekanizmi ndryshon sipas sektorit.
Për punonjësit e administratës publike, shteti financon 100% të kontributit shtesë, ndërsa në sektorin privat, punëdhënësi pritet të mbulojë 50% të totalit të kontributit (1 nga 2 lekë). Kjo përkthehet në një rritje direkte të kostos së punës për biznesin nëse skema bëhet e detyrueshme.
Në nivel strategjik, skema synon rritjen e pensioneve përmes një norme më të lartë kursimi individual, duke kaluar gradualisht nga një sistem aktual i bazuar vetëm në shpërndarje (PAYG), drejt një modeli të kombinuar me kapitalizim. Në terma praktikë, kjo nënkupton që një pjesë e pensionit të ardhshëm do të varet nga akumulimi real i fondeve individuale, dhe jo vetëm nga kontributet e gjeneratave të ardhshme.
Por, pavarësisht potencialit, disa probleme thelbësore dalin në pah. E para është diferenca në barrën financiare mes sektorëve, ku për të njëjtin kontribut prej 1 lekë nga punonjësi, në publik paguan buxheti i shtetit, ndërsa në privat paguan biznesi. Kjo krijon një pabarazi efektive në koston e punës, që mund të përkthehet në një diferencë reale prej deri në 100% mbi kontributin shtesë mes dy sektorëve.
Një tjetër çështje lidhet me realitetin ekzistues të tregut.
Shqipëria përballet ende me nivele të konsiderueshme informaliteti, ku një pjesë e bizneseve nuk paguajnë as kontributet bazë prej rreth 27.9% të pagës bruto (për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore). Në këtë kontekst, shtimi i një detyrimi të ri prej +100% mbi kontributin vullnetar të punonjësit mund të rrisë incentivat për shmangie.
Nga pikëpamja sociale, skema ka një kufizim të dukshëm: ajo favorizon vetëm ata që kanë të ardhura të mjaftueshme për të kursyer. Nëse një individ nuk arrin të kontribuojë as 1 lek shtesë, ai nuk përfiton asgjë nga mekanizmi i dyfishimit. Në këtë mënyrë, efekti mbështetës për shtresat me të ardhura të ulëta është praktikisht 0 lekë.
Edhe dimensioni fiskal mbetet i paqartë. Nëse supozojmë se një punonjës publik kontribuon mesatarisht 20,000 lekë në vit, shteti duhet të shtojë po aq, duke krijuar një kosto direkte prej 20,000 lekësh për person në vit. I shumëzuar me një numër të madh përfituesish, ky angazhim mund të përkthehet në një kosto buxhetore të konsiderueshme dhe në rritje progresive.
Një element tjetër i paqartë është destinacioni i fondeve. Nuk dihet ende nëse këto 2 lekë të akumuluara do të menaxhohen nga një fond publik, një fond privat apo një model i kombinuar, gjë që ndikon drejtpërdrejt në normën e kthimit dhe në sigurinë e kursimeve. Në mungesë të një arkitekture të qartë, besimi i qytetarëve mund të mbetet i kufizuar.
Në thelb kjo nismë, e cila vazhdon një qasje ku qeveria informon më shumë sesa përfshin të gjithë aktorët dhe operon me një transparencë të kufizuar që duket se ruan autorësinë politike në plan elektoral përfaqëson një përpjekje për të rritur normën e kursimit në ekonomi dhe për të ndërtuar një shtresë të dytë pensionesh. Konceptualisht, dyfishimi i kontributit (nga 1 në 2 lekë) është një stimul i fortë, por efektiviteti i tij mbetet i varur nga mënyra konkrete e zbatimit.
Nga informacioni nga mediat dhe duke analizuar qasjen duket se skema ka elementë nxitimi dhe mungese shterimi të gjithë skenarëve të mundshëm dhe duhet të riformulohet duke vendosur kufij maksimalë (p.sh. një tavan vjetor kontributi), stimuj fiskalë në vend të detyrimeve të menjëhershme dhe një ndarje më të balancuar të kostos (p.sh. 1/3 punonjësi, 1/3 punëdhënësi, 1/3 shteti), që të mund të kthehet në një instrument funksional dhe të qëndrueshëm. Në të kundërt, rrezikon të krijojë më shumë shtrembërime sesa përfitime reale dhe do të vijojë të ketë efekt më shumë si qasje elektorale, se sa reale dhe kontribuese për mirëqenien e ardhme .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *