
Pyetja kryesore që të vjen ndërmend kur lexon projekt-ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet” është:
– A është i nevojshëm sigurimi i detyrueshëm nga tërmetet në Shqipëri?
Projektligji i ri për sigurimin detyrueshëm nga tërmeti paraqitet si një mjet financiar i domosdoshëm për mbrojtjen e pasurive të qytetarëve dhe për përballimin e dëmeve që sjellin katastrofat natyrore. Synimi i tij është të krijojë një mekanizëm që garanton kompensim të shpejtë dhe efikas pas fatkeqësive, duke lehtësuar barrën financiare individuale dhe shtetërore. Por, duke analizuar më thellë përmbajtjen e këtij projektligji dhe duke e vendosur atë në kontekstin e rreziqeve aktuale në Shqipëri, lindin pyetje serioze në lidhje me drejtësinë sociale, zbatueshmërinë, dhe madje edhe vetë nevojën për një instrument të tillë në këtë formë dhe kohë.
A është tërmeti realisht rreziku më i madh?
Në bazë të studimit të Bankës Botërore dhe analizave të pavarura vendase, rreziku më i madh që kërcënon Shqipërinë nuk është tërmeti, por përmbytjet dhe zjarret. Këto fatkeqësi ndodhin më shpesh, me pasoja sociale dhe ekonomike më të theksuara, duke prekur komunitete të ndryshme në mënyrë më të përsëritur dhe të parashikueshme. Në kontrast, tërmetet, edhe pse potencialisht shkatërrues, janë më të rralla dhe me një incidencë më të ulët historike në vend. Kjo situatë e bën prioritet projektligjin për sigurimin nga tërmeti të duket i paqartë, madje i shkëputur nga realiteti konkret të rreziqeve natyrore që përballet shoqëria shqiptare.
Ky kontrast duket se bie ndesh me përvojën ndërkombëtare.Kjo qasje e ngushtë bie ndesh me praktikat ndërkombëtare në vende me rreziqe të ndryshme natyrore, si Turqia, Italia, Greqia apo Meksika.
Aty, modelet e sigurimit për fatkeqësitë natyrore janë gjithëpërfshirëse, duke adresuar jo vetëm një fenomen specifik, por një gamë rreziqesh që prekin popullsinë. Gjithashtu, shtetet e këtyre vendeve përfshihen aktivisht si garantë dhe ofrojnë mbështetje për kategoritë më vulnerabël, duke siguruar që instrumentet e sigurimit të jenë socialisht të drejtë dhe funksionale.
Çfarë problematikash paraqet projektligji?
Së pari është mungesa e analizës së nevojës reale. Nga ky projektligj dhe realcioni i tij nuk ofrohet një justifikim i qartë ekonomik dhe social se pse përzgjedhja ka rënë vetëm mbi tërmetin, përjashtuar tërësisht përmbytjet apo rreziqe të tjera. Kjo e bën të dyshimtë bazën racionale të politikës së propozuar.
Së dyti është drejtësia sociale, e papërfshirë. Projektligji nuk parashikon asnjë formë subvencioni, përjashtimi apo ndihme për shtresat në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë një prime sigurimi. Kjo thellon ndjeshëm pabarazinë dhe mund ta kthejë këtë detyrim në një barrë shtesë për qytetarët me të ardhura të ulëta.
Së treti është qartësia e dobët ligjore dhe zbatimi i vështirë. Në projektligj mungojnë përkufizime të qarta për termat bazë, nuk ka referenca ndaj ligjeve ekzistuese të sigurimeve ose mbrojtjes civile dhe nuk sqarohet se si do të zbatohet në praktikë ky ligj në mungesë të një infrastrukture të verifikueshme për pronësinë, vlerësimin dhe kontrollin.
Së katërti është mbrojtja e konsumatorit dhe kontrolli i siguruesve. Ligji nuk përcakton asnjë mekanizëm kontrolli apo mbikëqyrjeje për të parandaluar abuzimet nga kompanitë e sigurimeve, të cilat mund të aplikojnë prime të larta ose të refuzojnë dëmet në mënyrë arbitrare.
Së pesti është transparenca financiare, e munguar. Në asnjë pikë të projektligjit nuk paraqitet një simulim apo analizë e ndikimit të primeve të sigurimit në buxhetet familjare. Nuk ka të dhëna për koston mesatare, mënyrën e llogaritjes, përjashtimet apo rastet e ndihmës shtetërore.
Së fundmi, roli i mbikëqyrjes është i paqartë. Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare përmendet vetëm në mënyrë të tërthortë, ndërsa nuk parashikohet asnjë raportim publik periodik, transparencë për skemat e mbledhjes së primeve dhe as ndonjë bord apo strukturë për përfshirjen e interesit të konsumatorëve.Në formën aktuale, projektligji për sigurimin e detyrueshëm nga tërmeti nuk ofron një zgjidhje reale dhe të drejtë për mbrojtjen e qytetarëve ndaj rreziqeve natyrore. Ai nuk e pasqyron profilin aktual të rrezikut në vend dhe përjashton shumicën e faktorëve kyç që e bëjnë një instrument sigurimi funksional, të zbatueshëm dhe të pranueshëm nga shoqëria.
Një iniciativë serioze për sigurimin nga katastrofat duhet të bazohet në një analizë gjithëpërfshirëse të të gjitha rreziqeve, duke vendosur prioritetet sipas të dhënave reale. Ajo duhet të jetë socialisht e ndjeshme, me mekanizma mbrojtjeje për kategoritë më të pambrojtura, transparente në funksionim dhe me një sistem efektiv mbikëqyrjeje.
Për më tepër, duhet të përshtatet me kapacitetet reale financiare dhe administrative të qytetarëve dhe shtetit.Për këtë arsye, nga nismëtarët kërkohet rishikim i plotë i projektligjit, për të ndërtuar një skemë kombëtare sigurimi ndaj rreziqeve natyrore, ku prioritetet të përcaktohen nga të dhënat, dhe jo nga perceptimet.
Një mbrojtje e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për qytetarët shqiptarë është domosdoshmëria e vetme.
