
Në një shoqëri normale, ndershmëria nuk duhet të jetë akt heroizmi. Duhet të jetë normë. Duhet të jetë mënyra më e thjeshtë për të jetuar, jo zgjedhja më e vështirë. Por në realitetin tonë, ndershmëria është kthyer gradualisht në një sakrificë morale, në një barrë personale që shpesh të kushton më shumë sesa të shpërblen. Morali publik u kërkon qytetarëve të jenë të ndershëm, të paguajnë taksa, të respektojnë rregullat, të mos bëjnë hile. Por në të njëjtën kohë shohim çdo ditë se ata që janë në majë të sistemit (politikanët, drejtuesit, elitat), jo vetëm që nuk e japin këtë shembull, por e trajtojnë shtetin si pronë private dhe ligjin si pengesë për t’u anashkaluar me “zgjuarsi”. Mesazhi që përcillet nuk është as i fshehtë dhe as i ndërlikuar, ndershmëria është për naivët, ndërsa hilet janë për ata që “dijnë si funksionon loja”.
Kështu prishet ajo që në thelb mban në këmbë çdo shoqëri, kontrata morale e pashkruar mes qytetarit dhe shtetit. Qytetari pranon të respektojë rregullat me bindjen se shteti dhe elita do t’i respektojnë edhe më shumë se ai. Por kur sheh që ligji zbatohet vetëm për të dobëtit, ndërsa të fortët jetojnë mbi ligjin, lind pyetja e pashmangshme: pse duhet të jem unë i ndershëm në një sistem që nuk është i drejtë?
Ky është momenti më i rrezikshëm për një shoqëri, si kjo që jetojmë ne. Jo pse ka korrupsion, sepse korrupsion ka kudo, por kur korrupsioni po bëhet i pranueshëm, i justifikuar, madje i admiruar. Kur fillojmë të themi “të gjithë kështu bëjnë”, “nuk bëhet ndryshe”, “po nuk bëre hile, nuk ecën përpara” ka mbërritur ajo pikë kulmore e shoqërisë, ku problemi nuk është më vetëm politik. Është kulturor. Është moral. Është mënyra si e shohim tashmë jetën dhe suksesin.
Politikanët nuk vijnë nga një planet tjetër. Ata dalin nga kjo shoqëri. Por dallimi është se kur ata mashtrojnë, efekti është shumëfish më i madh. Sepse ata nuk janë thjesht individë, por modele etike. Ata formësojnë normën. Ata vendosin kufirin mes asaj që është e drejtë dhe asaj që është “e pranueshme”. Kur modeli është i kalbur, kalbëzimi nuk mbetet në majë. Zbret poshtë, depërton në administratë, në biznese, në shkolla, në marrëdhëniet njerëzore, në lagje dhe në vendin ku jetojmë e punojmë.
Në këtë kontekst, të kërkosh sot nga një popull të jetë i ndershëm me detyrimet e tij është hipokrizi.
Natyrisht, që ka dhe do të ketë edhe kjo kohë individë të ndershëm, njerëz me integritet, profesionistë që nuk pranojnë të bëjnë kompromis. Por ata (ne) jetojnë si ishuj në një det cinizmi. Dhe ndershmëria e tyre nuk është normë shoqërore, por sakrificë personale.
Shoqëritë e shëndosha kanë një veçori të thjeshtë, ku ndershmëria shpërblehet dhe pandershmëria ndëshkohet. Shoqëritë e kapura kanë të kundërtën.
Pandershmëria vijon e shpërblehet dhe ndershmëria po penalizohet. Dhe kur kjo ndodh për një kohë të gjatë, njerëzit nuk bëhen domosdoshmërisht më të këqij, por bëhen më cinikë. Heqin dorë nga ideja e drejtësisë dhe kalojnë te logjika e mbijetesës.Pra, problemi nuk është se populli nuk do të jetë i ndershëm. Problemi është se sistemi e bën ndershmërinë të duket budallallëk. Dhe kur një shoqëri arrin në pikën ku integriteti shihet si naivitet, atëherë nuk kemi më krizë politike.
Kemi krizë morale.
Dhe kjo është shumë më e vështirë për t’u rregulluar sesa çdo reformë ligjore.
Por, a mund të dalim dot nga kjo periudhë që po kthehet në krizë morale për shqiptarët?
Zgjidhja për një situatë si kjo nuk është as e shpejtë dhe as thjesht ligjore. Është thellësisht morale dhe institucionale njëkohësisht.Gjithçka fillon nga shembulli nga lart. Asnjë shoqëri nuk bëhet e ndershme me fjalë, por vetëm kur elitat politike dhe administrative jetojnë realisht nën të njëjtat rregulla si qytetari i zakonshëm. Kur pushteti pushon së qeni imunitet dhe kthehet në përgjegjësi.Hapi i dytë është drejtësia reale, jo selektive. Jo drejtësi për spektakël, por drejtësi e verbër ndaj emrit, partisë dhe funksionit. Vetëm kur “i forti” ndëshkohet njësoj si i dobëti, rikthehet besimi shoqëror.Hapi i tretë është ta bëjmë ndershmërinë të leverdishme. Biznesi korrekt duhet të fitojë më shumë se ai që mashtron. Administrata e ndershme duhet të ecë përpara, jo të penalizohet. Qytetari korrekt duhet të ketë përfitime reale, jo vetëm morale.Në fund vjen kultura, edukimi dhe media, që të ndryshojnë narrativën e suksesit. Që i suksesshëm të mos quhet ai që “ia hodhi sistemit”, por ai që ia doli pa e shkelur.
