
Në Shqipëri, debati për rreziqet fiskale dhe financiare shpesh mbulohet nga një retorikë optimiste që projekton imazh stabiliteti.
Qeveria, institucionet financiare dhe diplomatët e huaj përsërisin shpesh se ekonomia shqiptare qëndron solide, borxhi publik i përballueshëm dhe treguesit makro të qëndrueshëm.
Por pas kësaj fasade ekziston një shtresë shumë më e thellë e brishtësisë, ajo politike. Pikërisht aty ku pushteti merr formë, ku institucionet sprovohen dhe ku rregullat shkruhen ose anashkalohen, lindin rreziqet më serioze për ekonominë.
Në vendet e vogla, ku pushteti është i përqendruar dhe vendimmarrja lidhet me pak aktorë, rreziqet fiskale nuk burojnë vetëm nga tregjet, ciklet ekonomike apo goditjet e jashtme. Ato kultivohen në mënyrë të heshtur nga mënyra se si funksionon vetë shteti. Shqipëria është shembull klasik i këtij mekanizmi.
Pushteti që përqendrohet, rreziku që rritet
Në çdo ekonomi, balanca e pushteteve është një mekanizëm sigurie. Ajo parandalon gabimet, shmang abuzimet dhe krijon disiplinë fiskale.
Në Shqipëri, këto mekanizma janë dobësuar gradualisht.
Pushteti politik është bërë vertikal, i centralizuar, i padiskutueshëm brenda strukturës së tij dhe pamjaftueshmërisht i sfidueshëm nga institucionet kontrolluese.
Vendimmarrja ekonomike shpesh është produkt i vullnetit të pushtetit, jo rezultat i analizës së pavarur.
Në këtë kontekst, rreziku fiskal nuk lind vetëm nga borxhi apo shpenzimet, por nga fakti se ato vendosen pa balancën e nevojshme institucionale.
Në mungesë të një kontrolli të vërtetë, çdo vendim si PPP, kontrata strategjike, koncesione apo investime publike marrin ngarkesë rreziku të shtuar, jo për shkak të vetë natyrës së projektit, por për shkak të mënyrës si miratohet.
Buxheti, instrument i politikës dhe jo i ekonomisë
Një tjetër rrezik që përmendet shpesh lidhet me përdorimin e buxhetit si mekanizëm elektoral. Në Shqipëri, pothuajse çdo buxhet trajtohet si vit reformash, por në praktikë kjo nënkupton rritje të vazhdueshme të fondeve për investime që shpesh nuk përfundojnë në afatet e përcaktuara, mbeten pa efektivitet të matshëm, shoqërohen me shpenzime për administratën që nuk lidhen me produktivitetin dhe me përdorime të tjera që shmangin rregullat e prokurimit publik dhe të llogaridhënies.
Në të vërtetë, bëhet fjalë për një cikël të njohur të politizimit të financave publike, ku paraja publike përdoret për të prodhuar impresione politike, ndërsa detyrimet dhe kostot shpërndahen te publiku për vite me radhë.
Ky cikël dëmton seriozisht disiplinën fiskale.
Shpenzimet nuk përcaktohen nga nevojat reale të ekonomisë, por nga kërkesat e politikës.
Rrjedhoja?
Borxh që ngadalë rritet, eficiencë që zvogëlohet dhe investime me impakt të ulët ekonomik.
Institucione që varen nga pushteti
Rreziku më i padukshëm, por ndoshta më i rëndi në afatgjatë, është kapja graduale e institucioneve. Kur tatimet nuk veprojnë më në bazë të ligjit dhe analizës teknike, por sipas orientimeve të drejtuesve politikë, kur prokurimet publike kanalizohen drejt një rrethi interesash të njohur, dhe kur Kontrolli i Lartë i Shtetit reduktohet në një rol ceremonial që pret të dorëzojë raportin vjetor pa fuqi reale ndëshkuese, atëherë arkitektura e kontrollit publik shkatërrohet në vetë themelin e saj. Ekonomia humbet mbikëqyrësit natyrorë që garantojnë disiplinë, transparencë dhe barazi konkurrence.
Në një mjedis të tillë, reagimi i tregut privat është i menjëhershëm dhe negativ. Investitorët e huaj shohin mungesën e sigurisë juridike dhe të parashikueshmërisë dhe tërhiqen. Kompanitë vendase, në vend që të investojnë në teknologji, produktivitet dhe inovacion, orientohen drejt tenderëve publikë, sepse aty gjendet fitimi më i shpejtë dhe më pak i rrezikshëm, pavarësisht se ky fitim vjen nga paraja publike dhe jo nga konkurrenca reale në treg.
Kjo prirje çon në uljen e cilësisë së produkteve dhe shërbimeve, frenon kreativitetin dhe e bën ekonominë gjithnjë e më të mbyllur dhe të varur nga qeveria.
Sa më shumë dobësohet kontrolli i pavarur, aq më e brishtë bëhet vetë ekonomia, sepse humbet aftësinë për të korrigjuar gabimet, për të parandaluar abuzimet dhe për të mbrojtur interesin publik. Në fund, kapja e institucioneve nuk është më thjesht çështje qeverisjeje, por rrezik sistemik që e ngadalëson zhvillimin, e rrit borxhin e fshehur dhe e zhvendos vendin drejt një modeli ekonomik të varur nga pushteti dhe jo nga tregu.
Rreziqet e kontratave afatgjata dhe detyrimet e padukshme
Në Shqipëri, një pjesë e shpenzimeve publike nuk shfaqen drejtpërdrejt në buxhet. Ato janë të fshehura në kontrata PPP, angazhime afatgjata, garanci sovrane apo marrëveshje të cilat sot duken të qëndrueshme, por nesër mund të shndërrohen në barrë fiskale. Kjo shtresë detyrimesh të padukshme përbën një rrezik të heshtur për financat publike.
Sa më i politizuar procesi i miratimit të këtyre kontratave, aq më i madh rreziku që ato të mos vlerësohen me rigorozitet profesional.
Polarizimi politik dhe çmimi ekonomik i krizave të besimit
Shqipëria është një vend ku tensioni politik është pothuajse i përhershëm. Çdo krizë politike ka një çmim ekonomik të menjëhershëm në tërheqjen e investimeve, frikën e tregut, rritjen e kostos së financimit dhe shtimin e pasigurisë.
Në një klimë ku qeveria dhe opozita diskutojnë në mënyrë të pandërprerë legjitimitetin e njëra-tjetrës, stabiliteti institucional mbetet i brishtë.
Ekonomia nuk lulëzon në pasiguri dhe ky është një rrezik që nuk e zgjidh dot asnjë politikë fiskale afatshkurtër.
Korrupsioni, një rrezik i shndërruar në normalitet
Korrupsioni në Shqipëri nuk është më një devijim rastësor, por një mekanizëm funksionimi që është normalizuar në shumë hallka të shtetit dhe ekonomisë. Ai nuk është vetëm çështje morale apo etike, por një variabël ekonomik i cili ndikon drejtpërdrejt në prodhimtarinë, konkurrencën dhe stabilitetin financiar të vendit. Në çdo sektor ku ndërhyrjet korruptive kthehen në praktikë të zakonshme, nga prokurimet e vogla deri te projektet strategjike humbet eficienca e shpenzimeve publike dhe deformohet vetë logjika e zhvillimit ekonomik.
Për Shqipërinë, korrupsioni është kthyer në rrezik sistemik sepse godet në disa nivele njëkohësisht.
Ai ul interesin e investitorëve seriozë, të cilët shmangin një treg ku rregullat mund të anashkalohen nga marrëdhënie informale. Rrit koston reale të çdo projekti publik, sepse fondet shpesh nuk përdoren sipas destinacionit, duke prodhuar infrastrukturë të papërfunduar, cilësi të dobët dhe detyrime të mëdha financiare në të ardhmen. Minon administratën tatimore dhe fiskale, sepse ul kapacitetin e shtetit për të mbledhur të ardhura në mënyrë të drejtë e të efektshme, duke krijuar pabarazi të thellë mes tatimpaguesve të zakonshëm dhe atyre që gjejnë rrugë të tjera për të shmangur detyrimet.
Por dimensioni më i rrezikshëm shfaqet kur korrupsioni bashkëjeton me përqendrimin e pushtetit.
Atëherë ai nuk është më i shpërndarë dhe sporadik, por bëhet vertikal, i strukturuar dhe i vetëmjaftueshëm.
Në këtë fazë rreziku ekonomik rritet në mënyrë eksponenciale: investimet zhvendosen, sektori privat deformohet, ndërsa financat publike ekspozohen ndaj vendimmarrjeve që nuk pasqyrojnë interesin publik, por interesat e rrjeteve të lidhura me pushtetin.
Kjo është arsyeja pse korrupsioni në Shqipëri nuk duhet parë si fenomen moral, por si kërcënim ekonomik me pasoja afatgjata që ngadalësojnë zhvillimin e vendit dhe e mbajnë ekonominë brenda një cikli të pashpërputhshëm me standardet e një shteti funksional.
Në fund, rreziqet që kërcënojnë ekonominë shqiptare nuk burojnë vetëm nga tregjet apo ciklet globale, por nga mënyra se si qeveriset vendi.
Kapja e institucioneve, politizimi i financave publike, përqendrimi i pushtetit dhe normalizimi i korrupsionit krijojnë një terren ku stabiliteti bëhet iluzion dhe zhvillimi mbetet i brishtë.
Shqipëria nuk ka mungesë fondesh apo projekte, por sigurisht ka mungesë kontrolli dhe llogaridhënieje, si dhe institucione të pavarura.
Vendi ka nevojë për një klasë politikanësh që sillen si administratorë të përgjegjshëm, jo si menaxherë të pushtetit, për njerëz që e shohin qeverisjen si detyrë publike dhe jo si instrument politik.
Një qasje e tillë mund të garantojë që infrastruktura të ndërtohet për zhvillim afatgjatë, jo për efekte të çastit, që arsimi dhe shëndetësia të rikthehen në shtylla të zhvillimit kombëtar dhe jo në mjete të politikës së ditës, si dhe që politikat sociale të projektohen për mirëqenie të qëndrueshme, jo për konsum elektoral.
