RTSH, apo kur debati publik përdoret si alibi

16/01/20260

Debati i hapur së fundmi mbi RTSH-në nuk është, formalisht, një debat për ndërtim mbi territorin e saj. Megjithatë, kritikat publike të Kryeministrit Rama ndaj RTSH-së kanë ngjallur dyshimin e arsyeshëm se pas këtij diskursi fshihen qasje të konsumuara politikisht, të përdorura edhe më parë në raste si Teatri Kombëtar apo ndërhyrje të tjera urbane, ku delegjitimimi i institucionit i ka paraprirë rivlerësimit të truallit.

Në këto raste, modeli ka qenë i njëjtë. Fillimisht vihet në diskutim vlera dhe funksioni i institucionit në sferën publike, duke e paraqitur si të vjetëruar, joefikas ose pengesë për zhvillimin, për të krijuar më pas terrenin narrativ që e zhvendos debatin nga misioni publik drejt “potencialit” ekonomik të hapësirës që ai zë.

Edhe në rastin e RTSH-së, diskursi aktual nuk fokusohet te nevoja për reformë reale, pavarësi editoriale dhe rol të qartë shërbimi publik. Përkundrazi, institucioni trajtohet si problem fizik, si hapësirë që “nuk i përgjigjet kohës”, duke e zhvendosur vëmendjen nga përmbajtja dhe funksioni te territori dhe betoni. Kjo zhvendosje është thelbi i dyshimit.

Konteksti urban nuk është i pafajshëm.
Zona përreth RTSH-së është ndër më të lakmuarat për zhvillim intensiv ndërtimor.
Diskursi për “modernizim” dhe “rilindje urbane” përkon me një fazë kur sektori i ndërtimit është shndërruar në motor kryesor të qarkullimit të kapitaleve, shpesh pa transparencë mbi origjinën e tyre. Në këtë kuptim, ndërtimet e larta nuk janë thjesht objekte arkitekturore, por instrumente financiare.
Mbajtja e gjallë e këtij lloj debati shërben edhe si strategji për të ricikluar diskutime publike që historikisht kanë dështuar të pyesin për zërin e qytetarëve dhe për mekanizmat realë të përfshirjes së tyre. Ky riciklim nuk është rastësor. Ai ndihmon në zhvendosjen e vëmendjes nga aferat korruptive që po gërryejnë çdo mbetje besimi në një qeverisje të pastër dhe të përgjegjshme, në një moment kur klima politike është e ngarkuar dhe zgjedhjet vendore të vitit 2027 po afrohen.
Kur presioni për llogaridhënie rritet, prodhohen debate që konsumojnë energjinë publike, por nuk e sfidojnë pushtetin.
Interesi publik, të cilit i referohet vazhdimisht diskursi politik, mbetet i paqartë dhe i papërcaktuar. Nëse ai do të ishte real, debati do të përqendrohej te modeli i financimit të RTSH-së, pavarësia editoriale, cilësia e përmbajtjes dhe roli i medias publike në një demokraci funksionale.
Në vend të kësaj, publiku ekspozohet ndaj narrativave modernizuese, pa u përfshirë realisht në vendimmarrje dhe pa u informuar mbi kostot reale sociale dhe ekonomike.
Në thelb, nuk kemi ende një projekt konkret ndërtimi mbi RTSH-në, por kemi një narrativë të njohur, e cila në precedentë të mëparshëm ka shërbyer për të reduktuar pasurinë publike në aset tregu, për të zhveshur institucionet nga misioni i tyre dhe për ta kthyer qytetin në platformë qarkullimi kapitalesh.
Pyetja që duhet të shtrojnë qytetarët nuk është se çfarë do të ndërtohet sot, por pse po ndërtohet një debat që shmang pyetjet thelbësore dhe çfarë humbet publiku kur krizat e besimit në qeverisje mbulohen me gjuhën e modernizimit?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *