
Rritja e çmimit të naftës dhe barra fiskale, nga inflacioni i importuar në inflacion strukturor
Në një kontekst global ku çmimet e naftës po luhaten fuqishëm për shkak të tensioneve gjeopolitike, Shqipëria, si shumë vende të tjera me ekonomi të varur nga importi energjetik po përballet me një goditje që fillon si e përkohshme, por po shndërrohet në një problem thelbësor strukturor.
Nëse e zbresim analizën në nivel sektorial, efekti i rritjes së çmimit të naftës (i përforcuar nga barra fiskale) nuk është më vetëm një “inflacion i importuar”. Ai është një goditje horizontale që depërton në çdo hallkë të zinxhirit ekonomik dhe po na çon drejt një faze të re, atë ku inflacioni ushqimor dhe i kostove operative po kalon nga ciklik në strukturor, duke rrezikuar konkurrencën e brendshme, duke thelluar informalitetin dhe duke vënë në provë kapacitetet administrative të vendit në një ambient ku korrupsioni mbetet një faktor real rreziku.
Goditja prek më së pari bujqësinë, blegtorinë dhe peshkimin, sektorët ku nafta është input prodhimi në çdo hap. Në bujqësi, përgatitja e tokës, mbjellja, trajtimet me plehra e pesticide, ujitja dhe transporti e çojnë koston direkt në çmimin në fermë. Në blegtori, ushqimi i bagëtive, logjistika dhe transporti i produkteve të freskëta krijojnë presion të drejtpërdrejtë mbi çmimet e qumështit, vezëve dhe mishit. Peshkimi ndjen goditjen më brutalisht, pasi karburanti përbën 40–60% të kostos totale të operacioneve.
Por goditja nuk mbaron këtu.
Sektorë të tjerë që e kanë absolutisht të nevojshme një trajtim të ngjashëm janë transporti dhe logjistika, ndërtimi, turizmi dhe prodhimi industrial i lehtë. Në transport, çdo rritje e naftës rrit menjëherë koston e shpërndarjes së mallrave dhe pasagjerëve, duke e bërë më të shtrenjtë çdo produkt që arrin në raft ose në dyqan. Në ndërtim, makineritë, transporti i materialeve dhe logjistika e punës e kthejnë naftën në një kosto strukturore që ngadalëson investimet. Turizmi (sidomos transporti i turistëve dhe furnizimi i hoteleve) dhe prodhimi industrial (tekstile, mobilje, përpunim ushqimesh) vuajnë po aq, sepse konkurrenca e tyre ndërkombëtare varet drejtpërdrejt nga kostot e energjisë. Këta sektorë, si bujqësia, nuk mund të amortizojnë goditjen pa rrezikuar humbje punësimi ose transferim të plotë të kostos te konsumatori.
Kështu, inflacioni i importuar shndërrohet shpejt në inflacion të brendshëm të kostove. Krijohet efekti “gërshërë”, ku oferta vendase dobësohet në të gjithë zinxhirin, importet nuk ulin çmimet, ndërsa sektorët e prekura humbasin konkurrueshmëri.
Ne jemi pikërisht në këtë fazë tani, pra në mes të kalimit nga një goditje ciklike drejt një inflacioni strukturor, ku çmimet e bukës, qumështit, mishit, perimeve, peshkut, por edhe të shërbimeve të transportit dhe ndërtimit po ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien reale të familjeve.
Efektet e dyta (second-round) e përkeqësojnë situatën edhe më shumë. Rritja e çmimeve bazë nxit kërkesa për rritje pagash jo vetëm në sektorin publik, por edhe në sektorin privat, te transportuesit, ndërtuesit, fermerët dhe punonjësit e industrisë së lehtë kërkojnë kompensim për të ruajtur fuqinë blerëse.
Kjo krijon presion të ri mbi bizneset private, të cilat ose ngushtojnë marzhet ose kalojnë barrën te çmimet finale.
Paralelisht, qeveria përballet me presionin e rritjes së të ardhurave nga buxheti për kostot e mundshme të subvencioneve dhe lehtësive fiskale rrezikojnë të ulin të ardhurat tatimore nëse nuk menaxhohen me kujdes, duke krijuar një tension midis nevojës për stabilizim ekonomik dhe qëndrueshmërisë fiskale.
Fermerët informalë dhe bizneset e vogla shohin marzhe që ngushtohen deri në falimentim, ndërsa të tjerë ristrukturojnë ofertën duke ulur prodhimin ose duke kaluar në aktivitete më pak intensive. Kjo e kthen goditjen në strukturore: prodhimi vendas dobësohet, varësia nga importi rritet dhe konkurrueshmëria e ekonomisë së brendshme bie në të gjithë sektorët e prekura.
Këtu hyn roli kritik i politikës fiskale.
Barra fiskale mbi një litër naftë (çmimi aktual në prill 2026 sillet rreth 214 lekë/litër) përbëhet kryesisht nga akciza (rreth 38–40 lekë), taksa e qarkullimit (rreth 27 lekë + efekt TVSH), taksa e karbonit (3 lekë), tarifa të tjera dhe TVSH 20% që amplifikon të gjithë barrën.
Në total, taksat dhe TVSH-ja përbëjnë 53–60% të çmimit final, një nga barrat më të rënda në rajon. Kjo bën që politika fiskale të veprojë si faktor pro-ciklik: në vend që të amortizojë goditjen, e amplifikon atë dyfish në sektorët më sensitivë.
Në një ekonomi me informalitet të lartë, bizneset e vogla dhe sektorët e prekura nuk arrijnë të transferojnë koston plotësisht, por as nuk përfitojnë nga lehtësitë e synuara, ndërsa kapacitetet administrative të dobëta rrisin rrezikun e korrupsionit ose shpërdorimit.
Çfarë duhet të bëjë Shqipëria në këtë fazë kritike?
Përgjigjja nuk mund të jetë uniforme apo populiste, por e zgjuar, e diferencuar dhe e lidhur drejtpërdrejt me realitetin e ekonomisë së brendshme, konkurrencës, informalitetit, kapaciteteve administrative dhe rrezikut të korrupsionit.
Së pari, një mekanizëm fleksibël për të gjithë barrën fiskale (jo vetëm akcizën) me një “fashë të lëvizshme” që ul automatikisht komponentët fiks (akcizën + taksën e qarkullimit), kur çmimi tejkalon 210–220 lekë/litër me 10–15 lekë/litër në total, dhe i rikthen gradualisht kur tregu stabilizohet. Kjo do të lehtësonte presionin mbi të gjithë sektorët e prekura pa komprometuar qëndrueshmërinë e buxhetit afatgjatë.
Së dyti, skema të diferencuara për sektorët strategjikë me naftë të subvencionuar ose rimbursim të targetuar jo vetëm për bujqësi, blegtori dhe peshkim, por edhe për transport, ndërtim, turizëm dhe prodhim industrial të lehtë, aty ku kostoja e naftës ndikon drejtpërdrejt në konkurrueshmëri dhe punësim. Skemat lidhen me regjistrimin fiskal për të nxitur formalizimin dhe reduktimin e informalitetit, duke shmangur shtrembërime tregu.
Kostoja e synuar për gjysmën e parë 2026 do të ishte rreth 25–30 milionë euro, por do të zbutte ndjeshëm inflacionin strukturor dhe presionin e rritjes së pagave në sektorin privat.
Së treti, mbështetje e drejtpërdrejtë për inputet kritike (plehra, sisteme ujitjeje, zinxhir ftohjeje, makineri ndërtimi, flota transporti) përmes grantesh të kushtëzuara me transparencë.
Së katërti, transparencë e plotë me publikim mujor të ndarjes së çmimit final (“sa është çmim tregu, sa akcizë, sa taksë qarkullimi, sa TVSH, sa efekt fiskal total”), për të informuar konsumatorin, bizneset dhe për të penguar spekulime ose korrupsion.
Së fundmi, koordinim makro midis politikës fiskale, monetare dhe të të ardhurave duke e trajtuar paketën si investim në rezistencën strukturore të ekonomisë, jo thjesht si ndihmë sociale, dhe duke balancuar kostot e subvencioneve me masat për rritjen e të ardhurave buxhetore pa rritur presionin mbi pagat e sektorit privat.
Në përfundim, rritja e çmimit të naftës e ndërthurur me barrën fiskale të rëndë nuk është thjesht një çështje energjie. Ajo është një goditje që po teston të gjithë systemin, nga ferma te tavolina, nga transporti te ndërtimi, nga informaliteti te konkurrueshmëria, nga kapacitetet administrative te integriteti institucional. Ne jemi tani në fazën vendimtare ku inflacioni po bëhet strukturor dhe efektet e dyta (presioni i pagave në sektorin privat + tensioni mbi të ardhurat buxhetore) po përshpejtojnë ciklin.
Nëse politika fiskale mbetet pro-ciklike dhe e pandjeshme ndaj realitetit tone, me informalitet të lartë, konkurencë të dobët dhe korrupsion potencial. efekti final nuk do të jetë vetëm çmime më të larta për disa muaj. Realisht do të jetë dobësimi i prodhimit vendas në të gjithë sektorët e prekura, rritja e varësisë nga importi dhe një goditje afatgjatë mbi mirëqenien e qytetarëve, punësimin dhe stabilitetin ekonomik.
Koha për veprim të zgjuar, të diferencuar dhe holistik është pikërisht tani, në prill 2026. Një paketë që trajton të gjithë barrën fiskale, përfshin sektorët e nevojshëm dhe balancon presionin e pagave me qëndrueshmërinë buxhetore mund të zbutë ndjeshëm efektin e dytë të inflacionit, duke mbrojtur prodhimin vendas, konkurrencën dhe fuqinë blerëse të familjeve pa sakrifikuar perspektivën afatgjatë të ekonomisë.
