
Rritja e çmimeve të karburanteve dhe rikthimi i Bordit të Transparencës
Rritja e çmimeve të karburanteve në mars 2026 nuk është thjesht një zhvillim i tregut, por një fenomen me pasoja të drejtpërdrejta sociale dhe ekonomike. Brenda vetëm tre javësh, çmimi i naftës në Shqipëri u rrit nga 173–175 lekë/litër në 214–217 lekë/litër, duke shënuar një rritje prej 39–44 lekë për litër ose 22–25%.
Kjo rritje e shpejtë nuk ka ndikim të njëjtë për të gjithë. Ajo godet më fort familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke ekspozuar qartë efektin regresiv të çmimit të karburantit.
Për një familje që konsumon 100 litra në muaj, shpenzimi mujor është rritur nga rreth 17.300–17.500 lekë në 21.400–21.700 lekë, një diferencë prej 4.100–4.200 lekë. Për familjet me të ardhura 80–120 mijë lekë, kjo përkthehet në 3.4–5.25% të buxhetit total, një barrë që redukton drejtpërdrejt konsumin për nevoja bazë si ushqimi, shërbimet apo kursimet.
Në të kundërt, për bizneset apo konsumatorët e mëdhenj, megjithëse barra absolute është më e lartë (deri në 16.400–16.800 lekë për 400 litra), pesha relative ndaj të ardhurave është shumë më e ulët (1–3%).
Kjo marëdhënie tregu dhe shoqërie tregon qartë dy realitete që bashkëjetojnë, ku nga njera anë është padrejtësia sociale përmes efektit regresiv dhe nga ana tjetër është logjika ekonomike e barrës absolute mbi konsumatorët e mëdhenj.
Pikërisht në këtë tension mes drejtësisë sociale dhe funksionimit të tregut lind debati për ndërhyrjen e shtetit.
Në këtë kontekst, qeveria ka vendosur të rikthejë Bordin e Transparencës për çmimet e karburanteve, një mekanizëm administrativ i përdorur edhe më parë në situata të ngjashme. Ky vendim vjen si reagim ndaj një fakti të qartë: monitorimi institucional i deritanishëm ka dështuar të frenojë rritjen e shpejtë të çmimeve. Task-forcat, paralajmërimet dhe takimet me operatorët nuk arritën të parandalojnë një rritje prej mbi 20% në pak ditë, duke krijuar dyshime për spekulim dhe marzhe të fryra në një treg të përqendruar.
Masat që shoqërojnë rikthimin e Bordit janë konkrete dhe të drejtpërdrejta:
– ulja e akcizës me rreth 20% (nga ~38.8 në ~31 lekë/litër),
– vendosja e marzheve maksimale të fitimit (3 lekë shumicë, 12 lekë pakicë),si dhe
– caktimi i çmimit tavan në varësi të lëvizjeve të bursës, i shoqëruar me ndëshkime për shkelësit.
Këto masa tregojnë qartë se qeveria nuk po mbështetet vetëm te parimi i pastër konsumator, por po ndërhyn për të korrigjuar efektet e tregut dhe për të mbrojtur konsumatorin, veçanërisht shtresat më të ndjeshme.
Megjithatë, debati për Bordin mbetet i ndarë.
Nga njëra anë, ai shihet si një instrument i domosdoshëm për të frenuar abuzimet në një treg oligopol, ku pak operatorë dominojnë importin dhe shpërndarjen. Në këtë këndvështrim, Bordi është një mjet për të mbrojtur interesin publik dhe për të vendosur një minimum drejtësie në çmime.
Nga ana tjetër, ekzistojnë shqetësime serioze mbi efektivitetin e tij. Eksperienca e mëparshme ka treguar se Bordi ndërhyn në çmimin final, por jo në shkaqet strukturore të tij.
Ai nuk adreson:
– varësinë pothuajse totale nga importi,
– mungesën e konkurrencës reale,
– mungesën e transparencës në formimin e çmimeve, dhe
– dobësinë e rolit të shtetit në garantimin e rezervave strategjike.
Për më tepër, vendimmarrja e Bordit është kritikuar për mungesë transparence dhe metodologjie të qartë, si dhe për mungesën e një vlerësimi të pavarur ex-post mbi ndikimin e tij real.
Kjo ngre një pyetje thelbësore:
– A është Bordi një zgjidhje reale apo vetëm një mekanizëm që administron pasojat pa prekur shkakun?
Në këtë kuptim, rikthimi i tij në mars 2026 duhet parë si një masë emergjente dhe pragmatike, por jo si një zgjidhje afatgjatë. Ai mund të ndihmojë në stabilizimin e përkohshëm të çmimeve dhe në frenimin e abuzimeve, por nuk mund të zëvendësojë nevojën për reforma më të thella.
Sfida reale mbetet strukturore për një treg më konkurrues, transparencë të plotë në zinxhirin e çmimeve, politika fiskale më të balancuara dhe një rol më aktiv i shtetit në sigurinë energjetike.
Duke munguar këto elemente, çdo ndërhyrje si Bordi mund të jetë ciklike dhe do të rikthehet sa herë që çmimet rriten, pa arritur të ndryshojë thelbin e problemit.
Në përfundim, rikrijimi i Bordit të Transparencës është një reagim i kuptueshëm ndaj një situate të jashtëzakonshme, por efekti i tij do të matet në praktikë, nëse do të sjellë ulje reale të çmimeve dhe transparencë, apo thjesht kontroll të përkohshëm të marzheve?
Për publikun, kjo nuk është vetëm një çështje çmimi, por një provë e aftësisë së institucioneve për të garantuar drejtësi ekonomike dhe besim në treg.
