
Rreziku natyror si pasojë e zhvillimit dhe ekonomia shqiptare përballë klimës dhe qeverisjes
Ndikimet ekonomike të katastrofave natyrore në Shqipëri përfaqësojnë sot një nga pasqyrat më të qarta të ndërthurjes midis krizës klimatike, dështimeve të qeverisjes publike dhe një modeli zhvillimi që për dekada ka funksionuar pa kritere të qëndrueshme ekonomike, territoriale dhe mjedisore. Ajo që në diskursin publik shpesh etiketohet si “fatkeqësi natyrore” është në fakt rezultati i një procesi kumulativ, ku rreziqet natyrore amplifikohen nga vendimmarrje të gabuara, mungesë efektiviteti investimesh parandaluese dhe dobësi strukturore të shtetit. Në këtë kuptim, katastrofat nuk janë ngjarje të izoluara, por simptoma të një modeli zhvillimi që prodhon humbje ekonomike të përsëritura dhe minon perspektivën e rritjes afatgjatë.
Shqipëria ka përjetuar ndryshime të dukshme klimatike gjatë 15 viteve të fundit, me rritje të temperaturave dhe reshjeve ekstreme. Të dhënat e viteve të fundit tregojnë se Shqipëria përballet me një ekspozim të lartë dhe në rritje ndaj përmbytjeve, thatësirave dhe zjarreve dhe tërmetit të fundit me humbje mesatare vjetore të vlerësuara rreth 150 milionë euro, ku pjesa më e madhe lidhet me tërmetet dhe përmbytjet.
Ky nivel humbjesh përkthehet në një tkurrje të vazhdueshme të potencialit ekonomik, me efekte të drejtpërdrejta në PBB, financat publike, bujqësi, energji dhe mirëqenien sociale. Në dekadat e fundit, këto goditje kanë ulur rritjen ekonomike vjetore me 1–2%, duke rritur varfërinë, migrimin dhe presionin mbi borxhin publik, ndërsa kostot reale janë shumë më të larta sesa ato që pasqyrohen në statistikat zyrtare.
Ndryshimet klimatike veprojnë si katalizator, duke rritur frekuencën dhe intensitetin e ngjarjeve ekstreme, ndërsa mosfunksionimi efektivisht i shtetit (si mungesa e investimeve dhe qeverisja e dobët) dhe zhvillimi pa kriter (si shpyllëzimi, urbanizimi i egër dhe shfrytëzimi i tokës) po përkeqësojnë reagimin ndaj katastrofave natyrore.
Rritja e temperaturave, e parashikuar në intervalin 2.4–3.1°C deri në mesin e shekullit, dhe paqëndrueshmëria e reshjeve kanë rritur ndjeshëm frekuencën dhe intensitetin e ngjarjeve ekstreme.
Ndërkohë, zjarret masive të verës 2025, të përhapura në disa qarqe, treguan se kombinimi i temperaturave ekstreme, thatësirës dhe degradimit të pyjeve krijon kosto të larta ekonomike, jo vetëm në formën e humbjes së kapitalit natyror, por edhe në dëmtimin e bujqësisë, turizmit dhe zinxhirëve lokalë të prodhimit.
Në të njëjtën kohë, përmbytjet e fillimvitit 2026 në Durrës, Shkodër dhe zona të tjera nxorën sërish në pah se infrastruktura urbane dhe ajo e mbrojtjes nga përmbytjet nuk është përshtatur me realitetin e ri klimatik, duke shkaktuar ndërprerje energjie, evakuime dhe humbje të konsiderueshme ekonomike në një periudhë tashmë të ndjeshme për ekonominë.
Këto pasoja bëhen edhe më të rënda për shkak të mosfunksionimit të shtetit dhe mungesës kronike të investimeve parandaluese. Shteti shqiptar ka treguar neglizhencë në menaxhimin e rreziqeve, si mungesa e sistemeve të ujërave të zeza, trajtimit të mbetjeve apo infrastrukturës rezistente ndaj klimës. Raporti i Bankës Botërore mbi Asetet Rrugore Rezistente ndaj Klimës thekson se urat dhe rrugët në Shqipëri janë shumë të prekshme nga përmbytjet dhe tërmetet, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes.
Raporti nga auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë evidentuar në mënyrë të përsëritur se se institucionet janë të papërgatitura, duke çuar në humbje miliarda. Për shembull, përmbytjet e 30 viteve të fundit kanë shkaktuar dëme prej 2.5 miliardë dollarësh, kryesisht nga dështimi i politikave preventive.
Menaxhimi i rrezikut nga fatkeqësitë natyrore në Shqipëri karakterizohet nga fragmentim institucional, planifikim i dobët dhe qasje kryesisht reaktive. KLSH ka theksuar mungesën e strategjive të integruara për menaxhimin e përmbytjeve, mirëmbajtjen e infrastrukturës hidroteknike, mbrojtjen e pyjeve dhe kontrollin e territorit, si dhe dobësitë serioze në sistemet e monitorimit dhe paralajmërimit të hershëm. Në shumë raste, fondet publike përdoren pas ndodhjes së fatkeqësive për kompensim dhe rindërtim, ndërkohë që investimet parandaluese mbeten të pamjaftueshme ose joefektive, duke krijuar një boshllëk financiar vjetor mbi 130 milionë euro për përballimin e rreziqeve mesatare nga katastrofat.
Shembulli i përmbytjeve të përsëritura në Shkodër është tregues i freskët për këtë dështim strukturor të trashëguar. Mungesa e investimeve të qëndrueshme në infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytjet gjatë më shumë se tre dekadave, e kombinuar me zhvillimin pa kriter të territorit dhe menaxhimin e dobët të basenit ujëmbledhës, ka sjellë humbje të përsëritura në prona, bagëti dhe aktivitete ekonomike, duke krijuar pasiguri të vazhdueshme për banorët dhe duke dëmtuar ekuilibrat makroekonomikë lokalë. KLSH ka evidentuar gjithashtu se vlerësimet e dëmeve shpesh janë të pjesshme dhe të bazuara në reagime post-ngjarje, pa analiza të thelluara kosto–përfitim dhe pa mekanizma që të lidhin qartë shpenzimet publike me reduktimin real të riskut.
Zhvillimi pa kriter i burimeve natyrore dhe territorit është shtylla e tretë e këtij problemi. Urbanizimi i pakontrolluar, ndërtimet në zona me rrezik të lartë, shpyllëzimi dhe shfrytëzimi jo i qëndrueshëm i tokës kanë rritur ndjeshëm ekspozimin e aseteve ekonomike ndaj rreziqeve natyrore. Auditimet e KLSH-së kanë vënë në dukje se moszbatimi i planeve rregulluese, dobësitë në kontrollin e ndërtimit dhe mungesa e rehabilitimit të pyjeve dhe kanaleve kulluese kanë përkeqësuar ndjeshëm pasojat e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.
Sipas Bankës Botërore, degradimi mjedisor në bujqësi dhe basenet ujoje kanë përkeqësuar ndikimin e klimës, duke çuar në acidifikim të tokës dhe përmbytje më të shpeshta. Ndërsa ndërtimet pa leje në zona rreziku kanë amplifikuar dëmet nga tërmetet si ai i 2019-s, që shkaktoi humbje prej miliarda eurosh. Kjo lidhet drejtpërdrejt me moszbatimin e politikave mjedisore, duke krijuar një ekonomi të brishtë.
Në sektorin energjetik, varësia e lartë nga hidroenergjia, pa diversifikim të mjaftueshëm, e ekspozon ekonominë ndaj thatësirave, duke krijuar rreziqe fiskale dhe duke rritur kostot e importit të energjisë në vitet e pafavorshme klimatikisht.
Një dimension kritik i kësaj problematike është edhe mungesa e mekanizmave të transferimit të riskut. Me një nivel sigurimi të banesave dhe bizneseve që mbetet minimal, barra financiare e fatkeqësive bie pothuajse tërësisht mbi buxhetin e shtetit dhe familjet. Kjo situatë e detyron qeverinë të mbështetet në rialokime buxhetore, huamarrje dhe ndihma donatorësh, duke krijuar vonesa në rimëkëmbje, kosto të larta koordinimi dhe efekte negative në stabilitetin fiskal.
Në terma afatgjatë, ky ndërveprim midis klimës, qeverisjes së dobët dhe zhvillimit pa kriter e kthen riskun nga katastrofat natyrore në një pengesë strukturore për zhvillimin ekonomik dhe integrimin europian. Pa një ndryshim thelbësor të qasjes, humbjet ekonomike rrezikojnë të rriten deri në nivele që mund të arrijnë disa përqind të PBB-së çdo vit, veçanërisht në skenarët e ardhshëm klimatikë.
Zgjidhjet kërkojnë një transformim të mënyrës se si shteti shqiptar planifikon, investon dhe menaxhon riskun. Investimet në infrastrukturë rezistente ndaj klimës, të mbështetura në analiza të forta kosto–përfitim, kanë potencialin të shumëfishojnë përfitimet ekonomike përmes dëmeve të shmangura. Forcimi i rolit koordinues të institucioneve, krijimi i një baze të unifikuar të të dhënave për riskun dhe shpenzimet post-katastrofë, si dhe zbatimi i rekomandimeve të KLSH-së për kontrollin e territorit dhe menaxhimin e burimeve janë hapa thelbësorë. Po aq e rëndësishme është ndërtimi i një tregu funksional sigurimesh kundër fatkeqësive, diversifikimi i burimeve energjetike dhe rikthimi i menaxhimit aktiv të pyjeve dhe tokës.
Në thelb, për të minimizuar katastrofat natyrore, qeveria duhet të priorizojë investime në infrastrukturë rezistente, politika anti-korrupsion dhe menaxhim të burimeve. Raporti i Bankës Botërore për CCDR-në sugjeron se adaptimi mund të reduktojë dëmet nën të gjitha skenarët klimatikë. Kjo kërkon veprim të menjëhershëm për të thyer ciklin e dëmeve.
