Rindërtimi që zgjati sa dy qeveri dhe një indeks që ekspozon të vërtetën

27/11/20250

Kur tërmeti i 26 nëntorit 2019 goditi Shqipërinë, qeveria u përball me një provë të pazakontë. Brenda pak ditësh, vendi u përmbyt nga dhimbja, frika dhe pasiguria, por paralelisht, qytetarët u ushqyen me një premtim të madh, se rindërtimi do të jetë i shpejtë, i organizuar dhe i plotë.
U premtua se brenda 2021-shit, çdo familje do të kishte çelësat e shtëpisë në dorë.
Ky premtim, i përsëritur në çdo dalje publike të kryeministrit dhe kabinetit, u bë pjesë e një narrative të re politike, si një tregim për eficiencë, vendosmëri dhe shtet modern.
Por ndërsa propaganda ndërtonte imazhin, terreni tregonte një histori tjetër me probleme strukturore, kapacitete të pamjaftueshme dhe procedura që silleshin nëpër të njëjtat korridore për vite me radhë.

Premtimi i vitit 2021 dhe realiteti i vitit 2026
Nëse dikush do të kishte shkruar kronikën e rindërtimit sipas asaj që u tha në fillim të 2020-s, sot do të ishim në një vend shumë tjetër.
Por realiteti është se vitet kaluan dhe çdo vit solli shpjegime të reja, si: pandemia, zinxhiri i furnizimeve, tenderat e anuluar, rishikimet e projekteve, çështjet e pronësisë, kapacitetet e kufizuara të bashkive.
Në vitin 2023 qeveria deklaroi se 85% e punimeve ishin mbyllur.
Megjithatë, shifrat e buxhetit tregojnë se procesi do të zgjatet deri në fund të vitit 2026, ku parashikohen edhe 5 miliardë lekë të tjera. Kjo do të thotë, se një proces i premtuar 1–2 vjeçar, në praktikë do të mbyllet pas 7 vitesh.
Kjo diferencë kohore nuk është thjesht devijim teknik, por në fakt një dështim i pritshmërive publike. Dhe kur e matim edhe përmes indeksit të fizibilitetit, tabloja bëhet më e qartë.

Indeksi i fizibilitetit: Matja që mungoi në çdo deklaratë zyrtare
Nëse dje rindërtimi mathej me vite, sot matet edhe me efikasitetin ekonomik të vet. Përtej afateve të thyera, një tregues tjetër shfaqet me një forcë të ftohtë llogaritëse: raporti midis kostos dhe përfitimit real.
Në dy vitet ku ishte premtuar “mbyllja e procesit”, u shpenzuan vetëm 67 milionë lekë më pak se gjysma e asaj që do të konsumohej deri në vitin 2026. Në kushte normale të menaxhimit të emergjencave, pjesa dërrmuese e financimeve duhej të ishte konsumuar në 2020–2021, kur nevoja ishte akute dhe urgjente.
Por financimet u shtrinë në shtatë vite.
Jo sepse kështu ishte planifikuar, por sepse një pjesë e madhe e projekteve nuk arritën të kalojnë në fazën e punimeve në kohën e duhur. Të njëjtat probleme u shfaqën vazhdimisht me tendera të përsëritur, dosje të pazgjidhura, konflikte pronësie, mungesë kapacitetesh në bashki.
Pikërisht për këtë arsye, Indeksi i Fizibilitetit i llogaritur nga Polifakt, i cili kombinon devijimin kohor dhe raportin kosto–përfitim rezulton vetëm 40%. Me fjalë të tjera, procesi ka funksionuar me më pak se gjysmën e efikasitetit të shpallur publikisht.

Kur indikatoret tregojnë më shumë se deklaratat
Sipas linjës zyrtare të financimeve, procesi i rindërtimit nuk po zhvillohet me ritmin e premtuar. Në vitin 2020, vitin e parë pas tërmetit, vetëm 320 milionë lekë u shpenzuan për të përballuar emergjencën dhe për të nisur punimet, shumë më pak sesa duhej për një fillim intensiv. Vitin pasues, në 2021, shuma u rrit pak në 350 milionë lekë, duke reflektuar një përpjekje për të përshpejtuar ritmin, por edhe kjo ende larg nevojës reale.
Në 2022, shpenzimet u ulën në 288 milionë lekë, duke treguar një ngadalësim të dukshëm. Vitin tjetër, 2023, fondet ranë edhe më tej në 162 milionë lekë, duke treguar se ritmi i punimeve ishte larg të qenit intensiv. Në 2024, vetëm 90 milionë lekë u alokuan (sipas AN), ndërsa parashikimet për 2025 dhe 2026 mbajnë nga 50 milionë lekë secili, sipas projektbuxhetit dhe AN të vitit 2025.
Kjo rrjedhë e financimeve tregon qartë një tendencë zvarritjeje. Procesi që duhej të ishte intensiv në fillim, u shtri në shtatë vite, me fonde që shpesh vonoheshin ose nuk përdoren sipas nevojës urgjente, duke e bërë rindërtimin një maratonë të ngadaltë dhe të fragmentuar.
Rënia e financimeve nuk tregon përmbyllje, por ngadalësi.
Tregon se shumë objekte hynë në proces vonë, shumë projekte nisën me vonesë, shumë tendera u hapën disa herë. Madje në disa zona, godina të reja kanë qëndruar boshe me muaj të tërë, për shkak të problemeve të brendshme administrative.
Ndërkohë, mijëra familje kanë jetuar ndër vite në zgjidhje të përkohshme, në qira të subvencionuara, ose në një jetë të “përkohshme” që zgjati pothuajse sa një cikël i tërë politik.

Rindërtimi si pasqyrë e modelit të ngadaltë të qeverisjes
Historia e rindërtimit është ndoshta shembulli më i qartë se si funksionon administrata publike në Shqipëri.
Ajo punon, por ngadalë.
Planifikon, por nuk mban afate.
Premton, por më pas rishikon.
Po e vërtetë, se janë ngritur shkolla të reja, lagje të reja, objekte publike të rinovuara me standard të mira. Por kjo nuk e ndryshon faktin se procesi ishte shumë më i ngadalshëm nga sa u premtua dhe ngërçi nuk ishte financiar, por administrativ.
Në fund të ditës, qytetarët nuk mbajnë mend inaugurimet, por pritjen.

Historia që mbetet pas
Rindërtimi nuk mund të quhet i dështuar.
Ka shumë gjëra të prekshme që janë bërë.
Por nuk mund të quhet as histori suksesi administrativ. Sepse ky proces nxori në pah një problem themelor: hendeku midis premtimit politik dhe kapacitetit real të zbatimit.
Dhe kur më në fund të mbyllet në vitin 2026, bilanci nuk do të jetë thjesht financiar, teknik apo urbanistik.
Ai do të jetë mbi të gjitha, moral.
Morali i tij është i thjeshtë.
Asnjë qeveri nuk duhet të premtojë ritme që nuk i mban dot, sepse ritmi matet në jetë njerëzish dhe rindërtimi u bë historia e viteve të tyre të humbura, jo vetëm e objekteve të ngritura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *