Rënia e CPI-së dhe kriza sistemike e korrupsionit në Shqipëri (2025–2026)

15/02/20260

Sipas të dhënave më të fundit të Transparency International, Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2025 vlerëson Shqipërinë me 39 pikë nga 100, duke e renditur në vendin e 91-të nga 182 vende. Kjo shënon një përkeqësim të vazhdueshëm krahasuar me vitin 2024 (42 pikë) dhe një rënie të konsiderueshme që nga 2016 (kur ishte në vendin e 83-të)[1]. Mesatarja globale është 42 pikë, duke e vendosur Shqipërinë nën nivelin mesatar, në një rajon Ballkanik që po përjeton “stanjacion serioz” në luftën kundër korrupsionit.

Në terma statistikë, rënia me tre pikë mund të duket modeste, por në logjikën e CPI-së ajo përfaqëson një sinjal të fortë negativ, pasi ndryshimet zakonisht janë graduale dhe afatgjata. Prandaj, ky rezultat nuk sugjeron një devijim episodik, por një prirje strukturore, ku perceptimi i korrupsionit po konsolidohet si element normal i funksionimit të sektorit publik. CPI nuk mat korrupsionin real, por perceptimin e aktorëve ekonomikë dhe institucionalë, çka e bën indeksin veçanërisht të rëndësishëm për investimet, besimin publik dhe kredibilitetin ndërkombëtar të shtetit.

Transparency International thekson se në vendet e Europës Lindore dhe Qendrore, përfshirë Shqipërinë, kufizimi i hapësirës civile, dobësimi i medias së pavarur dhe erozioni i mekanizmave të kontrollit demokratik kanë krijuar kushte të favorshme për zgjerimin e rreziqeve korruptive. Në këtë kuptim, rënia e CPI-së nuk është thjesht pasqyrim i sjelljeve individuale, por simptomë e një cikli vicioz midis dobësisë institucionale dhe degradimit të standardeve demokratike.

Një nga faktorët më të theksuar në analizat ndërkombëtare mbetet koncentrimi i pushtetit ekzekutiv, i cili në Shqipëri është thelluar gradualisht që nga viti 2013 dhe ka arritur kulmin gjatë viteve të fundit. Zgjerimi i kompetencave të qeverisë dhe reduktimi i rolit efektiv të institucioneve të pavarura kanë krijuar një arkitekturë pushteti ku vendimmarrja strategjike është gjithnjë e më e centralizuar. Në këtë kontekst, balanca e pushteteve, si një nga parimet themelore të qeverisjes demokratike, perceptohet më shumë si formale sesa funksionale.

Edhe reforma në drejtësi, e konceptuar fillimisht si një instrument për ndërtimin e shtetit ligjor dhe përshpejtimin e integrimit evropian, po shihet gjithnjë e më shpesh si problematike në fazën e zbatimit. Raportet e Komisionit Evropian për vitin 2025 evidentojnë shqetësime mbi politizimin e proceseve të emërimit në institucione kyçe si Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si dhe mbi presionet indirekte ndaj sistemit të ri të drejtësisë. Kjo ka krijuar perceptimin se reforma, në vend që të prodhojë pavarësi reale institucionale ka prodhuar një sistem të ri formal, por jo domosdoshmërisht më rezistent ndaj ndikimit politik.

Pasojë direkte e këtij konfigurimi është krijimi i një mjedisi ku vendimmarrjet strategjike, nga tenderat publikë te koncesionet dhe licencat e mëdha, perceptohen si të filtruar përmes një logjike politike dhe jo përmes kritereve transparente të interesit publik. Në vend të konkurrencës së hapur dhe kontrollit institucional, qytetarët dhe aktorët ekonomikë shohin një sistem ku vendimet merren në rreth të ngushtë dhe ku përgjegjshmëria është e paqartë. Korrupsioni, në këtë kuptim, nuk shfaqet më si devijim nga norma, por si pjesë funksionale e mekanizmit të qeverisjes.

Situata shqiptare nuk është e izoluar, por pjesë e një trendi më të gjerë rajonal në Ballkanin Perëndimor, ku institucionet e dobëta dhe polarizimi politik kanë ushqyer një regres demokratik të vazhdueshëm. Sipas Barometrit të Sigurisë 2025, korrupsioni dhe krimi i organizuar perceptohen nga qytetarët shqiptarë si kërcënimet kryesore ekzistenciale, më të rënda se çdo rrezik i jashtëm gjeopolitik. Ky perceptim është veçanërisht domethënës, pasi tregon se qytetarët e shohin kërcënimin jo jashtë shtetit, por brenda vetë strukturës së tij.

Kjo gjendje shoqërohet me emigrim të lartë, sidomos të të rinjve dhe profesionistëve të kualifikuar, duke prodhuar një formë “drenazhi institucional”, ku kapaciteti kritik i shoqërisë për të kërkuar llogaridhënie dobësohet gradualisht. Në mungesë të kapitalit social dhe besimit në institucionet publike, korrupsioni bëhet jo vetëm më i lehtë për t’u praktikuar, por edhe më i vështirë për t’u sfiduar politikisht.

Në këtë sfond, lëvizjet e qeverisë shqiptare gjatë muajve të fundit të vitit 2025 dhe fillimit të 2026-ës janë perceptuar më shumë si reagime taktike ndaj presionit publik dhe hetimeve të SPAK-ut, sesa si reforma strukturore me vizion afatgjatë. Rastet që lidhen me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe drejtuesen e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj janë interpretuar gjerësisht si simptoma të një qeverisjeje reaktive, ku shkarkimet dhe zëvendësimet shërbejnë për menaxhim krize dhe ruajtje të ekuilibrave politikë, jo për riformatim të modelit të qeverisjes.

Këto zhvillime kanë nxjerrë në pah një paradoks të thellë, ku nga njëra anë, ekziston një diskurs zyrtar mbi “zero tolerancë ndaj korrupsionit” dhe “reforma të guximshme” dhe nga ana tjetër, ndryshimet reale ndodhin kryesisht nën presionin e skandaleve dhe hetimeve, jo si pjesë e një strategjie të qëndrueshme të ndërtimit institucional. Në këtë kuptim, SPAK-u shfaqet si faktor i jashtëm ndaj vullnetit politik, më shumë sesa si komponent i integruar i një sistemi funksional të kontrollit dhe balancës.

Edhe iniciativa e ashtuquajtur “Ministrja AI”, e promovuar si instrument inovativ për monitorimin e tenderave dhe parandalimin e abuzimeve, përfundoi në një episod që ilustron hendekun midis retorikës reformuese dhe realitetit të zbatimit. Ajo u prezantua si simbol i modernizimit teknologjik të shtetit, por u perceptua shpejt si një projekt i kushtueshëm me efekt minimal real, duke u shndërruar në një tjetër shembull të politikave të bazuara më shumë në imazh sesa në impakt strukturor.

Në planin ekonomik, kjo situatë reflektohet në një klimë biznesi të ndjeshme ndaj informalitetit, klientelizmit dhe ndërhyrjes selektive të shtetit. Strategjitë për financat publike dhe tërheqjen e investimeve të huaja përballen vazhdimisht me kufizime strukturore, ku korrupsioni perceptohet si faktor frenues për konkurrencën, produktivitetin dhe zhvillimin afatgjatë. Investitorët e huaj nuk shqetësohen vetëm për nivelin e taksave apo kostot e punës, por mbi të gjitha për parashikueshmërinë e rregullave dhe sigurinë institucionale, dy elemente që dobësohen ndjeshëm në një mjedis me perceptim të lartë korrupsioni.

Në këtë kontekst, Strategjia Ndërministrore Kundër Korrupsionit 2024–2030 dhe dokumentet e tjera strategjike qeveritare shfaqen më shumë si korniza formale sesa si instrumente reale transformimi. Ato përmbajnë objektiva ambicioze dhe mekanizma monitorimi në letër, por përballen me të njëjtin problem themelor, atë të mungesës së vullnetit politik për të kufizuar realisht pushtetin ekzekutiv dhe për të fuqizuar institucionet e pavarura.

Në përfundim, rritja e perceptimit të korrupsionit në Shqipëri gjatë viteve 2025–2026 nuk mund të reduktohet si përgjegjësi vetëm në dështime individuale apo skandale të veçuara. Ajo reflekton një krizë sistemike të qeverisjes, ku centralizimi i pushtetit, dobësimi i meritokracisë dhe erozioni i kontrollit institucional kanë krijuar një mjedis të qëndrueshëm për korrupsionin. Në këtë kuptim, korrupsioni nuk është më thjesht problem moral apo penal, por problem strukturor i modelit të shtetit.

Përmbysja e këtij trendi kërkon jo vetëm strategji të reja formale dhe teknologji monitorimi, por një rikonfigurim real të arkitekturës së pushtetit, ku balanca demokratike, transparenca dhe pavarësia institucionale të mos mbeten parulla politike, por të kthehen në mekanizma funksionalë.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) nuk duhet të mbetet thjesht një numër i ftohtë në listat ndërkombëtare, por duhet të shërbejë për fillimin e një procesi të ndryshimit të ciklit vicioz, ku korrupsioni vazhdon ushqen veten, riprodhon pabarazitë dhe pengon çdo mundësi zhvillimi të qëndrueshëm, duke e lënë sistemin pa aftësinë për t’u vetëkorrigjuar dhe shoqërinë pa shpresë për ndryshim real.

[1] nga 80 në 2024 në 91 në 2025 (rënie 11 pozicione), krahasuar me vendin e 83-të në 2016

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *