
Në Shqipërinë bashkëkohore, marrëdhënia midis qeverisë dhe shoqërisë civile shpesh duket si një dialog i njëanshëm, ku njëra palë shpreh shqetësimet e saj, ndërsa tjetra selekton vetëm ato që i përshtaten agjendës së vet.
Zërat e qytetarëve të thjeshtë, sipërmarrësve, profesionistëve të lirë dhe fermerëve ngrihen çdo ditë me probleme reale dhe konkrete, por përgjigjet institucionale janë të filtruar me kujdes, sikur qeveria ka paracaktuar se cilat zëra meritojnë vëmendje dhe cilët duhet të heshtin.
Kjo dinamikë u bë akoma më e qartë gjatë diskutimeve të fundit për paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2026, i cili arrin në një vlerë rekord prej 9 miliardë eurosh.
Ndërsa grupet e interest, nga shoqatat e biznesit te organizatat e fermerëve parashtruan argumente të detajuara mbi barrën e re tatimore, mungesën e incentivave për sektorët vulnerabël dhe ndikimin negativ te profesionistët e lirë, narrativa zyrtare mbeti e palëvizshme: gjithçka po ecën sipas planit, masat janë të drejta dhe të orientuara drejt zhvillimit ekonomik.
Megjithatë, pyetja esenciale mbetet: sa prej këtyre shqetësimeve u morën parasysh vërtet, dhe sa u anashkaluan sepse nuk përputheshin me vizionin e paracaktuar të qeverisë?
Në seancat dëgjimore, forma ishte e përkryer me tabela statistikore, prezantime profesionale dhe fjalime të parapërgatitura. Procesi duket demokratik në sipërfaqe. Por në thelb, shumë komente nga ekspertët dhe grupet e interesit u injoruan. Për shembull, shqetësimet rreth rregullave të reja tatimore për profesionet e lira, që prekin drejtpërdrejt mijëra individë, u minimizuan si “keqkuptime” pa një analizë të thellë. Fermerët kërkuan të tjera rregullime nga ato që u prezantuan nga qeveria lidhur me skemën e kompensimit të TVSH-së për të lehtësuar kostot e tyre në rritje, por përgjigjet mbetën në nivel premtimesh të përgjithshme.
Shoqatat e biznesit paralajmëruan se ndryshimet tatimore do të shtojnë pasigurinë ekonomike, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla, por trajtimi i tyre u kufizua në deklarata pa substancë.
Me fjalë të tjera, dëgjimi u bë selektiv, një ritual plotëson kutinë e transparencës, por nuk korrigjon problemet thelbësore.
Qeveria zgjodhi të përqendrohet vetëm te komentet që mbështesin narrativën e saj për një buxhet ambicioz, me rritje pagash, pensionesh dhe fokus në investime. Të tjerat u etiketuan si ekzagjerime, të panevojshme ose të motivuara nga “interesa të caktuara”.
Kjo qasje u kritikua ashpër nga opozita e vjetër dhe e re, të cilët përmbledhtazi renditën katër arsye kryesore kundër buxhetit:
- rritja e pagës minimale krijon barrë shtesë për bizneset dhe punonjësit;
- mungesa e njohjes së minimumit jetik pavarësisht kërkesave të Avokatit të Popullit;
- masat nuk përmirësojnë realisht jetesën e qytetarëve; dhe
- prioritetet buxhetore nuk adresojnë nevojat e shtresave në nevojë.
Por jashtë mureve të institucioneve, realiteti tregon një histori tjetër.
Profesionistët e lirë ndihen të ekspozuar ndaj rregullimeve që kërcënojnë stabilitetin e tyre financiar.
Bizneset e vogla përballen me një vit tjetër plot pasiguri, me kosto në rritje dhe mbështetje të pamjaftueshme.
Fermerët vazhdojnë të luftojnë me çmime të larta të inputeve, ndërsa politikat mbështetëse mbeten të paqarta dhe joefikase.
Këto nuk janë thjesht ankesa, por sinjale alarmi për një ekonomi që kërkon vëmendje dhe vendime të balancuara.
Por për aq kohë sa dëgjimi është i kontrolluar, politikat do të dalin të mangëta, të distancuara nga realiteti dhe të përqendruara më shumë në prezantim sesa në zgjidhje.
Në një demokraci të vërtetë, dëgjimi nuk është thjesht një akt simbolik.
Ai shërben si mekanizëm korrigjimi, si garanci transparence dhe si bazë për ndërtimin e besimit publik. Është e vetmja mënyrë për të krijuar politika që promovojnë zhvillim të qëndrueshëm, jo thjesht atë të projektuar në dokumente zyrtare.
Sot, në kulmin e debatit për buxhetin 2026, një dokument i dërguar në Kuvend mes tensioneve procedurale, akuzave për mungesë përgjegjësie politike dhe një opozite jashtë Kuvendit që denoncon mënyrën e trajtimit të procesit, një gjë bëhet gjithnjë e më e dukshme: qeveria vazhdon të dëgjojë vetëm atë që i pëlqen.
Zërat që dalin jashtë kornizës së saj interpretohen si zhurmë, jo si sinjal.
Por pyetja që vërtitet mbi gjithë këtë skenë është më e thellë se çdo debat parlamentar:
- Edhe sa gjatë mund të ndërtohet politika duke injoruar ata që e mbajnë peshën e saj në kurriz?
- Edhe sa kohë mund të pritet që shoqëria të flasë me zë të lartë, ndërsa pala tjetër zgjedh të rrijë me veshët e mbyllur, sikur realiteti mund të ndryshojë thjesht duke mos e dëgjuar?
Në fund, heshtja institucionale nuk zhduk problemet.
Thjesht i shtyn ato drejt një pike ku nuk mjafton më as propaganda, as retorika, as filtrimi i zërave.
Atëherë, do të jetë qeveria që do të duhet të dëgjojë, jo se dëshiron, por sepse nuk ka më rrugë tjetër.
