Qasja e partive kryesore ndaj premtimeve zgjedhore, 2021-2025

25 Gusht, 20210

Në zgjedhjet e vitit 2021, premtimet e partive politike janë mesatarisht të besueshme[1] në nivelin prej 25 përqind me një rënie të nivelit me 11% më poshtë se zgjedhjet e vitit 2017. Premtimet pak të besueshme[2] janë mesatarisht në nivelin prej 47 përqind dhe janë 7% më poshtë se zgjedhjet e vitit 2017.

Premtimet jo të matshme[3] janë mesatarisht në nivelin 28 përqind, por me një rritje të tyre prej 18 përqind. Një ndryshim kaq disproporcional i nivelit të besueshmërisë është tregues i mosreferimit të partive ndaj qasjeve vizionare dhe strategjike të vendit dhe deklarimeve me bazë populiste dhe për optimalizim të preferencave votuese.

Ky tregues vjen me përkeqësim në këto zgjedhje krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Liderët politikë kanë bërë premtime të mëdha përsa lidhet me rritjen e buxhetit për sektorë dhe nënsektorë të ekonomisë dhe grupeve shoqërore më të ndjeshëm ndaj mbështetjes buxhetore. Në dekadën e fundit, përkrah premtimeve për rritje buxheti janë shtuar edhe premtimet për lehtësi dhe përjashtime tatimore. Të gjitha këto zënë të paktën 1/3 e gjithë premtimeve që zotohet t’i realizojë secila parti në zgjedhjet politike.

Mirëpo, kur shohim se kjo vijimësi është një politikë statike, e cila nuk reagon aspak ose shumë pak ndaj sfidave vizionare, atëherë një votues, i cili nuk është votuesi i bindur partiak dhe që ka një nivel integriteti të caktuar social dhe ekonomik shndërrohet zgjedhje pas zgjedhje në tipin e votuesit cinik dhe që nuk është shumë i ndikuar nga çfarëdo premtimi që bëjnë partitë. Natyrisht, që kjo është në dëm të një demokracie të shëndetshme dhe nuk ndihmon në përmirësimin e modelit politik që duhet të përshtaten edhe partitë politike.

Në analizën e premtimeve, një qasje e dedikuar e partive drejt dëshirave të elektoratit dhe jo drejt vizionit të vendit është treguesi më shqetësues, që duhet të alarmojë së pari vetë votuesit dhe së dyti partitë politike, që kanë rënë në grackën e plotësimit të dëshirave të grupeve të caktuara të votuesve që kënaqen me premtime të lehta (ulja e taksave) dhe përmbushje të tyre në dëm të fuqizimit të financave publike.

Asnjë parti nuk ka më shumë se 4 premtime të besueshme për sektor në rastin më të mirë. Ndërkohë shumica e premtimeve të besueshme sipas sektorëve është vetëm me nga 1 premtim të besueshëm. Përveç, premtimeve të besueshme të PS për infrastrukturën rrugore, të cilat janë të besueshme pasi janë planifikuar në Programin Buxhetor Afatmesëm 2021-2023, asnjë sektor tjetër nuk është në nivele të larta të numrave të besueshëm.

Vizioni i integrimit të Shqipërisë në BE, është orientimi më madhor i Shqipërisë, që pas periudhës kur vendi hyri në një rend shoqëror me sistem politik të ri, që përkon me përshtatjen e modelit të demokracive liberale. Është një vizion, i cili përmbledh gjithë modelimin e vendit drejt realizimit të objektivave strategjike për secilin sektor të jetës dhe aspiratë madhore të shqiptarëve të këtij shekulli. Në Shqipëri, klasa politike shqiptare ka një konsensus të pashembullt për qasje të tjera politike, në raport edhe me shumë vende të tjera të BE që janë anëtare të BE, për çështjen e integrimit.

Nisur nga vizioni më kryesor i vendit, jemi angazhuar të analizojmë se si mundet që nëpërmjet premtimeve zgjedhore, të cilat prekin kolonat më kryesore për arritjen e objektivave në funksion të vizionit të bëjmë të mundur dhe të prekshme për votuesit, ato qasje që vlejnë dhe i shërbejnë publikut në sinkron me nevojat e vendit.

Kështu, punësimi është i lidhur organikisht me rritjen ekonomike, e cila kërkon ndryshim dhe zgjerim të kapaciteteve për tu bërë faktor ndikues në arritjen e premtimit të punësimit. Por, një rritje punësimi mund të imponojë disa kosto të menjëhershme sociale dhe ndryshime të mënyrës së jetesës. Kjo është e vërteta e madhe e tregut tonë kapitalist dhe kaotik, ku askush nuk e di se ku do të na çojë dinamika e tij. Në vitet ‘90 ishte konsumi ai që orientoi tregun dhe tashmë kemi një treg të mbështetur te tregtia dhe shërbimet. Ndërkohë, në vitet 2000 krahas tregtisë dhe shërbimeve, filloi të zgjerohej tregu drejt bujqësisë dhe prodhimeve të bazuara te burimet nëntokësore. Një dekadë përpara (2010) tregu filloi të shtohej me industrinë e përpunimit të lëndës së parë duke shfrytëzuar fuqinë e lirë, por të paaftësuar të vendit. Ndërkohë, në dekadën e re që kemi hyrë, politika kërkon të zhvillojë ekonominë duke u përpjekur të rigjallërojë konsumin e brendshëm kryesisht nëpërmjet shërbimeve dhe investimeve në energji dhe infrastrukturë. Por ajo pjesë e tregut që ka rezistuar është sa formale, po aq dhe informale, pra një treg ku kaosi dhe mungesa e rregullit ndikon për ta frenuar edhe pjesën tjetër të tregut kur rregullat dhe ligji kanë krijuar një traditë tjetër.

Por, në rastin e analizës për punësimin bazuar te tregu, në tre zgjedhjet e kaluara është matur se niveli më i lartë i realizuar i punësimit në vend (përfshirë dhe formalizimin e tregut të punës) është arritur në dekadën kur investimet dhe shërbimet filluan të kenë një vlerë të shtuar dhe fuqia e lirë punëtore nuk shihej më nga qeveria si një favor për të rritur punësimin nëpërmjet investimeve.

Nisur nga kjo logjikë, si dhe duke parë në këndvështrim të gjerë orientimin e premtimeve në mënyrë konsensuale të tre partive drejt arsimit profesional, teknologjisë dhe inovacionit natyrshëm që edhe premtimet për numrat e punësimit sipas tabelës më lart janë të besueshëm dhe në kushte të mundshme të realizimit të tyre në masë të madhe. Në një ballafaqim me qasjen ideologjike të krahëve politikë, në rastin e premtimit për punësim mund të thuhet se nuk ka kufij politikë midis partive dhe të gjitha premtimet synojnë të jenë të sinkronizuara me premtimet e kundërshtarit politik.

Në premtimet zgjedhore të vitit 2021 është me rëndësi të përmendim faktin, se partitë kanë reaguar për të korrigjuar premtimet e papërgjegjshme në zgjedhjet e kaluara për rritje të punësimeve jashtë çdo realiteti të tregut dhe dimensioneve ekonomike të Shqipërisë.

Partitë politike në këto premtime të reja nuk prezantojnë programe dhe projekte për realizimin e tyre, por nisur nga premtimet në tërësi duket se ka ndikime dhe efekte direkte në lidhje me besueshmërinë që ka të bëjë me logjikën financiare dhe jo me dokumentet strategjike, të cilat kanë nevojën e tyre të përshtaten për çdo vit.

PD premtoi për 110 mijë vende pune, të cilat ajo angazhohet ti realizojë përmes rritjes së ekonomisë dhe uljes së normave tatimore dhe përgjithësisht taksave të punës.

Nisur nga llogaritja e kontributit të gjithë sa është premtuar, vlera e shtesës së PBB-së synohet të rritet me 5.6% në vit. Kjo gjeneron një nivel punësimi që teorikisht përkon me numrin e premtuar prej 110 mijë vende pune në 4 vite.

PS premtoi për 150 mijë vende pune, të cilat angazhohet ti realizojë përmes rritjes së prodhimit dhe eksportit të produkteve energjetike, bujqësore, projekteve infrastrukturore, konsumit të brendshëm të ekonomisë dhe uljes së normave tatimore, kryesisht për tatimin e kapitalit për biznesin e vogël (Tatimi fitimit të thjeshtuar) dhe për individët e pasur (tatimi i dividentit).

Nga një llogaritje e kontributit të gjithë sa është premtuar duket se synohet që vlera e kontributeve të sektorëve drejt rritjes së PBB-së të arrijë në 6% në vit duke gjeneruar potenciale për një nivel punësimi që teorikisht përkon me angazhimin për 150 mijë vende pune në 4 vite.

LSI nuk premtoi vende pune me objektiva të shprehur në numra. Por, një premtim që gjeneron punësim është shprehur nëpërmjet krijimit të zonave të lira, të cilat sipas analizës tonë pas njohjes së përgjithshme me projektet specifike të paraqitura nga eskpertë të LSI  nuk kalojnë numrin e 5 mijë të punësuarve. Nga ana tjetër, nëse llogaritim efektet nga premtimet për formalizimin nëpërmjet rimbursimit të konsumit, si dhe angazhimit politik për një rritje të madhe të prodhimit bujqësor për eksport dhe asistimit ndaj industrisë fason, të kombinuara me uljen e normave tatimore mundet të ketë një qasje kontributive të vlerës së shtuar me të paktën 4.5% në PBB.

Kjo normë rritje, e cila është llogaritje teorike e premtimeve të konvertuara në vlerë të rritur për ekonominë mund të gjenerojë potenciale për një nivel punësimi që në tërësinë e tyre arrin të angazhojë 105 mijë vende pune në 4 vite.

Në rast, se premtimet do të ishin të detajuara në formatin e projekteve të bizneseve, atëherë të gjithë rrisqet që ndesh një premtim deri në realizimin e tij do të ishin më të vlefshme për të fituar besimin e ekonomisë dhe të votuesve, të cilët gjithsesi priren të besojnë sa herë premtohen shuma të mëdha investimesh.

Në këtë analizë të përgjegjshmërisë partiake në përçimin e vizionit duke patur parasysh edhe kufijtë ideologjikë që shoqërojnë bazat e votuesve të partive, vërehet se asnjë nga partitë nuk i ruan kufijtë e sa ideologjikë. Në të gjitha partitë janë të njëjtat qasje në përsëritjen e premtimeve për punësime në numra të mëdhenj, për rritje pagash mbi, rritje buxheti për sektorë të ekonomisë, përjashtime dhe lehtësi fiskale. Këto premtime që përbëjnë 10-15% të premtimeve të politikanëve shqiptarë janë një modus vivendi midis partive politike konfliktuale të vendit. Përtej premtimeve të ngjashme, secila nga partitë nuk arrin dot të prezantojë qasje të ndryshme për realizimin e të njëjtave premtime. Ndërsa, premtojnë shtim buxhetesh, ato nuk qartësojnë se si do të arrihet që ky buxhet i shtuar të konvergojë me objektivin e premtimit.

Këto premtime të përsëritura bëhen për një arsye të thjeshtë dhe shumë të leverdishme për maksimalizimin e votës në favor të partisë që premton atë që duan të dëgjojnë votuesit, shtimin e investimeve për më shumë punësime, si dhe uljen e taksave për më shumë para në xhepin e konsumatorëve. Dhe në fakt këto premtime funksionojnë edhe pse nuk arrijnë të përmbushen asnjëherë.

Pas konsultimeve me grupe të ndryshme qytetarësh, duket se kategoria e votuesve me besim më të ulët te politika janë ata votuese që janë mbështetës të transfertave nga buxheti në raport me prokurimet e të mirave publike, duke qenë më shumë të interesuar për kategorinë e shpenzimeve buxhetore  afatshkurtra dhe që justifikojnë humbjen e durimit me premtimet e politikanëve.

Por, ndryshimi i kësaj tendence ndodh më ngadalë se koha zgjedhore.  Studime të ndryshme dhe analiza të bëra për Shqipërinë vlerësojnë se qytetarët me besim të ulët janë të prirur të ndryshojnë zgjedhjet e tyre nga politika inefiçente, nëse ata binden me fakte apo prezantime të qarta për politika relativisht më efiçente.

Premtimet e politikanëve në 12 vitet e fundit (2009-2021) e ndryshojnë qasjen e premtimeve pikërisht se ata njihen me analiza që lidhin rezultatin zgjedhor me premtimet dhe përmbushjen e tyre. Kështu, në një vazhdim të argumentimit lidhur me faktin e përgjegjshmërisë në funksion të vizionit, ne analizuam nivelin e premtimeve sektoriale të partive kur ato janë në opozitë dhe nivelin e premtimeve kur ato janë në pozitë dhe kërkojnë vijimësinë nga votuesit.

Në rastin e premtimeve nga pozitat e një opozitari, secila nga partitë shihet se premton me shumicë për ulje dhe heqje tatimesh e taksash, për investime dhe shtim të buxhetit për sektorët ku punojnë e jetojnë një pjesë e madhe e votuesve, si dhe për arsimin, gruan dhe rininë për ti shërbyer maksimalizimit të votës, pa hyrë në analiza për një masë të pranueshme dhe të realizueshme.

Ndërsa, kur partitë politike premtojnë në pozitat e një qeveritari, që kërkon të rrijë ende në zyrat e shtetit për të vijuar përmbushjen e premtimeve, vërehet se partitë kanë ndryshime në orientimin sektorial të premtimeve. Përgjithësisht premtimet e tyre orientohen në ato projekte që janë ende në proces dhe të buxhetuara. Por, ndërkohë harta e shpërndarjes së premtimeve nuk ka polarizimin dhe shpërndarjen e tyre sektoriale, që vërehet kur janë në opozitë.

Në premtimet që bëhen për mandate të dyta qeverisje, shpërndarja e premtimeve orientohet nga performancat sektoriale, të cilat marrin edhe vëmendjen e partisë në qeverisje. Por, ndërkohë, një tendencë e dytë për partitë në pozitë është edhe nevoja që të ribëjnë premtimet që nuk i kanë realizuar apo i kanë në procese fillestare.

Në një analizë të tërësisë së hartimit të premtimeve sipas vizionit të vendit, si dhe nisur nga nevojat për të qenë konkuruesë në tregun rajonal shikohet se ka një tendencë të bërjes së premtimeve që i shërbejnë pak vizionit të vendit, pasi nxitja më e madhe e premtimeve është të stimulojnë kërkesën e votuesve nëpërmjet premtimeve të lehta për tu realizuar.


[1] kur kanë referencë e plotë në të paktën një apo më shumë dokumente strategjike, politike kombëtare
[2] nëse nuk ka referencën e plotë, apo dhe të dhëna të plota për ta matur zbatueshmërinë
[3] kur informacioni aktual nuk është i mjaftueshëm për të gjykuar premtimin, edhe pse premtimi është specifik dhe mund të përcaktohet si një premtim. P.sh. në premtime te caktuara, statistikat përkatëse nuk janë në dispozicion, dhe në raste te tjera informacionet dhe statistikat nuk kane kuptim të përbashkët se cilat duhet të përdoren midis burimeve

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *