
Premtim i madh, Rezultat i vogël: Analizë kritike e garancisë sovrane për kreditimin e fermerëve
Qeveria shqiptare, në korrik 2025, miratoi një fond prej 3 miliardë lekësh (rreth 30 milionë euro) për garanci sovrane që mbulon deri në 70% të huave për fermerë të regjistruar, me kredi maksimale 25 milionë lekë, normë interesi maksimale 2%, tarifa jo më shumë se 0.5%, periudhë pa pagesë kryegjore (grace) minimale 12 muaj dhe afat maksimal 5 vjet. Synimi ishte fisnik duke kërkuar lehtësimin e aksesit në financim për një sektor që kontribuon rreth 16% në PBB dhe punëson mbi 35% të forcës punëtore, por që merr vetëm 1.5-3% të totalit të kredive bankare. Kjo ndërhyrje synonte të korrigjonte një disbalancë strukturore midis peshës reale të bujqësisë në ekonomi dhe mbështetjes financiare që ajo merr nga sistemi bankar.
Por, rezultati ishte aspak si synimi. Në fund të 2025-s, u shfrytëzuan vetëm 366 milionë lekë, pra vetëm 12% e fondit. Skema ka dështuar plotësisht në implementim dhe takimi i 10 shkurtit 2026 me bankat (ministra Malaj, Salla dhe guvernator Sejko) tregon se qeveria e pranon këtë, duke kërkuar “sugjerime për përmirësim”. Por kjo nuk është thjesht një “vonesë fillestare”, por dështim sistemik që zbulon problemet e thella të bujqësisë shqiptare dhe paaftësinë e politikave të qeverisë për t’i adresuar ato në mënyrë reale. Vlerat e ulëta të përdorimit janë përtej anomalisë teknike, pasi më së paku janë indikator i një hendeku të thellë midis dizajnit të politikës dhe realitetit ekonomik.
Arsyet kryesore të dështimit
Norma e interesit 2% është utopike dhe anti-ekonomike
Bankat tregtare e thanë hapur, që huadhënia me 2% për ferma të vogla, me risk të lartë (klima, tregu, informalitet, mungesë kolaterali të sigurt) është “pothuajse e pamundur”. Kostot administrative për kredi të vogla janë të larta, provizionet për risk janë të mëdha, dhe marzhi i fitimit zero. Qeveria vendosi një çmim artificial, duke injoruar realitetin e tregut. Rezultati ishte si thanë bankat, të cilat thjesht nuk e ofruan produktin ose e bënë me aq burokraci sa fermerët u larguan. Në thelb, skema imponoi një çmim nën nivelin e riskut real, duke krijuar një produkt financiar jo tërheqës për ofruesin dhe praktikisht të paarritshëm për përfituesin.
Afat ekstremisht i shkurtër dhe mungesë marketingu
Vendimi u mor më 31 korrik 2025, afati i aplikimit mbylli më 20 nëntor, pra vetëm 3 muaj e gjysëm. Ky orojekt nuk pati fushatë intensive, nuk pati shpjegim në terren, por nuk pati as të paktën një platformë online të thjeshtë. Fermerët e vegjël (shumica pa internet, pa kontabilist) nuk arritën as ta merrnin si nformacion apo ta kuptonin në rastin më të mirë. Në një sektor ku informacioni qarkullon ngadalë dhe ndërmjetësohet kryesisht nga struktura lokale, koha dhe komunikimi janë po aq të rëndësishme sa kushtet financiare. Mungesa e tyre e bëri skemën praktikisht të padukshme.
Kufizime burokratike dhe të papërshtatshme
Kërkohej NIPT fermeri, certifikim, investim “në përputhje me prioritetet”, por pa sqarim të qartë. Periudha e detyrueshme 12 muaj, afati maksimal vetëm 5 vjet (kur investimet në serra, ujitje ose bagëti kërkojnë 7-10 vjet). Maksimumi 25 milionë lekë mund të jetë i mjaftueshëm për një serë të vogël, por jo për një fermë serioze moderne. Dizajni standardizues nuk mori parasysh ciklet biologjike dhe investuese të bujqësisë, duke imponuar parametra që nuk përputhen me realitetin e prodhimit.
Garanci 70% e pamjaftueshme për riskun real
Bankat ende mbajnë 30% risk + të gjithë riskun operacional. Në një sektor me humbje pas korrjes 20-30%, me sigurime bujqësore nën 3% dhe me ndryshime klimatike (përmbytje, thatësira), kjo garanci nuk mjafton për të ulur perceptimin e riskut. Në realitet nevojitej një mekanizëm i plotë i ndarjes së rriskut (risk-sharing), për të mos mbetur barra reale mbi bankën, e cila reagon racionalisht dhe kufizuan ekspozimin.
Konteksti real i bujqësisë shqiptare, apo pse skema ishte e destinuar të dështonte?
Bujqësia jonë është ende në nivel familjar me ferma mesatare shumë të vogla, tokë e fragmentuar (695 mijë ha të përdorura, por vetëm gjysma plotësisht), pa tituj prone të qarta për shumë fermerë, pa mekanizim dhe teknologji të duhur, me inpute të importuara (plehra, farëra) që varen nga kursi i valutave. Importet e ushqimeve po rriten, eksportet e ulëta, subvencione direkte shumë më të ulëta se në rajon (30-50 €/ha kundrejt 150-200 €/ha në BE). Aksesi në kredi është “pengesa numër 1” për 75% të fermerëve që duan të adaptohen ndaj klimës. Skema e garancisë u ndërtua sikur problemi është vetëm “kostoja e huasë”, ndërsa problemi themelor është realisht rreziku sistemik + strukturë e fragmentuar + mungesë besimi.
Duhet të adresohen këto elemente strukturore, me synimin që çdo instrument financiar të mos mbetet sipërfaqësor.
Çfarë ka nevojë realisht bujqësia shqiptare?
Financim i qëndrueshëm, jo artificial. Jo norma 2% me detyrim, por subvencionim i interesit (qeveria paguan diferencën deri në 5-6% reale) + garanci më të lartë (80-90%) + produkte të përshtatura (kredi për zinxhir vlerash, jo vetëm për individ). Afat 7-10 vjet, grace opsionale. Kjo qasje do të harmonizonte logjikën e tregut me mbështetjen publike.
Sigurim bujqësor i detyrueshëm ose i bashkëfinancuar për të ulur riskun klimatiko-tregtar dhe për të krijuar bazë më të qëndrueshme kreditimi.
Konsolidim toke dhe formalizim masiv (tituj prone, regjistrim i plotë), sepse pa këtë performancë ligjore dhe teknike, asnjë garanci nuk funksionon sepse kolaterali mungon. Struktura pronësore është themeli i çdo sistemi financiar funksional në bujqësi.
Skema Kombëtare e subvencioneve direkte (grante) të forcuara dhe të thjeshtuara. Kjo u vërtetua nga 2025, ku skema mbështeti 65 mijë fermerë me 5.15 miliardë lekë, por buxheti 2026 (16.3 miliardë) u konsiderua tejet i pamjaftueshëm. Grantet janë më efektive për ferma të vogla sesa kreditë, sepse nuk rrisin ekspozimin ndaj riskut financiar.
Investime në infrastrukturë publike, si ujitje, rrugë rurale, magazina, tregje kolektive, trajnim dixhital dhe financiar. Pa këto, edhe kredia më e mirë nuk përkthehet në produktivitet të qëndrueshëm.
Bashkëpunim real me bankat dhe fermerët që në fazën e dizajnit, jo pas dështimit. Politikat e ndërtuara në tavolinë, pa feedback të drejtpërdrejtë, rrezikojnë të mbeten dokumente formale.
Marketing intensiv + platformë dixhitale për aplikime. Transparenca dhe aksesueshmëria janë pjesë e efektivitetit të politikës.
Propozimet e bankave (zgjatje afati, grace opsionale, sqarim status tregtar/fiskal, marketing më i mirë, përcaktim më i qartë investimesh) janë minimale dhe të domosdoshme. Por nëse qeveria thjesht i “përsërit” skemën pa i ndryshuar rrënjësisht kushtet, do të kemi përsëri 10-15% shfrytëzim.Në përfundim, skema e garancisë sovrane është një shembull klasik i politikës “për foto” me njoftime me bujë, dizajn i shkëputur nga realiteti, implementim i dobët, rezultate të mjerueshme.
Bujqësia shqiptare nuk ka nevojë për “kredi të lira” që askush nuk i jep, por ka nevojë për një reformë strukturore të thellë që përfshin formalizim, konsolidim, risk-sharing të vërtetë, modernizim dhe besim të ndërsjellë midis shtetit, bankave dhe fermerëve. Në moszbatim dhe mungesë të tyre, çdo garanci tjetër 3-4-5-miliardëshe do të mbetet vetëm një numër i bukur në buxhet dhe një dështim tjetër për fermerët që prodhojnë ushqimin tonë.
Koha për ndryshim real është tani, jo për një version 2.0 të së njëjtës skemë të dështuar.
