
Platformë e daljes nga kriza, midis çlirimit të shtetit dhe mungesës së një vizioni ekonomik
Para pak ditësh, qytetarëve ju është prezantuar në daljet publike të drejtuesve të Lëvizja Bashkë, një “Platformë e daljes nga kriza”. Kjo lëvizje politike aktuale, e cila pozicionohet hapur si alternativë ndaj establishmentit politik tradicional dhe si përpjekje për të ndërtuar një projekt politik me bazë programore, jo thjesht elektorale është një ofertë serioze dhe që duhet analizuar dhe komentuar me kujdesin që nevojitet në ambjentin politik dhe ekonomik shqiptar.
Në një kontekst ku oferta politike shqiptare dominohet nga rotacioni i figurave dhe nga retorika e konsumuar e premtimeve, Lëvizja Bashkë përfaqëson një tentativë për të rikthyer politikën tek ideja e platformës si instrument qeverisës dhe jo si mjet marketingu.
Ajo që e veçon këtë nismë aktuale është përpjekja për të ndërtuar një dokument të strukturuar, me ambicie sistemike dhe me një narrativë të qartë përballë modelit ekzistues të qeverisjes. Në këtë kuptim, platforma nuk paraqitet vetëm si program i një force të re politike, por si një projekt politik emancipues, që synon çlirimin e shtetit nga kapja, rivendosjen e funksionimit demokratik të institucioneve dhe krijimin e bazave për një model të ri zhvillimi shoqëror.
Pra, platforma nuk është thjesht një ofertë elektorale e radhës, por një përpjekje për të artikuluar një alternativë ideologjike dhe strukturore ndaj rendit aktual politik, duke e vendosur veten në rolin e një aktori sfidues ndaj status quo-së dhe si një pretendente për të riformatuar vetë mënyrën se si konceptohet qeverisja në Shqipëri.
Në teorinë politike dhe në praktikën serioze të policy-making, një platformë që pretendon të jetë “Platformë e daljes nga kriza” nuk mund të reduktohet në një tekst programatik apo në një listë premtimesh elektorale. Ajo duhet të funksionojë si një arkitekturë e plotë qeverisëse, e aftë të lexojë saktë realitetin, të identifikojë shkaqet strukturore të krizës dhe të ndërtojë një trajektore konkrete transformimi.
Kjo do të thotë se ajo duhet, domosdoshmërisht, të mbulojë tre dimensione themelore: krizën institucionale dhe demokratike, krizën e shtetit të së drejtës dhe korrupsionit, si dhe krizën socio-ekonomike, që përfshin mirëqenien, punësimin dhe varfërinë. Për secilin prej këtyre dimensioneve, nuk mjafton retorika, por kërkohen diagnozë e qartë, masa konkrete, mekanizma zbatimi, si dhe afate dhe aktorë të identifikueshëm.
Në këtë prizëm analitik, pyetja themelore nuk është nëse platforma tingëllon mirë politikisht, por nëse ajo e përmbush realisht funksionin e një “Platforme daljeje nga kriza”?
Në dimensionin e parë, atë të shtetit dhe korrupsionit, platforma shfaqet dukshëm si më e forta dhe më koherente. Kjo është shtylla ku dokumenti fiton peshë reale politike dhe teknike. Heqja e parashkrimit për korrupsionin e lartë, dënimet deri në 20 vjet, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë, mbrojtja e sinjalizuesve dhe abrogimi i ligjit për investime strategjike nuk janë masa kozmetike. Ato janë masa strukturore që prekin drejtpërdrejt mënyrën se si funksionon pushteti në Shqipëri.
Në këtë dimension, platforma realizon kriterin e “daljes nga kriza” sepse targeton shkakun sistemik të deformimit të shtetit: kapjen e tij nga interesa private dhe klienteliste. Pra, nuk kemi të bëjmë me menaxhim pasojash, por me një tentativë për të çmontuar vetë mekanizmin e krizës.
Në dimensionin e dytë, atë demokratik dhe zgjedhor, platforma ruan një nivel serioz koherence, ndonëse më pak radikale se në fushën antikorrupsion. Pjesa që lidhet me financimin e partive, gjurmimin e lobimit, administratën në fushata dhe krimet zgjedhore është konceptualisht shumë e saktë dhe prek drejtpërdrejt legjitimitetin e sistemit politik. Këto masa adresojnë një problem themelor të demokracisë shqiptare, faktin që procesi zgjedhor nuk është thjesht i kontestuar, por strukturalisht i deformuar nga përdorimi i burimeve publike dhe nga kapja e institucioneve.
Në këtë kuptim, platforma përbën realisht një platformë demokratizimi dhe si e tillë është pjesë integrale e daljes nga kriza politike dhe institucionale.
Por pikërisht në dimensionin e tretë, atë ekonomik dhe social, shfaqet boshllëku strategjik më i madh. Aktualisht, platforma ofron vetëm dy masa të identifikueshme, atë për minimumin jetik dhe statusin e minatorit. Në realitet janë masa sociale të rëndësishme, madje të domosdoshme në një vend me nivele të larta varfërie dhe informaliteti. Megjithatë, ato janë të fragmentuara dhe nuk formojnë ende një strategji ekonomike. Ato funksionojnë më shumë si instrumente kompensimi social sesa si mekanizma transformimi ekonomik.
Në këtë aspekt, mungojnë pikërisht shtyllat që do ta bënin platformën një projekt të mirëfilltë zhvillimi, si: politikat e punësimit, arkitektura tatimore, marrëdhënia me biznesin, menaxhimi i inflacionit, trajektorja e borxhit publik, politika energjetike, reforma e pensioneve dhe zhvillimi i bujqësisë. Nëse këto elemente mungojnë, atëherë nuk mund të flitet për një platformë të daljes nga kriza ekonomike, por vetëm për një paketë minimale sociale që synon të amortizojë pasojat më të rënda të krizës ekzistuese.
Kjo diferencë midis forcës politike dhe boshllëkut ekonomik na çon natyrshëm tek vlerësimi terminologjik i vetë emërtimit. Në kuptim politik dhe retorik, “Platformë e daljes nga kriza” është një emërtim i justifikuar. Kjo, sepse adreson rrënjën e krizës shqiptare, kapjen e shtetit synon ndryshim sistemik dhe ka një koherencë ideologjike të qartë. Në kuptim teknik-politik, në sensin strikt të policy-making, emërtimi është ende i parakohshëm. Mungon arkitektura ekonomike, mungon kalendari i reformave dhe mungon mekanizmi i tranzicionit nga një model i kapur drejt një modeli funksional zhvillimi.
Në një diagnostikë sintetike, platforma aktuale është realisht një “Platformë e çlirimit të shtetit dhe demokratizimit të sistemit politik” dhe vetëm pjesërisht një “Platformë e daljes nga kriza ekonomike dhe sociale”. Ajo është shumë e fortë si projekt politik emancipues, por e dobët si projekt ekonomik zhvillimor.
Nëse do ta përkthenim këtë në një përfundim të ftohtë analitik, tabloja është e qartë: kriza e korrupsionit përmbushet plotësisht, kriza demokratike gjerësisht, kriza ekonomike dhe sociale vetëm pjesërisht, ndërsa një strategji e integruar kombëtare nuk ekziston ende. Prandaj, sot dokumenti është një platformë shumë e fortë e çmontimit të shtetit të kapur, por ende jo një platformë e plotë e rimëkëmbjes së shoqërisë shqiptare.
Vetëm me shtimin e një boshti të qartë ekonomik, si punësim, tatime, biznes, energji, pensione, bujqësi dhe me ndërtimin e një kalendari reformash me mekanizma zbatimi, platforma do të mund të kalonte nga një projekt politik çlirimi në një projekt real qeverisës. Atëherë dhe vetëm atëherë, emërtimi “Platformë e daljes nga kriza” do të ishte plotësisht i justifikuar jo vetëm politikisht, por edhe në kuptim shkencor dhe në standardet reale të policy-making.
