Përmbytjet e Janarit 2026: Pse 7.7 Miliardë Lekë mund të mos mjaftojnë për të shmangur “Gjobën klimatike”

06/01/20260

Nga: Ergis Sefa

Ndërsa shkruaj këto reshta, shiu vazhdon dhe niveli i ujit veçse rritet. Me qindra familje janë në rrezik përmbytje dhe mijëra hektarë tokë tashmë nën ujë, janari i vitit 2026 po na kujton brutalisht se natyra nuk pret procedurat tona burokratike. Por, ndryshe nga vitet e shkuara, këtë herë debati nuk duhet të jetë vetëm për reshjet dhe digat, por për “faturën” që po paguan (dhe do vazhdojë të paguajë) ekonomia e vendit.

Një kthesë e vonuar buxhetore apo akoma në kohë?

Një lajm i mirë, nëse mund ta quajmë të tillë në mes të krizës është se buxheti i vitit 2026 shënon një kthesë historike në qasjen ndaj menaxhimit të ujërave. Qeveria ka alokuar 7.7 miliardë lekë për ujitjen, kullimin dhe parandalimin e përmbytjeve. Kjo shifër është gati trefishi i asaj që ishte planifikuar në vitin 2025 (2.9 miliardë lekë).Për më tepër, fondi i subvencioneve për fermerët ka arritur në 5.2 miliardë lekë. Kjo është jetike, duke pasur parasysh se një përmbytje madhore në zonën e Veriperëndimit historikisht ka fshirë rreth $100 milionë dollarë vlerë ekonomike nga prodhimi bujqësor.Megjithatë, pyetja që shtrohet është: A po investojmë në infrastrukturë apo thjesht po paguajmë për dëmet e pashmangshme?

Europa hap “Kuletën”, por kërkon projekte

Një element kyç që shpesh anashkalohet është roli i Planit të Rritjes së BE-së (Growth Plan). Në tetor 2025, Shqipëria mori këstin e parë prej €99.3 milionë eurosh, nga të cilat €24.6 milionë euro janë dedikuar specifikisht për projekte infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).Ne jemi në fazën përmbyllëse të studimit të fizibilitetit prej €2.5 milionë eurosh për lumenjtë kritikë: Erzen, Ishëm, Shkumbin, Seman dhe Vjosë. Ky studim është “çelësi” që na hap derën për kreditim nga institucione të mëdha ndërkombëtare. Sfida tani nuk është mungesa e parave, por kapaciteti ynë për t’i kthyer këto studime në kantiere ndërtimi përpara se sezoni tjetër i shirave të na gjejë sërish të papërgatitur.

“Gjoba Klimatike” mbi PBB-në

Nëse nuk veprojmë shpejt, kostoja makroekonomike do të jetë shkatërruese. Raportet e Bankës Botërore tregojnë se në një skenar ekstrem (kombinim tërmeti dhe përmbytjeje), Shqipëria rrezikon të humbasë deri në 15.7% të PBB-së. Edhe pa katastrofa madhore, vetëm ndryshimet klimatike pritet të gërryejnë mbi 7% të PBB-së për frymë deri në vitin 2050.

Kjo humbje vjen në dy forma:

1. Energjia, KESH aktualisht po shkarkon ujë nga HEC-et e Drinit për të garantuar sigurinë e digave. Çdo metër kub ujë i shkarkuar pa prodhuar energji është para e hedhur dëm, ndërkohë që verën e ardhshme mund të na duhet të importojmë energji me çmime të larta.

2. Turizmi, erozioni bregdetar, i përshpejtuar nga keqmenaxhimi i lumenjve, po “ha” plazhet tona. Në Velipojë, deti avancon me 5 metra në vit.Pa plazhe, modeli ynë turistik “Diell dhe Rërë”, që sjell miliarda euro është i rrezikuar.

Dështimi i sigurimeve, “Socializimi i riskut”

Pika më e dobët në zinxhirin tonë mbrojtës është tregu i sigurimeve. Me një mbulim prej vetëm 1-3% të pronave ndaj katastrofave, shteti mbetet “siguruesi i vetëm”. Kur themi shteti, nënkuptojmë taksapaguesin. Kjo krijon një gropë të vazhdueshme në buxhet. Projektligji për sigurimin e detyrueshëm, i modeluar sipas skemës turke apo rumune, duhet të miratohet urgjentisht. Ne nuk mund të vazhdojmë të subvencionojmë riskun me taksat e qytetarëve, ndërkohë që tregu privat duhet të luajë rolin e tij.

Përmbytjet e janarit 2026 janë një kambanë alarmi.

Paratë janë aty (7.7 miliardë lekë), planet janë në letër (WBIF), por koha nuk është në favorin tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *