Sistemi ekonomik aktual nuk po funksionon si duhet për klasën e mesme shqiptare. Megjithëse, ekonomia dhe vendet e punës janë rritur për rreth një dekadë, shumë më tepër qytetarë janë të shqetësuar për sigurinë e tyre ekonomike. Vlera masive të kredisë konsumatore, kreditë për banim dhe rritja e huave jashtë sistemit bankar pasqyrojnë pjesërisht këtë stres ekonomik.
Familjet e mesme kanë nevojë për më shumë akses në punë të qëndrueshme që ofrojnë paga të mira dhe përfitime më të larta. Por këto punë janë ende të vështira për t’u gjetur, duke i shtyrë familjet më thellë në borxhe. Kjo i ka shtyrë familjet të gjejnë si mënyrë alternative për të paguar shpenzimet marrjen e huave, kryesisht afatgjata nga sistemi bankar.
Kështu, nëse marrim për krahasim kredinë konsumatore, sipas raportit të kreditimit për tremujorin e tretë 2021, i publikuar nga Banka e Shqipërisë, vërehet se krahas rritjes së financimit për biznese, bankat kanë rritur financimin edhe për individët. Kredia për individë ruajti norma të larta rritjeje prej 10.7% gjatë tremujorit të tretë, duke vijuar trajektoren pozitive të nisur nga fillimi i këtij viti. Kredia konsumatore ka treguar përshpejtim të normës vjetore të rritjes në 8.2% gjatë tremujorit të tretë. Zgjerimi i kredisë konsumatore ka reflektuar rritjen e kredisë për overdraft për blerjen e mallrave të paqëndrueshme[1] dhe rritjen e kredisë për blerjen e mallrave të qëndrueshme[2].
Portofoli i kredisë për banesa është rritur me rreth 13% gjatë tremujorit të tretë, duke vijuar trajektoren rritëse të vërejtur prej më shumë se një viti tashmë. Kjo ecuri ka çuar në rritjen e peshës së këtij portofoli në kredinë për individë në 65%, nga 62% një vit më parë.
Nëse kjo panoramë zgjerohet edhe për vendet e Ballkanit dhe ato europiane, vërehet se kredia për individë është në përmirësim në të gjitha vendet e marra në analizë. Ajo shënoi një rritje mesatare vjetore prej 3.0% gjatë tremujorit të tretë, nga 2.3% që ishte në tremujorin e dytë 2021. Kërkesa për kredi nga individët vlerësohet e rritur, si për kredi hipotekare, ashtu edhe kredi konsumatore. [3]
Zgjerimi i vazhdueshëm i kredisë konsumatore në një ekonomi në rritje është një tregues i qartë se gjërat nuk po shkojnë mirë. Familjet e mesme kryesisht shpesh marrin më shumë borxhe se familjet e varfra, sepse të ardhurat e tyre duhet të mbajnë ritmin me kostot më të larta për edukimin, kujdesin shëndetësor dhe nivelin e jetesës. Ato marrin kredi konsumatore për të ndihmuar pagesat e shpenzimeve të tyre, nisur edhe nga rënia afatshkurtër e të ardhurave, për shembull, për shkak të largimit nga puna, të shkurtimit të orëve në punë, pamundësia për të punuar për arsye sëmundje apo kujdesi për të afërmit etj. Kostot dhe rreziqet janë rritur, ndërsa të ardhurat janë rritur ngadalë. Borxhi i konsumatorit është bërë valvula e presionit për familjet e shtrydhura të shtresës së mesme.
Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, afër 70% e portofolit të kredisë së dhënë për individët është e orientuar për blerje banese (në lekë dhe në valutë) dhe afër 30% e portofolit të kredisë së dhënë për individët është e orientuar për blerje konsumatore (në lekë dhe në valutë)[4], ku mbi 85% të kredive për individë janë për tu shlyer me terma kohorë afatëgjatë.
Nëse nisemi nga të dhënat e INSTAT 2021, ku rreth 314 mijë individë kanë përfituar kredi, kjo do të thotë se barra aktuale e kredisë për individ është afërsisht 680 mijë lekë (5.600 Euro kredi/individ). Natyrshëm, ky është një tregues mjaft i mesatarizuar dhe nuk tregon realisht se pjesa më e madhe e stokut të kredisë është për banesa (140 miliard lekë). Por, nga gjithë kjo paraqitje e treguesve të kredisë për individët vlen fakti se niveli i kredisë për individ është rritur me të paktën 3% në 2021 krahasuar me periudhën e mëparshme.
Rritja e borxhit të konsumatorëve familjarë është me ndikim direkt në rënien e kursimeve dhe të ardhurave në dispozicion të klasës së mesme. Kjo rritje e borxhit është veçanërisht e fortë midis familjeve me të ardhura të mesme të niveleve të ulta brenda klasës së mesme.
Ndërkaq bizneset e mesme dhe një pjesë e bizneseve të vogla, që janë pjesë e klasës së mesme marrin hua për të paguar shpenzimet korrente të tyre duke përdorur shumë pak nga huaja për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme financiare.
Krejt ndryshe ndodh me bizneset e mëdha dhe ato që kanë përfituar kontrata të mëdha për të përdorur burimet sipas kontratave me fonde publike apo kontrata për investime të mëdha. Huatë që marrin këto biznese është sepse duan të përmirësojnë gjendjen e tyre të përgjithshme financiare dhe mund ta bëjnë këtë duke shfrytëzuar paratë që ofrojnë huadhënësit me kushte më lehtësuese se paratë që marrin hua individët dhe bizneset e vogla dhe të mesme.
Nisur nga shqetësimi i rritur për pasigurinë e klasës së mesme është e nevojshme, që një ekonomi në rritje nuk duhet të shoqërohet me pasiguri financiare në rritje. Një sërë masash dhe veprimesh mund të ndihmojnë për t’u dhënë familjeve siguri të vërtetë ekonomike. Kjo do të përfshinte jo vetëm garantimin e një pune të sigurtë, por edhe të një pune të qëndrueshme dhe të paguar mirë dhe me përfitime të mira.
Ndërkohë, siguria duhet të shoqërohet gjithashtu edhe me një mbajtje në nivele të ulta të barrës fiskale për punën, që ndihmon në kohë reale për të ulur kostot e individëve që gjenerojnë të ardhurat nga puna.
Por, në këtë kontekst, tatimi i të ardhurave nga kapitali duhet të përforcohet me një qasje më agresive për të patur një harmonizim të barrës fiskale ndaj klasës së mesme, si për taksimin e punës, po ashtu edhe të kapitalit në një barrë më të lartë për të. Por siguria dhe garantimi i klasës së mesme duhet të vijojë më tej.
Garantimi i perimetrit të sigurisë duhet të përfshijë edhe përfitimin monetar në lehtësimin e familjeve për të përballuar dërgimin e fëmijëve të tyre për shkollim. Familjet nuk do të kishin nevojë të merrnin aq shumë hua nëse nuk do të ishin aq të shtrënguara nga rritja e ngadaltë ose aspak e të ardhurave individuale dhe kostove të larta të jetesës.
Megjithëse, asnjë nga partitë kryesore që janë pjesë e qeverisjeve në dekadat e fundit nuk kanë premtuar dhe mbajtur zotimin për të mbështetur klasën e mesme, në vitet e fundit janë shprehur për rritjen e pagës mesatare.
Por përveç rritjes së moderuar të pagës mesatare[5] në 10 vite me 21.5%, raporti i pagës mesatare me pagën minimale në vitin 2011 ka qenë 2.3 herë më e lartë, ndërsa në 2021 është 1.9 herë më e lartë me një ulje të raportit prej 0.4 pikë përqind. Ndryshimi mesatar vjetor i çmimeve të konsumit për periudhën 2010 – 2020 është 33.5% më i lartë në fund të vitit 2020. Ndërkohë, nëse shikojmë barrën tatimore për pagat në 2010 – 2020[6] është rritur me 32.7%, ku peshën kryesore e mban kategoria e pagës së mesme e taksuar në nivele më të larta progresive në raport me rritjen e saj me të paktën 11.2 pikë përqind.
Një rritje e barrës tatimore mbi pagat mesatare, e shoqëruar me një rritje të inflacionit më të lartë se rritja e pagës mesatare ka ndikuar në uljen e të ardhurave të disponueshme në duart e klasës së mesme. Ky ndikim është edhe më i madh, në rastin e tatimit të të ardhurave individuale nga kapitali[7]. Barra e tatimit mbi të ardhurat individuale nga kapitali është rritur në periudhën 2010 -2020 me 57.8%.
Por, duke konsideruar ritmet e rritjes së kapitalit individual në këtë periudhë (depozitime bankare, ndërtime civile dhe industriale, qeradhënie, të ardhura nga dividentët) duke mos disponuar të dhënat e nevojshme, nisur nga baza e ngushtë e kontribuesve të këtij tatimi (afër 9.000 tatimpaguesë) duket se barra më e lartë rëndon mbi klasën e mesme që gjeneron të ardhura nga puna.
Qeverisjet e viteve të fundit u kanë dhënë më shumë fuqi punëdhënësve duke lejuar më shumë përqëndrime të pushteteve ekonomike në më pak duar. Por edhe në sektorin publik, politika e rritjes së pagave të nivelit të mesëm ka ndjekur një rregull rutinë për arsye të rritjes së pagës minimale, por gjithnjë e pamjaftueshme për të përballuar kostot në rritje të jetesës.
Në fakt, nëse ofrohen paga të arsyeshme, jo vetëm nga ato të ulëtat, nuk do të kishte probleme për të gjetur punëtorë të kualifikuar, por edhe do të ndikonte në më pak larhgime jashtë vendit për paga më të larta.
Qeverisjet edhe pse kanë investuar në infrastrukturë në këto 13 vite të fundit (2009-2021) me më shumë se 450 miliard lekë, kjo ka ndikuar pak në krijimin e vendeve të mira të punës si efekt direkt. Por edhe efekti indirekt nga investimet publike në infrastrukturë, i përkthyer në më shumë qarkullim të mallrave, të vlerave të investimeve private, të qarkullimit të njerëzve, si dhe rritjes së sektorëve ekonomikë, që prodhojnë zhvillim cilësor të vendeve të punës pavarësisht se kemi premtime konkrete në drejtim të rritjes së mirëqenies duket se ende nuk kemi një produktivitet që prezanton rritje të qëndrueshme.
Rritja e vazhdueshme ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës të sigurta dhe të mirëpaguara nuk mjaftojnë për të mbrojtur një klasë të mesme që është ura lidhëse midis klasës së varfër dhe klasës së pasur.
[1] Produkte ushqimore, pije, veshje dhe të ngjashme (INSTAT)[2] Paisje elektronike, mobilje (INSTAT)[3] https://www.bankofalbania.org/rc/doc/Tendencat_ne_kreditim_TETOR_2021_shqip_web_19857.pdf
[4] https://www.bankofalbania.org/rc/doc/Tendencat_ne_kreditim_prill_2021_shqip_web_18851.pdf
[5] Në fund të qershorit 2021 paga mesatare është 56.701 lekë/muaj (INSTAT), ndërsa në vitin 2011 ishte 46.665 lekë/muaj[6] Në vitin 2020 arkëtimet nga tatimi mbi pagat (sektori publik dhe privat) janë 21.9 miliard lekë. Në vitin 2010 arkëtimet ishin 16.5 miliard lekë[7] Në vitin 2020 arkëtimet nga tatimi mbi kapitalin individual janë 12 miliard lekë. Në vitin 2010 arkëtimet ishin 7.6 miliard lekë