Nevoja e menjëhershme për një strukturim të organizuar të politikës së eksporteve
Motivimi kryesor i qeverisë duhet të jetë padyshim stimulimi i eksporteve që përndryshe do të thotë të kryesh detyrat e shtëpisë që duhet të ishin bërë kohë përpara.
E gjithë qasja për të stimuluar eksportet është objektivi rritjes së tyre, për të patur përfitime ekonomike dhe industriale të lidhura me mbrojtjen apo në rastin e suksesit edhe krijimin e vendeve të punës, si dhe përfitimet politike (për qeverinë në pushtet).
Kësaj politike të nevojshme i shtohen edhe përfitimet e shpresuara të rritjes së tregtisë së jashtme, nëpërmjet forcimit të marrëdhënieve diplomatike me partnerët tregtarë. Deri këtu të gjitha këto dihen dhe janë bërë përpjekje të natyrave të ndryshme, madje edhe si objektiv i politikës për të mbushur një boshllëk të tregut të jashtëm.
Nisur nga mënyra e organizimit të nxitjes dhe stimulimit të rritjes së eksporteve, parë nga përvojat e vendeve të ndryshme të botës shihet se orientohen në politika të zbatuara përmes agjencive të (a) promovimit të eksporteve[1] dhe (b) kreditimit të eksporteve[2].
Modelimi i ri duhet të fillojë duke studiuar nga praktikat e vendeve përreth nesh dhe pastaj edhe nga vende që kanë krijuar një traditë në këtë drejtim për të përshtatur modelin më të vlefshëm për rritjen e eksporteve.
Në çdo rast duhet patur përpara një panoramë e qartë e problemeve qe duhen zgjidhur dhe sfidave që duhen adresuar. Kjo qasje ndihmon edhe më mirë në zgjedhjen e modelit të kërkuar nga tregu dhe objektivat e ekonomisë për të arritur në ato nivele që janë të krahasueshme me përvojat e mira.
Stimujt e eksportit në thelb janë programe rregullatore, ligjore, monetare dhe/ose tatimore. Nga analizat që duhet të kryhen nga qeveria apo nga konsulentë dhe ekspertë vendas apo të huaj duhet të bëhet një fizibilitet i plotë për t’ju përgjigjur disa pyetjeve, si:
- Për çfarë tregu mund të përfshihet dhe si duhen krijuar për të inkurajuar bizneset të eksportojnë lloje të caktuara të mallrave ose shërbimeve.
- Cilat eksporte janë ato që përbëjnë prioritet?
- Çfarë duhet të përmbushë nga detyrat e saj qeveria, për të krijuar premisat për një funksion të plotë të politikës së stimulimit të eksportit?
- A është shërbimi i agjencive aktuale i suksesshëm në tregun shqiptar?
- A kanë bizneset shqiptare kapacitetin për të kryer gjithë proceset dhe procedurat për tregjet me burimet që kanë (personel, kohë, burime financiare dhe ligjore të mjaftueshme)
- A është menaxhimi i kompanive shqiptare i orientuar për t’u zgjeruar në tregjet e eksportit apo ndryshe a funksionojnë sipas modelit të qeverisjes korporative?
- A kanë bizneset një strategji konkrete se si të eksportojë, ku përfshihen plani financiar/ fiskal/marketingu/biznesi gjithëpërfshirës me qëllime të përcaktuara qartë në funksion të eksportit në tregjet e BE-së?
- A kanë kompanitë shqiptare mbrojtjen e nevojshme të pronësisë intelektuale jashtë vendit?
- A kanë bizneset shqiptare kapacitetin dhe ekspertizën për të përshtatur produktin e tyre, sipas preferencave kulturore apo standardeve të ndryshme në vendet e BE-së?
Këto pyetje dhe të tjera që dalin nga praktika e vetë bizneseve duhet të adresohen për trajtim dhe këtë deri më sot eksportuesit shqiptarë e kanë realizuar si dhe sa kanë mundur të vetëm. Por imagjinoni se sa e organizuar është bota që na rrethon[3] duke filluar me fqinjët tanë kufitarë.
Kështu,
Agjencia publike e Kredisë dhe Sigurimeve të Eksportit, e krijuar nga qeveria e Serbisë prej vitit 2005 është fokusuar kryesisht në sigurimin dhe financimin e eksporteve për kompanitë serbe të orientuara drejt eksportit[4].
Banka Zhvillimore e Maqedonisë së Veriut (Agjenci e Kreditimit të Eksporteve) është një bankë për zhvillim dhe eksport, qëllimi strategjik i së cilës është të ofrojë mbështetje dhe të lehtësojë zhvillimin e ekonomisë maqedonase duke siguruar financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe kompanitë e orientuara drejt eksportit[5].
Agjencia së Kredisë së Eksportit (IGA) të Bosnje dhe Hercegovinës mbështet eksportet nga Bosnja dhe Hercegovina përmes produkteve financiare dhe konsulencës së dizajnuar posaçërisht për to, e synuar për të inkurajuar eksportet dhe bazuar në njohuritë e tregjeve të huaja që IGA ka mbledhur për më shumë se 10 vjet[6].
Mali i Zi, edhe pse nuk ka një agjenci specifike për eksportet, ka themeluar Fondin e Investimeve dhe Zhvillimit të Malit të Zi (IRF Mali i Zi), qëllimi i të cilit është inkurajimi dhe përshpejtimi i zhvillimit ekonomik të Malit të Zi, si një mekanizëm efikas për mbështetjen e zhvillimit ekonomik, veçanërisht duke pasur parasysh krizën aktuale ekonomike dhe financiare.
Përmes dritares së eksportit që ofron Fondi Kosovar për Garanci të Kredive në partneritet me bankat vendore ofron mundësi për bizneset e fokusuara në eksport. Dritarja e eksportit është një skemë garancie, duke ju mundësuar akses biznesit në sistemin financiar nëpërmjet ndarjes së rrezikut me institucionet financiare partnere.
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA)[7] është një institucion që është pjesë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ku fokusi është promovimi i potencialit turistik të vendit dhe forcimi i potencialit eksportues të vendit, si dhe nxitja/mbështetja e investimeve të huaja direkte në Shqipëri, si dhe rritja e konkurrencës së sektorit privat.
Nga sa më lart duket se Shqipëria, Mali i Zi dhe pjesërisht Kosova nuk kanë ende një politikë dhe strukturim të qartë të orientimit stimulues për eksportet, pa hyrë në analizën dhe efektshmërinë e punës së institucioneve të secilit vend.
Stimujt e eksportit duhet të jenë një nga format e ndihmës si më lart, që qeveria duhet tu ofrojë bizneseve ose industrive brenda ekonomisë sonë kombëtare, në mënyrë që t’i ndihmojë prodhuesit të sigurojnë tregjet e huaja. Qeveria e ka detyrë këtë politikë pasi nevojitet për të mbajtur produktet vendase konkurruese në tregun global dhe jo si deri më sot. Mbrojtja e eksportit mund të krijojë joefikasitet të tregut për importet, por interesi i ekonomisë kombëtare prevalon sipas Kushtetutës së Shqipërisë që të mbrojë disa industri kyçe në mënyrë që qeveria të promovojë rritjen ekonomike dhe mirëqenien, si dhe standartet më të mira për qytetarët e saj.
Ndonëse më pak shqetësuese se mbrojtja prej importit, si tarifat dhe taksat dhe politika rregullatore, stimujt e eksportit janë ende të dekurajuara për eksportuesit, të cilët pretendojnë se situata e viteve të fundit ka krijuar artificialisht barriera dhe kosto për tregtinë e lirë dhe kështu e gjitha kjo mund të çojë në paqëndrueshmëri të tregut dhe efekt domino në lidhje me rënien e prodhimit dhe efekteve që vijnë nga kjo.
Edhe pse Shqipëria tashmë është investuar në disa marrëveshje të tregtisë së lirë, përvoja që kaloi me periudhat post pandemike shumë vende duhet të shërbejë edhe për tregun shqiptar, si një moment reflektimi dhe reagimi ndaj sfidave që sjell rritja e importit dhe pakësimi i eksportit.
Stimujt e eksportit po i kërkon koha dhe momenti ekonomisë aktuale që ti bëjnë eksportet vendase konkurruese duke i ofruar një lloj kthimi mbrapsht për ato vlera që eksportuesit kanë investuar ndër vite.
Kështu ndër masat rregullatore janë gjithë ato që bizneset e secilit sektor prodhues i kanë kërkuar dhe ende nuk kanë marrë një zgjidhje finale.
Përsa i përket mënyrës së financimit dhe subvencionimit nevojitet një analizë specifike sektoriale dhe të ndërtohen pikërisht edhe modele që ti shërbejë bizneseve dhe aktiviteteve të caktuara sipas kategorizimit të natyrës së eksportit[8].
Përsa lidhet me politikën fiskale, qeveria mund të mbledhë më pak taksa, për të ulur çmimin e prodhimeve për tu eksportuar (ulje e përkohshme lehtësuese e tatim fitimit dhe taksave që rëndojnë më shumë në kosto). Kështu, rritja e konkurrencës së produktit në tregun global siguron që mallrat vendase të kenë një shtrirje më të gjerë. Kjo do të thotë se rritja e qarkullimit të eksporteve është një garanci për më shumë tatime dhe taksa në të ardhmen, por edhe kontribute në rritje për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si dhe shfryrje e presionit për pagesa sociale nga buxheti.
Ndërkohë që edhe politika monetare bashkë me prodhuesit vendas analizon dhe orienton më mirë ato pjesë që lidhen me garantimin e kontratave të ardhme dhe përshtatjen me luhatjet dhe tregun e pastabilizuar të këmbimit valutor.
Nëse qeveria është duke e diskutuar këtë qasje të propozuar nga ekspertët tanë kohë më parë në takimet me nivelet e larta të qeverisë, nevojitet që të shterojë analizën si për qasjen lidhur me organizimin e një Agjencie kombëtare të promovimit të eksporteve[9] të prodhimeve të vendit (bujqësore apo industrial).
Por, po ashtu duhet studiuar dhe konsultuar edhe mundësia e organizimit të një Agjencie për motivimin e konkurrencës nëpërmjet kreditimit të prodhuesve[10]. Kjo e dyta është e pranueshme si një logjikë që mbështetet te mungesa e saj në tregun bankar, në të cilin nuk ka ende një segment me banka investimesh të frymëzuara nga modelet në vendet që na rrethojnë nëpër Europë e më larg. Këto banka më së miri do të plotësonin atë boshllëk të tregut bankar shqiptar, që nuk do të konkuronte bankat egzistuese, por do të plotësonte atë pjesë tregu, që ato nuk e ofrojnë në shërbimet e tyre deri më sot.
Shumica e vendeve kanë agjenci kreditimi të eksporteve, që ofrojnë hua, garanci huash dhe sigurime për të eliminuar pasigurinë e eksportit në vendet e tjera.[11]
Në përfundim,
nisur nga objekti i veprimit të dy tipeve të agjencive (promovimi vs.kreditimi),
si dhe duke marrë në konsideratë edhe përvojën e vendeve fqinje dhe
çfarë është arritur deri më sot në Shqipëri me agjencitë që kanë patur qëllimin e promovimit të eksporteve,
por duke konsideruar se tregu bankar deri më sot nuk ka një qasje drejt financimit të eksporteve në rolin e një banke zhvillimi
duket se mënyra që duhet parë me kujdes është ajo që orientohet drejt një agjencie të kreditimit të eksporteve, ku përfshihet edhe sigurimi i prodhimit.
Për nga vetë natyra e agjencive që ofrojnë kreditim, kjo mënyrë e bën edhe më të përgjegjshëm rolin e politikës së qeverisë si dhe e detyron në një transparencë si pjesë e paketës së produktit “Made in Albania”, që financohet me linja kreditimi. Kjo paketë adreson edhe shqetësimet për ta orientuar eksportuesin me informacion dhe lidhje/takime në tregjet e huaja, si një prodhues vendas. Por po ashtu kjo mënyrë organizimi mbledh në një paketë edhe politikat stimuluese si më lart.
E gjitha kjo mund të kryhet me efikasitet sipas parimit, “Drejt që nga fillimi”.
[1] Agjencitë e promovimit të eksporteve (EPA) shërbejnë si një urë lidhëse midis bizneseve dhe tregjeve ndërkombëtare. Ato ofrojnë një gamë të gjerë shërbimesh dhe mbështetje për eksportuesit, duke përfshirë kërkimin e tregut, misionet tregtare, bërjen e takimeve mes bizneseve dhe programet e trajnimit për eksport. Kqëto agjenci i ndihmojnë bizneset të identifikojnë tregjet e mundshme, të kuptojnë dinamikën e tregut dhe të lidhen me blerësit dhe partnerët ndërkombëtarë. Ato ofrojnë gjithashtu njohuri të vlefshme për rregulloret tregtare, procedurat doganore dhe kërkesat e dokumentacionit, duke siguruar që eksportuesit të jenë të pajisur mirë për të lundruar në kompleksitetin e tregtisë ndërkombëtare.
[2] Agjencia e kreditimit të eksporti mund të jetë private, publike ose partneritet midis privatit dhe qeverisë dhe vepron si ndërmjetës midis qeverive dhe eksportuesve për të garantuar zgjidhje për sigurimin e eksportit dhe garanci për financim. Financimi mund të marrë formën e kredive (mbështetje financiare) ose sigurimit dhe garantimit të kredive (mbulim i tyre nga qeveria) ose të dyja, në varësi të mandatit që i jepet agjenicisë. Kjo nuk ndryshon nga aktivitetet normale bankare. Disa agjenci janë të sponsorizuara nga qeveria, të tjera private dhe të tjera një kombinim i të dyjave.
[3] https://trade.ec.europa.eu/access-to-markets/en/content/guide-export-services
[4] https://www.tradefinanceglobal.com/export-finance/export-credit-agencies-eca/serbian-export-credit-and-insurance-agency-serbia-eca/
[5] https://www.tradefinanceglobal.com/export-finance/export-credit-agencies-eca/development-bank-of-north-macedonia-macedonia-eca/
[6] https://iga.gov.ba/en/o-nama/
[7] https://www.tradefinanceglobal.com/export-finance/export-credit-agencies-eca/albania-investment-development-agency-albania-eca/
[8] https://howtoexportimport.com/Which-category-of-exporter-are-you-Merchant-Export-162.aspx
[9] https://tradecouncil.org/export-promotion-agencies-and-government-support/
[10] https://en.wikipedia.org/wiki/Export_credit_agency
[11] https://www.investopedia.com/terms/e/export-credit-agency.asp