Ndotja e ajrit Kostot ekonomike të shtuara dhe nxitjet e politikave gjithpërfshirëse
Për shumicën e vendeve ka një hendek të madh midis premtimeve të shpallura për përmirësimin e mjedisit dhe cilësisë së ajrit dhe politikës aktuale
Plani Kombëtar për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit[1], bazuar në VKM-në nr. 412 datë 19.06.2019 ”Për miratimin e Planit Kombëtar për Cilësinë e Ajrit”[2], si një instrument planifikimi për zbatimin e Ligjit Nr. 162/2014 “Për mbrojtjen e Cilësisë së Ajrit të Mjedisit” synon menaxhimin e politikave për cilësinë e ajrit.
Ky plan ndjek dy objektiva:
– përmirësimin e cilësisë së ajrit në zonat ku janë tejkaluar limitet e vendosura me ligj, si dhe në zonat ku ekziston një risk i lartë i tejkalimit të këtyre limiteve;
– ruajtjen e nivelit të cilësisë së ajrit në pjesën e ngelur të territorit
Lidhur me përmbushjen e objektivave mbi cilësinë e ajrit, si edhe treguesve të tjerë të mbrojtjes mjedisore, nga matjet e kryera konfirmohet një nivel i lartë i ndotjes së ajrit[3] në zonat e kryeqytetit, por edhe qytetet e mëdha dhe rrugët kombëtare me trafik të madh me lëvizje të automjeteve dhe me kantjere ndërtimi dhe prodhime industriale për:
Në një lexim të efekteve që krijohet nga ndotja e ajrit[8], theksohet se përveç dëmeve të dukshme ndaj shëndetit ndotja e ajrit ndikon në mjedis duke ndikuar te temperaturat, burimet ujore dhe duke dëmtuar pyjet, jetën e egër bimore dhe shtazore dhe bujqësinë.
Në analizën që kemi përgatitur synojmë që përtej angazhimit politik aktual të shkohet në një nivel zbatueshmërie efektiv, ku të harmonizohern politikat dhe masat nxitëse për të përmbushur objektivin kryesor.
Kostot ekonomike dhe financiare nga ndotja e ajrit
Edhe pse duket se Shqipëria nuk ka ndikim të nivelit të lartë për ndryshimet klimatike[9] si në vendet e zhvilluara dhe të mëdha, gjithsesi duhet thënë se temperaturat e pazakonta stinore dhe luhatjet e motit janë duke ndikuar më keq në shëndetin e njerëzve, por kryesisht edhe mbi bujqësinë.
Cilësia e dobët e ajrit është e lidhur me një sërë kostosh ekonomike, të tilla si ato për shpenzime të shtuara të kujdesit shëndetësor dhe familjeve[10], rritjes së kostove të biznesit dhe uljes së aktivitetit dhe produktivitetit, dëmtimi i ekosistemit dhe ulja e produktivitetit të turizmit.
Kostot shëndetësore me jetë njerëzore dhe bashkëlidhur tyre edhe kostot prej rënies së cilësisë së shëndetit janë të shpërndara jo njësoj sipas tipit të sëmundjes. Nga publikimi i treguesve të shëndetit nga INSTAT në 2022[11], përmendet se mbi 54 % e vdekjeve vijnë nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut dhe 3.4% vijnë nga sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes. Në krahasim me vetëm 10 vite më parë, shkaqet më lart kanë rritje me 2 deri 4%.
Sipas statistikave nga Ministria e Shëndetësisë[12], katër grupet kryesore të sëmundjeve jo ngjitëse (sëmundjet kardiovaskulare, neoplazmat, diabeti mellitus dhe sëmundjet e frymëmarrjes) përbënë 19% të vdekshmërisë midis moshave 30-70 vjeç në vitin 2012, por që u rrit në 31% në vitin 2018.
Nisur nga panorama e sëmundshmërisë për rrugët e frymëmarrjes dhe të qarkullimit të gjakut duket se një peshë ndikimi mundet të vijë edhe nga rritja e ndotjes së ajrit, si përmendur më lart.
Për të përballuar rritjen e sëmundshmërisë dhe me synim parandalimin e tyre edhe pse sipas studimeve të kryera[13] janë përdorur stimuj për pastrimin e ajrit, si dhe përshkallëzim të masave administrative[14] për të frenuar dhe ulur shkaqet e ndotjes duket se efektet janë të dobëta, kur i ballafaqojmë me treguesin e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë edhe nga këto shkaqe.
Shihet se e gjithë pjesa që ndikohet nga ndotja e ajrit te shëndeti i njerëzve ka ndikuar direkt si në buxhetin e familjeve, por po ashtu edhe në buxhetin e shtetit.
Efektet në totalin e shpenzimeve ambulatore janë më të mëdha për të moshuarit dhe fëmijët. Ekspozimi kumulativ ndaj ndotjes ka rritur vizitat në qendrat shëndetësore, por gjithashtu ka rritur shpenzimet për sëmundjet jo të frymëmarrjes në planin afatgjatë.
Një kosto që prezanton këtë logjikë e shikojmë te shpenzimet që kryhen sipas Buxhetit të familjeve. Ai ka rritje në shpenzimet shëndetësore familjare në 10 vitet e fundit nga 4.8% e shpenzimeve mujore në 5.6%[15].
Një kosto tjetër që si rregull rritet në të gjitha vendet me ndotje të shtuar janë shpenzimet buxhetore për shëndetësinë. Në gjithë 10 vjeçarin e fundit, si sektor në tërësi shpenzimet mbajnë një peshë konstante sa 2% e PBB-së (shpenzimet vjetore 2024 parashikohen 400 milion Euro), me luhtatje ndër vite sa ± 0.2% e PBB-së. Ky nivel shpenzimesh është i ulët dhe duhet të ishte në nivele të paktën deri sa 5% e PBB-së për çdo vit.
Një fakt shqetësues në krahasim me 10-15 vite më parë është rënia e numrit të poliklinikave, qendrave shëndetsore dhe ambulancave, të cilat janë ulur si në numër ambjentesh, po ashtu edhe në numër personeli[16].
Në përmbushjen e boshllëqeve të viteve të kaluara, Strategjia e shëndetësisë 2021 -2030 (e pamiratuar) parashikon se do të ketë një rritje të kostove për gjithë këtë dekadë që jemi deri 2030 me të paktën 3.9 miliardë euro.
Pjesa kryesore parashikohet të plotësohet vit pas viti nga buxheti i shtetit mesatarisht 380 milion Euro në vit, duke lënë hapësirë të pambuluar të paktën 200 milion Euro. Megjithatë, nisur nga planifikimet buxhetore të vitit 2024 shihet se janë përfshirë në PBA 2024 – 2026.
Po ashtu edhe shpenzimet për mbrojtjen e mjedisit, ku përfshihet pjesa e buxhetit për matjen e cilësisë së ajrit, studimeve dhe analizimit dhe tendencave të ardhme është një tjetër kosto që paguhet nga buxheti i shtetit.
Parandalimin e emetimeve dhe ruajtjen e cilësisë së ajrit, njësoj si cilësinë e mjedisit përreth nuk e ka në një fokus të caktuar as institucionet publike që hartojnë dhe zbatojnë politikat bujqësore.
Po ashtu asnjë nga bashkitë e vendit përfshirë edhe Tiranë dhe Durrësin nuk kanë një fokus në rritje lidhur me parandalimin e ndotjes së ajrit dhe mjedisit, e konstatuar kjo si në drejtim të fondeve të pakta të buxhetit vendor, por po ashtu edhe të politikave të miratuara dhe aq më pak të zbatuara.
Në analizimin e rritjes së kostove të të bërit biznes dhe uljes së produktivitetit, nga shqyrtimi në mënyrë specifike prej ndikimit ndaj ekspozimit ndaj CO2, NO2 dhe PM2.5 dhe PM10, si dhe produktivitetit të ulët të shërbimeve bashkiake për parandalimin efikas të ndotjeve të qytetit konstatojmë se në zonat me rritje të ndotësve, ka:
- rritje në kostot për paisje dhe shërbime ndaj ndotjeve (amortizimi i lartë i paisjeve, dëmtimet e shpeshta, kosto për pastërtinë etj.)
- rënie të kërkesës dhe çmimit të ambjenteve dhe aktivitete tregtare
- rritje në kostot ambulatore dhe të shëndetit familjar
- ulje të konsumit në zonën e ndotur krahasuar me zona të tjera
Kujdes! Vetë sektori i infrastrukturës dhe ndërtimit duhet të konsiderohet me rrisqe nga pushteti vendor dhe Këshilli Kombëtar i Territorit lidhur me ndikimin e lejeve pa konsideruar inensitetin e ndërtimeve për sipërfaqe, por edhe shumë kantiere ndërtimi në të njëjtën kohë.
Transporti i dendur dhe ndotja akustike, të cilat kontribuojnë jo vetëm në cilësinë e dobët të ajrit dhe ndryshimin e mikroklimës janë të shoqëruara gjithashtu me kosto që po shkon në rritje. Studimet vlerësojnë se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit nga lëndët djegëse fosile i kushton çdo qytetari mesatarisht rreth 6.000 Lekë shtesë në faturat mjekësore vjetore.
Ndotja e ajrit nga tymi i zjarreve dhe duhanit që konsumohet me tepri në një ambjent qytetas të tejmbushur me ambjente shërbimi përbën gjithashtu pjesë të konsiderueshme të dëmtimit të shëndetit.
Në mungesë të një studimi të dedikuar për Shqipërinë, Forumi Ekonomik Botëror vlerëson se tymi i zjarreve u kushton amerikanëve 16 miliardë dollarë çdo vit, i shoqëruar me 6,200 vizita në spitale respiratore dhe 1,700 vdekje të lidhura me PM2.5[17].
Duke pasur parasysh natyrën e ndërlidhur të cilësisë së ajrit tonë, luftimi i ndotjes së tij është gjithashtu thelbësor për rritjen e produktivitetit në punë.
Ajri i papastër po shkakton probleme të shtuara shëndetësore, të cilat kanë pasoja direkte për bizneset përmes reduktimit të produktivitetit të fuqisë punëtore, mungesave në punë, vdekjeve të parakohshme dhe rendimenteve më të ulëta të punonjësve nisur edhe nga ndikimi i kësaj dukurie edhe në familjet e secilit prej nesh duke shtuar edhe kosto në rrethin familjar.
Me ndotjen e ajrit që ndikon direkt edhe në bilancet e bizneseve në të gjithë vendin (jo njësoj) dhe duke ulur të ardhurat e punonjësve të tyre, pastrimi i ajrit dhe mjedisit do të ndihmonte të një jetë më të shëndetshme dhe më produktive, duke ofruar njëkohësisht një nxitje të gjelbër të vendeve të punës për ekonominë.
Por një ajër i pastër dhe mjedis i pandotur është edhe detyrim i qeverisjes për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) të OKB-së[18] dhe krijimin e një të ardhmeje më të mirë dhe të qëndrueshme në ambjentin e çdo biznesi.
Është veçanërisht e rëndësishme për SDG-të që kanë të bëjnë me shëndetin, qytetet e qëndrueshme, qëndrueshmërinë mjedisore, industrializimin, reduktimin e pabarazisë dhe zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimatike.
Turizmi, si një industri që sapo ka filluar të rritet me praninë e stërmadhe të vizitorëve në vitet e fundit dhe sidomos në vitin 2023 duhet të na kthjellojë nga ndonjë eufori e nxitur nga politika e ditës për të para dhe analizuar qartë evolucionin që do të ketë (nisur nga përvojat e vendeve të tjera), shkallën dhe llojet e bashkërendimit të bashkimit në ekonominë turistike dhe cilësinë e ajrit, gjë që kontribuon në kuptimin e bashkimit dhe sinergjisë së zhvillimit ekonomik dhe mjedisit ekologjik.
Turizmi është përgjegjës për afërsisht 8% të emetimeve të karbonit në botë[19],megjithëse në secilin vend ku ai ka marrë hov luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin socio-ekonomik. Një sasi e madhe e gazrave serrë emetohen nga turizmi nëpërmjet transportit, akomodimit dhe aktiviteteve të tjera turistike, duke rezultuar në probleme serioze të ndotjes së ajrit.
Gjithnjë e më shumë studiuesë nga vende të ndryshme filluan t’i kushtonin vëmendje marrëdhënies midis turizmit dhe cilësisë së ajrit. Shumica e studimeve marrin emetimet e dioksidit të karbonit si variablin përfaqësues të cilësisë së ajrit për të shqyrtuar ndikimin e turizmit në cilësinë e ajrit[20].
Shumica e studiuesve vijnë në të njëjtin përfundim se turizmi do të përkeqësojë cilësinë e ajrit[21].
Disa studiues besojnë gjithashtu se marrëdhënia midis turizmit dhe dioksidit të karbonit mund të ndryshojë në varësi të nivelit të zhvillimit ekonomik kombëtar dhe strategjive të miratuara për zhvillimin e turizmit.
Ndërsa turizmi sjell ndotje të ajrit, ai gjithashtu ndikohet nga ndotja e ajrit. Cilësia e mirë e ajrit konsiderohet si një nga atraksionet kryesore të destinacioneve turistike[22], e cila është vendimtare për konkurrencën e destinacioneve turistike edhe në rajonin tonë si pjesë e Mesdheut.
Por kur ajri është i ndotur, ai do të pengojë zhvillimin e turizmit si nëpërmjet efektit prej konkurencës, por po ashtu edhe nëpërmjet krijimit të një imazhi që ndikohet edhe nga mangësitë e theksuara në vitet e kaluara për përpunimin e mbetjeve dhe problematikave të thella.
Në rajone turistike, si: Vlora, Orikumi shkon deri në djegien e fushave të depozitimeve të mbetjeve dhe përtej ndotjes nga zjarri është edhe ndotja prej helmeve që përhapen nga dekompozimi në tokë dhe në ujrat nëntokësore përreth zonës.
Ndikimi i indeksit të ndotjes së ajrit (emetimet e CO2) në turizmin ndërkombëtar është dukshëm negativ dhe numri i turistëve në hyrje edhe mund të ulet me përkeqësimin e cilësisë së ajrit.
Në një kërkim të arsyeve për të lëvizur në destinacione jashtë vendit, turistët përmendin si një nga arsyet kryesore pikërisht kërkimin për peisazhe dhe vende me ajër të pastër, ushqime organike dhe pa elementë të dëmshëm, si dhe një sistem gtransporti sa më ekologjik dhe ekonomik.
Këto janë bërë një faktor i rëndësishëm për të promovuar turizmin për destinacione në vende ende të panjohura mirë nga turistët në mbarë botën.
Për të vlerësuar rëndësinë e reduktimit të ndotjes së ajrit dhe mjedisit, që duhet arritur nga masat, që duhet të jenë jo vetëm të karakterit administrativ, por edhe fiskal janë të dobishme për të filluar me përmbushjen e objektivave të uljes së ndotjeve nga drejtime të ndryshme.
Me reduktimin e ndotjes, do të ketë një ndikim afatgjatë edhe në buxhetet e familjeve, por edhe në shpenzimet e buxhetit për shëndetin, i cili përshtatet në politikat e tij edhe ndaj treguesve të ndotjes së ajrit dhe mjedisit.
Meqenëse mungon një përshkrim i dëmeve nga ndotja e ajrit në aspektin e llogaritjeve në disa drejtime (për familjen, për biznesin, për mjedisin, për buxhetin e shtetit) mendojmë se është i përshtatshëm ky moment i qeverisjes që të kryhet një analizë kosto-përfitim.
Kjo lëvizje vlen për të azhornuar edhe më mirë Strategjinë për shëndetësinë dhe Strategjinë për mjedisin bashkë me planet e veprimeve që lidhen edhe me parashikimet buxhetore dhe masat fiskale për të frenuar kundravajtjet nëpërmjet vendosjes së një takse për mjedisin.
Nxitjet e politikave gjithpërfshirëse
Meqenëse ndotja e ajrit nuk respekton kufijtë gjeografikë, atëherë masat dhe nxitjet për cilësinë e ajrit duhet trajtuar në baza rajonale. Për të përcaktuar cilësinë specifike të ajrit duhet që të plotësohen gjithë mangësitë e përmendura në raportet e viteve të fundit[23] lidhur me mbajtjen e një niveli të shëndetshëm të ajrit rajonet e vendit.
Edhe pse kjo nuk është një ndër arsyet kryesore që përmendet për largimin e qytetarëve nga rajonet e vendit, natyrisht që do të ishte një arsye më pak në rast se cilësia e ajrit do të mbahej në parametrat e një jete të shëndetshme.
Një kërkesë e drejtë nga qytetarët duhet të jetë edhe publikimi i të dhënave periodike për cilësinë e ajrit nga bashkitë dhe institucionet e mbrojtjes së mjedisit.
Nisur nga gjithë kopetencat për zbatim, nevojitet të rritet roli i bashkive në drejtim të hartimit/azhornimit të politikave vendore dhe nga ana tjetër të ushtrohet forca e ligjit për gjithë kundravajtësit.
Për arsye të kostove në rritje që do të vijnë nga reagimi i dobët deri më sot, si dhe ndikimeve që vijnë nga shpërdorimi i natyrës në dëm të cilësisë së ajrit është e nevojshme përqendrimi i vullnetit politik, burimeve për administrimin dhe politikave të zgjuara, që do të ndikojnë së bashku në frenimin e ndotësve që kërkojnë kosto kaq të larta ekonomike dhe sociale dhe kërcënojnë me kosto edhe më të larta nesër.
Pas vitit 2030, kostot fiskale do të bien dhe stabilizohen në mënyrë të qëndrueshme në atë nivel, që përkon me një periudhë të zgjuar të reduktimeve të konsiderueshme të ndërtimeve masive, por edhe përdorimit të automjeteve me lëndë djegëse dhe asaj pjese të industrisë me teknologji jo miqësore me mjedisin.
Megjithatë, kostoja kumulative fiskale për sasi ndotjesh të zvogëluara (kosto fiskale prej pakësimit) mund të krahasohet me vlerësimet e kostos shëndetësore dhe familjare për të dhënë një kuptim të dëshirueshmërisë së politikës.
Hapat fillestarë në drejtim të pakësimit të ndotjes kanë filluar prej vitesh me investimet në burimet e energjisë së rinovueshme pa dëmtuar mjedisin aktual, si dhe miratimi i rregullave të reja për hyrjen dhe përdorimin masiv të automjeteve elektrike (përfshirë edhe bicikletat dhe motorrët) çojnë në reduktimin afatgjatë të emetimeve/ndotjeve në ajër.
Si rezultat, pakësimet e emetimeve nga ndotësit e mëdhenj duhet të konsolidohen në një nivel në ulje pak nga pak, sipas Planit Kombëtar[24] ndër vitet pas dekadës që jemi dhe kjo do të jetë ngushtësisht e lidhur edhe me ndryshimet e strukturës së shpenzimeve të buxhetit familjar dhe buxhetit të shtetit.
Nga këndvështrimi i urbanizimit të rajoneve, si dhe përshtatjes sa më shpejt ndaj gjithë sektorëve dhe jo vetëm turizmit duhet të përshpejtohen nismat e biznesit dhe inovacionit teknologjik, duke promovuar modernizimin e menaxhimit të cilësisë së ajrit, si një objektiv bazik i përfshirë në gjithë strategjitë sektoriale që lidhen dhe preken nga ky faktor.
Zhvillimi i turizmit nuk duhet të orientohet nga sasia e hyrjeve të vizitorëve, pasi nëse mund të bëjmë një konstatim paraprak, vendi më shumë ka patur kosto afatshkurtra sesa përfitime të mëdha direkte. Kështu, prania e turistëve mbajti të rritura çmimet e prodhimeve ushqimore, por po ashtu me gjasa ka shërbyer edhe për të futur para informale e maskuar si prurje turistike.
Nga ana tjetër, në kushtet kur buxhetet e bashkive janë shumë të pakta, dukshëm mbetjet e krijuara dhe ndotja e mjedisit është shtuar dhe ky është një moment për tu ndalur dhe vendosur disa kosto për turistët nëpërmjet tarifave vendore.
Bashkitë duhet të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e vet të burimeve dhe kapaciteteve, të forcojnë integrimin e burimeve turistike dhe të stimulojë vitalitetin e zhvillimit të turizmit. Në të njëjtën kohë, ato dhe gjithë instituconet e angazhuara duhet të promovojmë optimizimin dhe përmirësimin e vetë industrisë së turizmit, të realizojmë më tej përdorimin efikas të burimeve turistike, ruajtjen e energjisë dhe reduktimin e emetimeve, si dhe të realizojmë integrimin aktiv të zhvillimit të turizmit në mbrojtjen e mjedisit ajror.
Prandaj ne mendojmë se politika gjithpërfshirëse për mbrojtjen e mjedisit dhe ajrit nga ndotja duhet të azhornohet dhe të ketë/jetë pjesë plotësuese nga strategjia për shëndetësinë, strategjia për mjedisin dhe turizmin, strategjia për bujqësinë, strategjia për energjinë, strategjia për transportin, paketa fiskale për mjedisin, progranet buxhetore afatmesme të buxhetit të shtetit dhe ato bashkiake.
Në aspektin buxhetor ka nevojë që krahas një pakete fiskale të mirëmenduar në planin afatgjatë fiskal të parashikohen edhe subvencione për periudhat e fillimit të politikës gjithpërfshirëse, gjë që supozon në mënyrë implicite se zbatueshmëria e subvencioneve i bën ato aq të vlefshme sa edhe kreditimi në para nëprmjet formave të ndryshme të ekspozimit në treg.
Për masat e sektorit të transportit dhe energjisë (tashmë me një vëmendje të shtuar edhe për energjinë bërthamore) kanë një ndikim relativisht të vogël në shpenzimet e buxhetit, por me ndikim dhe efekte të mëdha për individin dhe bizneset dhe kalibrimi i politikave duhet të bazohet në studime të thelluara dhe të realizueshme.
Por edhe politikat nxitëse për transportin, energjinë dhe bujqësinë e kanë të nevojshme të stimulohen fillimisht përmes kreditimit nga taksat, pasi sot një pjess e mirë e tyre nuk janë kontributore aktive dhe buxheti përfiton pak nga këta sektorë, për arsye të politikave përjshtuese dhe lehtësuese të miratuara ndër vite.
Nga praktika mbarëbotërore, vijnë shumë domëthënës politikat lokale që theksojnë se taksat, mund të jenë shumë të dobishme në uljen e ndotjes së ajrit.Reduktimi duket se funksionon përmes zëvendësimit dhe stimujve.
Sa i përket sistemit të tarifave, për të qenë efektiv është e nevojshme të zbatohet pajtueshmëria. Megjithatë, nga taksat duket se kanë një grup më të madh përfitimesh.
Përfitimi parësor është përsa i përket anës së financimit të disa prej politikave që mund të kërkojnë shpenzime shtesë buxhetore.
Pas një bashkëbisedimi për konsensus politik nevojitet dialogu kombëtar për futjen e një takse/tarife minimale mbi fitimet nga korporatat e mëdha dhe pronarët e kapitaleve më të mëdha në vend.
Akciza në shumë raste të ngjashme është aplikuar përkohësisht për të gjeneruar të ardhura. Kështu, për një përfaqësim të besueshëm të paketës së politikave, masat supozohet se financohen plotësisht nga një rritje në taksa/tarifa mbi të ardhurat e korporatave. Këto të fundit nuk përafrohen si një taksë mbi kthimin e kapitalit, por si taksë mbi fitimin nga kapitali[25].
Ne mendojmë se kostot fiskale do të jenë në një nivel të lartë në vitet vijuese, por më pas mund të bien me shpejtësi. Pasi, në rast zbatimi korrekt nga bizneset dhe individët, si dhe në kushtet e një kontrolli të lartë të ndotjeve nga lëvizjet e turistëve dhe nga ndotjet nga ndërtimet përfitimet do të fillojnë të tejkalojnë kostot përpara fundit të dekadës.
Shkurt 2024
[1] https://akm.gov.al/wp-content/uploads/2022/12/Programi-Kombetar-i-Monitorimit-te-Mjedisit-2023.pdf
[2] Plani Kombëtar për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit (PKMCA) përgatitet dhe zbatohet, kur nivelet e dyoksidit të squfurit (SO2), dyoksidit të azotit (NO2), benzenit (C6H6), monoksidit të karbonit (CO), plumbit (Pb), lëndës së ngurtë pezull (LNP) ose ozonit (O3) në ajrin e mjedisit, kalojnë vlerat kufi apo vlerat e synuara respektive
[3] https://milieukontakt.org/wp-content/uploads/2023/07/Raport-mbi-cilesine-e-ajrit-urban.pdf
[4] Krijohet nga djegja e karburanteve. Në nivele të larta të CO2, mund të ndikojë në frymëmarrje të shpejtë, konfuzion, rritje të problemeve kardiak, rritje të presionit të gjakut dhe rritje të aritmive. Frymëmarrja e ajrit të varfëruar nga oksigjeni i shkaktuar nga përqendrimet ekstreme të CO2 mund të çojë deri në vdekje nga mbytja.
[5] Krijohet nga djegja e karburanteve dhe ngritja e pluhurit. Nivelet e ngritura të dioksidit të azotit mund të shkaktojnë dëme në traktin respirator të njeriut dhe të rrisin cenueshmërinë e një personi ndaj infeksioneve të frymëmarrjes dhe astmës dhe ashpërsinë e tyre. Ekspozimi afatgjatë ndaj niveleve të larta të dioksidit të azotit mund të shkaktojë sëmundje kronike të mushkërive. nivele, të shpejta
[6] Krijohet nga ngritja e pluhurit. Ekspozimi afatgjatë (muaj deri në vite) ndaj PM2.5 lidhet me vdekjen e parakohshme, veçanërisht te njerëzit që kanë sëmundje kronike të zemrës ose mushkërive, dhe ulje të rritjes së funksionit të mushkërive tek fëmijët.
[7] Krijohet nga ngritja e pluhurit Ekspozimi afatshkurtër (disa orë në ditë) mund të çojë në irritim të syve, hundës dhe fytit. Përkeqësim të astmës dhe sëmundjeve të mushkërive, si: bronkiti kronik, sulmet në zemër dhe aritmitë te njerëzit me sëmundje të zemrës.
[8] https://scied.ucar.edu/learning-zone/air-quality/effects-air-pollution
[9] megjithatë Banka Botërore përmend si një nga rrisqet e mëdha përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës
[10] https://www.oecd.org/environment/indicators-modelling-outlooks/Policy-Highlights-Economic-consequences-of-outdoor-air-pollution-web.pdf
[11] https://www.instat.gov.al/media/11629/statistika-te-shkaqeve-te-vdekjeve-2022__.pdf
[12]https://konsultimipublik.gov.al/documents/RENJK_434_Raporti%20ANHS2030%2029%2011%202021%20(11)%20(1).doc
[13] https://akm.gov.al/wp-content/uploads/2020/07/ndotja-e-ajrit-nga-mejtet-e-transportit-1.pdf
[14] Ndalimi importit të automjeteve të vjetra, ligji për biokarburantet, stimuj fiskalë për automjetet elektrike, menaxhimi i mbetjeve me djegie ose riciklim e përpunim, gjoba më të mëdha për kundravajtësit etj.
[15] Këtu nuk përfshihet kostoja e pagesave informale
[16]https://www.osfa.al/sites/default/files/vleresimi_i_aksesit_ne_sherbimet_shendetesore_per_grupet_ne_nevoje_2011.pdf
[17] https://www.clarity.io/blog/a-deep-dive-economic-impacts-of-air-pollution
[18] https://albania.un.org/sq/sdgs
[19] https://sustainabletravel.org/our-work/waste-pollution/
[20] https://www.frontiersin.org/articles/10.3389/fenvs.2023.1111828/full
[21] Becken dhe Patterson, 2006; Lee dhe Brahmasrene, 2013; Tiwari et al., 2013; Katircioglu et al., 2014; Ozturk, 2015; Zhang dhe Gao, 2016; Ahmad et al., 2018; Wang dhe Wang, 2018
[22] Goh, 2012; Becken dhe Wilson, 2013
[23] https://panel.klsh.org.al/storage/phpoQHbjU.pdf
[24] https://turizmi.gov.al/wp-content/uploads/2019/07/vkm-412-2019-menaxhimi-i-ajrit.pdf
[25] https://www.imf.org/-/media/Files/Publications/WP/2024/English/wpiea2024024-print-pdf.ashx