NAFTA SHQIPTARE DHE LUFTA NË LINDJE TË MESME

07/03/20260

Si na prek direkt në xhep situata gjeopolitike globale?

Mars 2026  |  Analiza ekonomike nga Ergis SEFA

“Nafta jonë kuotohet ndryshe nga Brent, pra nuk na prek.”
Ky argument është si të thuash se nuk do të lagesh nga shiu sepse ke çadër, ndërkohë që këpucët janë tashmë me ujë.

Çfarë po ndodh tani në botë?
Javën e kaluar ndodhi diçka e rrallë në historinë e tregjeve energjetike botërore: nafta Brent u rrit mbi 26% brenda vetëm shtatë ditësh, duke arritur sot në rreth 92.7 dollarë për fuçi në nivelin më të lartë që nga shtatori 2023.
Arsyeja?
Konflikti Iran–SHBA ka ngadalësuar ndjeshëm trafikun e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, ku kalon rreth 1/5 e naftës globale. Irak ka pezulluar 1.5 milion fuçi në ditë. Kuvajti po pret. JPMorgan paralajmëron hapur: nëse Ngushtica mbetet e bllokuar, çmimi mund të kalojë mbi 100 dollarë për fuçi.

Grafiku 1: Çmimi i naftës Brent — Shkurt / Mars 2026. Rritje +26% brenda 7 ditësh pas sulmeve Iran–SHBA. Burimi: Investing.com / JPMorgan Research.

Po Shqipëria?
Prodhojmë naftë, pse duhet shqetësohemi?
Shqipëria prodhon rreth 13,000 fuçi naftë në ditë, kryesisht nga fusha e Patos-Marinzës, fusha më e madhe naftës në tokë në Evropën kontinentale.
Por konsumon rreth 25,000 fuçi në ditë.
Paradoksi është se, eksportojmë naftë bruto dhe importojmë naftë të rafinuar. Nafta jonë del jashtë kryesisht drejt Italisë dhe Spanjës, rafinohet atje, dhe kthehet sërish si benzinë e naftë që blejmë çdo ditë. Tani në Shqipëri po paguajmë rreth 2.12 dollarë për litër benzinë (Shkurt 2026).
Pra edhe po të ishte e vërtetë që nafta shqiptare kuotohet ndryshe nga Brent dhe ky diferencial është i vogël, atëherë karburanti që mbush makinën tënde importohet i rafinuar nga tregjet europiane, dhe ato tregje kuotohen direkt me Brent. Lidhja është 100%.
Por nafta është vetëm maja e ajsbergut!
Ky është momenti ku shumë njerëz e ngushtojnë gabimisht diskutimin vetëm tek çmimi i karburantit. Nafta e shtrenjtë ka një efekt domino që prek pothuajse çdo produkt që blejmë:

  • Çdo kilogram domate, çdo bukë, çdo liter qumësht ka kaluar nëpër zinxhir transporti. Kamionët, traktorët, sistemet e ftohjes, të gjitha hanë naftë. Kur nafta shtrenjtohet 20–25%, kostot logjistike rriten dhe diferenca e fundit bie mbi konsumatorin.
  • Materialet e ndërtimit. Shqipëria është në kulmin e zhvillimit urban. Çimento, hekur, qeramikë, të gjitha transportohen dhe prodhohen me energji dhe naftë. Çmimi i banesave dhe i qirave do të ndihet.
  • Bujqësia. Plehërat kimike prodhohen nga gazi natyror, i cili lëviz me çmimin e naftës. Fermerët shqiptarë, që operojnë me marzhe shumë të ngushta, do të ngrisin çmimet e produkteve tona ushqimore vendase.
  • Shqipëria ka ndërtuar 20–25% të ekonomisë mbi turizmin. Bileta e avionit bëhet më e shtrenjtë kur nafta për aviacione rritet. Klienti gjerman dhe italian mendon dy herë para se të rezervojë.
  • Energjia elektrike. Shqipëria mbulohet kryesisht nga hidro, por furnizimi i plotë varet edhe nga importet. Kur çmimi europian i energjisë rritet  dhe ndodh direkt kur nafta rritet edhe tarifa jonë ndikohet.

Grafiku 2: Impakti i naftës së shtrenjtë në sektorët kyç të ekonomisë shqiptare. Krahasim: situata aktuale (Mars 2026) vs skenar i keq (Ngushtica e Hormuzit e mbyllur mbi 2 muaj). Burimi: ALTAX 2026, Trading Economics.

Shifrat reale sot?
Inflacioni aktual në Shqipëri qëndron në 2.3% (Janar 2026), pra dukshëm më i ulët se periudha 2022–2023. Por kjo fotografi mund të ndryshojë shpejt. Analiza e ALTAX tregon se një rritje 10% e çmimit të naftës mund të shtojë 0.5–1% inflacion shtesë vetëm nga sektori industrial, dhe 1–2% shtesë nga logjistika e importeve ushqimore.
Nëse nafta qëndron mbi 90 dollarë edhe dy–tre muaj, diskutimi nuk do të jetë më teorik.

Çfarë duhet të bëjë shteti dhe çfarë mund të bëjmë ne?
Ekonomistët rekomandojnë ndërtimin e rezervave strategjike të naftës për 3–6 muaj, subvencione të synuara për shtresat e cenueshme dhe politika fiskale të kujdesshme. Banka e Shqipërisë mund të detyrohet të rrisë normat e interesit nëse inflacioni shpërthen, gjë që do të ngadalësonin edhe kreditë dhe investimet.
Për ne si individë është momenti i mirë për të negociuar çmimet e kontratave afatgjata dhe për të shmangur blerjet e mëdha me kredi variabël. Nëse keni biznese për të rishikuar kostot e logjistikës tuaj tani, jo pas tre muajsh.Lufta është larg. Por çmimet në treg janë pranë nesh çdo ditë. Lidhja mes tyre është reale, e dokumentuar dhe po ndodh tani.
Burimet: Investing.com · ALTAX Albania · Trading Economics · JPMorgan Research · Morgan Stanley · CNBC · NPR · Mars 2026

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *