Kuvendi që nuk kontrollon as veten

09/07/20250

Në Shqipëri, demokracia nuk po sfidohet më nga ndonjë krizë madhore, por nga një heshtje e gjatë, një apati institucionale që ka marrë formën e normalitetit.Raportet e institucioneve të pavarura nuk dëgjohen më në sallën e Kuvendit.Janë thjesht letra të arkivuara, të dorëzuara me korrektësi ligjore, por të trajtuara si pengesë nga pushteti politik. Ato nuk shqyrtohen, nuk komentohen, nuk debatohen.Pushteti legjislativ është shndërruar në një sallë pritjeje, ku fjala e institucioneve shtyhet pafundësisht dhe ku detyrimet e Kuvendit janë thjesht afate që shkelën pa kosto.

Nuk është thjesht një vonesë.Është më shumë se kaq.Është një shenjë se vetë ideja e shtetndërtimit është në krizë të thellë, e rrethuar nga një cinizëm institucional dhe një standard i dyfishtë që ka rrënuar çdo besim te përfaqësimi.

Shteti i formave pa përmbajtje
Institucione si Avokati i Popullit, Banka e Shqipërisë, SPAK, Këshilli i Lartë i Prokurorisë e KLGJ nuk kanë ardhur në Kuvend për t’u duartrokitur, por për të folur për gjendjen e shtetit. Për sistemin e drejtësisë, për ekonominë, për luftën kundër korrupsionit. Ato nuk kanë kërkuar vetëm të dëgjohen, por të ballafaqohen. Por në vend të debatit, përballen me një mur indiference. Në vend të seancave dëgjimore, me heshtjen e komisioneve parlamentare.

Shteti sillet sikur nuk ka kohë për veten
Dhe ndërsa në kalendarin parlamentar figurojnë me rregull datat për raportim, në praktikë legjislatura mbyllet me urgjencë për të marrë “pushimet e fushatës”, duke lënë në harresë një nga funksionet më të rëndësishme të vetes: mbikëqyrjen e institucioneve të pavarura.Ky është thelbi i krizës dhe nuk është vetëm dështim procedural, por shembje morale e përfaqësimit.

Pushimet parlamentare, si paradigmë e rrënimit
Fakti që Kuvendi i Shqipërisë zgjodhi të heshtë në momentin kur duhej të dëgjonte, është tashmë një mesazh politik më i qartë se çdo deklaratë: mbikëqyrja është e panevojshme kur pushteti është i centralizuar.
Në këtë realitet, mazhoranca nuk ka më interes të dëgjojë, opozita nuk ka hapësirë të kërkojë llogari, dhe Kuvendi nuk ka fuqi të vetërregullohet.Kryetarja e Kuvendit shmang përgjegjësinë, duke u fshehur pas komisioneve. Komisionet nuk thirren. Dhe qytetarët? Ata nuk dëgjojnë më gjë. Jo për mungesë dëshire, por sepse askush nuk flet për ta.

Një demokraci që jeton në emër, por jo në funksion
Demokracia shqiptare është bërë si një ekspozitë kushtetuese, ku gjithçka është e dukshme në letër, por e padukshme në realitet.Konsultimi publik bëhet për formë.
Raportet dorëzohen për të justifikuar ligjshmërinë.
Kuvendi mbyll punimet, por jo detyrat.
Kur gjithçka funksionon sipas këtij skenari, qytetarët fillojnë të shkëputen nga procesi. Fillojnë të mos besojnë më.Jo sepse janë apatikë, por sepse janë përjashtuar nga mekanizmat që duhet t’i përfaqësojnë.Besimi bie.
Bashkë me të, bie legjitimiteti i institucioneve.

Kthesa drejt autokolapsit
Në një vend që synon integrimin në Bashkimin Europian, ky lloj mosfunksionimi është jo vetëm i papranueshëm, por vetëshkatërrues. BE kërkon institucione të pavarura, mbikëqyrje reale, sundim të ligjit, debat parlamentar dhe angazhim të qytetarëve. Shqipëria sot ka një model të zhbërë të të gjitha këtyre.Në vend të transparencës ka formalizëm.Në vend të rezolutave ka harresë.Në vend të llogaridhënies ka pushim.Në një legjislaturë të re ku 70 për qind e deputetëve janë të rinj, pritet që ata të diskutojnë raportet e lëna nga legjislatura e vjetër. Do të miratojnë rekomandime për një vit që ka kaluar. Dhe do të hartojnë të tjera për një vit që është në përfundim.Kjo nuk është mbikëqyrje.
Është absurditet institucional.

Përtej ironisë lind pyetja nëse ka mbetur ende moral politik?
Pyetja sot nuk është më pse nuk u mbajtën dëgjesat.Pyetja është më e thellë!A ekziston më ndonjë ndjeshmëri institucionale ndaj përgjegjësisë politike?
Sepse mosveprimi i Kuvendit nuk është gabim teknik, por akt i vetëdijshëm i shkatërrimit të rolit të tij.Kur raportet dorëzohen, konsultohen nga shoqëria civile, por injorohen nga përfaqësuesit e popullit, kemi arritur një pikë ku shteti nuk komunikon më me shoqërinë. Dhe nëse nuk ka komunikim, nuk ka më përfaqësim.

Në prag të heshtjes totale
Kujt i shërben një parlament që nuk dëgjon?Kujt i vlejnë institucionet e pavarura që nuk ballafaqohen?Në fund, kur gjithçka trajtohet si formalitet, vetë republika mbetet një iluzion kushtetues.
Kjo është Shqipëria pa Kuvend.Një vend ku shteti nuk shembet me grusht, por me indiferencë. Dhe ku çdo shtyrje, çdo justifikim dhe çdo heshtje, e afron edhe më shumë pikën pa kthim, në shtetin pa përmbajtje, pa debat dhe pa qytetarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *