Kur vota nuk mjafton, si ta përkthejmë mosndryshimin e pushtetit?

15/05/20250

Më 11 maj 2025, shqiptarët votuan për qëndrueshmërinë.
Sipas shifrave zyrtare, forcat politike që kërkojnë një model të ri qeverisjeje morën së bashku më shumë vota se kurrë më parë.
Pati një valë energjie, një kthjellim shoqëror dhe një zhgënjim të përqendruar që u kanalizua në alternativa të reja politike, shumë prej të cilave ofruan platforma të pastra, liderë të papërlyer dhe thekse moderne: mbi drejtësinë sociale, tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër, rininë dhe meritokracinë.
Por megjithatë, Partia Socialiste (PS) fitoi e vetme mandatin e katërt me 83 vende në Kuvend.
Këtu kemi një paradoks demokratik, ku një shumicë forcash politike të fragmentuara për ndryshim përballen me një parti të bashkuar për vazhdimësinë dhe nuk arrijnë të bëjnë funksional rotacionin.
Ky kontrast nuk është thjesht një problem aritmetik mandatesh, por një tension strukturor mes vullnetit të shprehur të qytetarëve dhe mënyrës se si ai përkthehet institucionalisht. Votuesit kërkuan një tjetër mënyrë të të bërit politikë, më të pastër, më të ndershme, më llogaridhënëse. Por vota e tyre u përthith nga një sistem elektoral që shpërblen unitetin strategjik dhe ndëshkon ndarjen konceptuale, pavarësisht sa e sinqertë apo e bazuar në parime ajo të jetë.
Në thelb, kjo është përballja me një formë të “demokracisë së menaxhuar”, ku rregullat e garës janë projektuar për të ruajtur kontrollin e atyre që tashmë e kanë pushtetin, dhe jo për të reflektuar realisht ndryshimin e opinionit publik.
Kjo krijon një dyzim, ku nga njëra anë ekziston pluralizëm ofertash politike, por nga ana tjetër ai nuk përkthehet në pluralizëm institucional, për shkak të një kombinimi midis sistemit zgjedhor penalizues dhe mungesës së bashkëpunimit midis forcave të reja.
Prandaj, sfida nuk është më thjesht të bindësh qytetarët për një program të ri, por të krijosh një arkitekturë politike dhe institucionale që u jep vlerë reale votave për ndryshim.
Kjo kërkon largim nga vetmia politike dhe kalim në fazën e bashkërendimit strategjik. Ndryshe, edhe në vitin 2029 mund të ndodhë e njëjta gjë, ku qytetarët mund të duan ndryshimin, por sistemi mund ta mbajë peng.
Kodi zgjedhor, si një mekanizëm për mbajtjen e status quo-së
Sistemi proporcional me korrektim rajonal, i vendosur me amendimet e vitit 2020, favorizon aleancat e mëdha dhe penalizon partitë që garojnë të vetme, veçanërisht nëse ato kanë përqindje relativisht të ulëta por të shpërndara në gjithë territorin. Ky model e kthen pluralizmin në një pengesë teknike: votat për parti të ndara aritmetikisht nuk mjaftojnë për t’u përkthyer në mandate. Një parti me 4% në gjithë Shqipërinë, që s’kalon dot pragun në asnjë qark, thjesht e humb fuqinë e saj politike – dhe i jep mandate falas partisë më të madhe.
Në thelb, forcat e reja nuk humbën për shkak të ideve të tyre, por për shkak të mënyrës se si u futën në garë.
A ishte problemi tek përmbajtja?
Jo!
Në shumë prej fushatave të reja, si ato të partive që dolën nga shoqëria civile, aktivizmi apo profesionistët e pavarur, nuk gjen as korrupsion, as klientelizëm, as diskurse boshe. Në fakt, ofruan energji të freskët, ndërtuan identitet të qartë dhe sollën ide që për herë të parë lidhnin politikat publike me dëshirat dhe hallet e njerëzve realë.
Problemi ishte thjesht në mënyrën si zgjodhën të garonin: secili më vete, në një sistem që i ndëshkon pikërisht këtë individualizëm politik.
Çfarë duhet të ndodhë në vijimësi?
Në këtë moment nga analiza rezultojnë tre alternativa strategjike për forcat që duan ndryshimin:
1. Ndërtimi i një federate politike
Një bashkim elektoral i forcave të reja, jo si një amalgamë e paqartë, por si një koalicion i vlerave dhe parimeve, ku secila ruan identitetin, por bashkë hartojnë një platformë unike për të korrigjuar sistemin. Që në vjeshtë, këto forca duhet të ndërtojnë një front të përbashkët me rregulla të qarta bashkëpunimi dhe ndarje përgjegjësish.
2. Reformë zgjedhore si betejë politike dhe qytetare
Përpjekja për ndryshim duhet të zhvendoset tek rregullat e lojës. Kërkesa për një sistem proporcional kombëtar (pa korrektim rajonal) apo me prag kombëtar të reduktuar, është thelbësore. Është koha për presion të organizuar mbi Kuvendin dhe partnerët ndërkombëtarë për të rishikuar Kodin Zgjedhor, si çështje e rendit demokratik.
3. Kapilarizimi i veprimit politik përtej ciklit elektoral
Organizatat dhe partitë që humbën në zgjedhje nuk duhet të “zhduken” deri në 2029. Ato duhet të transformohen në struktura aktive, që ndikojnë në çështje vendore, mbikëqyrin buxhetet, monitorojnë shërbimet publike dhe nxisin pjesëmarrjen qytetare. Forca politike që nuk jeton përtej ditës së votimit, nuk rritet as në vetëdijen e qytetarëve.

Një shans i dytë për ta kuptuar demokracinë.
Fitorja numerike e PS nuk është shprehje e entuziazmit popullor, por është rezultati edhe prej një sistemi të dizajnuar për të ruajtur pushtetin ekzistues. Por ajo nuk e bën humbjen e forcave të reja të pavlerë. Në fakt, për herë të parë, ndryshimi nuk humbi sepse nuk ekzistonte, por sepse nuk u bashkua.
Shqiptarët që duan ndryshim duhet të kalojnë nga faza emocionale tek ajo organizative. Dhe kjo fillon sot me bashkëpunim, me strategji dhe me bindjen se vota është vetëm një nga mjetet për të ndryshuar pushtetin.
Jo e vetmja.
Nëse politika është arkitektura e së ardhmes, atëherë është koha të ndërtojmë një shtëpi të përbashkët për ata që duan të jetojnë ndryshe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *