Kontrata e re sociale – masterplani i ndërtimit të urës së besimit

17 Tetor, 20220

Në të gjithë vendet europiane, qeveritë po ndërmarrin veprime për të mbrojtur qytetarët e tyre nga kriza e kostos së jetesës që tashmë ka shtyrë shumë njerëz në dëshpërim dhe varfëri. Kriza pandemike, ndikimi i konkurueshmërisë nga vendet e rajonit duke mos lënë hapësira për diversifikim të tregut të eksportit është ndërthurur keqas me plagët ekonomike prej pandemisë. Sfida e jashtëzakonshme e pandemisë çoi në veprime të jashtëzakonshme që ndihmuan në çlirimin e inflacionit të sotëm, si: stimulime të pastudiuara të qeverisë në ndihmat e saj të disa aktiviteteve ekonomike dhe grupeve sociale, modele përkohësisht të shtrembëruara të kërkesës së konsumatorit dhe ngatërresa të zinxhirit të furnizimit të shkaktuara nga bllokimi.

Në një ndryshim të madh nga kriza financiare e vendeve të zhvilluara në vitet 2010, ku Shqipëria arriti ta anashkalojë për shkak të lejimit të parave të pista/printimit në ekonomi, si dhe përdorimit të fondeve të buxhetit të shtetit në infrastrukturë, mbi një dekadë më vonë një rritje strukturore në shpenzimet dhe investimet e qeverisë është duke u zhvilluar.

Problemi më i madh që ka trokitur fort te dera e buxhetit të vendit janë qytetarët e moshuar, të cilët do të kenë nevojë për më shumë kujdes shëndetësor dhe fonde me shumicë për përballimin e skemave sociale të cilat duket sikur nuk janë më të mundura të përmbushen me skemat aktuale të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Shqipëria do të shpenzojë më shumë për mbrojtjen për t’iu kundërvënë kërcënimeve nga vendet që janë pozicionuar kundër saj dhe NATO-s. Ndryshimet e tregut të energjisë (energjia elektrike dhe karburantet) do të nxisin investimet publike në energji, nga infrastruktura e rinovueshme deri te terminalet e gazit. Ndërkohë, shpenzimet e kontraktuara për tu kryer edhe për të paktën 15 vite të ardhme në infrastrukturën shumëdrejtimëshe po e detyrojnë qeverinë të shpenzojë më shumë për politikën që duket se i ngjan shprehjes “i ka hyrë detit më këmbë”. Megjithatë, edhe pse investimet po rriten, moshimi i popullsisë do të rëndojë gjithnjë e më shumë mbi ekonominë.

Po si mendohet se mund ti dilet matanë kësaj situate, natyrisht jo përnjëherë?

Qeveria duhet të veprojë tani për të rritur shërbimet publike bazë dhe qëndrueshmërinë, në fusha të tilla si kujdesi shëndetësor, arsimi, vijimësia e infrastrukturës fizike dhe rrjetet e sigurisë sociale. Këto investime shtesë duhet të përfshihen në strategjitë e reja sektoriale, si pjesë e Kuadrit Makroekonomik Fiskal dhe të zbardhen në programet buxhetore afatmesme.
Por tashmë, për shkak të pakënaqësive në rritje dhe mundësive për rritje të protestave ekonomike nevojitet që të ringrihet besimi i publikut. Për të arritur kohezionin social është thelbësore që qeveria të ofrojë dhe plotësojë kërkesën për shërbime publike bazë dhe politika më gjithëpërfshirëse.
Ndërkohë, politika e mëtejshme e taksave të ulta dhe mbajtja e buxhetit peng të politikave fiskale të pastudiuara mirë dhe për nevoja afatshkurtra të mbushjes së thesarit do të ishin minuese të besimit të qytetarëve. Qytetarët-votues mund të jenë të gatshëm të paguajnë taksa si po bëjnë një pjesë e tyre, por në këmbim të një angazhimi të përgjegjshëm ndaj evazionit dhe në këmbim të atyre kategorive të shërbimeve publike që jepen me mjaft mangësi edhe sot.
Gjithnjë e më shumë, punëtorët përballen me rrezikun kur bëhet fjalë për të ardhurat e tyre, sa orë punojnë dhe si e përballojnë jetesën. Bilanci është anuar shumë në drejtim të fleksibilitetit për punëdhënësit në kurriz të sigurisë për punëtorët.
Kjo shoqëri në të cilën jetojmë ka nevojë të vendosë një nivel mbi të ardhurat nën të cilat askush nuk mund të bjerë. Kjo mund të arrihet përmes programeve të transferimit të parave direkte në fillimet e veta, për aq kohë sa buxheti i shtetit të fitojë fleksibilitetin që i mungon.
Së paku, qeverisja aktuale ja ka borxh qytetarëve përmbushjen e premtimit dhe programit politik për një paketë të kujdesit shëndetësor bazë dhe pensione të rritura (jo vetëm indeksim) për të parandaluar varfërinë e pensionistëve të vijojë edhe më tej. Kjo nënkupton formalizimin e më shumë punëtorëve në sektorin formal, çfarë do të thotë që të detyrohen punëdhënësit të paguajnë paga më të larta për punëtorët duke zbatuar një për një legjislacionin për punën nëpërmjet nxitjes së dialogut kombëtar për kontrata të rinovuara të punës.

Shumë rreziqe në shoqërinë tonë përballohen nga individët kur ato do të menaxhoheshin në mënyrë më efikase nga të tjerët ose kolektivisht. Rreziqet nga goditjet ekonomike duhet të ndahen nga punëdhënësit, buxheti dhe tregu privat në tërësi dhe jo të vendosen vetëm mbi individët.
Siguria financiare në pleqëri mund të financohet përmes përdorimit me efikasitet të legjislacionit për kolonën e dytë dhe të tretë të fondeve të pensionit privat në vend që ta lidh atë me punësimin siç ndodh zakonisht.

Është koha të flitet gjerësisht për kontratën e re sociale, e cila duhet të përfshijë në brendinë e debatit të saj të gjitha sa përmenden më lart dhe më poshtë.
Një kontratë e re sociale nuk ka të bëjë me taksa më të larta apo një shtet më të madh social. Në realitet duhet riformatuar skema e mënyrës së përfitimeve dhe furnizimit të skemave për garanci sociale si mundësi dhe siguri që mund të rishpërndahen në shoqëri. Kjo do të rriste produktivitetin dhe do të ndante në mënyrë më efikase rreziqet rreth kujdesit ndaj fëmijëve, shëndetit, punës dhe pleqërisë që shkaktojnë kaq shumë ankth tek ne të gjithë.

Politika fiskale tashmë duhet të synojë të taksojë më shumë ato që na bëjnë dëm më shumë, apo gjërat që duam më pak, si: ndotjen, alkoolin dhe duhanin, dhe të subvencionojë gjërat që duam më shumë, si: arsimi dhe një ekonomi më e orientuar drejt produktivitetit bazuar mbi teknologjinë dhe aftësitë intelektuale. Edhe aty ku pikënisja është besimi i ulët në qeveri, rialokimi i shpenzimeve për shërbimet që qytetarët vlerësojnë, si kujdesi shëndetësor dhe arsimi, mund të ndihmojë në ndërtimin e besimit.

E gjithë kjo qasje e modifikuar e vullnetit qeverisës duhet të synojë forcimin e llogaridhënies. Kjo do të thotë, që qysh nga momenti aktual i formulimit të projekt-buxhetit 2023 dhe politikës fiskale bashkëlidhur tij, por edhe në zbatimin e buxhetit 2022 për muajt e mbetur duhet që të komunikohet me publikun përmes standarteve të raportimit bazuar te auditimi fiskal, i cili flet me gjuhën e fakteve financiare dhe analizon përputhshmërinë e zbatimit të ligjit me veprimet e institucioneve.
Nëse kryhet ky akt mjaft i lartë qeverisës, ai na jep mesazhin e ndërtimit të urës së besimit dhe mund t’i sigurojë qytetarët se ata po marrin vlerën reale të shërbimeve dhe investimeve për taksat që paguajnë. Besueshmëria dhe efektiviteti i qeverisë me një përdorim të drejtë dhe transparent të burimeve publike është thelbësor tani, më shumë se kurrë më parë.

Kjo qasje aktuale ku qeveria bën sikur na dëgjon dhe vazhdon të jetë problematike me llogaridhënien, si dhe bën sikur zbaton ato që duan qytetarët duke na treguar se kriza do të na kishte “shkrumbuar” sikur qeveria të mos ishte kujtuar për Bordet dhe “ngrirjen” e çmimit të energjisë për familjarët janë pika fillestare e autokorigjimit dhe ndreqjes së gabimeve.
Nëse nuk fillon një qasje autokritike të fortë, atëherë ato që po bëhen prej shumë kohësh tani nuk mund të quhen më tej gabime në qeverisje, por vullnet i korruptuar dhe i kapur nga interesat personale politike dhe përfitimet e momentit.
Nëse i jepet të gjithëve mundësia për të përdorur talentin e tyre, kjo realisht do të vlente më shumë në ekonominë shqiptare, por do të reduktonte edhe nevojën për politika të pafrytshme të rishpërndarjes në vitet dhe dekadat që vijnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *