Erozioni i institucioneve…ose demokracia e pakontrolluar

4 Maj, 20240

Legjitimiteti i institucioneve varet nga besueshmëria e tyre dhe në të gjithë botën e zhvilluar besimi popullor në institucionet ka rënë ndjeshëm, në disa raste si rezultat i ndërhyrjes së drejtpërdrejtë politike në punën e tyre.
Kjo do të ishte një debat i rëndësishëm, sikur të kishim në Shqipërinë e pas viteve ‘90 edhe institucione që do të kishin krijuar traditë në zbatimin e ligjit dhe vetëm ligjit.

Si çdo vend me demokraci të një niveli të lartë të zhvillimit institucional, çdo agjenci e zbatimit të ligjit edhe në Shqipëri do të ishte e dëshirueshme të udhëhiqej nga një kulturë e fortë dhe e shëndetshme pune për të vepruar në mënyrë efektive.

Por kush do ishte një format institucioni të fortë dhe rezistent ndaj erozionit të qeverisjes?
Një kulturë e llogaridhënies në zbatimin e ligjit është treguesi kryesor dhe i një rëndësie të veçantë për formatin institucional të fortë dhe me “amortizim” brenda kufijve të lejuar. Llogaridhënia zbatohet në një ambjent me transparencë për realizimet dhe mosrealizimet, si dhe përgjegjshmëri në nivelin që e kërkojnë parametrat ligjore të institucionit.

Por, llogaridhënia dhe përgjegjshmëria nuk merren të mirëqena, pasi duhen monitoruar nonstop, sipas modelit të kontrollit dhe balancave të qeverisjes. Ky mekanizëm monitorimi është sistemi sinjalizues dhe i pavarur nga politika dhe lidershipi qeverisë, pasi është pjesa që shikon dhe angazhohet gjithë shoqëria për të identifikuar dhe dalluar nivelin e erozionit institucional.
Mosfunksionimi i tij, krijon terren për abuzim nga propaganda e qeverisë apo pjesët e kapura të shoqërisë për të manipuluar treguesit që prezantojnë kryerjen e detyrave nga institucionet si dhe nivelin e integritetit dhe normave etike të nëpunësve të institucioneve.

Tashmë të gjithë kanë lexuar, dëgjuar dhe shikuar raporte, analiza dhe fakte për funksionimin me probleme që pengojnë një llogaridhënie dhe transparencë për të gjithë dhe të vlefshme për të kuptuar erozionin e institucioneve dhe normave të drejtuesve dhe punonjësve që ata drejtojnë. Për tu bindur mjaftojnë provat dhe fjetjet nga raportet nga KLSH, prokuroria e posaçme antikorrupsion dhe nga raportimet e medias investigative.

Çfarë ndodh me institucionet kur situata nuk po zgjidhet prej shumë vitesh?
Përgjegjësia e institucioneve bazuar te mekanizmat më lart siguron që ato të mund të punojnë së bashku në mënyrë efektive. Shoqëria mund t’u besojë drejtuesve të tyre se janë duke marrë vendime etike dhe në favor të arritjes së objektivave që në fund kanë interesin publik për një mirëqenie më të lartë, kosto të përballueshme jetese lehtësisht si dhe një rritje të emrit të mirë të vendit duke mbajtur dhe forcuar komunitetet brenda vendit. Por kushti i vetëm kryesor është që të dinë se drejtuesit e tyre do t’i vënë nevojat e institucionit dhe publikut përpara interesave personale duke ardhur në drejtim si rezultat i punës dhe cilësive të tyre dhe jo nga emërimi prej lidershipit politik dhe kronist.

Publiku po shpreson prej vitesh te institucionet duke pritur për standarde të larta. Por, përgjegjësia në zbatimin e ligjit nuk është një komponent kyç i përpjekjeve efektive kushtetuese dhe të hapjes së qeverisjes institucionale ndaj komunitetit.Segmente gjithnjë e më të mëdha të publikut dhe përfaqësuesve të tyre kanë humbur besimin në ushtrimin e funksioneve burokratike, duke denoncuar kapjen politike të më shumë institucioneve të shtetit. Legjitimiteti i medias, si mjeti komunikues kryesor me publikun është ulur në mënyrë dramatike. Pjesa më e madhe e publikut tani beson se raportimi është zakonisht i “politizuar”, duke ushqyer me lajme dhe informacione pjeserisht te vërteta.

Formati aktual politik gjithashtu ka gërryer besimin në procesin zgjedhor duke nxitur ankthin se demokracia e vendit është ” e trukuar”. Rritja e “lajmeve të rreme”, frika se rezultati i votimit mund të manipulohet nga kandidatët, mashtrimi në zona dhe rregullat e krijuara për ta bërë më të vështirë votimin, të gjitha kanë diskredituar procesin e votimit. Pjesëmarrja më e ulët në zgjedhje në të gjithë këto vite demonstron rritjen e apatisë publike.Ne po shohim gjithashtu një erozion të gjerë të institucioneve publike të dominuar nga rritja e populizmit me ndikim dramatik në politikëbërje. Grupet e interesit të posaçme për segmente të tëra ekonomike mbeten shumë të fuqishme.
Të privuarit nga e drejta për të përfituar nga të mirat matëriale janë gjithnjë në pozita shumë të dobëta dhe problemet kronike në reagimin për të sjellë ndryshime në politika.Erozioni institucional po e rrezikon së tepërmi qëndrueshmërinë strukturore demokratike dhe kjo po mban në gjendje pezullie dhe paqëndrueshmërie edhe jetën shoqërore.

Klasa e sotme e mesme e pakënaqur do të kishte një rrugë më të drejtpërdrejtë drejt pushtetit. Por mungesa e një lidershipi të fortë në ide dhe të bashkuar drejt një kauze antiestablishment nuk ka arritur dot ta ketë mbështetje këtë fuqi potente në vend.Shpërthimet inflamatore dhe refuzimet për të bashkëpunuar me njeri-tjetrin tregojnë një klasë të mesme të dobët, me varësi materialiste që kanë zëvendësuar sistemin e nderuar demokratik që parashikonim para tre dekadash.
Pra, në këtë epokë të demokracisë së pakontrolluar prej institucioneve, çfarë do të thotë në të vërtetë që qeverisja dhe politika të jenë institucione të suksesshme?

Qeverisja e para duhet të rifitojë besimin publik duke tërhequr nëpunës të vërtetë publikë në vend të demagogëve të etur për pushtet, që të mos humbasë më shumë vlefshmërinë në syrin vigjilent të publikut.Politika, e dyta e asistuar nga shoqëria civile duhet të mbështesë sovranitetin popullor, ku zyrtarët e zgjedhur me pahir duhet të jenë përgjegjës para popullit. Ky qëndrim vlen edhe për opozitën e re, e cila nëpërmjet distancimit nga politika aktuale mendon se do të jetë e avantazhuar në politikën e ardhme.

Politika toksike e divorceve dhe rikthimeve politike pa ndryshuar pjesët e sistemit institucional kanë qenë të dëmshme se kanë vrarë shpresën dhe duket se ende nuk ka një qasje nga aspiruesit e rinj në politikë që bën dallim nga e kaluara dhe e tashmja.Politika e re antiestablishment duhet të bëjë dallimin mes pjesës së kalbur të politikës aktive në tregun politik dhe të identifikohet si pjesë e kauzave që kërkojnë bashkim dhe jo përjashtim.E rëndësishme për këdo që distancohet nga politika në fuqi është vetëm qasja e besnikërisë institucionale. Kjo nuk nënkupton përmbysje të një klase politike për të krijuar një mundësi për një klasë të re apo për të vepruar në mënyrë të pavarur nga pushteti ekzekutiv.

Agjencitë e zbatimit të ligjit nuk duhet të krijojnë një kulturë nga e para. Problemi është se institucionet udhëhiqen nga vlera të nënkuptuara që shpesh janë në kundërshtim me vlerat e qarta. Kjo ngjall konfuzion, mosbesim dhe cinizëm sesa qartësi, përkushtim dhe moral të lartë.

Vlerat nxisin sjelljen.Njerëzit marrin vendime bazuar në vlerat e tyre më të thella thelbësore. Dhe punonjësit marrin vendime në punë bazuar në atë që ata perceptojnë se institucioni i tyre vlerëson. Kultura nuk mund të diktohet, ajo duhet jetuar. Dhe ndryshimi i kulturës së punës funksionon më mirë kur të gjithë janë të përfshirë.

Por kujdes! Krijimi i një kulture të shëndetshme kërkon transparencë dhe komunikim të hapur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *