Ekonomia e rajoneve shqiptare larg perspektivës së zhvillimit të qëndrueshëm
Ekonomia e rajoneve është e mbizotëruar nga bujqësia, ku nivelin më të lartë e gjejmë në Fier me 45.5% të ekonomisë rajonale dhe nivelin më të ulët e gjejmë në Tiranë me 3.8% të ekonomisë rajonale.
Rajoni verior i vendit[1] dominohet nga industria nxjerrëse dhe energjia, bujqësia dhe tregu i pasurive të paluajtshme duke prodhuar 22.3% të ekonomisë kombëtare.
Rajoni qendror[2] dominohet nga Ndërtimi, informacioni dhe teknologjia, pasuritë e paluajtshme, dhe shumicën e sektorëve të tjerë të ekonomisë, të cilën e gjejmë në Tiranë duke prodhuar 50.5% të ekonomisë kombëtare.
Rajoni jugor[3] dominohet nga bujqësia, pasuritë e paluajtshme dhe tregtia me pakicë dhe shërbimet turistike duke prodhuar 27.2% të ekonomisë kombëtare
Ekonomia kombëtare është e dominuar nga rajoni qendror, por kryesisht Tirana, për të gjithë sektorët e ekonomisë, përveç bujqësisë. Shumë nga programet dhe strategjitë e zhvillimit të rajoneve ende nuk u përgjigjen tre kërkesave bazike të tregut:
- Çfarë të prodhojnë
- Si të prodhojnë dhe
- Për kë të prodhojnë.
Të ardhurat për frymë më të ulta paraqiten në Kukës, pasuar nga Lezha, Shkodra, Elbasani dhe Dibra, Korça. Ndërsa, në grupin e rajoneve me ardhura të nivelit të mesëm përveç Durrës, Fier dhe Gjirokastër përfshihen edhe Berati, si dhe Vlora. Të ardhura të nivelit të lartë paraqiten përsëri vetëm në Tiranë.
Pesha në PBB në nivelin më të ulët e shikojmë në Kukës me 1.56 të PBB-së kombëtare. Në nivele të ulta pjesëmarrje në PBB-në kombëtare janë edhe Dibra, Lezha, Berati. Në nivele më të moderuara, pak më lart janë pesha e Shkodrës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit. Në nivel më të lartë pesha e PBB-së rajonale shihet në Durrës, Fier dhe Tiranë që mban një peshë sa 43.72% e PBB-së kombëtare.
Nëse shikojmë nëpërmjet treguesve të peshës së PBB-së rajonale sipas logjikës së kontributit të sektorëve, shihet se pesha e sektorit bujqësor (përfshirë edhe blegtori, ekonomia pyjore, ekonomia ujore) është më e madhe në Fier (sa 23.9% e peshës së ekonomisë së sektorit bujqësor të vendit) dhe më e ulëta në Kukës (sa 2.6% e peshës së ekonomisë së sektorit bujqësor të vendit) dhe Gjirokastër (sa 3% e peshës së ekonomisë së sektorit bujqësor të vendit).
Pesha ekonomike tregon se popullsia rurale ka dominancë në rajonin e Fierit dhe ato rajone ku prodhimi i sektorit bujqësor është më i madh se rajonet e tjera.
Aktivitetet e tjera dominohen nga rajoni i Tiranës dhe Durrësit, ku rajonet e tjera së bashku përbëjnë 30 – 50% të gjithë peshës së secilit sektor.
Pesha e sektorëve në ekonominë kombëtare ka rënë kur krahasojmë treguesin e PBB-së rajonale, sipas sektorëve në vitin 2021 me vitin 2019. Pesha e sektorit të bujqësisë së 7 rajoneve me peshë relative në prodhimin bujqësor është në rënie në 2021. Por edhe pesha e tregtisë me pakicë, hotelerisë dhe shërbimeve të bar-restoranteve tregon rënie të peshës së tyre në shumicën e rajoneve, por me një rritje të peshës në Tiranë dhe më pak në zonat bregdetare.
Rënie të peshës ka edhe shitblerja e pasurive të paluajtshme në shumicën e rajoneve, por me rritje në Tiranë dhe rajonet e pasura bregdetare.
E gjithë panorama e ulje-ngritjeve të peshës së sektorëve të rajoneve të vendit në PBB-në kombëtare është treguesi i niveleve të ulëta të pjesëmarrjes në tregun formal të punës në shumicën e rajoneve, lidhjet e kufizuara me tregjet e jashtme, mungesa e aksesit në kapital për nxitësit kryesorë të rritjes dhe problemet e vazhdueshme me mobilizimin e dobët të burimeve, koordinimin dhe aftësimin e tyre për kërkesat e ekonomisë dhe presioni konstant i varfërisë intensive.
Nga diferenca në dy vitet 2021 dhe 2019, të treguesve shihet se të ardhurat për frymë janë rritur më shumë në Fier, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër. Elbasan dhe Berat. Më pak janë rritur në Lezhë, Kukës, Shkodër, Dibër dhe Durrës. Po kështu edhe shpenzimet familjare mujore janë rritur më shumë në Elbasan, Vlorë, Dibër, berat dhe Gjirokastër. Rrite më e moderuar e shpenzimeve familjare shihet në Tiranë, Korçë, Fier, durrës, Kukës dhe Lezhë. Shihet se pjesën kryesore të shpenzimeve të rritura e mbajnë ushqimet, transporti dhe udhëtimet.
Në raportin midis peshë së popullsisë rajonale dhe peshë së PBB-së rajonale në nivel kombëtar, Tirana performon 11% më shumë se pesha e popullsisë së saj, ashtu si edhe Fieri që performon 0.9 % më shumë dhe Gjirokastra me 0.1% performancë më të lartë se pesha e popullsisë. Gjithë rajonet e tjera performojnë më poshtë se pesha e popullsisë rezidenciale të tyre, ku Elbasani, Shkodra, Korça, Lezha, Vlora dhe Dibra kanë respektivisht PBB më poshtë se pesha e popullsisë me 2.8%, 1.9%, 1.8%, 1.2% dhe 1.1% (VL dhe DI). Durrësi shihet se ka një nivel PBB, të njëjtë me peshën e popullsisë së vet.
Nisur nga niveli i ndryshëm i të ardhurave i krahasuar me ecurinë e tregut të pasurive të paluajtshme ne kuptojmë se blerësit kryesorë të tyre nuk janë rezidentët e rajoneve, por individë dhe biznese jashtë këtyre zonave gjeografike.
Kur krahasojmë nivelin e të ardhurave të disponueshme për shpenzime jashtë natyrës së atyre të përditshme, me peshën që mban sektori i shitblerjes së pasurive të paluajtshme në rajonet e vendit konstatohet një mospërkim mes tyre. Kështu, në Elbasan ku niveli i kursimit është më i ulëti vërehet se shitblerjet e pasurive të paluajtshme janë më të larta se në 4 rajone të tjera (Dibër, Berat, Fier, dhe Kukës).
Por edhe kur analizojmë kursimet familjare në Vlorë me peshën e shitblerjeve të pasurive të paluajtshme në PBB-në e Vlorës (më e larta në vend) ka një nivel jo proporcional krahasuar me Tiranën, Durrësin dhe gjithë rajonet e tjera.
Ndërkohë, nëse shikojmë treguesin e të ardhurave për frymë i krahasuar me nivelin e pjesëmarrjes së bizneseve vendore kuptojmë se nëse popullsia e një rajoni ka të ardhura të larta për frymë, vetë bizneset janë të interesuara duke planifikuar shanse më të mira për të gjeneruar të ardhura nga shitja e mallrave të tyre pasi njerëzit me më shumë para mund të shpenzojnë më shumë.
Në tërësi, shihet se aty ku ka të ardhura për frymë më të larta nuk shihet se ka edhe numër më të lartë biznesesh, megjithëse pjesa më e madhe e tyre janë në sektorin e shërbimeve dhe tregtisë.
Në raportin e numrit të popullsisë rezidente me numrin e bizneseve aktive vërehet se dendësinë më të madhe e gjejmë në Dibër dhe Kukës dhe më të voglën në Fier, Gjirokastër, Korçë.
Një lidhje shkak-pasojë me këta treguesë është e spjegueshme nëpërmjet nivelit të punësimit dhe papunësisë nëpër rajone.
Në rajonet, ku shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës[4] është më e lartë ka edhe një numër më të lartë të numrit të bizneseve dhe e kundërta. Një spjegim me këtë rast vlen kur konsideron edhe të ardhurat për frymë, të cilat si rregull stimulojnë hapjen e bizneseve të reja pasi ka shtim të potencialeve konsumatore.
Por, disa biznese prodhuese janë kryesisht të lidhura edhe me tregun e punës, të cilat marrin prej andej burimet e nevojshme njerëzore.
Mirëpo, kur shikojnë treguesit e numrit të bizneseve[5] në 2021, në çdo rajon vërehet një rritje e dendësisë bizneseve në raport me popullsinë rezidente edhe pse numri i bizneseve është në shumicën e rajoneve më i ulët se në 2019. Kjo dendësi më e madhe spjegohet me dy arsye:
- Me uljen e numrit të popullsisë
- Me rritjen e të ardhurave për frymë
Ndërsa, ulja e numrit të popullsisë ul emëruesin në raport me numëruesin (numrin e bizneseve), në rastin e rritjes së të ardhurave për frymë duhen konsideruar edhe nxitja për të rritur të ardhurat kryesisht të profesionistëve duke u nisur nga paketa fiskale lehtësuese, por edhe në rritjen e ndërgjegjësimit për përdorimin me leverdishmëri ekonomike të pronës në zotërim, si dhe vetë urbanizimi ka ndikuar në rritjen e vlerës së pronave, kryesisht në zonat urbane.
Një tkurrje të popullsive rajonale vërehet në të 10 rajonet, përveç Tiranës dhe Durrësit.
Asnjë rajon tjetër i vendit nuk është aq i begatë apo inovativ se sa Tirana, sipas treguesit të peshës rajonale në PBB-në kombëtare. Nga ana tjetër, sipas parashikimeve afatgjata, madhësia e ekonomisë së rajoneve të tjera nuk ka gjasa të afrohen shumë me atë të Tiranës.
Burimi kryesor i pengesës për rritje të mëtejshme dhe të qëndrueshme të rajoneve të vendit është mbështetja e dobët e novacionit dhe tregut ende te pahapur për të qenë pjesë përbërëse e zinxhirit të ekonomisë rajonale dhe kombëtare të bazuar në rregulla.
[1] Dibër, Durrës, Kukës, Lezhë, Shkodër
[2] Elbasan, Tiranë
[3] Berat, Fier, Gjirokastër, Korçë, Vlorë
[4] https://www.instat.gov.al/media/10066/tregu-i-punes-2021.pdf
[5] Berati ka një ulje me 60%, që krijon perceptimin e një gabimi në hedhje