
Të dhënat më të fundit të INSTAT për tremujorin e dytë 2025 japin një pamje që duhet të trondisë politikëbërësit, por që fatkeqësisht kalon shpesh pa reagimin e duhur.Shtesa natyrore e popullsisë doli pozitive me vetëm 48 lindje më shumë se vdekje, një shifër simbolike që tregon brishtësinë e ekuilibrit demografik.Numri i lindjeve ishte 4,982, duke shënuar një rënie prej 7.4% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024.Numri i vdekjeve arriti 4,934, me një ulje më modeste prej 3.7%.Nëse analizojmë më thellë, tabloja bëhet edhe më shqetësuese:
-
Tirana është e vetmja që mban barrën e shtesës natyrore, me 691 lindje më shumë se vdekje.
-
Korça është qarku më i prekur, me 226 vdekje më shumë se lindje dhe me një rënie dramatike të lindjeve prej -26%.
-
Kukësi përjashtimisht shënoi një rritje të lindjeve (+6.5%), ndërsa 11 qarqet e tjera regjistruan vetëm rënie.
-
Gjirokastra vazhdon të mbetet qarku me numrin më të ulët të lindjeve (vetëm 74).
Këto shifra nuk janë thjesht tregues statistikorë, por pasqyrojnë një krizë të vërtetë shoqërore e ekonomike. Një popullsi që tkurret dhe plaket shpejt ka pasoja të drejtpërdrejta mbi tregun e punës, sistemin e pensioneve, shërbimet shëndetësore dhe zhvillimin ekonomik në tërësi.Megjithatë, përballë këtij realiteti të rëndë, qeveria duket e mbyllur në zonën e saj të komfortit duke shmangur prej kohësh politikat afatgjata për mbështetjen e familjes, stimulimin e lindjeve dhe frenimin e emigracionit masiv. Flitet shumë për strategji, por reagimi mbetet minimal.Shqipëria po vijon e përballet me një tkurrje të heshtur të popullsisë, ku vetëm kryeqyteti arrin të mbajë ekuilibrin, ndërsa pjesa tjetër e vendit boshatiset vit pas viti. Pyetja që shtrohet sot është e thjeshtë: deri kur do të mjaftohemi me statistika pa veprime konkrete?
