Çmimet e naftës 2026 dhe krijimi i “faktorit shtetëror”

15/03/20260

Efektet e çmimit prej naftës 2026 nuk janë “të papritura”, por pasojë e mungesës së dialogut strukturor, reagimit pas faktit dhe një vendimarrje bazuar jo mbi gjithpërfshirjen.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, më 15 mars 2026, se qeveria po finalizon krijimin e një “faktori shtetëror” për tregun e naftës, pikërisht “për shkak të kushteve të kësaj krize të papritur”. Sipas tij, ky mekanizëm do të luajë rolin e stabilizuesit, do të rrisë transparencën e çmimeve, do të garantojë furnizimin dhe do të mbështetet nga garancia sovrane, duke e quajtur këtë një “moment kthese” që plotëson një zotim të mandatit të katërt. 

Por realiteti është diçka tjetër përtej kësaj deklarimi politik.

Kriza për qeverinë është e paralajmëruar dhe as nuk duhet të prezantohet sikur vjen nga qielli. Qeveria merr shumë i informacione publike dhe jopublike dhe mbi to dhe vizionin e saj ndërron skenarët që i miraton kur vjen momenti real i krizës 

Tensionet në Ngushticën e Hormuzit, rritja e çmimeve mbi 90 dollarë për fuçi dhe goditjet zinxhir në importet tona ishin parashikuar që në vitin 2025 nga raportet e institucioneve ndërkombëtare, analiza dhe projeksione ekonomike. 

Këto studime nuk u lanë në sirtar për mungesë informacioni, por nga sa shihet ato u injoruan sepse nuk u kthyen në një dialog të strukturuar dhe gjithëpërfshirës me të gjithë aktorët brenda dhe jashtë qeverisë.

Një shembull i qartë i kësaj mungese dialogu është trajtimi që iu bë raporteve të qendrave të pavarura të analizës ekonomike. 

Në qershor 2025, një raport i tillë modeloi saktësisht tre skenarë, nga rritja modeste deri te goditja e fortë duke treguar ndikimin në inflacion, deficit tregtar dhe fuqinë blerëse. 

Megjithatë, ky input, si edhe të tjerët e ngjashëm, nuk u integrua në procesin vendimmarrës; qeveria zgjodhi të dëgjojë vetëm zërin e vet, duke e lënë sektorin privat, ekspertët dhe ekspertët civilë jashtë një tryeze reale konsultimi. 

Rezultati është pikërisht ai që po shohim sot. Masa që shpallen si “të reja” dhe “të domosdoshme” në mes të krizës, në vend që të ishin ndërtuar paraprakisht mbi ato studime dhe ato që vetë qeveria ndërton për shkak të detyrimit ligjor.

Rezervat strategjike, diversifikimi i kontratave, fondet kompensuese dhe nxitja e energjisë së ripërtëritshme duhej të ishin pjesë e një plani kombëtar që nga 2025, kur tensionet globale ishin tashmë të dukshme.

Në këtë mënyrë, sot nuk do të flisnim për “krizë të papritur”, por për një sistem që funksionon falë përgatitjes së hershme.

Kjo mungesë dialogu strukturor shpjegon edhe natyrën e “faktorit shtetëror” që po krijohet. 

Në një ekonomi si jona, plotësisht e varur nga importi i naftës dhe me një treg oligopol, ndërhyrja shtetërore me garanci sovrane nuk është kapriçioze, por një korrigjim i domosdoshëm i dështimit të tregut të pastër për të garantuar sigurinë energjetike kombëtare. 

Duke mos patur një mekanizëm stabilizues, bizneset dhe qytetarët kanë mbetur peng të spekulimeve globale, ndërsa kostot transferohen drejtpërdrejt tek konsumatori. Megjithatë, ky zgjerim i rolit të shtetit sjell një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në lirinë e tregut. Ai kufizon hapësirën e biznesit privat për të planifikuar çmimet, stokun dhe kontratat sipas logjikës së vet të fitimit, duke futur një lojtar të ri me fuqi sovrane që mund të ndikojë në konkurrencë dhe në parashikueshmërinë afatgjatë. 

Në vend që të jetë rezultat i një dialogu të hapur me importuesit, shoqatat e biznesit dhe ekspertët e jashtëm, ky “faktor” rrezikon të mbetet një instrument qendror që forcon varësinë nga vendimmarrja shtetërore, pa krijuar ato amortizatorë afatgjatë që duheshin ndërtuar bashkërisht.

Në fund të fundit, problemi nuk është se shteti po ndërhyn. 

Problemi është se po ndërhyn vonë dhe pa pasur një proces gjithëpërfshirës që do ta bënte ndërhyrjen të parashikueshme dhe të pranueshme për të gjithë. 

Studimet ekzistonin, paralajmërimet ishin të qarta, por mungesa e një dialogu të vërtetë strukturor tregoi se qeveria dëgjon vetëm zërin e vet. 

Rezultati është një krizë që mund të ishte zbutur dhe një masë shtetërore që edhe pse e nevojshme, mbart rrezikun e zgjerimit të pabalancuar të rolit publik në kurriz të parashikueshmërisë private. 

Vetëm nëse tani kthehemi në një proces të hapur konsultimi me biznesin, ekspertët dhe shoqërinë civile, ky “moment kthese” mund të bëhet fillimi i një politike energjetike reale, jo thjesht një reagim i vonuar ndaj asaj që duhej parashikuar dhe parandaluar që në 2025. 

Shqipëtarët meritojnë një qeverisje që planifikon me të gjithë, jo që reagon vetëm me zërin e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *