Ne, shqiptarët jemi mësuar ta durojmë padrejtësinë nga politika prej shumë vitesh tashmë. Madje ne jemi detyruar ta pranojmë si pjesë të normalitetit të sistemit politik dhe ekonomik që jetojmë.
Në realitetin e përditshëm kjo duket te shpirti i munguar i protestës së vazhdueshme dhe në kohë reale për mjaft shfaqje dhe veprime të papjekura apo për fakte që tregojnë mosfunksionim politik të modelit qeverisës. Reagimi paqësor dhe me argumente duket se nuk është ende një kulturë demokratike e përhapur te qytetari shqiptar, i cili në shumë raste të 3 dekadave të fundit ka pritur që situata të jetë acaruar aq shumë sa pastaj janë dashur të angazhohen burime të mëdha politike, diplomatike, financiare dhe njerëzore për të përballuar efektet që mundet të ishin parandaluar.
Por gjithsesi më mirë vonë se kurrë në lidhje me protestat aktuale, që kanë deri tani objektiva thjesht për interesin direkt të publikut. Por, dihet që protestat nëse bëhen të dhunshme[1] përtej ndikimit negativ, pasi rrisin direkt kostot për bizneset, duke ulur produktivitetin e tyre dhe me ndikim edhe në uljen e konsumit, ato kanë edhe ndikim pozitiv. Ky pozitivitet buron tek ndikimi që ato përçojnë te modeli i qeverisjes duke e kujtuar se ka ardhur koha të ndalohet politika e deritashme, pasi i ka kaluar “afati” i përdorimit.
Ajo që qytetarët i shtyn të protestojnë aktualisht është nga shkaku i rritjes së menjëhershme dhe me vlerë të madhe të çmimeve. Por nëse dëgjon me vëmendje zërin e qytetarëve dhe shikon me kujdes përbërjen e pjesëmarrësve direktë dhe përkrahësit e tyre duket se te protesta e Marsit 2022 zë një pjesë të mirë të arsyes për të protestuar edhe nga lodhja nga modeli qeverisës bazuar te kronizmi politik. Kjo lodhje është njësoj si lodhja që tregon pikën e këputjes për metalet apo në sistemin financiar.
Qytetarët janë të lodhur nga çorientimi ideologjik, politik, ekonomik dhe social.
Qeverisja aktuale, por edhe ato më përpara duket se të nisura nga nevoja për të qeverisur nëpërmjet shumëfishimit të votave jo vetëm nga besnikët e partisë nuk kanë mbajtur një bosht ideologjik. Mirëpo, orientimi ideologjik është fryma që duhet të motivojë qytetarët në përkrahjen e betejave/reformave që kanë nisur nëpër vite. Natyrshëm që qeveritë duket se reformat i kanë bërë për të qëndruar në pushtet dhe përmbushur ambicie personale/grupi, duke rënë në nivelin e një modeli qeverisje që më së shumti tregon për vlerat se sa i prodhon ato vlera dhe standarte.
Kronizmi[2] politik nga ana tjeter ka krijuar një kosto korrupsioni dhe pengimi të reformave për arsye të mungesës së aftësisë profesionale dhe integritetit moral.Ky model përtej përhapjes në lidershipin politik qeverisës është përhapur në modele të ngjashme dhe klone të modelit të madh edhe në gjithë nivelet e tjera të qeverisjes së vendit, madje edhe në kompanitë private të mëdha. Dhe produktet e këtij kronizmi janë edhe ata që sot po shfaqen me një qasje opozitarizmi pas krijimit të pakënaqësive personale. Ky grup individësh që u bënë pjesë e qeverisjeve socialiste bazuar te modeli i kronizmit tashmë shërbejnë si një nga modelet më të këqija të përgjegjshmërisë politike. Këta ish-drejtuesë të lartë politikë dhe qeverisës janë pjesë e modelit të qeverisjes jo meritokratike dhe kanë kontribuar me veprime apo mosveprime për këtë model të kontestuar nga qytetarët.
Për të mbajtur gjallë gjithë këtë model qeverisje bazuar te marketingu shikojmë se edhe tregu mediatik është pothuajse i pavarur nga modeli politik aktual, ku secila palë politike përgjegjëse prodhon marketing për veten e saj, por jo për atë çfarë nevojitet për administrimin e përgjegjshëm të vendit. Gjithë trupa e mirëpaguar e tregut mediatik me të dhënat financiare që kemi analizuar nuk arrijnë dot të dalin me fitim në asnjë media, nëse nuk do të kishin ndihmë fonde nga buxheti apo para nga jashtë biznesit mediatik.
Çorientimi është më prezent nëse nisemi nga krahasimi nga jashtë i efikasitetit të buxhetit në kohë. Për ta bërë të thjeshtë dhe më të kuptueshme për një grup të gjerë lexuesish po marrim një shembull të lidhur me numrin e forcave të armatosura që kanë qenë shpenzim buxhetor në vitret ’70 – ’80 dhe ajo situatë shpenzimesh buxhetore që është në ditët e sotme.
Për të treguar me numra forcën e buxhetit për kohë lufte mjafton të thuhet se ne vitet 70-80 Shqipëria paguante për 94.500 forca aktive, ndersa sot për vetem 10.500 forca ushtarake. Buxheti vjetor i ushtrisë shqiptare prej viteve 1980-1982 e në vijim ishte 12% – 15% të të ardhurave të buxhetit vjetor kombëtar (afër 5% e PBB-së), për çdo vit[3].
Për kuriozitet, ky numër forcash aktive prej 94.500 përkon me filozofinë e doktrinës së ushtrisë amerikane, ku përmendet se pushtuesit për të sulmuar dhe mbajtur një qeveri kukull i duhet një potencial forcash në terren në raportin 20 – 25 ushtarë për 1.000 banorë[4]. Ky raport përkon me numrin e forcave aktive të ushtrisë shqiptare para ‘90.
Dhe nëse llogaritet edhe pesha që kanë mbajtur në buxhetet e atyre periudhave edhe investimet në HEC-e, Uzinat e përpunimit të Naftës, Uzinat dhe Kombinati për prodhime municionesh dhe armësh, prodhimet për ndërtimin, për bujqësinë, si dhe investimet në profesionalizmin në edukim dhe shëndetësi. Buxheti i shtetit në ato vite i përballoi të gjitha këto shpenzime me shumë pak borxhe[5] ndaj Kinës, Rusisë, Vietnamit, Kubës e ish-Republikës së Jugosllavisë[6].
Nëse krahasimi do të bëhet me shpenzimet për ushtrinë në ditët e sotme, buxheti vjetor në 2022 është parashikuar 8.9% të buxhetit vjetor (1.75% e PBB-së), që konsiderohet në nivelet më të larta në gjithë vitet e fundit. Nëse përmendim edhe investimet krahasuese për investimet dhe shpenzimet për edukimin dhe shëndetësinë nuk ka nevojë për llogaritje për të kuptuar humbjet në efikasitet dhe vlerë që kanë sot politikat buxhetore.
Megjithatë, përtej krahasimeve duket se viti 2022 po kthehet në një rrezik edhe më të madh krize për ekonominë se sa periudha e pandemisë. Efektet ndikuese të luftës tashmë po ndikojnë me forcë të madhe dhe shumë më të fortë në rritjen e çmimeve, që për ekonominë shqiptare do të thotë shumë. Ndikimi i inflacionit është madhor pasi rritja ekonomike e vendit tonë varet gati mbi 1/3 nga ecuria e konsumit. Nëse ky konsum ulet, atëherë do të bien edhe parashikimet për rritje ekonomike pak mbi 4%. Nisur nga ky konstatim ekonomia do të ketë nevojë për skema mbështetje dhe financimi e shoqëruar me një plan masash edhe më të konsoliduar dhe të plotë se plani që u miratua për periudhën e pandemisë. Ky plan nuk mund të arrihet me krijim strukturash të reja monitoruese dhe përforcuese të institucioneve egzistuese, por për paketë gjithpërfshirëse për të zbutur në kohën e duhur efektet e sanksioneve dhe prishjes së zinxhirit të furnizimit.
Adresimi i paketës mbështetëse dhe stimuluese i bazuar në një analizë të nevojave duhet të bëhet në drejtim të:
– mbrojtjes sociale
– politikave lehtësuese fiskale dhe buxhetore për uljen e kostove për konsumatorët familjarë dhe biznese
– forcimit të administrimit fiskal dhe rritja e presionit ndaj informalitetit
– përdorimit të politikave monetare agresive duke tentuar demonetizimin dhe financimin direkt monetar në muajt në vijim.
Aktualisht ne kemi dëgjuar deklarata politike për rreziqet që e presin tregun dhe konsumatorin shqiptar në periudhat në vijim. Qeverisja duhet të fliste për rreziqe dhe skenarë të dhimbshëm për çmimet dhe mungesat e mallrave nëse do të kishte kryer gjithë detyrat e veta, reformat për sektorët dhe duke ndikuar edhe në perceptimin qytetar, se tashmë e ka mundur korrupsionin.
Nga analiza dhe studime të shumta duket se asnjë nga këto nuk është përmbushur dhe kjo e kthen gjithë qasjen aktuale të pamotivuar për të kthyer në normalitet besimin qytetar.
Nisja dhe mosmbyllja në kohë e reformave ka shkaktuar difekte të ndjeshme në motorrin e zhvillimit ekonomik. Ndërhyrja në ekonomi pa logjikë dhe analizë financiare, por thjesht bazuar mbi vendime personale apo grupi të ngushtë brenda familjes politike ka ndikuar në stopimin e konkurencës në treg, rritjen e mundësive për korrupsion politik dhe si rregull ka përfshirë edhe mundësinë e pastrimit të parasë kriminale bashkë me ato të krimit të korrupsionit.
Ndërkohë, mospërfillja e ekspertizës së shoqërisë civile, organizatave të biznesit, sindikatave e shoqëruar nga një mungesë e shtuar ndër vite e kapaciteteve drejtuese të ministrive dhe institucioneve, të paaftë për të diskutuar dhe mbajtur barrë për politikat e qeverisjes kanë prodhuar një situatë mjaft të dëmshme dhe alergjike për ekonominë.
Në momentin kur refuzimi dhe pakënaqësia me modelin qeverisës del përtej kontureve të shfryrjes momentale çdo qeveri hyn e detyruar në dialog, edhe pse është duke synuar të imponojë kushtet e veta, pasi një tërheqje mbrapa disa hapa do të ishte pranim në heshtje e politikave që nuk janë përmbushur.Nëse nuk janë bërë detyrat në kohë dhe është anashkaluar transparenca, llogaridhënia dhe nuk është pranuar gjithëpërfshirja, atëherë kjo qasje aktuale duket se nuk do të ketë efekt, pasi politikat e reja dhe masat që do të shpallen deri diku të detyruara nga presioni i protestave në përshkallëzim zënë vendin e merituar në një model të strukturuar, të koordinuar dhe funksional sipas referencës dhe kopetencave ligjore dhe jo bazuar mbi patronazhim politik në nivele të ndryshme.
Vendin dhe ekonominë nuk mund ta bëjnë dot vetëm disa individë, por e vitalizon gjithpërfshirja dhe sakrifica e motivuar nga një ideologji e caktuar e përçuar nga një lisership që ka autoritetin të udhëheqë.E gjithë kjo situatë edhe pas alarmit prej agresionit rus dhe sanksioneve ndaj saj duket se pak ka ndikuar në lançimin e politikave parandaluese për të informuar dhe motivuar njerëzit për masat e ardhme që mund të ketë planifikuar qeveria.
Qeverisja duket se i ka humbur nëpër vite këto avantazhe dhe tashmë morali politik ka skaduar. Një moral i ri, por i ndryshëm bazuar tek hapja ndaj pjesës së përgjegjshme dhe eksperte për fushën që vepron të shoqërisë civile, të organizatave për biznesin dhe sindikatave.
Është koha më e mirë për të shfryrë frymën aktuale të lidershipit duke nxitur të vërtetën. Sidoqoftë, edhe nëse do të duhet një frymë e re, ajo duhet të mos krijohet drejtpërdrejt nga një grupim që konsiderohet se është pjesë e frymës së vjetër. Çlirimi nga fryma aktuale është një detyrë për të ardhmen nga fryma që do të prodhojë klima aktuale politike globale.
[1] https://altax.al/ndikimi-ne-ekonomi-nga-protestat-me-dhune/
[2] Kronizmi është anshmëria në dhënien e pozicioneve të punës dhe avantazheve të tjera për miqtë ose kolegët e besuar, veçanërisht në politikë. Për shembull, kjo përfshin emërimin pa konkurim real të “të afërmve” politikë ose shoqërorë e familiarë në postet drejtuese të autoriteteve dhe institucioneve, pavarësisht nga kualifikimet e tyre duke qenë në kontrast me meritokracinë, në të cilën emërimet bëhen thjesht sipas kualifikimit professional. https://sq.living-in-belgium.com/nepotism-vs-cronyism-11820
[3] http://www.gazetadita.al/dy-video-ushtria-shqiptare-dikur-dhe-sot/
[4] https://www.economist.com/leaders/2022/03/12/the-stalinisation-of-russia
[5] https://www.monitor.al/100-vjet-ekonomia-shqiptare-gjate-regjimit-komunist-1945-1990/
[6] https://fjala.al/2021/06/23/si-u-pastruan-borxhet-e-komunizmit-nga-emetimi-i-eurobondit/