Pas 15 vitesh anëtarësim në aleancën e Atlantikut të Veriut, në vitin 2024 Shqipëria për herë të parë do të financojë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për sektorin e mbrojtjes, i vendosur si kusht nga NATO për vendet anëtare, kontributi i çdo shteti mori një rëndësi të veçantë pas aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë.
Nga njera anë ky buxhet tregon edhe rëndësinë e madhe që po merr edhe për Shqipërinë nevoja që të ketë një garanci më shumë duke mos qenë vetëm vend konsumator i prodhimeve luftarake, por edhe kontributor direkt dhe indirekt.
Në kontributet direkte mund të përmendim rritjen e buxhetit të shtetit për investime të ardhme 3 vjecare deri në 81 miliard lekë (780 milion Euro) nga fondet e brendshme të buxhetit dhe 47.9 miliardë lekë (465 milionë Euro) nga fondet e huaja, pra total 129 miliard lekë investime kapitale (1.2 miliardë Euro).
Investimet do të adresohen për infrastrukturë dhe logjistikë komunikimi, modernizim për armatim të lehtë, municione dhe makineri e paisje e mjete transporti luftarake që përkojnë me modernizimin e inventareve të mbrojtjes dhe sigurisë.
Der më sot, investimet në këtë drejtim kanë qenë dukshëm më pak se 1/3 e këtyre vlerave dhe në tërësi kanë shkuar për emergjencat civile dhe furnizimin me mjete luftarake dhe ndihmëse ajrore (helikopterët Cougar). Megjithatë, mënyra se si i është qasur tregut dhe në tërësi eficienca e dobët e mjeteve në dispozicion, nëse nisemi nga konstatimet e raportit të KLSH 2022 vërehet nevoja për një qasje më të koordinuar të burimeve financiare me kapacitetet në dispozicion.
Kontributi indirekt, ku përfshihet edhe përfitimi ekonomik zonal është riformatimi i bazës ajrore të Kuçovës, si dhe aktivizimi me shumë gjasa i të tjera ish-bazave luftarake të të kaluarës.
Shpenzimet Ushtarake në Shqipëri u rritën në 288.70 milionë USD në 2022 nga 222.80 milionë USD në 2021. Shpenzimet ushtarake në Shqipëri ishin mesatarisht 82.39 milionë USD nga viti 1975 deri në vitin 2022, duke arritur nivelin më të lartë të historisë prej 288.70 milionë në 2022 dhe 20 milionë USD në vitin 1976. Ndërkohë edhe në vitet 200 -2010 shpenzimet për mbrojtjen janë në nivele minimale në raport me kërkesat si vend anëtar i NATO-s[1].
Në një renditje të fuqisë ushtarake për vendet e rajonit, Shqipëria është në vendin e 90-të[2], Maqedonia e Veriut në vendin e 110-të, Bosnja dhe Hercegovina në vendin e 116-të dhe Mali i Zi në vendin e 129-të. Renditja e fuqisë ushtarake bazohet në mbi 60 faktorë, duke përfshirë numrin e ushtarëve, pajisjet ushtarake, stabilitetin financiar, pozicionin gjeografik dhe burimet e disponueshme.
Shqipëria ka një personel aktiv prej 6.600 forca të armatosura dhe një buxhet për vitin 2024 në nivelin e 514 milionë US.D.
Por, nëse i referohemi Indeksit të Integritetit të mbrojtjes për Shqipërinë, viti 2020 duket se Shqipëria ka një rrisk të lartë operacional dhe në prokurime publike dhe një rrisk të ulët në personel dhe atë politik.
Vlen të veçojmë në këtë rast citimin se “Pavarësisht kësaj (masave të marra për prokurimet), prokurimi i mbrojtjes mbetet i mbuluar në fshehtësi, edhe në kohën e rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen dhe investimeve në harduer dhe pajisje”. Ky fakt e ka bërë të pamundur edhe për ne që të kemi të dhëna të plota dhe të mundura për të arritur në një analizë më të detajuar të gjithë problematikave të inventarit të mbrojtjes.
Në kuadër të masave që po merren duket se tashmë përtej investimeve kapitale nga buxheti në takimin me rastin e Samitit për Sigurinë në fund Shkurti 2024 është deklaruar dhe bërë thirrje nga Ministri i Mbrojtjes edhe hapjen e tregut të prodhimit të municioneve luftarake për investitorë privatë, si një hap drejt krijimit të një tradite që nuk egziston në vend.
Kështu, nëse nisemi nga nevojat e tregut kjo është evidente nga vetë kërkesa për fonde private për zhvillimin e një sektori prodhimi të shkatërruar në vitin 1997[3], kryesisht nga vullneti i politikës, ku ky rast më i fundit si dhe ai që pasoi me tragjedinë e Gërdecit ekspozoi potencialin e madh të armatimeve të lehta të prodhuara para viteve ’90 dhe që nuk u kthye dot asnjëherë në përfitim për ekonominë e vendit.
Hapja ndaj partneritetit me sektorin privat, në kushtet dhe standartet specifike që krijon tregu i garantuar i armatimit dhe logjistikës ushtarake mund të jetë një partneritet që drejton dhe mobilizon burimet në një formë dhe model që mundet të garantojë sukses për investitorët, por edhe për përmbushjen e objektivave për rritjen e kapaciteteve prodhuese të paisjeve dhe municioneve luftarake, bashkë me logjistikën dhe infrastrukturën e nevojshme për mbrojtjen.
P.sh. një biznes vendas mund të ketë disa partnerë që janë mekanikë të shkëlqyer, ndërsa partnerët e tjerë mund të kenë aftësi të shkëlqyera inxhinierike. Partnerët mund të ndajnë ngarkesën e punës dhe përgjegjësinë e biznesit mes tyre, por edhe të rritin efektivitetin e partneritetit publik dhe privat.
Në këtë simbiozë mes palëve mundësohet që të përfitohet nga ekspertiza e sektorit privat si dhe të ndahen burimet dhe njohuritë. Kjo krijon një mjedis ku të dy entitetet mund të zhvillojnë strategji dhe zgjidhje më të mira për të luftuar kërcënimet e natyrave të ndryshme deri në ato në nivel kibernetike që përbëjnë kërcënimin më të fortë të sigurisë së mbrojtjes së shtetit shqiptar.
[1] https://ndiqparate.al/?p=6318
[2] https://www.globalfirepower.com/country-military-strength-detail.php?country_id=albania
[3] Gjatë epokës komuniste, Shqipëria grumbulloi rezerva masive armësh, municionesh dhe eksplozivësh në përputhje me strategjinë e saj të sigurisë kombëtare. Këto stoqe u grabitën në vitin 1997 pasi kriza politike dhe ekonomike çoi në trazira popullore, si dhe në vitet në vijim me kulmimin e tragjedisë së Gërdecit.