
Demokracia me dy fytyra apo ajo që garantohet në ligj dhe ajo që po ndodh në praktikë.
Në leximin formal, vizitat e Kryeministrit në bashkitë si Vlora, Durrësi apo Fier mund të konsiderohen pjesë e angazhimit qeveritar për të ndjekur zhvillimet në territor. Por kur këto vizita shoqërohen me mesazhe për “ritëm të ulët”, paralajmërime për “ndryshime të afërta” dhe kritika të hapura ndaj drejtimit vendor, ato e kalojnë funksionin kushtetues dhe hyjnë në zonën e presionit politik të paformalizuar, duke rrënuar parimin e autonomisë vendore.
Në një sistem ku kryetarët e bashkive zgjidhen nga qytetarët, por karriera e tyre varet nga aprovimi i lidershipit qendror, vota e drejtpërdrejtë kthehet në një mjet formal që nuk garanton pavarësi funksionale, por bindje vertikale.
Ligji dhe fiksioni i vetëqeverisjes, kushtetuta nuk mjafton.
Sipas Ligjit, pushteti vendor ka kompetenca të qarta dhe kryetarët e bashkive janë autoriteti më i lartë lokal, të zgjedhur nga qytetarët. Kryeministri nuk ka tagër për t’i shkarkuar, udhëzuar apo urdhëruar dhe çdo ndërhyrje duhet të ndodhë përmes mekanizmave institucionale si auditimi, inspektimi apo drejtësia administrative.Por në realitet, autonomia e bashkive është e varur nga dy faktorë të mëdhenj:
– Varësia buxhetore nga fondet qendrore, pra bashkitë nuk kanë kapacitet real për të gjeneruar të ardhura të mjaftueshme dhe varen nga grantet dhe programet e deleguara.
– Kapja përmes strukturës partiake, ku kandidimi dhe mbijetesa politike në nivel lokal kontrollohen nga lidershipi qendror i partisë.Në këtë kuadër, autonomia është një formë legale pa përmbajtje reale, një dekor institucional që e mbulon kontrollin e centralizuar politik.
Politika po përdoret si instrument kontrolli mbi institucionet vendore.
Vizitat e Kryeministrit shërbejnë më shumë si rituale të bindjes politike në atë që mund të quhet edhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhme vendore. Këto qasje që po shkelin ato që nuk shkelen, ligji dhe llogaridhënia para votuesve po zëvendësohen dhe po konsiderohen në heshtjen abormale si demokraci e brendshme partiake.Në vend që kryetarët të japin llogari para qytetarëve përmes këshillave bashkiake apo votës, ata i përgjigjen një logjike vertikale ku prioritet është bindja politike, jo performanca e matshme.Përdorimi i vizitave për të sinjalizuar “ndëshkime” ose për të paralajmëruar ndryshime në staf, drejtorë ose drejtim strategjik, minon ndarjen e pushteteve dhe vë në pikëpyetje integritetin e qeverisjes vendore.Kjo praktikë konverton institucionin e zgjedhur vendor në një zgjatim të strukturës partiake, ku qytetari nuk është më sovran, por spektator i një marrëdhënieje lojaliteti politik.
Varësia ekonomike dhe format e reja të ndërhyrjes dhe qeveria si “menaxhere e hapësirës publike”.
Së fundmi, ndërhyrjet e qeverisë në hapësirat publike të pushtetit vendor dhe aktivitetin e bizneseve lokale, përmes urdhrave për prishje masive të ndërtimeve pa konsultim publik dhe pa standard të qartë kanë thelluar ndjesinë e një pushteti arbitrar.
Pa transparencë,
Pa dialog institucional me njësinë vendore,
Pa vlerësime impakti ekonomik, dhe mbi të gjitha,
Pa asnjë përgjegjësi të mbartur ndaj sipërmarrjes apo qytetarit,
këto aksione minojnë rëndë jo vetëm autonominë vendore, por edhe lirinë ekonomike dhe të drejtën e pronësisë së ligjshme. Në emër të një “rigoroziteti teknik”, vendimmarrja kthehet në zhbërje autoritare, me pasoja të drejtpërdrejta për jetën dhe të ardhurat e mijëra qytetarëve e bizneseve.
Kjo nuk është më vetëm një çështje e marrëdhënieve qeveri-bashki, por një kërcënim ndaj vetë rendit ligjor dhe sigurisë ekonomike në vend.Perspektiva evropiane dhe krahasimet rajonale e prezantojnë Shqipërinë jashtë skemës së ndarjes së pushteteve
Bashkimi Evropian ka kërkuar në mënyrë të përsëritur që Shqipëria të forcojë decentralizimin dhe të garantojë ndarje funksionale dhe financiare të pushtetit lokal.
Por praktika e deritanishme tregon:- Ndërhyrje joformale nga qendra në territor;- Mungesë transparence në vendime që ndikojnë komunitetet dhe bizneset;- Zëvendësim të mekanizmave të kontrollit demokratik me logjikë partie dhe klientelizmi.Në vendet e rajonit si Kroacia apo Mali i Zi, qeveria nuk ka të drejtë të ndërhyjë në vendimet lokale për përmbajtje administrative, aq më pak të prishë struktura pa një vendim të prerë gjyqësor ose të institucioneve të pavarura.
Demokraci me votë, por pa garanci.Deklarata se “kryetarët janë të zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë” është e vërtetë vetëm në formë.
Në përmbajtje, ata janë të kushtëzuar nga një sistem ku mbijetesa politike varet nga qendra, dhe ku vota nuk prodhon pavarësi, por detyrim politik.Kombinimi i ndërhyrjeve të Kryeministrit, strukturës së centralizuar të financave, dhe së fundmi aksioneve të njëanshme kundër sipërmarrjes dhe hapësirës publike, po e zhvesh modelin e vetëqeverisjes vendore nga çdo substancë.Shqipëria nuk mund të ketë një sistem ku autonomia është deklarative, ndërsa vendimmarrja është totalisht e përqendruar.
Demokracia kërkon jo vetëm votë, por garanci funksionale për ata që zgjidhen dhe për qytetarët që u japin atyre besimin.
