
A mund të arrijë Shqipëria 1 miliard € eksporte bujqësore deri në 2030?
Në fund të vitit 2025, Shqipëria eksporton produkte bujqësore me një vlerë prej 55.9 miliard lekësh, ose rreth 582 milion €. Kryeministri Rama deklaron se “Ne besojnë fort se objektivi ynë për t’i çuar eksportet e këtij vendi të vogël në 1 miliard euro është brenda mundësisë sonë”.
Nga një analizë paraprake, objektivi i deklaruar, 1 miliard € brenda pesë viteve duket ambicioz, por jo i pamundur. Megjithatë, ai kërkon një kthesë radikale në strukturën e sektorit, jo thjesht një rritje lineare të asaj që bëhet sot.

Ashtu si shihet edhe nga grafiku, hendeku është brutal me 418 milion € shtesë në vetëm 5 vite. Dhe kjo nuk është rritje lineare, por një kthesë e papritur që kërkon mesatarisht 11.4% rritje vjetore.
Pra ajo që kërkohet për arritjen e këtij objektivi është se nuk vazhdojmë dot gjatë 2026 e 4 vite më pas tij si deri më sot, pasi përndryshe hendeku do të mbetet i pambyllur.
Por nëse arrijmë ta mbushim këtë hendek me vlerë të shtuar (jo vetëm sasi), atëherë kolona e gjelbër nuk është ëndërr, por objektiv i arritshëm.
Objektivi 1 miliard € produkte bujqësore nuk është thjesht një target aritmetik, por një provë për të gjithë modelin ekonomik shqiptar.
Sipas të dhënave të fundit të llogarive kombëtare, bujqësia gjeneron rreth 389 miliard lekë vlerë të shtuar në vitin 2024, duke përbërë 15.45% të PBB-së, në rënie nga 16.27% një vit më parë. Më e rëndësishmja, sektori ka shënuar tkurrje reale prej -2%, duke dhënë një kontribut negativ në rritjen ekonomike (-0.32 pikë përqindje).
Në të njëjtën kohë, industria përpunuese ka rënë me -3.65%, ndërsa rritja ekonomike është mbështetur kryesisht nga ndërtimi, tregtia dhe shërbimet.
Tendeca e sektorit bujqësor tregon një rënie të vazhdueshme, të pamëshirshme. Duke ju referuar edhe grafikut më lart rënia fillon nga 19.99% në 2014, në 19.78% në 2015, 18.39% në 2019 dhe vetëm 15.45% në 2024. Kjo është një kurbë blu që bie në mënyrë të qëndrueshme, pa asnjë shenjë kthese.
Argumenti është i fortë dhe tregon se bujqësia po humbet peshën e saj relative në ekonomi, edhe pse ekonomia në tërësi po rritet.
Kjo dëshmi të dhënash direkte tregon qartë se sektori po tkurret në rëndësi strategjike.
Në kushte të tilla, mbetet për tu qartësuar nga qeveria mbi ndërhyrjet radikale, që bujqësia të mund bëhet një rast shembull i eksporteve.
Nëse shikojmë tendencën e vlerës absolute të sektorit bujqësor për periudhat 2014-2024 shohim kontradiktën klasike të ekonomisë shqiptare, ku vlera absolute rritet (nga 278.924 miliardë lekë në 2014 në 389.051 miliardë lekë në 2024), por pjesa në PBB bie.

Të ardhurat bëhen më të larta, por konteksti tregon se kjo rritje vjen kryesisht nga inflacioni dhe jo nga produktiviteti real. Grafiku e bën të qartë, se bujqësia po “rritet” në lekë, por po tkurret në fuqi ekonomike.
Kjo është arsyeja pse objektivi i eksporteve duket i pamundur nëse mbështetemi vetëm te prodhimi i tanishëm. Duhet të dalim nga ky model “më shumë të njëjtën gjë” dhe të kalojmë në model “më pak sasi, shumë më shumë vlerë”.
Nëse Shqipëria do të tentonte ta arrinte këtë objektiv vetëm përmes rritjes së volumit, sfida bëhet pothuajse e pakapërcyeshme. Me një çmim mesatar eksporti për produkte bujqësore që luhatet rreth 400–700 € për ton, kalimi nga 582 milion € në 1 miliard € do të kërkonte një rritje të volumit me rreth 70%.
Kjo përplaset drejtpërdrejt me kufizimet strukturore, nga sipërfaqe të kufizuara toke, fragmentim të fermave e deri te produktiviteti i ulët.
Me fjalë të tjera, Shqipëria nuk mund të eksportojë më shumë duke bërë të njëjtën gjë që bën sot.
Rruga e vetme realiste është rritja e vlerës për njësi produkti.
Një ilustrim i thjeshtë e bën këtë të qartë.
Nëse një ton domate eksportohet për rreth 500 €, i njëjti produkt i përpunuar në formë salce mund të arrijë 1,200–1,500 € për ton ekuivalent. Kjo do të thotë se, pa rritur ndjeshëm prodhimin fizik, vlera e eksporteve mund të dyfishohet apo edhe trefishohet.
Duke ndjekur këtë logjikë, objektivi prej 1 miliard € bëhet i analizueshëm në terma konkretë. Nëse rreth 25–30% e eksporteve aktuale kalojnë nga produkte të freskëta në produkte të përpunuara, kjo mund të gjenerojë një rritje prej 150–200 milion €. Në të njëjtën kohë, rritja e produktivitetit përmes investimeve në sera, ujitje dhe mekanizim në një sektor që aktualisht është në tkurrje mund të sjellë një shtesë prej 100–150 milion €.
Siç sugjeron edhe logjika e paraqitur në analizë, arritja e objektivit prej 1 miliard € eksporte bujqësore deri në vitin 2030 nuk vjen nga një burim i vetëm, por nga një kombinim ndërhyrjesh që rrisin vlerën dhe eficiencën e sektorit. Pesha kryesore pritet të vijë nga kalimi drejt produkteve të përpunuara, që mund të gjenerojnë rreth 175 milion € shtesë, duke reflektuar zhvendosjen nga eksporti i lëndës së parë drejt produkteve me vlerë më të lartë.
Në të njëjtën linjë, rritja e produktivitetit përmes investimeve në teknologji dhe infrastrukturë bujqësore mund të shtojë rreth 125 milion €. Ndërsa orientimi drejt produkteve me vlerë të lartë, si ato cilësore, bio apo të certifikuara kontribuon me rreth 100 milion €. Paralelisht, përmirësimi i zinxhirit të furnizimit dhe reduktimi i humbjeve pas korrjes mund të rikuperojë edhe 65 milion €, duke kthyer në vlerë një pjesë të prodhimit që sot humbet.
Së fundmi, zgjerimi i tregjeve dhe diversifikimi i destinacioneve të eksportit mund të sjellë rreth 60 milion € të tjera. Në tërësi, këto drejtime formojnë një rrugë të integruar transformimi, ku rritja e eksporteve mbështetet jo te sasia, por te rritja e vlerës, eficienca dhe orientimi strategjik i sektorit.
Totali i mundshëm arrin lehtësisht mbi 525 milion €, pra mbulon plotësisht dhe me tepricë hendekun 418 milion €. Kjo qasje nuk është abstrake, por një hartë rruge konkrete, që tregon se objektivi nuk kërkon magji, por vetëm të zbatohen këto pesë leva njëkohësisht. Pra, në terma ekonomikë, objektivi është i realizueshëm, por vetëm nëse ndryshon struktura e sektorit.
Në kushtet kur industria përpunuese është në rënie dhe konkurrenca në çmim është e fortë, diferencimi bëhet rruga më logjike. Produkte si vaji i ullirit cilësor, produktet bio apo ato tradicionale të certifikuara mund të shtojnë 80–120 milion € në eksporte. Po kështu, reduktimi i humbjeve pas korrjes, që sot mbeten të konsiderueshme për shkak të mungesës së magazinimit dhe zinxhirit të ftohtë mund të rikuperojë edhe 50–80 milion €. Së fundi, zgjerimi i tregjeve përtej fokusit aktual mund të kontribuojë me 50–70 milion € të tjera.
Në këtë pikë, objektivat e shpallura nga qeveria për periudhën deri në vitin 2030 përputhen në drejtim me këtë logjikë transformimi. Synimi për modernizimin e sektorit, rritjen e eksporteve në 1 miliard €, ndërtimin e qendrave të përpunimit, zgjerimin e serrave, zhvillimin e akuakulturës, si dhe investimet në ujitje, digjitalizim dhe siguri ushqimore, përbëjnë një bazë të rëndësishme për ndryshimin e modelit ekzistues.
Megjithatë, sfida nuk qëndron te formulimi i objektivave, por te zbatimi i tyre i koordinuar dhe me fokus te vlera e shtuar. Pa një orientim të qartë drejt përpunimit, diferencimit dhe lidhjes me tregjet ndërkombëtare, ekziston rreziku që këto politika të mbeten në nivel deklarativ.

Grafiku tregon dy rrugë të qarta, ku linja e kuqe (skenar baze ~4% rritje vjetore) arrin vetëm 708 milion € në 2030 dhe shumë poshtë objektivit.
Nëse vazhdojmë trendin e sotëm, grafiku i vlerës së shtuar dhe skenari bazë në grafiku 5 tregojnë se me 3–5% rritje vjetore do të mbetemi nën 750 milion €.
Në këtë skenar, dështimi i objektivit nuk vjen nga mungesa e potencialit, por nga orientimi i ekonomisë, ku kapitali dhe rritja vazhdojnë të përqendrohen në ndërtim dhe shërbime, ndërsa prodhimi mbetet në periferi.
Linja e gjelbër (skenar objektiv ~11.4% rritje) arrin në lartësi shumë më të mëdha, duke ilustruar se vetëm me një kthesë të fortë mund të arrijmë 1 miliard €.
Mesazhi është i qartë, që pa ndryshim strukturor, mbetemi në skenarin bazë dhe dështojmë.
Ky skenar është i arritshëm, por vetëm nëse zbatohet plotësisht plani i grafikut të burimeve potenciale.
Me mobilizim të burimeve, investime nga fondet europiane (IPARD, IPA), partneritete publiko-private dhe një strategji kombëtare 2026–2030 që i jep prioritet përpunimit dhe produkteve me vlerë të lartë, 1 miliard € nuk është dhe këto 4 vite ëndërr e përsëritur, por detyrë e realizueshme.
Potenciali ekziston, hendeku mund të mbyllet.
Rruga e ndërmjetme, e cila duhet të synojë 850–900 milion € deri në 2030 duket më reale si target realistik dhe i menaxhueshëm. Kjo do të thotë të arrijmë 60–70% të burimeve potenciale të grafikut 4 (p.sh. 100–120 milion € nga përpunimi, 80 milion € nga produktiviteti, etj.). Kjo rrugë e mesme na lejon të testojmë modelin e ri pa rrezikuar dështim total, të tërheqim investitorë privatë dhe të krijojmë një momentum që mund të çojë natyrshëm drejt 1 miliard € pas 2030. Është një objektiv i mençur dhe ambicioz, por i bazuar në realitetin e situatës aktualeve dhe projeksionit të reformimit me probleme në zbatim.
Në fund, çështja nuk është nëse bujqësia shqiptare mund të prodhojë më shumë, por nëse mund të prodhojë më mirë. Bujqësia nuk duhet të zgjerohet si peshë në ekonomi, por më së pari duhet të transformohet në një sektor me produktivitet më të lartë, me më shumë përpunim dhe me orientim të qartë drejt tregut ndërkombëtar.
Ky transformim kërkon politika konkrete, si: investime në sera, zinxhir të ftohtë, certifikim bio, subvencionim për përpunim dhe marrëveshje tregtare të reja.
Me një mobilizim të tillë burimesh dhe kapacitetesh si dhe të mbështetura nga financimet e nevojshme dhe politikat e përshtatura 1 miliard € nuk do të një objektiv i largët. Përndryshe, nëse kjo vijon të jetë retorikë politike, besojmë se do të mbetet një ambicie që bie ndesh me vetë strukturën aktuale të ekonomisë shqiptare.
