A është vërtet Shqipëria “e para në rajon” në prokurimet publike?

12/12/20250

Kur Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është “e para në Ballkanin Perëndimor” për modernizimin dhe integritetin e sistemit të prokurimeve publike, kjo nuk ishte thjesht një frazë retorike, por një pretendim i mbështetur në një dokument ndërkombëtar të rëndësishëm, Raportin e SIGMA-s 2024, të publikuar nga OECD dhe Bashkimi Europian.
Ky raport, i cili vazhdon të jetë referenca kryesore edhe në fund të vitit 2025, vlerëson performancën e Shqipërisë si më të mirën në rajon për komponentët kryesorë të menaxhimit financiar publik, duke përfshirë prokurimet.
Megjithatë, lidershipi relativ në një rajon me sfida të ngjashme nuk e bën automatikisht Shqipërinë një model evropian.
Kjo analizë, e bazuar në fakte të verifikuara nga raportet e SIGMA-s, Komisionit Europian, Transparency International dhe Bankës Botërore, eksploron nuancat.
Po natyrisht që ka një përparim formal impresionues, por ka edhe një realitet praktik ende të mbushur me boshllëqe, ku modernizimi teknologjik përplaset me pengesat e integritetit.
Qasja jonë është realiste, jo triumfaliste, por as pesimiste duke peshuar argumentet pro dhe kundër për të nxjerrë një bilanc të matur.

Çfarë thonë realisht faktet?
Faktet bazë nuk lënë hapësirë për dyshime. Raporti SIGMA 2024, i konfirmuar edhe në deklaratat e fundit të Kryeministrit në dhjetor 2025, pozicionon Shqipërinë si lider rajonal në prokurime publike.
Midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnjë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Serbi), Shqipëria del më e mira në indikatorë si (a) cilësia e ligjit të prokurimeve, përafrimi me direktivat e BE-së (2014/24/BE dhe 2014/25/BE), (b) transparenca e të dhënave dhe (c) funksionimi i organeve mbikëqyrëse si Komisioni i Prokurimeve Publike (PPC).
Për shembull, Ligji i Prokurimeve Publike (PPL) është harmonizuar pothuajse plotësisht me standardet evropiane, e-prokurimi është operacional që nga 2009, si një avantazh i hershëm krahasuar me rajonin dhe Operatori i Blerjeve të Përqendruara (CPO) ka standardizuar procedurat, duke ulur numrin e ankesave në gjykatë me mbi 50% krahasuar me vitet e mëparshme.
Këto arritje nuk janë abstrakte, pasi ato reflektohen në Raportin e Komisionit Europian për 2025, i cili vlerëson Shqipërinë si “në mënyrë të moderuar të përgatitur” me “progres të kufizuar, por të qëndrueshëm”.
Në këtë kuptim, deklarata e Ramës ka një bazë të fortë faktike.
Shqipëria nuk është thjesht “e mira e grupit”, por ka ndërtuar një arkitekturë që e dallon nga fqinjët, duke e bërë atë një pikë referimi për negociatat e integrimit evropian.

Por, Shqipëria kryeson rajonin… në pjesën dokumentare (forma jo substanca).
Ky lidership formal shpjegohet me investimet e hershme dhe të vazhdueshme. Amendimet e PPL-së në 2024 kanë forcuar transparencën dhe përdorimin e mjeteve dixhitale, ndërsa CPO ka trajnuar mbi 1,000 ekspertë, duke reduktuar gabimet procedurale. Banka Botërore, në raportin e saj të marsit 2025, thekson se këto reforma kanë rritur konkurrencën, duke ulur çmimet mesatare të tenderave me 15%. Por, siç nënvizon vetë SIGMA, këto janë “tregues të kornizës ligjore dhe institucionale”, jo domosdoshmërisht të zbatimit të përditshëm. Është si një ndërtesë e bukur me themele të forta, por me dyer ende të pashmangshme për hyrje të paautorizuara.

Ku fillon hendeku mes ligjit dhe realitetit?
Hendeku mes formës dhe substancës fillon aty ku ligji takon jetën e përditshme, në perceptimet dhe praktikat e korrupsionit.
Edhe pse raporti SIGMA lavdëron kornizën, ai vetë evidenton se 70% e bizneseve shqiptare besojnë se tenderat favorsin ofertues specifikë, një shifër e lartë krahasuar me mesataren rajonale.
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) i Transparency International për 2025, i publikuar në shkurt jep një pamje të qartë. Shqipëria ka nivelin e pikëve 42/100 (përmirësim me +5 pikë nga 37 në 2024), duke u renditur e 80-ta në botë, por ende larg mesatares së BE-së (64/100). Ky përmirësim është pozitiv, por perceptimi i lartë i korrupsionit në prokurime, sektori më i rrezikuar sipas BIRN dhe Balkan Barometer tregon se 1 në 4 qytetarë ka dhënë ryshfet për shërbime publike (Gallup 2024). Më tej, 95% e tenderave të ndjeshëm fitohet me çmime afër vlerës tavan, një shenjë klasike e koordinimit paraprak.
Argumenti këtu është i thjeshtë. Një ligj i mirë nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me besim. Hendeku kyç është mungesa e zbatimit të plotë, ku reformat ligjore nuk kanë arritur të ndryshojnë ende dinamikat e klientelizmit politik.
Pra, perceptimet e korrupsionit mbeten shumë të larta. Këto perceptime nuk janë subjective, pasi mbështeten në të dhëna empirike. Për shembull, raporti i Komisionit Europian 2025 thekson se, pavarësisht uljes së ankesave në PPC (nga 60 në 30 ditë kohë trajtimi), PPP-të (partneritetet publike-private) mbeten fusha e rrezikshme, me dyshime për abuzime të mëdha. Kjo krijon një narrativë kontradiktore, ku formalisht lidere, por në praktikë, Shqipëria mbetet ndër vendet më të korruptuara në Evropë për tendera, duke penguar jo vetëm besimin e brendshëm, por edhe fondet e IPA-së nga BE-ja.

Modernizimi vs integriteti dhe e vërteta në mes
Modernizimi dhe integriteti ecin si dy binome paralele në një rrugë të pabarabartë, ku njëra ka avancuar me hapa të mëdhenj, tjetra po ngec. Nga njëra anë, modernizimi është i pamohueshëm, pasi e-prokurimi ka rritur transparencën e njoftimeve, CPO ka ulur procedurat e paplanifikuara me 20%, dhe koha e ankesave është përgjysmuar, siç raporton SIGMA. Banka Botërore, në financimin e saj prej 80 milionë dollarësh të marsit 2025, lavdëron këto hapa si bazë për “efikasitet të ri” në prokurime.
Nga ana tjetër, integriteti mbetet i dobët. Komisioni Europian e kategorizon Shqipërinë si “me progres të kufizuar”, duke theksuar korrupsionin strukturor në tenderat e mëdha. Argumenti analitik është se modernizimi ka krijuar mjete të forta, por pa një kulturë të fortë etike, ato nuk garantojnë pastërtinë. Pra është si të kesh një makinë të shpejtë në një rrugë të mbushur me gropa.
Modernizimi është real dhe i ndjeshëm. Fakte si rritja 40% e aplikimeve në e-Albania deri në mes të 2025-s (World Bank) dhe ulja e çmimeve me 15% tregojnë se modernizimi po jep fryte të matshme, duke e bërë Shqipërinë një shembull për rajonin në dixhitalizim.
Por, integriteti mbetet i dobët edhe pse ka përmirësim. Megjithatë, zbatimi i rekomandimeve të auditimeve është vetëm 60% dhe perceptimi i favorizimeve politike mbetet i lartë, duke e bërë integritetin një sfidë të vazhdueshme, jo një arritje të konsoliduar.

Roli i AI (“Diella”) duket ende jo inovacion, por iluzion
Integrimi i “Diellës”, e emëruar nga Kryeministri Rama si ministre virtuale në shtator 2025 është kulmi i modernizimit, një hap guximtar që premton automatizimin e 80-90% të procesit të prokurimeve, duke ulur ndikimin njerëzor dhe duke rritur auditueshmërinë.
Kryeministri Rama e ka promovuar si “100% pa korrupsion” dhe fakti se Diella tashmë ndihmon në draftimin e termave të referencës dhe verifikimin e dokumenteve tregon potencial real për efikasitet. World Bank e mbështet këtë në programin e saj GovTech, duke parashikuar kursime ekonomike dhe transparencë më të lartë.
Por iluzioni lind nga rreziqet.
Algoritmet nuk janë publike, datat e trajnimit mund të kenë tendencë korruptimi të tyre dhe manipulimi në fazat fillestare (specifikimet teknike) mbetet i mundshëm, siç kritikojnë analistët në Tech Policy Press. Pa auditim të pavarur nga BE/OECD, i cili ende nuk është finalizuar deri në dhjetor 2025, Diella është më shumë një eksperiment inovativ sesa një zgjidhje e provuar, duke e kthyer atë në një mundësi të madhe, por të rrezikshme.

Sa efektive janë reformat?
Efektiviteti i reformave është i pjesshëm, si një gotë gjysmë e mbushur.
Janë pozitive në aspektet operative, por të kufizuara në thellësi.
Elementet pozitive përfshijnë reduktimin e procedurave të reja me 20%, rritjen e transparencës në njoftime dhe profesionalizimin në CPO, ku trajnimet kanë ulur ndërhyrjet e nivelit të ulët. Sipas World Bank-ut në korrik 2025 këto kanë rritur përdorimin e e-Albania-s me 40%, duke e bërë sistemin më efikas.
Por elementet negative zbulojnë kufizimet.
Manipulimi është zhvendosur në fazat e paracaktuara dhe konkurrenca është shpesh nominale (me tendera të vetme). Implementimi i auditimeve mbetet në nivelin 60%.
PPP-të vazhdojnë të jenë pika e nxehtë e korrupsionit dhe perceptimet e bizneseve nuk kanë ndryshuar ndjeshëm.
Argumenti është se reformat kanë transformuar sipërfaqen duke e bërë sistemin më të shpejtë dhe dixhital, por nuk kanë tharë rrënjët e korrupsionit strukturor, duke e lënë efektivitetin si një progres gradual, jo revolucionar.

Kosto – Përfitimi, një vlerësimi i ftohtë
Bilanci kosto-përfitim matet me investime të mëdha që po japin kthim gradual. Kostot përfshijnë 2.6 milionë euro për IT dhe AI (2023-2025), plus trajnime për mbi 1,000 ekspertë dhe barrën administrative të CPO-së (10-15% e buxhetit vjetor prej 1.2 miliardë euro).
Integrimi i Diellës mund të shtojë mbi 1 milion euro për audit të jashtëm. Përfitimet, nga ana tjetër, janë të dukshme me ulje 20-30% e kohës së procedurave, kursime 15% nga konkurrenca (World Bank) dhe reduktim potencial i humbjeve nga korrupsioni (5-10% e tenderave, deri 120 milionë euro/vit).
Për më tepër, këto kontribuojnë në përafrimin me BE-në, duke hapur fonde IPA. Afatgjatë, bilanc i pozitiv (+20-30% vlerë e shtuar), por ende larg përfitimeve më të mëdha se kostot. Kostot fillestare peshojnë ende më shumë dhe përfitimet varen nga zbatimi i plotë, duke e bërë atë një bast që duhet të llogaritet ende për ta fituar duke konsideruar efikasitetin e ardhshëm.

Parashikimi 2026–2030 me tre skenarë realistë
E ardhmja e prokurimeve shqiptare varet nga balanca midis teknologjisë dhe vullnetit politik, duke krijuar tre skenarë të mundshëm.
skenarin optimist (BE-driven), auditimi i Diellës nga OECD siguron transparencë, PPC-ja bëhet plotësisht e pavarur, dhe CPI arrin 50-55/100, duke e kthyer Shqipërinë në laborator rajonal për AI në qeverisë, i mbështetur nga programi GovTech i World Bank-ut deri në 2029.
Skenari realist (më i mundshmi) parashikon përparim gradual, ku korrupsioni zvogëlohet me 10-15%, përputhshmëria me BE rritet, por pengesat politike ngadalësojnë besimin e bizneseve, me CPI rreth 45-48.
Në skenarin pesimist (politizim + risk teknologjik), Diella kthehet në mjet të centralizuar pa transparencë, monopol influencash në CPO thellohet, dhe CPI mbetet nën 45, duke thelluar hendekun mes ligjit dhe praktikës. Argumenti parashikues është se suksesi do të vijë nga depolitizimi, jo vetëm nga tech – një ekuilibër i brishtë, por i arritshëm me monitorim të jashtëm.

A e mbështesin faktet deklaratën e Kryeministrit?
Faktet e mbështesin deklaratën në formë, por e sfidojnë në substancë me një “po dhe jo apo P/JO” që reflekton kompleksitetin e reformave.
Po-ja është sepse Shqipëria ka sistemet formale më të modernizuara në rajon, legjislacionin më të përafruar me BE-në, e-prokurim më të konsoliduar dhe CPO më operacional, siç konfirmon SIGMA 2024 dhe deklaratat e dhjetorit 2025.
Jo-ja është sepse modernizimi nuk barazohet me integritetin, ku perceptimi i korrupsionit (CPI 42/100) është ndër më të lartit në Evropë, tenderat problematikë me konkurrencë të ulët mbeten strukturorë dhe AI-ja si Diella është inovative, por ende e paprovuar në luftën reale kundër abuzimeve.
Deklarata është e saktë si vlerësim teknik, por e tepruar si narrativë triumfale.
Shqipëria është e para në bazë të strukturës, por jo e para në bazë të pastërtisë së procesit, duke e bërë atë një histori suksesi të pjesshëm.

Çfarë do të thotë kjo për vendin?
Në fund të fundit, kjo do të thotë se Shqipëria është në rrugën e duhur, por jo në destinacion. Pra është një vend lider për kornizën ligjore dhe dixhitalizim, por i mungon ende ndërtimi i integritetit të plotë.
Modernizimi, me hapa si Diella dhe CPO është real dhe i matshëm, duke e bërë vendin një shembull relativ për Ballkanin, por integriteti kërkon më shumë se ligje.
Integriteti kërkon besim publik, konkurrencë të vërtetë dhe auditime të pavarura.
Suksesi matet jo me renditje formale, por me atë që ndodh në tenderat e përditshëm.
– A fitojnë ata më të mirët, apo ata më të lidhurit me qeverisjen?
Në këtë kuptim, reformat nuk duhet të shpallen të mbaruara, por të vazhdojnë me rigorozitet, duke shfrytëzuar mbështetjen e World Bank-ut dhe BE-së për të mbyllur hendekun.
Shqipëria e ka potencialin të jetë jo vetëm e para në rajon, por një histori suksesi evropiane, por vetëm nëse vullneti politik përballet me realitetin, jo vetëm me retorikën.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *