Lek më i fortë, familje më të dobëta ekonomikisht

15/08/20260

Nëse leku është forcuar ndjeshëm ndaj euros dhe valutave të tjera, ndërkohë që shumë familje shqiptare ndiejnë se fuqia e tyre blerëse është dobësuar, kjo nuk përbën një kontradiktë ekonomike. Përkundrazi, kjo është një nga problematikat më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare të viteve të fundit dhe shpjegohet nga fakti se kursi i këmbimit dhe fuqia blerëse nuk matin të njëjtin fenomen.
Kursi i këmbimit tregon sa lekë nevojiten për të blerë një euro, një dollar apo një valutë tjetër, ndërsa fuqia blerëse tregon se sa mallra dhe shërbime mund të blejë një familje me të ardhurat që ka në dispozicion. Një monedhë mund të forcohet ndaj valutave të huaja dhe, në të njëjtën kohë, qytetarët që paguhen dhe shpenzojnë në atë monedhë mund të blejnë më pak në ekonominë e tyre të përditshme.
Në rastin shqiptar ky dallim është veçanërisht i rëndësishëm, sepse ekonomia nuk mbështetet në një masë të mjaftueshme mbi prodhimin vendas, rritjen e produktivitetit dhe eksportet e mallrave me vlerë të shtuar, por në një strukturë ku pesha e importeve, shërbimeve, konsumit, turizmit, ndërtimit rezidencial dhe infrastrukturor dhe hyrjeve të valutës nga jashtë është shumë e madhe. Kjo strukturë mund të prodhojë një forcim të konsiderueshëm të lekut pa prodhuar automatikisht një forcim proporcional të fuqisë reale blerëse të familjeve shqiptare.
Nëse marrim vitin 2021 si pikë reference, kursi mesatar i euros ishte rreth 122.5 lekë. Në vitin 2025 ai zbriti në rreth 98–99 lekë për euro dhe në fund të vitit arriti pranë nivelit 96.7 lekë për euro. Pra, në një periudhë relativisht të shkurtër leku është mbiçmuar ndaj euros me afërsisht 20 për qind. Ky është një forcim shumë i madh i vlerës së tij nominale në tregun valutor.
Megjithatë, në të njëjtën periudhë niveli i përgjithshëm i çmimeve në ekonomi është rritur ndjeshëm. Inflacioni ishte 2.0 për qind në vitin 2021, 6.7 për qind në vitin 2022, 4.8 për qind në vitin 2023 dhe rreth 2.2 për qind në vitet 2024 dhe 2025 dhe në mesvitin 2026 është 3.4%. Kjo do të thotë, se edhe pse ritmi vjetor i inflacionit është ulur pas kulmit të vitit 2022, niveli i çmimeve nuk është kthyer pas. Inflacioni i kaluar është bërë pjesë e përhershme e bazës së çmimeve. Në terma kumulativë, çmimet mesatarisht janë rritur afërsisht 16–18 për qind nga 2021 deri në 2025, ndërsa indeksi i çmimeve në fund të vitit 2025 ishte rreth 120.9 me bazë dhjetor 2020 = 100, çka tregon një rritje prej rreth 20.9 për qind të nivelit të përgjithshëm të çmimeve krahasuar me fundin e vitit 2020.

Këtu qëndron pika thelbësore.
Fuqia blerëse e një familjeje përcaktohet nga raporti midis të ardhurave nominale dhe nivelit të çmimeve. Nëse të ardhurat rriten me 10 për qind, ndërsa çmimet me 17 për qind, fuqia reale blerëse bie, pavarësisht se çfarë ka ndodhur me kursin e këmbimit. Forcimi i lekut me 20 për qind ndaj euros nuk e anulon automatikisht këtë humbje, sepse familja shqiptare nuk e konsumon jetën e saj në euro. Ajo konsumon ushqim, paguan qira ose kredi, blen apartament, paguan shërbime, energji, transport, arsim, shëndetësi dhe produkte të tjera në tregun shqiptar. Kursi i këmbimit mund të përmirësojë raportin e lekut me mallrat e huaja, por nuk mund të garantojë që çmimet e të gjithë ekonomisë së brendshme të bien ose të mbeten të pandryshuara.

Madje, problemi shqiptar bëhet edhe më i qartë kur analizohet arsyeja pse leku është forcuar.
Një monedhë mund të forcohet për shkak të rritjes së produktivitetit, zgjerimit të prodhimit, konkurrueshmërisë së eksporteve dhe besimit të krijuar nga një ekonomi që prodhon gjithnjë e më shumë vlerë. Ky do të ishte mekanizmi klasik dhe më i qëndrueshëm, ku produktiviteti rritet, prodhimi zgjerohet, eksportet rriten, të ardhurat nga ekonomia reale përmirësohen dhe monedha forcohet si pasojë e një ekonomie më konkurruese.
Në Shqipëri, megjithatë, një pjesë e rëndësishme e forcimit të lekut është ushqyer nga hyrja e valutës përmes turizmit, remitancave, investimeve të huaja, të ardhurave të emigrantëve, shërbimeve, hyrjeve të kapitalit dhe sektorit të pasurive të paluajtshme nga burime të ndryshme. Pra, mekanizmi ka qenë në një masë të konsiderueshme turizëm, remitanca dhe kapital që hyjnë në euro, konvertohen në lekë dhe ushqejnë konsumin, ndërtimin, pasuritë e paluajtshme dhe kërkesën për shërbime.

Ky mekanizëm është thelbësisht i ndryshëm nga modeli ku produktiviteti, prodhimi dhe eksportet krijojnë forcim të qëndrueshëm të monedhës.
Shqipëria mund të ketë një lek nominalisht të fortë pa pasur domosdoshmërisht një ekonomi produktive në të njëjtën shkallë. Në këtë kuptim, hyrja e valutës mund të rrisë kërkesën për lekë dhe të forcojë kursin e tij, por nëse kjo valutë nuk shndërrohet në investime që rrisin kapacitetin prodhues, produktivitetin dhe konkurrueshmërinë, forcimi i monedhës nuk përkthehet domosdoshmërisht në një rritje të qëndrueshme të mirëqenies reale.
Struktura e ekonomisë shqiptare e forcon këtë paradoks. Konsumi përbën një pjesë shumë të madhe të prodhimit të brendshëm bruto dhe konsumi familjar ka një peshë dominuese. Në vitin 2025 konsumi përbënte rreth 82.2 për qind të GDP-së, ndërsa vetëm konsumi familjar rreth 68.63 për qind. Investimet fikse përbënin rreth 24.23 për qind të GDP-së. Kjo tregon një ekonomi ku kërkesa e brendshme dhe konsumi kanë një rol shumë të madh. Në një ekonomi me këtë strukturë, mekanizmi i lekut të fortë funksionon fillimisht në favor të importeve: një lek më i fortë i bën relativisht më të lira mallrat, lëndët e para dhe produktet e importuara. Kjo ul inflacionin e importuar dhe përbën një përfitim real për konsumatorin.

Megjithatë, këtu fillon kufiri i parë i forcimit të lekut.
Ai mund të ulë ose frenojë çmimin e mallrave të tregtueshme ndërkombëtarisht, por nuk ka të njëjtin efekt mbi mallrat dhe shërbimet që krijohen dhe çmimohen brenda vendit. Leku i fortë nuk ul automatikisht çmimin e tokës në Tiranë, qiratë, apartamentet, punën e një mjeshtri, shërbimet profesionale, restorantet, tarifat e shërbimeve, kostot e ndërtimit apo çmimet e shumë shërbimeve që përcaktohen nga kërkesa dhe kostot e brendshme. Përkundrazi, kur ekonomia ushqehet nga hyrje të mëdha të valutës dhe kërkesa rritet në një ekonomi me kapacitet të kufizuar prodhues, një pjesë e presionit ekonomik zhvendoset pikërisht drejt këtyre sektorëve jo të tregtueshëm ndërkombëtarisht.
Në fazën e parë të goditjes inflacioniste, Shqipëria importon inflacion, ku shihet ne rritjen e çmimeve ndërkombëtare të energjisë, ushqimeve dhe lëndëve të para dhe për shkak të varësisë nga importet këto çmime transmetohen në tregun shqiptar. Në këtë fazë leku i fortë shërben si amortizator dhe zbut një pjesë të inflacionit të importuar.
Por pasi presionet e jashtme fillojnë të bien, krijohet një mekanizëm tjetër: turizmi, konsumi, ndërtimi, rritja e pagave, mungesa e fuqisë punëtore dhe kërkesa e lartë për shërbime fillojnë të prodhojnë inflacion të brendshëm. Kjo është arsyeja pse ulja e inflacionit të importuar nuk nënkupton domosdoshmërisht kthim të fuqisë së plotë blerëse. Inflacioni mund të ulet si ritëm, por çmimet mbeten në nivelin e ri dhe presioni mund të zhvendoset nga mallrat e importuara drejt shërbimeve, banimit dhe pasurive.

Kështu krijohet një ndarje gjithnjë e më e qartë.
Leku i fortë kontrollon pjesërisht importet, por nuk kontrollon automatikisht koston e jetesës në tërësi. Ai nuk kontrollon qiratë, tokën, ndërtimin, shërbimet, restorantet, pagat, tarifat profesionale apo çmimet e pasurive të paluajtshme. Pikërisht këto kategori kanë një rëndësi gjithnjë e më të madhe për familjen shqiptare.
Për këtë arsye një qytetar mund të shohë një euro më të lirë në kursin e këmbimit, por një apartament, një qira, një shërbim apo një vakt në restorant më të shtrenjtë se disa vite më parë.

Ndërtimi është shembulli më i qartë i këtij fenomeni.
Supozojmë një familje që në vitin 2021 kishte në dispozicion 100 milionë lekë dhe kërkonte të blinte një apartament me vlerë 100,000 euro. Me një kurs prej 122.5 lekësh për euro, çmimi i apartamentit do të ishte 12.25 milionë lekë. Nëse sot i njëjti apartament do të kushtonte ende 100,000 euro, me një kurs rreth 97.5 lekë për euro, çmimi i tij teorikisht do të ishte vetëm 9.75 milionë lekë. Në këtë rast, forcimi i lekut do ta kishte bërë apartamentin rreth 20 për qind më të lirë në lekë.
Por kjo nuk është mënyra si ka funksionuar tregu real i pasurive të paluajtshme. Nëse çmimi i apartamentit ndërkohë është rritur nga 100,000 euro në 150,000 euro, atëherë me kursin 97.5 lekë për euro vlera e tij bëhet 14.625 milionë lekë. Pra, forcimi i lekut prej rreth 20 për qind nuk kompenson rritjen e çmimit të pasurisë prej 50 për qind. Rezultati përfundimtar është se apartamenti bëhet më i shtrenjtë për familjen shqiptare në lekë, pavarësisht se leku është forcuar ndjeshëm ndaj euros.
Ky mekanizëm ka një rëndësi shumë më të madhe se sa duket, sepse banesa nuk është thjesht një produkt konsumator. Ajo është një nga kostot më të mëdha të jetës dhe një nga elementët kryesorë që përcaktojnë mirëqenien ndërbreznore. Nëse të ardhurat rriten më ngadalë se çmimi i pasurive të paluajtshme, familjet mund të ndihen ekonomikisht më të dobëta edhe kur të ardhurat nominale të tyre janë rritur. Në këtë pikë, problemi nuk është vetëm inflacioni i konsumit, por përballueshmëria e jetesës dhe e pasurisë bazë.

E njëjta logjikë funksionon për shërbimet.
Nëse një shërbim kushtonte 1,000 lekë dhe pas disa vitesh kushton 1,300 lekë, forcimi i lekut ndaj euros nuk e ndryshon faktin se familja shqiptare paguan 1,300 lekë. Nëse të ardhurat e saj nuk janë rritur në të njëjtën masë, fuqia reale blerëse ka rënë. Prandaj një qytetar që thotë se “leku është forcuar, por unë nuk blej dot më shumë” mund të ketë plotësisht të drejtë nga pikëpamja ekonomike. Ai po përjeton dallimin midis vlerës së lekut në tregun valutor dhe vlerës së lekut në tregun e jetës së përditshme.

Problemi bëhet edhe më i thellë kur shihet struktura e GDP-së.
Shqipëria po rrit aktivitetin ekonomik në një masë të konsiderueshme përmes konsumit, shërbimeve, turizmit, ndërtimit, pasurive të paluajtshme dhe investimeve, ndërkohë që sektorët prodhues nuk kanë të njëjtën dinamikë. Rritja ekonomike mund të mbështetet nga shërbimet dhe ndërtimi, ndërsa bujqësia dhe industria mund të përballen me tkurrje ose vështirësi strukturore.
Kjo krijon një dallim thelbësor midis dy modeleve ekonomike. Në modelin tradicional, mekanizmi është prodhim, produktivitet, eksport, të ardhura dhe më pas konsum. Në strukturën që po konsolidohet në Shqipëri, mekanizmi mund të jetë gjithnjë e më shumë hyrje e valutës nga jashtë, konvertim në lekë, konsum, importe, ndërtim, rritje e çmimit të pasurive dhe zgjerim i shërbimeve.
Të dy modelet mund të prodhojnë rritje të GDP-së, por nuk prodhojnë të njëjtin rezultat afatgjatë për fuqinë blerëse.
Një GDP e rritur nga produktiviteti krijon zakonisht kapacitet më të madh për paga reale, eksporte dhe përmirësim të konkurrueshmërisë. Një GDP e ushqyer në masë të madhe nga kërkesa, ndërtimi dhe konsumi mund të prodhojë rritje pa krijuar të njëjtën bazë produktive. Nëse kërkesa rritet më shpejt se oferta vendase, diferenca mbulohet me importe ose shndërrohet në rritje çmimesh në sektorët ku oferta nuk mund të zgjerohet shpejt, si toka, banesat dhe shumë shërbime.

Një tjetër efekt i rëndësishëm është rritja e çmimit të pasurisë më shpejt se rritja e të ardhurave.
Një familje nuk e vlerëson mirëqenien vetëm duke parë nëse paga është rritur apo jo. Ajo duhet të përballojë ushqimin, qiranë ose kredinë, kostot e transportit, arsimit, shëndetësisë dhe një sërë shërbimesh. Nëse apartamentet rriten me 50 për qind, qiratë me 30 për qind, shërbimet me 20–30 për qind dhe ushqimet me 15–20 për qind, ndërsa të ardhurat e një pjese të familjeve rriten vetëm me 8–10 për qind, atëherë përmirësimi nominal i pagës nuk përkthehet në të njëjtin përmirësim të mirëqenies. Në këtë situatë duhet parë raporti midis të ardhurave dhe kostos së jetesës, por sidomos raporti midis të ardhurave dhe kostos së banimit.

Kjo shpjegon pse mund të kemi njëkohësisht GDP në rritje, paga nominale në rritje, lek në forcim dhe punësim në zgjerim, por përballueshmëri të jetesës në rënie. Statistikat makroekonomike mund të tregojnë një ekonomi që po zgjerohet, ndërsa përvoja mikroekonomike e familjes mund të tregojë një kufizim gjithnjë e më të madh të mundësive për të blerë banesë, për të kursyer apo për të ruajtur të njëjtin standard jetese.
Nga ana tjetër, forcimi i lekut ka edhe një kosto potenciale për prodhimin vendas dhe eksportet. Një kompani shqiptare që shet jashtë për 1,000 euro, me një kurs prej 122.5 lekësh për euro merrte 122,500 lekë të ardhura. Me një kurs prej 97.5 lekësh për euro, për të njëjtin eksport ajo merr vetëm 97,500 lekë. Kjo përfaqëson një rënie prej rreth 20.4 për qind të të ardhurave në lekë, vetëm për shkak të kursit të këmbimit. Nëse kostot kryesore të kompanisë, si pagat dhe shpenzimet e tjera vendase janë në lekë, mbiçmimi i lekut mund të ushtrojë presion të fortë mbi marzhin e fitimit.

Ky efekt është veçanërisht i rëndësishëm për bujqësinë, industrinë, fasonerinë, prodhimin ushqimor, përpunimin dhe eksportuesit e mallrave.
Këtu shfaqet një kontradiktë e dytë.
Leku i fortë favorizon konsumatorin që blen produkte të importuara, por mund të penalizojë prodhuesin që shet në tregjet e huaja. Nëse ekonomia nuk ka produktivitet të mjaftueshëm për të kompensuar efektin e kursit, prodhuesi vendas humbet konkurrueshmëri. Kjo mund të kufizojë investimet në prodhim, të vështirësojë zgjerimin e eksporteve dhe të shtojë varësinë e ekonomisë nga sektorët që nuk prodhojnë të njëjtën vlerë eksportuese.
Kështu mund të krijohet një spirale e importit. Leku i fortë i bën importet relativisht më të lira. Kjo mund të nxisë konsumin e produkteve të importuara dhe të rrisë konkurrencën ndaj prodhimit vendas. Nëse prodhimi vendas humbet treg dhe nuk investon mjaftueshëm në produktivitet, kapaciteti prodhues nuk rritet. Importet mbeten të domosdoshme për të plotësuar kërkesën dhe ekonomia vazhdon të varet nga hyrjet e valutës për të financuar këtë model. Në këtë mënyrë, forcimi i lekut mund të bëhet gjithnjë e më shumë pasojë e hyrjeve të valutës nga jashtë sesa rezultat i produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.

Kjo nuk do të thotë se një lek i fortë është në vetvete negativ. Përkundrazi, ai ka sjellë përfitime reale. Ka ulur koston në lekë të importeve, ka zbutur inflacionin e importuar, ka rritur fuqinë blerëse të lekut ndaj mallrave të huaja, ka ndihmuar në uljen e kostos së disa lëndëve të para, pajisjeve dhe mallrave kapitale të importuara dhe ka krijuar përfitime për individë dhe biznese që kanë detyrime në valutë. Në këtë kuptim, forcimi i lekut ka shërbyer si një amortizator i rëndësishëm ndaj goditjeve inflacioniste të ardhura nga jashtë.
Por ky përfitim duhet vendosur në perspektivën e duhur.
Ai rrit fuqinë blerëse kryesisht ndaj mallrave të tregtueshme ndërkombëtarisht dhe ndaj produkteve që kanë komponent të lartë importi. Nuk garanton të njëjtin efekt mbi të gjithë koston e jetesës.
Pikërisht për këtë arsye, nuk duhet të flasim për një lek të vetëm, por për dy dimensione të vlerës së tij. Ekziston leku i jashtëm, pra sa euro ose dollarë mund të blejnë lekët dhe ky lek është forcuar shumë. Ekziston edhe leku i brendshëm, pra sa mallra dhe shërbime shqiptare mund të blejë një lek dhe fuqia e tij nuk është rritur në të njëjtën masë.

Një ilustrim i thjeshtë e bën këtë më të qartë.
Nëse në vitin 2021 një shportë mallrash dhe shërbimesh kushtonte 100 lekë dhe niveli i çmimeve është rritur afërsisht 17–20 për qind deri në vitin 2025, sot për të blerë të njëjtën shportë nevojiten rreth 117–120 lekë. Kjo do të thotë se 100 lekët e vitit 2021 kanë sot një fuqi blerëse të barasvlershme me rreth 83–85 lekë në terma të asaj shporte. Në të njëjtën periudhë, euro që kushtonte rreth 122–123 lekë kushton rreth 97–98 lekë. Pra, mund të kemi një forcim të lekut ndaj euros prej rreth 20 për qind dhe njëkohësisht një humbje të fuqisë së tij blerëse brenda ekonomisë prej rreth 15–17 për qind, në varësi të shportës që analizohet. Nuk ka asnjë kontradiktë në këtë rezultat. Këto janë dy matje të ndryshme të vlerës së parasë.

Problemi qendror i ekonomisë shqiptare, për këtë arsye, nuk është thjesht fakti që leku është forcuar. Problemi më i thellë është se leku është forcuar më shpejt se sa është transformuar baza produktive e ekonomisë. Një monedhë e fortë është më e qëndrueshme dhe më e dobishme afatgjatë kur mbështetet mbi produktivitet, prodhim, eksporte, teknologji, kapital njerëzor dhe konkurrueshmëri. Kur forcimi i saj mbështetet në një masë të madhe mbi turizmin, remitancat, hyrjet e kapitalit, pasuritë e paluajtshme, shërbimet, konsumin dhe ndërtimin, ajo mund të prodhojë forcim nominal të monedhës pa krijuar një rritje proporcionale të mirëqenies reale.

Në këtë kuptim, sfida shqiptare është më e thellë se zgjedhja midis një leku të fortë dhe një leku të dobët.
Zhvlerësimi artificial i lekut nuk do të ishte zgjidhje për humbjen e fuqisë blerëse, sepse do të rriste menjëherë koston e importeve dhe do të ushqente inflacionin në një ekonomi që varet shumë prej tyre. Çështja reale është se çfarë ekonomie qëndron pas kursit të këmbimit. Nëse një lek i fortë shoqërohet me tkurrje ose dobësim të sektorëve prodhues, rritje të çmimeve të banesave dhe shërbimeve, zgjerim të importeve dhe rritje të konsumit mbi bazën e hyrjeve të valutës, atëherë kursi i favorshëm nuk mjafton për të garantuar mirëqenie.
Prandaj, problemi shqiptar mund të përmblidhet te fakti kontradiktor, ku kemi rritur vlerën e lekut jashtë ekonomisë më shpejt se sa kemi rritur vlerën e punës, prodhimit dhe produktivitetit brenda saj.
Kjo është arsyeja pse GDP-ja mund të rritet, leku mund të forcohet, inflacioni vjetor mund të bjerë dhe pagat nominale mund të rriten, ndërsa familja shqiptare mund të ndiejë se po humbet fuqi blerëse dhe se po i bëhet gjithnjë e më e vështirë të ruajë ose të përmirësojë standardin e jetesës.

Në fund, analiza e vërtetë e mirëqenies nuk mund të ndalet te kursi EUR/ALL dhe as te norma vjetore e inflacionit.
Ajo duhet të masë njëkohësisht çfarë ka ndodhur me pagën mesatare dhe mediane, pensionet dhe të ardhurat e familjeve, çmimet e ushqimeve, qiratë, çmimin e banesave, karburantet, energjinë, arsimin, shëndetësinë dhe shërbimet. Vetëm duke ndërtuar një indeks real të fuqisë blerëse, që krahason këtë shportë shqiptare të kostos së jetesës me të ardhurat dhe njëkohësisht me kursin EUR/ALL dhe GDP-në për frymë, mund të kuptohet se sa është rritur realisht mirëqenia dhe sa është humbur ose fituar në terma të fuqisë ekonomike të familjes.

Kjo do të nxirrte në pah me shumë gjasë përfundimin kryesor, se leku shqiptar është bërë më i fortë si valutë, por kjo nuk do të thotë automatikisht se shqiptari është bërë proporcionalisht më i pasur si konsumator.
Vlera e monedhës në tregun valutor dhe vlera reale e saj në jetën e përditshme janë dy gjëra të ndryshme. Në një ekonomi të mbështetur më shumë te importi, konsumi, shërbimet dhe ndërtimi sesa te prodhimi konkurrues, ky dallim mund të bëhet jo vetëm i dukshëm, por një nga problemet kryesore strukturore të zhvillimit ekonomik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *