
Zvërneci dhe pronësia private si alibi për mungesën e transparencës dhe debatit publik
Reagimet që përpiqen ta mbyllin debatin mbi projektin e Zvërnecit me argumentin se investimi zhvillohet në tokë private e zhvendosin diskutimin larg thelbit të çështjes. Në realitet, pronësia private përbën vetëm një nga kushtet fillestare të një investimi dhe kurrsesi elementin që përcakton automatikisht legjitimitetin, përshtatshmërinë apo interesin publik të tij.
Në të gjitha demokracitë europiane me institucione të konsoliduara, investimet me ndikim të gjerë territorial, ekonomik dhe mjedisor trajtohen si çështje që tejkalojnë marrëdhënien midis pronarit të tokës dhe investitorit. Sa më i madh të jetë projekti, aq më e madhe bëhet pesha e interesit publik në procesin e vendimmarrjes. Një resort turistik i përmasave të jashtëzakonshme, i vendosur në afërsi të një prej zonave më të ndjeshme ekologjike të Shqipërisë nuk mund të vlerësohet me të njëjtat kritere që përdoren për një investim të zakonshëm privat.
Pikërisht madhësia e projektit e bën shtetin pjesë të pandashme të ekuacionit.
Lejet e zhvillimit, planifikimi territorial, studimet mjedisore, infrastruktura rrugore, furnizimi me energji, menaxhimi i ujërave, trajtimi i mbetjeve, mbrojtja e biodiversitetit dhe garantimi i sigurisë juridike janë përgjegjësi që burojnë nga autoritetet publike.
Në këtë kuptim, çdo narrativë për ta paraqitur projektin si një marrëdhënie ekskluzivisht private mes investitorit dhe tokës së tij bie ndesh me mënyrën se si funksionon qeverisja moderne në Europë.
Historia e zhvillimeve të mëdha turistike në rajon dhe në Bashkimin Europian ofron mjaft shembuj ku statusi privat i pronës nuk ka qenë kurrë argument i mjaftueshëm për të kapërcyer shqetësimet mjedisore, territoriale apo sociale. Në Kroaci, projekti i njohur i zhvillimit turistik dhe golfit në kodrën Srđ pranë Dubrovnikut kaloi vite të tëra nën shqyrtim institucional, pavarësisht faktit se investitorët dispononin të drejta pronësore dhe mbështetje politike. Debati publik u përqendrua tek ndikimi në peizazh, tek trashëgimia natyrore dhe tek modeli i zhvillimit që po i imponohej një zone me rëndësi të veçantë kombëtare.
Në Spanjë, rasti i hotelit Algarrobico u shndërrua në një precedent europian pikërisht sepse ekzistenca e lejeve dhe e pronës private nuk arriti të neutralizonte shqetësimet që lidheshin me mbrojtjen e bregdetit dhe të zonave të mbrojtura. Për vite me radhë, gjykatat dhe institucionet publike trajtuan çështjen duke vendosur në qendër interesin publik dhe jo thjesht të drejtat e pronësisë.
Edhe në Mal të Zi, një numër projektesh turistike luksoze përgjatë bregdetit janë përballur me debate të forta rreth kapacitetit të infrastrukturës, ndikimit në ekosistemet lokale dhe aksesit publik në hapësirat bregdetare. Në asnjë prej këtyre rasteve, pronësia private nuk është konsideruar si element që e përjashton shtetin nga përgjegjësitë e tij.
Kjo qasje buron nga një parim i thjeshtë,që zhvillimet e mëdha private prodhojnë pasoja publike. Ndikimi mbi burimet natyrore, mbi ekonominë lokale, mbi përdorimin e territorit dhe mbi financat publike nuk kufizohet brenda kufijve të parcelës ku ndërtohet projekti. Një investim i madh gjeneron kërkesa të reja për rrugë, energji, ujë, siguri, shërbime publike dhe administrim territorial. Në shumë raste, këto kosto përballohen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga shteti dhe taksapaguesit.
Për këtë arsye, roli i qeverisë nuk kufizohet në verifikimin e certifikatave të pronësisë. Përgjegjësia e saj lidhet me krijimin e një kuadri të besueshëm rregullator, me garantimin e procedurave transparente, me zbatimin rigoroz të standardeve mjedisore dhe me mbrojtjen e interesave afatgjata të vendit. Siguria juridike që kërkojnë investitorët seriozë nuk matet vetëm nga statusi i tokës, por edhe nga cilësia e institucioneve, qëndrueshmëria e vendimmarrjes publike dhe besueshmëria e proceseve administrative.
Në këtë kontekst, argumenti se kundërshtimet ndaj projektit dëmtojnë imazhin e Shqipërisë para investitorëve rezulton po aq i dobët sa edhe argumenti i pronës private. Përvoja ndërkombëtare tregon se investitorët strategjikë dhe financuesit institucionalë e konsiderojnë transparencën, konsultimin publik dhe standardet e larta mjedisore si elemente që rrisin sigurinë e investimit. Vendet që tërheqin kapital afatgjatë nuk janë ato që shmangin debatin publik, por ato që e menaxhojnë atë përmes institucioneve të forta dhe procedurave të besueshme.
Në fakt, reputacioni i një vendi ndërtohet pikërisht mbi aftësinë për të balancuar zhvillimin ekonomik me mbrojtjen e interesit publik. Shteti shqiptar do të fitojë besueshmëri kur të demonstrojë se të njëjtat rregulla vlejnë për të gjithë, pavarësisht madhësisë së investimit apo profilit të investitorit. Standardet e larta institucionale nuk përbëjnë pengesë për zhvillimin; ato janë garancia më e fortë që zhvillimi do të jetë i qëndrueshëm, i pranueshëm shoqërisht dhe i mbrojtur nga konfliktet e ardhshme.
Prandaj, diskutimi mbi Zvërnecin nuk mund të reduktohet në një debat mbi regjimin e pronësisë së tokës. Kjo vlen për disa investime të tjera të ngjashme me apo pa status investitori strategjik. Përmasa e investimit, ndjeshmëria e territorit, rëndësia ekologjike e zonës dhe implikimet afatgjata për zhvillimin e vendit kërkojnë një standard shumë më të lartë analize. Pikërisht aty matet cilësia e qeverisjes dhe serioziteti i institucioneve publike. Në fund, ajo që do të mbetet nuk do të jetë vetëm një investim privat, por gjurma që ky investim do të lërë mbi territorin, mjedisin dhe modelin e zhvillimit të Shqipërisë për dekadat që vijnë.
