Pse figura të spikatura dhe larg akuzave të SPAK qëndrojnë nën hijen e Kryetarit të Partisë?

12/05/20260

Në Shqipëri, pushteti politik nuk funksionon vetëm përmes institucioneve. Ai funksionon përmes lidhjeve të besimit, frikës, interesit dhe mbijetesës.
Pikërisht këtu lind edhe pyetja që shumë qytetarë e bëjnë sot, se pse figura politike me eksperiencë, me profil publik dhe shpesh pa asnjë akuzë direkte nga SPAK vazhdojnë të qëndrojnë nën hijen e Kryetarit të Partisë Socialiste?
Në pamje të parë, duket si mjaftueshëm e pakuptimtë, nëse bazohemi te vlerat personale dhe një jetë që duhet të bazohet te dinjiteti.
Nëse dikush nuk ka probleme me drejtësinë, nëse ka peshë politike dhe mbështetje publike, pse nuk fiton autonomi?
Pse nuk krijon një zë më të lirë?
Pse hesht?
Pse qëndron brenda një sistemi ku gjithçka duket se rrotullohet rreth një qendre të vetme vendimmarrjeje?

Përgjigjja nuk lidhet vetëm me individët. Ajo lidhet me mënyrën se si është ndërtuar politika shqiptare gjatë tri dekadave të fundit.
Partitë në Shqipëri janë shndërruar gradualisht në struktura të forta lideriste.
Brenda tyre, karriera politike nuk ndërtohet mbi konkurrencën e ideve, por mbi afërsinë me kryetarin.
Deputetët nuk varen aq nga qytetarët sa varen nga renditja në lista.
Ministrat nuk mbijetojnë nga pesha personale, por nga besimi i liderit.
Në një sistem të tillë, autonomia shihet shpesh si rrezik dhe jo si vlerë.

Kjo krijon një realitet të heshtur: edhe figurat më të spikatura e kuptojnë se largimi nga qendra e pushtetit mund të nënkuptojë fundin e ndikimit të tyre politik.
Mund të humbasin jo vetëm postin, por edhe rrjetin e mbështetjes, aksesin institucional dhe aftësinë për të mbijetuar politikisht.
Në këtë kuptim, shumë prej tyre nuk qëndrojnë vetëm nga bindja.
Ata qëndrojnë sepse sistemi i ka mësuar se jashtë orbitës së liderit fillon izolimi.
Një nga të mirat e reformës në drejtësi dhe veprimtaria e SPAK është, se po ndryshojnë gjithashtu psikologjinë e politikës shqiptare.
Për herë të parë pas shumë vitesh, pushteti nuk dukej më si mburojë absolute.
Hetimet, arrestimet dhe dosjet e hapura krijuan një ndjenjë pasigurie në të gjithë klasën politike.
Edhe ata që nuk kanë akuza direkte e ndjejnë se jetojnë në një klimë ku çdo vendim administrativ mund të interpretohet nesër ndryshe.
Në këtë atmosferë, shumë politikanë kërkojnë mbrojtje politike, stabilitet dhe garanci.
Kryetari i partisë shihet si figura që mund të menaxhojë krizat, të ruajë balancat dhe të mbajë nën kontroll tensionet.
Kjo është arsyeja pse shpesh edhe njerëz me profil të fortë publik zgjedhin të mos përplasen me qendrën e pushtetit.
Arsyeja është jo sepse janë domosdoshmërisht të dobët, por sepse sistemi është ndërtuar në mënyrë të tillë që kostoja e autonomisë të jetë shumë e lartë.
Por ka edhe një dimension tjetër, më pak të dukshëm dhe më të fortë, që është ndërthurja mes politikës dhe ekonomisë.
Në Shqipëri, pushteti politik nuk prodhon vetëm ndikim institucional.
Ai kontrollon emërime, financime, akses, projekte, tenderë, rrjete ndikimi dhe ekuilibra lokalë.
Për shumë figura politike, qëndrimi brenda hierarkisë nuk është vetëm çështje karriere.
Është mënyrë mbijetese politike, ekonomike dhe sociale.
Jashtë sistemit, shumë prej tyre rrezikojnë të humbasin jo vetëm pushtetin, por edhe gjithë infrastrukturën e ndikimit që kanë ndërtuar ndër vite.
Kjo shpjegon pse politika shqiptare prodhon pak rebelime të vërteta dhe shumë heshtje strategjike.
Shumë njerëz zgjedhin të qëndrojnë pranë qendrës së pushtetit jo sepse nuk kanë personalitet, por sepse e dinë se sistemi do të penalizojë ndarjen.
Edhe shoqëria shqiptare ka pjesën e saj në këtë realitet.
Për vite me radhë, votuesit kanë votuar më shumë figurën e liderit sesa ekipin. Me gjasa do të vazhdojnë edhe për ca kohë!!
Partitë janë perceptuar si prona politike të kryetarëve dhe jo si institucione demokratike. Në një kulturë të tillë politike, individi i pavarur ka më pak hapësirë për të mbijetuar.

Në realitetin politik, modeli i vartësisë nuk është “monopol” i pushtetit aktual, por një kulturë e përhapur politike që riprodhohet edhe në opozitë dhe madje edhe në partitë e reja. Pra, ndryshon logoja, por shpesh jo arkitektura e brendshme e pushtetit.
Në shumë raste, edhe formacionet që lindin me narrativën e “ndryshimit” përfundojnë duke u organizuar rreth një figure qendrore, ku vendimmarrja mbetet e personalizuar dhe jo institucionale. Kjo tregon se problemi është më i thellë se ciklet politike, sepse është një model i stabilizuar i ndërtimit të partive në Shqipëri, ku lideri është boshti dhe jo një pjesë e një strukture të balancuar.
Ndaj pyetja reale nuk është vetëm pse figura të rëndësishme qëndrojnë nën hijen e liderit?
Pyetja më e madhe është, a ka krijuar Shqipëria një sistem politik ku autonomia shpërblehet?
Deri tani, përgjigjja duket se është jo.
Nëse të gjithë do të kërkonin një politikë më të lirë dhe më të shëndetshme, atëherë ndryshimi nuk mund të vijë vetëm nga individët.
Duhet të ndryshojë vetë arkitektura e pushtetit.
Duhet më shumë demokraci brenda partive.
Duhet hapje reale e listave zgjedhore.
Duhet ndarje më e fortë mes shtetit dhe partisë.
Duhet një drejtësi që të jetë e besueshme dhe e barabartë për të gjithë.
Mbi të gjitha, duhet një kulturë qytetare që nuk e sheh autonominë politike si tradhti, por si shenjë force dhe pjekurie demokratike.
Shqipëria nuk po bëhet më demokratike vetëm kur arrestohen politikanët.
Vendi do të bëhet demokratik kur njerëzit e lirë brenda politikës nuk kanë më frikë të mendojnë dhe të flasin me zërin e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *