Neopatrimonializmi dhe “anarshia e menaxhuar” në Shqipëri dhe Ballkan

07/05/20260

Në Shqipëri dhe në pjesën më të madhe të Ballkanit Perëndimor, neopatrimonializmi është transformuar nga një relikt i tranzicionit post-komunist në një model funksional i pushtetit që ka evoluar dhe konsoliduar veten në vitet e fundit. Ai po bashkëjeton me një fasadë institucionale me zgjedhje, reforma gjyqësore, negociata me BE-në, ndërsa pushteti real rrjedh nga rrjete personale, klientelizëm dhe kontroll informal mbi burimet publike. Ky model ka prodhuar një lloj “anarshie funksionale” ose “kaosi të menaxhuar”, që nuk ka të bëjë fare me anarkizmin filozofik (decentralizim vullnetar, autonomi horizontale), por me dobësimin e qëllimshëm të institucioneve autonome për të ruajtur varësinë personale ndaj liderit ose elitës.

Si po funksionon në praktikë sot?
Në Shqipëri, pas më shumë se një dekade në pushtet (dhe tani mandati i katërt i Edi Ramës pas zgjedhjeve 2025), shteti formal ekziston. Në Shqipëri ka SPAK, ka reformë në drejtësi, ka dhe rritje ekonomike nga turizmi dhe ndërtimi. Por pushteti real vazhdon të operojë përmes patronazhit. Emërimet në administratë, tenderët publikë, shpërndarja e punëve dhe subvencioneve lidhen shpesh me besnikërinë personale ose partiake. Skandalet e fundit me ministra të lartë tregojnë se kur hetimet prekin rrjetin e brendshëm, reaksioni është mbrojtje politike, jo llogaridhënie institucionale. Ligji po zbatohet selektivisht, duke u shfaqur i ashpër ndaj kundërshtarëve të pushtetit ose “të panevojshëmve” dhe më i butë ndaj të afërmve dhe lidhjeve patronazhiste.
Kjo situatë ka krijuar një paradoks klasik neopatrimonial.
Shteti duket i fortë politikisht (lider karizmatik, shumicë e qartë parlamentare, kontroll mbi media dhe ekonomi informale), por i dobët institucionalisht. Institucionet janë bërë “të zbrazëta”, sepse në pjesë të konsiderueshme po ekzistojnë në sistemin digjital, por po funksionojnë si zgjatime të rrjeteve klienteliste.
Njerëzit ende e shikojnë, se për të zgjidhur një problem (punë, leje, drejtësi) nuk duhet të shkojnë te institucioni (edhe ai digjital), por te “njeriu i duhur”, një deputet, drejtues politik zonal, apo kryetar bashkie ose patronazhist partiak. Kjo varësi personale forcon pushtetin e liderit, sepse ai bëhet arbitri suprem në një sistem pa rregulla të qarta.
vendet fqinje e më gjerë (Mali i Zi, Kosovë, Maqedonia e Veriut, Serbi e Bosnje) modeli është i ngjashëm, por natyrisht që përmban edhe variacione lokale.
Edhe në këto vende ka rrjete patronazhi, ka kapje shteti, ka edhe polarizime etnike ose politike, që i mban shoqëritë të fragmentuara. “Anarshia” që shohim nuk është mungesa e pushtetit, por mungesa e rendit impersonal. Ka rend, por ai është informal, i bazuar në besnikëri, frikë ose interes të menjëhershëm.

Modeli neopatrimonial nuk po prodhon vetëm deformim institucional, por gradualisht po ndryshon psikologjinë kolektive të shoqërisë.
Kur qytetarët e perceptojnë shtetin jo si arbitër neutral, por si pronë politike të një partie, të një grupi apo të një lideri, atëherë fillon e vepron fort erozioni i besimit publik. Kjo tashmë po ndodh me institucionet që po humbasin legjitimitetin moral dhe funksional, ndërsa meritokracia zëvendësohet nga bindja politike, lidhjet personale dhe klientelizmi.
Në këtë klimë, sidomos të rinjtë nuk shohin më perspektivë të drejtë konkurrimi. Emigracioni masiv nga Shqipëria në vitet e fundit nuk është vetëm fenomen ekonomik, por edhe votë mosbesimi ndaj sistemit. Një pjesë e shoqërisë mbijeton duke hyrë në rrjete klienteliste, ndërsa pjesa tjetër largohet fizikisht ose tërhiqet në apati politike dhe sociale.

planin ekonomik, pasojat janë po aq të thella.
Ekonomia duket se po funksionon jo mbi bazën e konkurrencës së lirë dhe produktivitetit, por mbi aksesin dhe afërsinë me pushtetin. Klientelizmi dhe korrupsioni strukturor po favorizojnë oligarkë të lidhur politikisht, kompani të privilegjuara dhe tendera të manipuluar. Rritja ekonomike mund të jetë reale në tregues makroekonomikë, pasi funksionon mbi treguesit nga ndërtimi, turizmi apo konsumi, por problemi kryesor është se ka mbetur e përqendruar në metropol dhe është e pabarabartë në rishpërndarje.
Bizneset e pavarura po përballen me konkurrencën e shtrembëruar, ndërsa ekonomia informale vazhdon të jetë mekanizëm mbijetese. Gradualisht, pasuritë publike (toka, kontratat, fondet dhe asetet strategjike) janë duke u privatizuar në mënyrë informale nga rrjetet e pushtetit, duke krijuar një kapitalizëm klientelist dhe jo një ekonomi të tregut të lirë.

Kjo strukturë e ka dobësuar edhe vetë demokracinë.
Opozita është fragmentuar dhe e konsumuar nga konfliktet e brendshme ose e delegjitimuar nga problemet e veta të korrupsionit dhe mungesës së alternativës. Si rezultat është krijuar një cikël vetëforcues me një pushtet dominant që vazhdon e përqendron kontrollin, ndërsa opozita kufizohet në retorikë akuzuese pa prodhuar besim publik.
Polarizimi politik po mbahet vazhdimisht i lartë, jo domosdoshmërisht për shkak të dallimeve ideologjike, por sepse tensioni permanent shërben për mobilizimin elektoral dhe ruajtjen e kontrollit. Në këtë atmosferë, dialogu institucional edhe reformat më të thella në letër bëhen pothuajse të pamundura në praktikë.

Rreziku më i fortë është se sistemi politik dhe ekonomik ka hyrë në një gjendje “kaosi të menaxhuar”, ku stabiliteti po ruhet vetëm për aq kohë sa tensionet sociale dhe ekonomike do të kontrollohen.
Por ky ekuilibër është i brishtë. Një krizë ekonomike, një skandal edhe më i madh korrupsioni, protesta masive ose presioni ndërkombëtar mund të destabilizojnë gjithë strukturën.
Në Ballkan, kjo dobësi institucionale po krijon terren të favorshëm për influenca të jashtme autoritare. Fuqi të mëdha të dikurshme dhe të reja shpesh po preferojnë marrëdhënie me liderë të fortë personalë dhe sisteme të centralizuara, sepse ato janë më të parashikueshme dhe më lehtësisht të ndikueshme sesa demokracitë me institucione të forta dhe transparente.

dekadën e ardhshme, modeli politik i shumë vendeve të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë ka gjasa të konsolidohet jo si demokraci liberale funksionale, por si një regjim hibrid ku institucionet formale bashkëjetojnë me rrjete informale pushteti. Integrimi europian do të vazhdojë të shërbejë si narrativë legjitimuese dhe burim presioni reformues, por shpesh reformat do të mbeten më shumë procedurale sesa transformuese.

E vërtetë që do të miratohen strategji të reja kundër korrupsionit, ligje për transparencën dhe reforma administrative.
Por po ashtu është e vërtetë se zbatimi do të mbetet selektiv, i filtruar nga interesat e elitave politike dhe ekonomike. Institucione si SPAK do të gjenden vazhdimisht në një tension paradoksal, ku nga njëra anë do të mbahen si simbol i reformës dhe legjitimitetit ndërkombëtar, por nga ana tjetër do të trajtohen si rrezik potencial për vetë rrjetet e pushtetit që e kanë mbështetur ekzistencën e tyre.
Për aq kohë sa do të godasin kundërshtarë të pushtetit apo figura periferike, ato do të promovohen, por kur prekin qendrat reale të influencës do të përballen me tentativa neutralizimi, delegjitimimi ose kontrolli indirekt.

Ndërkohë, emigracioni do të vazhdojë të veprojë si hemorragji sociale dhe ekonomike.
Largimi i vazhdueshëm i të rinjve, profesionistëve dhe fuqisë aktive punëtore nuk po prodhon vetëm krizë demografike, por po ndryshon vetë strukturën e shoqërisë. Një vend që humbet shtresën më dinamike dhe më meritokratike bëhet gradualisht më i varur nga remitancat, administrata publike dhe rrjetet klienteliste. Kjo krijon një paradoks të rrezikshëm, sepse sa më shumë njerëz të aftë largohen, aq më pak kapacitet mbetet për të ndryshuar sistemin. Në këtë mënyrë, emigracioni nuk është vetëm pasojë e neopatrimonializmit, por bëhet edhe mekanizëm që e riprodhon atë.

Ekonomia do të vazhdojë të marrë formën e një strukture duale.
Në sipërfaqe do të shfaqen tregues pozitivë me rritje në turizëm, investime të huaja, zhvillim urban dhe sektorë modernë shërbimesh. Por paralelisht do të mbijetojë një ekonomi informale dhe klienteliste, ku lidhja me pushtetin mbetet më e rëndësishme se konkurrenca reale. Investitorët seriozë dhe afatgjatë do të vazhdojnë të hezitojnë në mungesë të garancive të forta ligjore, të drejtësisë së parashikueshme dhe mbrojtjes nga arbitrariteti politik. Në vend të kapitalizmit konkurrues, rrezikohet realisht të konsolidohet një kapitalizëm i privilegjit, ku fituesit përcaktohen më shumë nga afërsia me pushtetin sesa nga efikasiteti ekonomik.

planin social, fragmentimi do të thellohet më tej.
Polarizimi politik nuk do të jetë thjesht përplasje mes partive, por mënyrë organizimi e jetës publike. Besimi horizontal mes qytetarëve, si elementi bazë për ndërtimin e komuniteteve funksionale dhe solidaritetit shoqëror do të mbetet i ulët. Në një ambient ku secili percepton tjetrin si pjesë të një kampi politik, klani ekonomik apo rrjeti klientelist, realisht bëhet jashtëzakonisht e vështirë të lindin lëvizje autentike qytetare ose një shoqëri civile me ndikim real. Shoqëria atomizohet dhe individët mbyllen në interesa private, ndërsa hapësira publike mbushet me cinizëm dhe mosbesim.

Në të njëjtën kohë, marrëdhënia me Bashkimi Europian do të bëhet gjithnjë e më kontradiktore.
Nga njëra anë, Brukseli do të kërkojë forcim të institucioneve, pavarësi të drejtësisë dhe goditje të korrupsionit në nivelet më të larta. Nga ana tjetër, elitat neopatrimoniale do të adaptohen me këtë presion pa ndryshuar thelbin e sistemit. Narrativa dominante do të jetë: “jemi pro-Europë, por kundër ndërhyrjeve që destabilizojnë vendin”. Kështu, reforma do të pranohet si retorikë dhe simbolikë, por do të rezistohet sa herë prek mekanizmat realë të kontrollit politik dhe ekonomik.

Në fund, neopatrimonializmi shqiptar/ ballkanik nuk po prodhon anarki në kuptimin klasik të mungesës së pushtetit.
Përkundrazi, ai krijon një rend ku pushteti është tepër personal, selektiv dhe jo transparent. Është si një “anarshi e menaxhuar”, ku institucionet ekzistojnë formalisht, por funksionojnë sipas logjikës së marrëdhënieve personale, favoret politike dhe besnikërisë ndaj liderit.
Ky model ka prodhuar stabilitet afatshkurtër për elitat dhe një fasadë funksionaliteti për partnerët ndërkombëtarë, por në thelb po konsumon besimin publik dhe ka frenuar zhvillimin afatgjatë dhe dëmtuar dinjitetin qytetar.

Dalja nga ky cikël nuk mund të vijë vetëm përmes reformave teknike apo ndryshimeve ligjore, por nga një frymë e re jashtë rrethit neopatrimonialist.
Po ku do të gjenden këta njerëz?
Ndoshta pikërisht te ata që sot ndihen të përjashtuar nga sistemi, që kryeisht janë të rinjtë që refuzojnë klientelizmin, profesionistët që kërkojnë meritokraci, diaspora që ka parë institucione funksionale, sipërmarrësit që janë lodhur nga favori politik dhe qytetarët që ende besojnë se shteti duhet t’u shërbejë njerëzve, jo pushtetit.
Transformimet e mëdha politike nuk lindin kur sistemi është i fortë, por kur shoqëria lodhet duke jetuar brenda tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *