Nafta në Shqipëri vs. Çmimet, politika dhe nevoja për transparencë

19/03/20260

Rritja e çmimeve të naftës në Shqipëri nuk mund të shpjegohet vetëm me faktorët ndërkombëtarë. Sigurisht, tensionet globale, luhatjet e bursave dhe konfliktet në Lindjen e Mesme ndikojnë drejtpërdrejt në kostot e importit. Por ritmi dhe niveli i çmimeve në tregun vendas shpesh tejkalojnë atë që mund të shpjegohet vetëm nga këta faktorë globalë. Ky fenomen tregon qartë ndikimin e strukturave fiskale lokale (TVSH, akcizë, taksa nacionale dhe vendore), si dhe elementëve të tregut vendor, si përqendrimi i operatorëve, mungesa e instrumenteve për stabilizim të çmimeve dhe luhatjet e furnizimit.
Sqarimi i ALTAX mbi vlerën e daljes së naftës nga depoja doganore tregojnë se çmimi i importit është baza reale, por administrata doganore dhe ajo tatimore nuk ofrojnë transparencën e nevojshme për këtë moment të thjeshtë fiskal. Pa një mekanizëm të qartë dhe të monitoruar, spekulimi dhe mungesa e rezervave shtojnë presionin mbi çmimet, duke krijuar rrezik për konsumatorët.
Konfliktet në Lindjen e Mesme ndikojnë Shqipërinë përmes rritjes së çmimeve ndërkombëtare, dhe çdo ndryshim reflektohet direkt te konsumatori përmes TVSH-së dhe akcizës, sipas praktikës doganore. Por ndikimi nuk është vetëm global. Spekulimi i operatorëve të përqendruar dhe mungesa e rezervave strategjike amplifikojnë efektet, duke çuar në luhatje më të theksuara në tregun vendas. Ky kombinim i faktorëve të jashtëm dhe atyre vendorë tregon se menaxhimi i rezervave nuk është luks, por një element vendimtar për stabilitetin e çmimeve.
Në përpjekje për të kontrolluar situatën, qeveria ka ngritur një task-forcë monitoruese. Ky është një hap i mirë, por i pamjaftueshëm për të ndikuar realisht mbi çmimet. Eksperienca e Bordit të Transparencës në 2022 tregon se një strukturë e tillë mund të krijojë iluzionin e kontrollit, por në praktikë de facto bashkëpunoi me operatorët e përqendruar, duke ndarë kostot dhe përfitimet, ku shteti mbante mbi 50% të të ardhurave nga taksat. Për të pasur një bord efektiv, siç veprohet në vende të rajonit si Kosova apo Greqia, duhet adresuar informaliteti, evazioni fiskal, konkurrenca e tregut dhe ndalimi i grupimit të operatorëve nga shumica te pakica. Për momentin, task-forca mund vetëm të monitorojë dhe raportojë, por ndikimi i saj real mbetet minimal.
Diskutimet mbi taksën e qarkullimit shpesh përdoren si justifikim për të zhvendosur vëmendjen nga problemi më i madh: e gjithë barra fiskale mbi karburantin dhe strukturat e tregut. Formula aktuale e taksës e bën çmimin përfundimtar më të lartë se në disa vende të rajonit, ku sistemi fiskal është më i drejtpërdrejtë dhe fleksibël. Rishikimi i saj mund të ulë barrën mbi konsumatorin dhe të përmirësojë konkurrencën, por efekti real lidhet me të gjithë barrën fiskale dhe konkurrencën e tregut, jo vetëm një taksë të veçantë. Vendet që kanë politika fiskale transparente dhe instrumente mbrojtëse për çmimet arrijnë stabilitet më të madh dhe rrezik më të ulët për krizë.
Ndikimi i rritjes së çmimeve është i drejtpërdrejtë mbi shportën e familjeve, sidomos atyre me të ardhura të ulëta, duke rritur kostot e transportit, ushqimeve dhe shërbimeve bazë. Një pjesë e tensionit aktual vjen nga përqendrimi i tregut dhe mungesa e rezervave strategjike në pronësi të shtetit. Edhe nëse qeveria tenton të ndikojë në çmime përmes marrëveshjeve me grosistët, siç ndodhi në takimet e fundit të kryeministrit, ku logjika e tregut privat e bën të pamundur kontrollin efektiv mbi ofertën dhe çmimin. Operatorët privatë vendosin sasinë e furnizimit dhe çmimin sipas interesave të tyre, duke kufizuar ndërhyrjen direkte të shtetit.
Në këtë kuadër, rezervat strategjike publike, instrumentet financiare për stabilizim dhe politika fiskale transparente nuk janë thjesht mjete teknike, por mekanizma thelbësorë për të amortizuar rritjen e kostove për familjet dhe bizneset dhe për të shmangur një krizë të ngjashme me atë të vitit 2022. Pa këto mjete, ndërhyrja e qeverisë mbetet kryesisht simbolike dhe e varur nga gatishmëria e operatorëve privatë, jo nga një kontroll real mbi tregun.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *