
Parlamenti Evropian: Shqipëria përparon shpejt në negociatat me BE-në, por korrupsioni dhe dobësitë ekonomike mbeten pengesa serioze
Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) ka publikuar draft-raportin për progresin e Shqipërisë në vitin 2025, duke vlerësuar angazhimin e vendit si “kampion i shpejtë” në procesin e zgjerimit, por duke shprehur shqetësim të fortë për mungesën e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe për dobësitë strukturore ekonomike.
Raporti, i hartuar nga eurodeputeti austriak Andreas Schieder (S&D), mirëpret faktin që Shqipëria ka hapur të gjitha grup-kapitujt e negociatave në vetëm 13 muaj, si një rekord në historinë e zgjerimit dhe angazhimin aktiv në zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, dokumenti thekson se këto hapa politikë nuk shoqërohen ende me transformim real ekonomik dhe institucional.
Në pjesën ekonomike, PE-ja vëren se dobësitë strukturore vazhdojnë të jenë të pranishme: informaliteti i lartë në ekonomi, rritja e kufizuar e produktivitetit dhe një mjedis biznesi sfidues pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe tërheqjen e investimeve cilësore. Raporti përsërit thirrjen për përmirësim urgjent të infrastrukturës së transportit (sidomos lidhjet rajonale dhe me vendet e BE-së), investime masive në arsim, zhvillim aftësish dhe inovacion, si dhe forcim të dialogut social të vërtetë. Frekuenca e ulët e takimeve të Këshillit Kombëtar të Punës dhe mungesa e konsultimit të plotë trepalësh (qeveri – punëdhënës – sindikata) shihet si pengesë për shpërndarjen e përfitimeve të zgjerimit tek të gjithë qytetarët.
Sa i përket luftës kundër korrupsionit, toni i raportit është veçanërisht i ashpër. “Korrupsioni mbetet një shqetësim serioz” thuhet në paragrafin 8. Pavarësisht përparimeve në kuadrin ligjor dhe institucional (reforma në drejtësi, funksionimi i SPAK-ut dhe vetingu), Shqipëria duhet të konsolidojë një histori konkrete hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh përfundimtare, sidomos në rastet e korrupsionit në nivele të larta.
“Korrupsioni duhet adresuar në të gjitha nivelet për të forcuar besimin e qytetarëve tek institucionet dhe për të krijuar një mjedis biznesi të parashikueshëm e të besueshëm”, thekson raporti. Eurodeputetët gjithashtu kërkojnë intensifikim të bashkëpunimit me agjencitë evropiane si Europol dhe Eurojust për luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe trafikimit të drogës, fusha ku Shqipëria ende nuk ka treguar rezultate bindëse.
Në përfundim, raporti i PE-së dërgon një mesazh të qartë: Shqipëria ka potencialin të jetë “front-runner” drejt anëtarësimit deri në 2030, por suksesi varet nga kalimi nga miratimi i ligjeve në zbatim efektiv dhe të pakthyeshëm. Raporti shtron nevojën e reformave të thella në ekonomi, sundim të ligjit dhe luftë reale kundër korrupsionit, pasi rreziku është që hapat e shpejtë në negociata të mbeten vetëm në letër, pa ndikim real në jetën e qytetarëve dhe klimën e biznesit. Draft-raporti pritet të votohet në seancën plenare të Parlamentit Evropian në muajt e ardhshëm, pas amendamenteve dhe debatit final.
