
Në zemrën e Shqipërisë, Tirana pulson si një qytet në zhvillim të shpejtë, por pas ngritjes së kullave të reja dhe projekteve të mëdha, maskohet edhe një histori e pabarazisë financiare.
Qytetarët e Tiranës paguajnë taksa të larta për infrastrukturën urbane dhe arsimore, duke kontribuar miliarda lekë në buxhetin e Bashkisë.
Megjithatë, rrugët dhe rugicat e qendrës së qytetit, por edhe ato të periferisë mbeten vazhdimisht të prishura, shkollat mbingarkohen me turne dhe pyetja e madhe mbetet varur:
– Ku shkojnë këto para?
Kjo analizë, bazuar në burime zyrtare dhe raporte të pavarura dhe raportet e performancës së bashkisë, duke përdorur të dhënat e arkëtimeve, shpenzimeve dhe kthimit efektiv në shërbime.
Duke u mbështetur në të dhëna nga vitet 2016-2026, do të zbulojmë se si këto taksa, të prezantuara si zgjidhje të përkohshme, kanë krijuar një cikël të pafund të premtimeve të papërmbushura.
Historia fillon në 2015-2016, kur Bashkia Tiranë, nën drejtimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, prezantoi dy taksa kryesore për të adresuar krizën e infrastrukturës.
Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë (TNI), e vendosur në 8% të çmimit të shitjes për metër katror në ndërtime të reja, synonte të kompensonte presionin e bumit ndërtimor në rrugë, kanalizime dhe shërbime publike.
Sipas Ligjit Nr. 9632/2006 për Taksat Vendore, këto të ardhura duhej të shkonin drejtpërdrejt në buxhetin vendor për investime kapitale.
Paralelisht, Taksa e Përkohshme për Infrastrukturën Arsimore (TPIA), e miratuar me Vendimin Nr. 59/2015 të Këshillit Bashkiak, u aplikua nga 1 janari 2016 si një kontribut vjetor nga pronarët e pasurive (deri në 45,000 lekë/vit sipas zonës). Kjo taksë u promovua si një masë emergjente për të ndërtuar 17 shkolla të reja dhe për të eleminuar mësimin me dy turne, duke u bazuar në një studim fizibiliteti të Bashkisë që parashikonte një afat 7-vjeçar.
Në teori, këto taksa ishin një marrëveshje e drejtë.
Qytetarët dhe bizneset paguajnë për të përmirësuar jetën e tyre. Por në praktikë, ato u bënë pjesë e buxhetit të përgjithshëm të Bashkisë, pa fonde të dedikuara (earmarked), duke lejuar ridrejtim të parave drejt prioriteteve të tjera.
Si rezultat, nga 2016 deri në 2024, TNI gjeneroi rreth 42 miliardë lekë (rreth 350 milionë euro) në total për Bashkinë Tiranë, me një rritje dramatike pas 2016-së, duke arritur 7.4 miliardë lekë vetëm në 2022. Ndërkohë, TPIA arkëtoi mbi 6 miliardë lekë (rreth 50 milionë euro) deri në 2024, me një mesatare vjetore prej 683 milionë lekë, pavarësisht zgjatjes së saj deri në fund të 2025-së.
Buxheti i Bashkisë Tiranë për 2024 arriti në nivele rekord me 31,213 lekë për frymë, me 83% të shpenzimeve të mbuluara nga të ardhurat vendore, kryesisht nga TNI.
Në 2023, të ardhurat veta arritën 32,862 lekë për frymë, duke e bërë Tiranën bashkinë me autonominë financiare më të lartë në vend (82% e buxhetit).
Por struktura e shpenzimeve tregon një histori tjetër. Afër 45% shkojnë në paga dhe administratë, 35% në operative (përfshirë borxhe dhe koncesione si inceneratori) dhe vetëm 20% në investime kapitale.
Realizimi i buxhetit mbetet i ulët me 54% në 2023 dhe 67% në 2024 duke lënë miliarda lekë të pashpenzuara ose të ridrejtuara.
Për TNI-në, arkëtime të larta nuk përkthehen në infrastrukturë të përmirësuar.
Në 2023, investimet arritën 9,546 lekë për frymë (më e larta në vend), por kryesisht në projekte qendrore si trotuare ose ndriçim, ndërsa rrugica afër qendrës dhe periferitë vuajnë nga mungesa e rrugëve bazë.
Raportet tregojnë se investimet kapitale ranë nga 24% në 2023 në 20% në 2024, pavarësisht bumit të ndërtimeve që gjeneroi 7.4 miliardë lekë vetëm në 2022. Kritikat theksojnë se këto para “ushqejnë” një administratë të fryrë, jo rrugët e prishura.
Për TPIA-në, bilanci është njësoj zhgënjyes.
E prezantuar si një taksë 7-vjeçare për të ndërtuar 17 shkolla (10 9-vjeçare dhe 7 të mesme) përmes PPP-ve, ajo u zgjat në 10 vjet deri në 2025, duke arkëtuar 41 milionë euro deri në 2022 dhe mbi 50 milionë deri në 2024.
Megjithatë, deri në fund të 2025-së, vetëm 9 shkolla janë ndërtuar [1].
Ndikimi i taksës nuk u shtri dot as në arsimin parashkollor, ku regjistrimi në çerdhe arriti 12.5% në 2024 (dyfishim nga 2023), por kopshtet kanë vetëm 68.6% regjistrim, me një raport fëmijë-mësues 18.2:1 në Tiranë duke treguar mbingarkesë të vazhdueshme.
Shumë investime u mbështetën nga buxheti qendror ose PPP, jo vetëm nga taksa, duke ngritur pyetje mbi efektivitetin e saj.
Në fund të 2025-së, TPIA mbaroi zyrtarisht, por trashëgimia e saj është një dekadë pagesash pa rezultate të plota.
Në një qytet si Tirana, ku buxheti i Bashkisë arrin në 400 milionë euro për 2026, një vlerë që rivalizon edhe ministritë, qytetarët presin më shumë se premtime të ricikluara.
Megjithatë, pas një dekade arkëtimesh rekord nga taksa e ndikimit në infrastrukturë (që solli miliarda lekë falë bumit të ndërtimeve) dhe taksa “e përkohshme” arsimore (që mblodhi rreth 50 milionë euro deri në fund të 2025-së), bilanci është zhgënjyes.
Kritikat nga mediat investigative dhe raportet e pavarura theksojnë një model qeverisjeje joefektiv, ku paratë shkojnë më shumë për paga, propagandë dhe koncesione të diskutueshme (si inceneratori i pa-ndërtuar), sesa për investime reale me realizim buxheti që shpesh nuk kalon 67%.
Qytetarët e Tiranës meritojnë fonde të dedikuara ekskluzivisht për infrastrukturën dhe arsimin, raporte transparente nga institucione dhe një fokus të ri.
Jo vetëm projekte prestigjioze në qendër që shpesh prishin atë që ekziston, por mirëmbajtje e vazhdueshme dhe investime të shtuara në periferi, ku jetojnë shumica.
Deri tani, kjo dekadë ka treguar se premtimet për “qytet evropian” kanë rezultuar në një qeverisje të kushtueshme dhe pak kthyese për publikun.
Mirëpo, duket se edhe në 2026 stafi aktual vazhdon të operojë me një qasje që përqendrohet si dhe më parë dhe pa ndryshim mentaliteti në kontratën morale dhe ligjore me publikun. Klientelizmi nuk duket se ka bërë hapa pas apo të jetë strukur.
Ndërkaq qytetarët kërkojnë një orientim më i fuqishëm drejt shërbimeve publike dhe transparencës efektive do të përmirësonte ndjeshëm efikasitetin dhe besueshmërinë e humbur të bashkisë. Por, duket se kjo kërkesë ende ka rrugë të gjatë deri te adresimi i saj.
[1] 5 shkolla në Lotin 1 (si “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri”) dhe 4 në Lotin 4. Lotet 2 dhe 3 (8 shkolla) mbeten të parealizuara, pavarësisht se 92% e arkëtimeve u shpenzuan
