
Liderë të fortë, shtete të brishta, arkitektura e pushtetit patrimonial në Ballkan
Në Ballkanin Perëndimor po konsolidohet një figurë lidershipi që nuk i përket as autoritarizmit klasik, as demokracisë funksionale.
Ai nuk sundon përmes ideologjisë dhe as përmes terrorit të hapur. Ai sundon përmes administrimit të varësive. Ky lider nuk kërkon të ndërtojë shtet, por ta përdorë atë.
Në Shqipëri, Kosovë, Serbi dhe në pjesë të tjera të rajonit, pushteti nuk organizohet rreth rregullave, por rreth figurës qendrore.
Institucionet nuk zhduken, përkundrazi ruhen me kujdes, sepse janë të dobishme si fasadë dhe instrument.
Por ato humbasin autonominë.
Vendimmarrja reale nuk ndodh në to, por jashtë tyre, në rrethe të ngushta besimi, ku politika, biznesi dhe interesat personale përzihen pa kufij të qartë.
Lideri ballkanik i këtij modeli nuk e sheh shtetin si hapësirë publike që duhet balancuar, por si territor që duhet menaxhuar. Ai nuk e sfidon hapur ligjin, por e përkul atë. Ligji zbatohet aty ku forcon autoritetin dhe anashkalohet aty ku e kufizon.
Drejtësia nuk mohohet si parim, por selektohet si praktikë.
Ky lider nuk qeveris përmes programeve, por përmes njerëzve. Besnikëria është monedha kryesore politike.
Karriera, mbijetesa dhe ndëshkimi varen jo nga kompetenca, por nga pozicionimi ndaj qendrës së pushtetit.
Në këtë arkitekturë, zgjedhjet nuk janë mjet korrigjimi, por mekanizëm riprodhimi. Ato shërbejnë për të rinovuar legjitimitetin formal, jo për të ndryshuar drejtimin.
Në Serbi, ky model vishet me petkun e stabilitetit rajonal dhe kontrollit gjeopolitik.
Në Shqipëri, ai shoqërohet me premtime modernizimi dhe integrimi.
Në Kosovë, tensioni mes shtetndërtimit të papërfunduar dhe presionit ndërkombëtar e bën modelin më të paqëndrueshëm, por jo më pak të pranishëm.
Ndryshojnë kontekstet, por logjika është e njëjtë: pushteti personal mbi institucionet e forta.
Ajo që e bën këtë model veçanërisht rezistent nuk është vetëm mbështetja e brendshme, por pranueshmëria prej botës së jashtme. Për fuqitë e mëdha, Ballkani nuk shihet si hapësirë vlerash, por si zonë menaxhimi rreziku.
Për sa kohë lideri garanton qetësi relative, kontroll të kufijve dhe bashkëpunim selektiv, mënyra se si ai qeveris brenda vendit mbetet çështje dytësore.
Kështu, demokracia reduktohet në procedurë teknike.
Raportet prodhohen, zgjedhjet zhvillohen, dialogët vazhdojnë, por transformimi mungon. Integrimi europian shndërrohet në narrativë strategjike, jo në projekt reformash që cenojnë interesat reale të pushtetit.
Modeli patrimonial nuk e kundërshton këtë proces, pasi ai e përdor atë si mburojë. Pasojat nuk kanë qenë të menjëhershme, por tashmë janë të thella.
Shoqëritë po fillojnë të boshatisen, jo vetëm fizikisht përmes emigracionit, por edhe politikisht përmes apatisë.
Korrupsioni nuk konsiderohet më problem moral, pasi ai është bërë mekanizëm funksional i sistemit. Institucionet e dobëta krijojnë hapësira ku aktorë të jashtëm, interesa rivale dhe influenca joformale duke përfshirë edhe krimin në vetvete gjejnë terren të lirë dhe marrin vendime për shumicën e shoqërisë.
Kështu, modeli i liderit patrimonial në Ballkan po prodhon një paradoks të rrezikshëm, që në pamje të parë është një stabilitet afatshkurtër, por ajo që prodhon efekte është pasiguria afatgjatë. Ky model duket sikur na qetëson sot, por po akumulon tension për nesër. Dhe kur ky tension shpërthen brenda vendit ai është aq i fortë sa madje nuk mbetet vetëm brenda kufijve kombëtarë.
Rezultati nga gjithë kjo pritje e gjatë duket si një rend politik në formatin demokratik nga larg, por që është bosh nga brenda. Llogaridhënia selektive, barazia para ligjit e kushtëzuar dhe institucionet pa autonomi janë pjesa e arkitekturës së re të këtij modeli.
Kjo krizë është pasqyrë e një dështimi global për ta mbrojtur demokracinë si vlerë, jo si mjet. Sa herë që ajo sakrifikohet në emër të stabilitetit, krijohet një hapësirë gri ku pushteti personal, klientelizmi dhe cinizmi politik bëhen normë. Dhe kjo hapësirë nuk mbetet kurrë e izoluar.
Ndryshimi i figurave zëvendëson emra, por ruan të njëjtat rregulla loje.
Në fakt duhet të synohet ndryshimi i logjikës së pushtetit, duke përmbysur vetë mënyrën se si ushtrohet autoriteti.
Ky ndryshim bëhet vetëm duke zhvendosur pushtetin nga individi te institucioni, ligje që zbatohen pa përjashtime, institucione që nuk varen nga vullneti politik, zgjedhje që prodhojnë përgjegjësi reale dhe presion të vazhdueshëm qytetar e ndërkombëtar që e lidh stabilitetin me demokracinë, jo e ndan prej saj.
Në një botë të paqëndrueshme, shtetet e vogla nuk kanë nevojë për liderë të pathyeshëm, por për institucione që rezistojnë.
Ndërsa bota e madhe duhet të kuptojë se toleranca ndaj keqqeverisjes nuk është pragmatizëm, por bashkëpërgjegjësi për pasojat.
Iluzioni i stabilitetit përfundon në momentin kur bota e vogël, e keq-qeverisur, fillon të eksportojë paqëndrueshmëri. Dhe ky moment, në 2026 nuk po duket se është hipotetik.
